Margariti: Artistët brilantë popullorë, krenaria e Festivalit Kombëtar të Gjirokastrës

Ministrja e Kulturës ka nderuar kujtimin e artistëve të mirënjohur popullorë, interpretues brilantë.


Ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ka nderuar kujtimin e artistëve të mirënjohur popullorë, interpretues brilantë, që me talentin e tyre i dhanë zë, ngjyra dhe jetë ndër vite, performancave folkorike nga të katër anët e Shqipërisë, të cilët sot kujtohen si krenaria e Festivali Folklorik Kombëtar Gjirokastër.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, ministrja Margariti ka kujtuar këngëtarë, rapsodë, valltarë, instrumentistë dhe formacione muzikore, të cilët ishin trashëgimtarët pasionantë të këngëve, valleve tradicionale, që i bartën dhe përcollën me mjeshtëri si vlera të jashtëzakonshme dhe unikale të trashëgimisë sonë folklorike, pjesë e identitetit tonë kombëtar.

✨ Artistë të mirënjohur popullorë, interpretues brilantë, që me talentin e tyre i dhanë zë, ngjyra dhe jetë, ndër vite,…

Posted by Elva Margariti on Wednesday, June 21, 2023

Teksa Festivali Kombëtar i Gjirokastrës 2023 është në prag, kujtojmë me mirënjohje:

Xhevat Avdallin, “Artist i merituar”, bilbili i këngës gjirokastrite, korifeu i “Grupit të Pleqve”, që lanë të përjetësuar në art gjithë ceremonialin e jetës shpirtërore të qytetit të gurtë.

Laver Bariun, klarinetistin virtuoz, që interpretoi së bashku brengën dhe gëzimin e shpirtit njerëzor. Kabatë e tij të famshme, vijnë herë si gurgullima e Vjosës e herë si fëshfërima e pyjeve të Dangëllisë dhe pa dyshim ishin një copëz e shpirtit naimjan.

Ndue Shytin, “Artist i Popullit”, që me dy tela çiftelie dinte të prekte dhe të gëzonte shpirtrat e mijëra njerëzve. Me talentin e tij e gdhendi melodinë, që tingujt e saj të mos i marrë era, që tingujt të kenë peshën e gurit të maleve pukjane e të krejt Shqipërisë.

Demir Zykon, i cili kishte zërin e një tenori lirik, të bukur e jashtëzakonisht të ëmbël. Kënga e tij kullonte nga shpirti, me nuancat më të bukura vokale, duke e ngritur interpretimin virtuoz të polifonisë toske deri në kulminacionet më mahnitëse e duke e shndërruar këtë figure në një legjendë.

Fatime Sokoli, “Artiste e Merituar” dhe “Mjeshtër i Madh,” e cila ia kushtoi jetën e saj artit dhe traditës folklorike të krijuar ndër breza. Rrugëtimi i saj artistik i ngjan fluturimit të një shpendi, që nuk mund të jetojë pa hapësirën dhe shpirtin e një populli të lidhur fort pas Alpeve, truallit që e lindi këngën epike e që Fatime Sokoli e interpretoi mrekullisht.

Dervish Shaqja, “Artist i merituar”, Orfe i folklorit burimor shqiptar, i cili me këngën, stilin dhe melodinë e tij la gjurmë të pashlyera tek të gjithë pasardhësit e tij, mori përmasat e një simboli të gjallë, të një “ambasadori” flakërues për situatat e asaj kohe në Kosovë. Ai me mjeshtëri të paarritshme ka krijuar dhe interpretuar këngët më të bukura të kohës së tij.

Ali Kondi, “Artist i merituar”, i cili lumturonte me “devolliçen” jo vetëm ne, por edhe çdo shqiptar tjetër, kudo që ndodhet, duke na ruajtur mallin dhe dashurinë për atë vend të shenjtë, që e duam dhe s’e këmbejmë me asnjë tjetër.

Taip Madani, “Artist i merituar”, Mjeshtër i valleve elegante e plot kolorit të Çamërisë. Veçanërisht i ngriti një monument artistik valles së Osman Takes. Kishte një kërcim mahnitës, befasues, plot gjallëri dhe jetë.

Golik Jaupi, “Artist i merituar”, i cili e përcolli këngën e popullit si era kur përplasej maleve, pyjeve dhe lëndinave plot lule të Labërisë. Herë epik, si një bubullimë, kur u këndonte “gjithë burrave me palcë guri”, herë i butë, flladitës e përkëdhelës si një fëshfërimë bari, kur i këndonte vendlindjes së tij dhe idileve baritore. Ai është bashkudhëtar me këngën labe, sikundër është blerimi me pranverën.

Fitnete Rexha, “Artiste e merituar”, një ndër këngëtaret më të shquara të muzikës popullore të Shqipërisë së mesme, e cila me zërin e saj brilant këndoi këngën tashme himn “Gjirokastra në shpat’ mali”.

Margariti ka kujtuar gjithashtu grupin kosovar të Rrashbullit, grupin çam të Rrogozhinës, orkestrinën e Zef Grudës, Kukës, orkestrinën simfonike të çiftelive dhe sharkive të Ndue Shytit, Pukë, orkestrinën e Matit, ritualin e “Ditës së verës” të Elbasanit, kabatë e famshme të Çobanit, Lulushit të Korçës dhe shumë e shumë të tjerë, këngëtarë, rapsodë, instrumentistë, valltarë, interpretues etj.

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.