“Harabel” në “Rezidencën me Dyer të Hapura” të Ambasadorit të Italisë
Në Rezidencën e Ambasadorit Fabrizio Bucci u prezantuan veprat e Artan Shabanit, Ledia Kostandinit, Adrian Çenes dhe Helidon Xhixhës.
Nga Dash Frashëri, botues i Bloger.al
“Harabel” në “Rezidencën me Dyer të Hapura”!
Nuk bëhet fjalë kurrsesi për një harabel, zogun e famshëm, por për shoqatën simpatike “Harabel“, Platformën e Artit Modern dhe aktivitetin e realizuar në Rezidencën e Ambasadorit të Italisë në Shqipëri, Fabrizio Bucci, të titulluar “Rezidenca me dyer të hapura”, ku u prezantuan veprat e artit të realizuara nga katër artistë: Artan Shabani, Ledia Kostandini, Adrian Çene dhe Helidon Xhixha.
E prita me shumë kureshtje vizitën në Rezidencën e Ambasadorit italian në Shqipëri, të cilin e kisha takuar vetëm disa ditë më parë në konferencën për shtyp në ambientet e Universitetit Politeknik, ku u prezantua projekti i selisë së re të ambasadës italiane.
Ish-Muzeu “Lenin – Stalin” gjatë regjimit komunist, nga viti 1991 shërben si Rezidenca e Ambasadorit të Italisë, që nga koha e kryediplomatit Paolo Foresti.
I përpikët në orar (10:00), shkela në oborrin e një prej rezidencave diplomatike më të rëndësishme në Shqipëri, nisur edhe nga marrëdhëniet e shkëlqyera me Italinë, të konsideruar metaforikisht si “motra e madhe”.
Ekspozita në rezidencën e kryediplomatit italian ishte kuruar nga “kuratori diplomatik”, piktori i njohur Artan Shabani, ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, një italishtfolës elokuent dhe një njohës i shkëlqyer i artit bashkëkohor dhe modern.
Vizita në rezidencë, nisur edhe nga interesimi i madh i nxënesve të shkollave të kryeqytetit, një grup nxenesish nga Seksioni Dygjuhësh i Gjimnazi “Ismail Qemali” dhe Liceut Artistik, ishte ndarë në dy fasha orare 10:00 – 11.30 dhe 11:30 – 13:00.
Shoqata “Harabel” ishte edhe organizatorja e aktivitetit.
Shoqata “Harabel” kishte përgatitur edhe fletëpalosjen e detajuar me një biografi artistike të katër autorëve: Artan Shabani, Ledia Kostandini, Adrian Çene dhe Helidon Xhixha.
“Ky aktivitet është krijuar në kuadër të Javës Kultorore të Italisë. Së bashku edhe me Ambasadën Italiane, ‘Harabel’ ka organizuar këtë aktivitet të titulluar ‘Rezidendca me dyer te hapura’, që të jetë e hapur për shqiptarët për forcimin e marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Italisë, për promovimin e kulturave dhe artit dhe ne kemi prezantuar veprat e katër autorëve: Artan Shabani, Ledia Kostandini, Adrian Çene dhe Helidon Xhixha. Ky aktivitet është një takim i drejtpërdrejtë me artistët, që të gjithë të kenë mundësi të flasin me artistët, të kuptojnë veprat e tyre dhe pse jo të shfaqin talentin e tyre gjithmonë e më shumë”, tha Xhoi, koordinatorja e shoqatës “Harabel”, për Bloger.al.
“Harabel” është një platformë e artit bashkëkohor, e themeluar nga promovuesja e kulturës Ajola Xoxa dhe artisti Driant Zeneli.
“Ka krijuar arkivin e parë dixhital të artit bashkëkohor në Shqipëri. “Harabel” bashkëpunon me artistë të ndryshëm”, tha Xhoi.
“Harabel” është një shoqatë shumë aktive dhe tepër interaktive. Ajo organizon biseda me artistë kombëtarë, kuratorë, shkrimtarë, etj.
“Harabel” ka mundësuar krijimin e disa prej veprave më të njohura publike, të cilat janë vendosur në qytetin e Tiranës nga artistë të ndryshëm, si Ledia Kostandini, Sisli Xhafa, Adrian Paci, Sadik Spahia, Lumturi Blloshmi, etj.”, thekson Xhoi.
Piktori vlonjat Artan Shabani jeton midis Tiranës dhe Torinos. Si artist, ai punon me një spektër të gjerë mediash, si piktura, vizatimi, fotografia, video dhe instalacioni.
“Punimet e tij janë ekspozuar në bienale të ndryshme, ekspozitsa personale dhe grupore, panaire dhe konkurse, dhe ndodhen në galeri të ndryshme, muze dhe institucione publike, private, në galeri kombëtare dhe ndërkombëtare, kryesisht në SHBA, Francë, Itali, Zvicër, Spanjë dhe Shqipëri”, shkruhet në fletëpalosjen e hartuar nga “Harabel”.
Veprat e skulptorit durrsak, Helidon Xhixha, janë të ekspozuara në katin e parë të rezidencës dhe në oborret e parme dhe të pasme të saj.
“Xhixha është skulptor, i cili nuk skalit materiale, përkundrazi përdor materiale për të skalitur dritën”, shkruhet në fletëpalosjen e hartuar nga “Harabel”. Xhixha, i cili ka studiuar në Akademinë e Arteve të Milanos, “Brera”, ka punë të tij në vende të ndryshme të Europës, Shtetet e Bashkuara, Amerikën Latine, Lindjen e Mesme, dhe sigurisht në Shqipëri. Skulpturat e tij janë shfaqur në muze artit dhe ndërtesa qeveri anebanë globit.
Pedagogia e Artit në Universitetin Polis, Ledia Kostandini, ka kuruar një koridoret e Rezidencës së ambasadorit italian. Fituese e shumë cmimeve të rëndësishme, punimet e saj përfshijnë pikturën, fotografinë, instalacionet dhe ilustrimin.
“Në dizajnin tim synoja një lidhje midis dy kulturave, asaj italiane dhe shqiptare. Bëra disa dizajne, me të cilat mora pjesë në konkurs dhe e mora cmimin e këtij konkursi, që do të thoshte një bashkëpunim i mëtejshëm me ambasadën.
Pasi u takova me ambasadorin, ai e kuptoi se unë e kisha të qartë aplikimin që do t’i bëja artit, arkitekturën, hapësirën, dhe jo thjesht si dizajn. Fillimisht më duhej të ambientohesha me koridorin, si jetohej këtu, të futesha në lëkurën e banoreve si jetohej këtu, pasi ata do të kalonin përditë aty dhe nuk duhej të ishte dicka që t’u rëndonte sytë.
Nëse unë do të vendosja shumë ngjyra, njolla, do të ishte e lodhshme për pak kohë dhe mendova të trajtoja si vizatim mural, më elegant, që të mos ishte i lodhshëm”, tha Ledia Kostandini për vizitorët nga shkollat e kryeqytetit.
Piktori tiranas Adrian Çene me talentin e tij ka tërhequr prej kohësh vëmendjen e koleksionistëve europianë. I diplomuar për pikturë në Akademinë e Arteve (1992), Cene ka pasur sukses të jashtëzakonshëm me pikturat e tij në SHBA, Itali, Belgjikë, Francë, Spanjë, Greqi, Zvicër, Angli dhe Australi.
Një foto nga vizita e bën atë paharrëueshme!