“Darka e Fundit” e Leonardos dhe gostia jote e tradhtisë

Admirojeni “Darka e Fundit,” kryeveprën e Leonardos, e gjeni veten në atë gosti!


Nga Dr. Bledar Kurti

Ja çfarë ndodhi të enjten, me të perënduar dielli, gati dymijë vite më parë. Një moment i rrënjosur në histori si e Enjtja e Shenjtë por edhe gostia e tradhtisë.

“Jezusi  u ul në tryezë bashkë me të dymbëdhjetët, dhe, ndërsa po hanin, tha: ”Në të vërtetë unë po ju them se një nga ju do të më tradhtojë … Ai që ka ngjyer bashkë me mua dorën në çanak, ai do të më tradhtojë. Dhe Juda, ai që do ta tradhtonte, e pyeti dhe tha: Rabi, mos jam unë ai? Ai i tha: ”Ti po thua!’

(Pak më vonë)

Dhe ndërsa Jezusi ende po fliste, ja Juda, një nga të dymbëdhjetët, erdhi, dhe bashkë me të një turmë e madhe me shpata dhe me shkopinj, e dërguar nga krerët e priftërinjve dhe nga pleqtë e popullit. Tani ai që e tradhtonte u kishte dhënë atyre një shenjë, duke thënë: Atë që unë do të puth, ai është; kapeni. Dhe menjëherë iu afrua Jezusit dhe i tha: ”Tungjatjeta, Mësues!” Dhe e puthi përzemërsisht.

(Të nesërmen)

Kur pa Juda, ai që e tradhtoi, se Jezuin e dënuan, pasi i hodhi në tempull tridhjetë monedhat e argjendta që kish marrë, u largua dhe shkoi e vari veten.

Ja kështu Juda Iskarioti u përjetësua si tradhtari ndaj Zotit, duke ia kaluar Ephialtes i cili tradhtoi spartanët, Brutit dhe Kasit që tradhtuan Cezarin, e të gjithë tradhtarëve të tjerë të dymijë vjeçarëve të ardhshëm të cilët do tradhtonin atdheun e tyre si Ugolino della Gherardesca, Benedict Arnold, Vidkun Quisling, Wang Jingwei, Spiunët e Kembrixhit, Mir Jafar, e shumë e shumë të tjerë deri në ditët tona.

Kjo Darkë e Fundit historike identifikohet gjithmonë me afreskun e Leonardos, kaq shumë të admiruar prej të gjithëve, por do ishte mirë, madje tejet e rëndësishme, që sa herë ta shikoni këtë kryevepër të kuptoni se edhe ju jeni në të. A jeni Juda? A jeni një nga shenjtorët? Apo jeni thjesht vëzhgues? Si të jesh Juda ashtu edhe thjesht të jesh vëzhgues, gjithësesi jeni tradhtar, pasi ai që sheh e nuk vepron, nuk bën gjënë e duhur në anë të drejtësisë është po aq fajtor sa edhe shkelësi.

Pasi, tradhtia nuk është vetëm ndaj atdheut, kur zhvat bashkëkombasit e tu, kur vjedh tjetrin, kur korruptohesh prej shkelësve me monedha argjendi, kur abuzon me detyrën që të është besuar, kur ke pozicion drejtues dhe me verbëri pushteti apo lakmie drejton turmat për nga gremina. Tradhtia është edhe ndaj vetes, kur bën kompromis me parimet e tua, kur vepron kundër ndërgjegjes tënde, kur zgjedh të heshtësh në vend që të ngresh zërin për të vërtetën, kur mbështet të gabuarën në vend të kauzave fisnike, kur heq dorë nga shpresa dhe ëndrrat e tua.

Në fakt, nuk ka gjë më të keqe se sa të tradhtosh veten. Nuk ka formë më pikëlluese se sa të mos jesh vetja. Është një vetëvarje në litar, sikurse i ndodhi Judës.

Admirojeni “Darka e Fundit,” kryeveprën e Leonardos, e gjeni veten në atë gosti. Se ku do jeni të ulur në tablo, apo do vazhdoni të jeni vëzhgues kjo varet nga ju.

Gëzuar Pashkën!

 

Resul Jusufi fiton “Golden Award” në Korenë e Jugut

Artisti nga Kosova i cili jeton dhe krijon në Austri, është i mirënjohur ndërkombëtarisht për punimet e tij.

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.