Piet Mondrian, artisti në kërkim të ideales!

Artisti holandez Piet Mondrian (1872-1944), krijoi veprën e famshme “Kompozim me të Kuqe dhe Blu”, 1929.


Nga Dr. Bledar Kurti

(Teksa shkruaj, njerëz shumë të qytetëruar po fluturojnë lart mbi kokën time, duke u përpjekur të më vrasin. – George Orwell)

Në të gjithë historinë e tij, në çdo hap drejt të ardhmes, njeriu ka bërë luftë. Për ironi, të gjitha luftërat që ka bërë njeriu janë kryer ose në emër të dashurisë ose në emër të progresit, dhe shekulli më progresist e më modern i të gjithë kohërave ishte ai i 20-të, shekull në të cilin industria dhe teknologjia, shkenca dhe mjekësia, letërsia dhe kultura, arritën kulmin epokal, e bashkë me to u rrit edhe miti i njeriut të qytetëruar, i cili, me nivelin e tij të lartë të qytetarisë, dhe në emër të progresit, bëri atë që dinte të bënte më mirë, të vriste. Ndaj edhe George Orwell shkroi për bombat që flatronin mbi kokën e tij nga aeroplanë të pilotuar nga njerëz shumë të qytetëruar, ndaj edhe shekulli i 20-të njihet si shekulli më gjakatar i mbarë historisë së njerëzimit, në të cilin humbën jetën trefishi i të gjithë viktimave të shkaktuara nga të gjithë luftërat ndër mijëra vjeçarët e njeriut që nga krijimi i tij.

Shekulli më vrastar i epokave nisi të shkruante vendmbërritjen e tij të ferrtë me Luftën e Madhe, 1914-1918. U quajt e madhe pasi kurrë më parë historia nuk kishte dëshmuar një konflikt të atillë. Për shkak të saj, humbën jetën 16 milionë njerëz, e më pas, po për shkak të saj, gripi që u përhap pas kthimit të ushtarëve në vendet e tyre, i njohur si Gripi Spanjoll i vitit 1918, morri jetën e 50 deri në 100 milionë njerëzve. Gjithashtu, ky shekull shënoi edhe lindjen e sistemeve më djallëzore të kohërave, si nazizmi, fashizmi, dhe komunizmi, të cilat e shtuan edhe më shumë numrin dhjetëra milionësh të viktimave e jetëve të pafajshme njerëzore. Lufta e Madhe, Revolucioni Bolshevik, Holokausti, dhe Lufta e Dytë Botërore, bashkë me shumë luftëra civile brenda disa shteteve e ndryshuan botën përgjithmonë.

Dr. Bledar Kurti, pranë një nga veprat më të famshme te Piet Mondrian në Muzeun e Artit, Nju Jork – SHBA.

 

Dhe si reaguan artistët ndaj atij realiteti të paprecedentë? Cili ishte qëndrimi i tyre ndaj një bote të mbuluar me kufoma? Artistët, duke shërbyer si ndërgjegjja e kombeve krijuan një art të ri. Një art që apelonte për një realitet të ri dhe jetë të re, pa dhunë, pa vrasje, pa masakra por e paqtë, e harmonizuar, e balancuar, e paanshme, e kulluar, dhe e bukur. Ndaj edhe artisti holandez Piet Mondrian (1872-1944), krijoi vepra të tilla si Kompozim Nr. 2. Kompozim me të Kuqe dhe Blu, 1929, në dukje e thjeshtë dhe minimaliste, por me një mesazh të fortë dhe botëkuptim të thellë që cek vetë identitetin e njeriut.

 

Në këtë tablo vërehen vetëm dy ngjyra primare: e kuqja dhe bluja. Ato janë të shpërndara në mënyrë të rregullt por të ekuilibruara me njëra-tjetrën. Në një botë të trazuar artisti promovon ekuilibrin. Në një epokë tmerri artisti jep mesazhin se harmonia mund të arrihet fare thjeshtë. Edhe konceptet e kundërta siç janë këto dy ngjyra mund të arrijnë të bashkëjetojnë e krijojnë bukuri.

Bluja është ngjyrë e ftohtë. Ajo është koncept i arsyes dhe racionalitetit, por edhe e vdekjes, ndërkohë që e kuqja, një ngjyrë e ngrohtë, përfaqëson pasionin, revolucionin, jetën dhe shtysën njerëzore. Kur këto dy koncepte mund të qëndrojnë thjeshtësisht të harmonizuara mbi tablo, edhe vetë njerëzimi mund të arrijë një paqe dhe harmoni të ngjashme. Vepra është një apel për paqe. Një thirrje për një botë më të mirë. “Ritmi i marrëdhënies midis ngjyrës dhe dimensionit … lejon që të shfaqet absolutja,” shkroi ai në vitin 1917. Ndaj edhe në këtë tablo kemi një harmoni absolute.

Figurat drejtkëndorë janë ngjyrë të kuqe, blu, por edhe të bardha. E bardha e konturuar me linja të zeza simbolizon kujtimet e harruara. Mondrian apelon për harmoni e fillim të ri, të ndërtuar mbi disa kujtime të cilat duhen fshirë nga ndërgjegjja kolektive mbarë shoqërore, dhe duke konsideruar kapitullin e trishtë e kataklizmik që bota sapo kishte përjetuar, kujtimet e hidhura që duheshin kapërcyer ishin të shumta.

Mondrian-i ka një seri veprash me kompozime të ndryshme trengjyrëshe: të kuqe, blu, dhe të verdhë. Ai besonte se piktura mund të kthehej në një lloj konstruksioni porsi arkitektura. Ai i ndërtonte tablotë e tij nga elementët më të thjeshtë, si linjat e drejta dhe ngjyrat e kulluara. Ai kërkonte me ngulm një art kthjelltësie e disipline që të pasqyronte ligjet objektive të gjithësisë. Ai donte të zbulonte realitetet e pandryshueshme prapa formave përherë në ndryshim të pamjes së jashtme subjektive.

Piet Mondrian. piktor i famshëm holandez (1872-1944)

Kjo vepër transmeton qartë mesazhin se arti reflekton vizualisht tensionet dhe idetë e epokës. Piet Modrian dhe artistët e fillimit të shekullit të 20-të në tërësi synonin të ndreqnin atë që ata shihnin si një kulturë të sëmurë. Ndaj pjesa më e madhe e veprave të krijuara gjatë kësaj periudhe përmbajnë një peshë të madhe shpirtërore. Ata përpiqeshin të zbulonin dhe promovonin të mirën që gjendej e fshihej brenda së keqes dhe të korruptuarës, ndaj edhe çiftëzimi dramatik i formave dhe imazheve paraqitej në mënyrën e tyre më të thjeshtë, bazike e të kulluar. Ky mision ishte qëllimi i Piet Mondrian në të gjitha veprat e tij.

Në këtë tablo të kompozuar me figura të sheshta gjeometrike, me plane të ndërlidhura horizontalisht dhe vertikalisht, simbolizohet rendi natyror, kësisoj ajo është një ilustrim i rregullit universal. Përsosmëri në tokë. Një utopi barazie dhe harmonie. Pas një lufte të tmerrshme, e sidomos në një botë të trazuar sërish, e cila do rezultonte në brenda pak viteve edhe në një luftë tjetër botërore edhe më të tmerrshme se e para, apeli i artistit ishte edhe më domethënës. Dëgjoni kombe, thërret vepra dhe artisti, harmonia njerëzore është atribut bazik, dhe të kundërtat mund të bashkohen dhe të arrijnë një ekuilibër, të bukur, të thjeshtë, brenda një skene, porsi një tablo dy apo tre ngjyrash.

Edhe linjat e zeza kanë një mesazh apelues dhe simbolizojnë bashkë-ekzistencën. Linjat vertikale simbolizojnë njerëzimin ndërsa ato horizontale simbolizojnë tokën dhe natyrën. Madje ato janë edhe simbole mashkullore dhe femërore. Të ndërlidhura me kuadratet dhe ngjyrat ato krijojnë një rend suprem dhe gjithëpërfshirës, duke shpalosur përpara shikuesit rendin botëror ku njeriu bashkëjeton me natyrën, dhe botëkuptimet e ndryshme mund të ekzistojnë në harmoni të tërë, duke krijuar një skenë botërore në balancë dhe ekuilibër të plotë.

Kjo na tregon edhe për natyrën e artit dhe artistit, që e tejkalojnë botën e tyre të izoluar duke u përfshirë në arritjen e një rendi të ri harmonik e të rregullt botëror. Për shumë vite, bota dhe njerëzimi ishin përpjekur të vetë-shkatërroheshin: në tokë përmes artilerisë, llogoreve, gazit të mustardës e rrënimit të qyteteve; në ajër me përdorimin e aeroplanëve dhe zepelinëve; në det me nëndetëset dhe anijet luftarake. Ndaj një rend i ri harmonik, me prirje drejt së mirës dhe jo të ligës, ishte misioni i ri i artit dhe artistëve të fillim shekullit të 20-të.

I shtyrë nga ky mision, Modrian-i u përpoq gjatë të gjithë krijimtarisë së tij të krijonte një pikturë e cila mund të shërbente si një planimetri për një lloj të ri arti, dhe një përjetim më të vërtetë të jetës përmes artit. Ndaj edhe veprat e tij kanë përmbajtje tejet shpirtërore, dhe shërbejnë si një burim për ripërtëritje në një kohë kur mbarë bota dukej në një çrregullim total.

Piet Mondrian lindi në Holandë dhe jetoi në Paris për disa vite. Ai u kthye në Holandë pak kohë përpara shpërthimit të Luftës së Parë Botërore në vitin 1914. Atje ai u takua me artistin Theo Van Doesburg dhe nën kontekstin tragjik të luftës, në vitin 1917, ata themeluan së bashku lëvizjen e artit dhe një revistë me titullin De Stijl (Stili). Ashtu si ato të grupit Bauhaus në Gjermani, artistët e lidhur me grupin De Stijl ishin të interesuar jo vetëm me pikturën, por me çdo aspekt të kulturës pamore dhe materiale, duke përfshirë arkitekturën, skulpturën, stilizimin e mobilieve dhe artet grafike. Tmerret e luftës prekën çdo aspekt të jetës ndaj edhe artistët tentuan të promovojnë harmoninë dhe ekuilibrin në çdo mjedis: ndërtesa, mjedise të brendshme, hapësira publike, etj.

Mondrian-i u largua nga De Stijl në vitin 1925, por e vazhdoi rrugëtimin për ta kulluar e pastruar sistematikisht artin e tij, duke vazhduar në misionin e tij idealist për një formë universale të artit. Ai synonte të thjeshtonte pikturën në thelbin e saj, të shpalosur në kompozime harmonike të linjave vertikale dhe horizontale dhe ngjyrave primare. Modrian-i tentonte të krijonte një art që mund të shërbente si një gjuhë piktoriale ndërkombëtare. Njerëzimi është një, natyra është një, ndaj nëse kombet do komunikonin me njëri-tjetrin përmes formave të thjeshtuara pamore, përmes një gjuhe piktoriale ndërkombëtare, atëherë do mund të arrihej një harmoni dhe ekuilibër global.

Dhe, ky synim i Mondrian-it duket se është arritur jo vetëm përmes tablove të tij por edhe më gjerë përmes konceptit të cilin ai promovonte, pasi edhe në ditët e sotme kompozimet tre apo më shumë ngjyrëshe të Mondrian-it gjenden në fasadat e ndërtesave në qytetet anembanë botës, përfshirë edhe në Tiranë, Durrës dhe qytete të tjera të Shqipërisë, si edhe në interiore godinash, zyrash dhe banesash të shpërndara nga njëri kontinent në tjetrin. Kjo na shpalos atributin e artit si një gjuhë ndërkombëtare që e lidh njerëzimin më pranë njëri-tjetrit.

Arti i Mondrianit është tejet abstrakt, pa asnjë lidhje me motivet realiste, megjithatë përmes abstraksionit gjeometrik ai shpalos një harmoni të plotë pamore dhe konceptuale, si edhe një formë të balancuar universale. Tablotë e tij duken të thjeshta, por nuk janë aspak të tilla, pasi ato janë të bazuara mbi esencën absolute.

Mondriani, sikurse edhe artistët e tjerë holandezë të grupimit De Stijl ishte rritur në familje protestante, dhe me një prejardhje kalviniste ai ishte njeri shumë i disiplinuar dhe i matur, si në jetë ashtu edhe në art, në lidhje me atë çfarë ofronte. “Detyra e artit është të shprehë një vizion të qartë të realitetit,” u shpreh ai, por me këtë nuk i referohej asaj çfarë ai shihte apo realitetit në të cilin gjendej njerëzimi, por sesi duhet të ishte rendi harmonik i botës, pa shkatërrimin që njeriu po i bënte vetes dhe natyrës. Ndaj edhe nuk ka linja diagonale në kompozimet e tij, pasi ato simbolizojnë konfliktet dhe shkatërrimin, dhe në realitetin e tij artistik dhe utopik, konfliktet nuk kishin vend, por duke i lënë hapësirë vetëm ndërlidhjes harmonike e të balancuar të forcës që drejton njeriun dhe forcës që drejton natyrën.
Në shumë tablo të tij, të kuqes dhe blusë i shtohet edhe e verdha. Ajo simbolizon dritën, dhe tablotë e tij nisin e kthehen në histori reale të cilat të shtyjnë të endesh drejt dritës si burimi i përsosur i harmonisë dhe përsosmërisë.

Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore, Mondrian-i u largua nga Holanda për në Londër e më pas në New York. Në Amerikë ai u tërhoq shumë pas muzikës Jazz dhe shumë tablo të tij iu përkushtuan harmonisë muzikore të ritmeve të kësaj muzike. Amerika i ofroi një liri më të madhe krijuese, dhe tablotë e tij morën më shumë dinamikë, por gjithmonë duke ruajtur bukurinë ideale, dhe duke shpalosur konceptin e harmonisë dhe balancës universale.

Mondriani e nisi jetën e tij artistike duke pikturuar mullinjtë e erës në Holandë, e më pas kaloi në Kubizën, Fovizëm dhe Abstraksionizëm, gjithnjë në kërkim të ideales. Ky udhëtim i tij përmes shtigjeve të ndryshme artistike na ka lënë një trashëgimi të mrekullueshme veprash të cilat shërbejnë si një kujtesë e përhershme mbi misionin e njerëzimit për të kuptuar bukurinë ideale, dhe për të përjetuar harmoninë universale. Sigurisht që kjo ka qenë, është, dhe do mbetet një utopi njerëzore, por gjithsesi nuk ka reshtur kurrë së qeni një dëshirë e përhershme fisnike e artit dhe e artistëve të gjithë epokave.

***
Mësime Mbi Artin: Piet Mondrian (I ndarë nga jeta më 1 shkurt 1944)

“RINArt”, 400 punime ekspozohen te Galeria “2 Botë”

Kryebashkiaku i Belshit, Tafani: Faleminderit Universitetit të Arteve të Bukura, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Helidon Halitit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.