Skënder Mihalçka, restauruesi i afreskeve dhe mjeshtri i akuareleve
Piktori përmetar është një akuarelist race, me penelata transparente dhe me një kolorit gjithë arrogancë estetike
Nga Dash Frashëri, botues i TiranaDiplomat.com
Piktorin Skënder Mihalçka, restauruesin e afreskeve dhe mjeshtrin e akuareleve, e kam njohur kur ai erdhi në Përmet ne vitet 1980, së bashku edhe me piktorin e ndjerë, Mustafa Arapi, si pjesë e një ekspedite për konservimin e disa piktura murore në kishën e Leusës në Përmet.
Akuarelist race, me penelata transparente dhe me një kolorit gjithë arrogancë estetike, Mihalçka më la një përshtypje të mnadhe me punimet e tij shume ekspresive.
I lindur në Tiranë, në vitin 1946, por me origjinë nga Ogdunani i Përmetit, sot edhe pse është 77 vjeç, Skënderi e ruan ende freskinë e punimeve të tij.
I diplomuar për piktor në vitin 1976 Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve), Skënder Mihalçka ishte shefi i Depertamenti të Artit në
Institutin e Monumenteve të Kulturës, ku kishte për detyrë të kontrollonte punimet restauruese që kryheshin në Kishën e Leusës, por edhe në vendet dhe monumentet e tjera në Shqipëri.
Ai është dhe autor i disa studimeve të tilla, si: “Manastiri i Ardenices dhe konservimi i pikturave murore të tij” (1986), “Rezultate të ekzaminimit dhe të punimeve restauruese në pikturën murore të manastirit të Ardenicës gjatë viteve 1984-1985”, me autorë Skënder Mihalçka dhe Marita Beçi, publikuar në vitin 1988.
Krijimtaria e tij është shumë e pasur: herë pranë detit, herë pranë një kishe në Përmet, herë një skice e shpejtë.