Kosova në objektivin e aparatit fotografik

Libri “Kosova në 100 fotografi” ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike


Nga Elona Gjata

Libri “Kosova në 100 fotografi” ka dalë nga shtypi më 25 qershor të këtij viti në Prishtinë, me autorë Elona Gjatën dhe Hysni Ndreun. Ky libër ka për qëllim promovimin e trashëgimisë kulturore dhe historike brenda dhe jashtë vendit të Republikës së Kosovës, duke vënë në fokus ngjarje, vende dhe objekte të ndryshme që lidhen ngushtë me identitetin e vendit. Nëpërmjet kujtesës fotografike synohet të tregohet se si janë ruajtur traditat, kujtesa historike dhe kulturore te banorët e këtij vendi gjatë tranzicioneve të ndryshme politiko-shoqërore, si dhe ndryshimet që kanë ndodhur pas përfundimit të luftës së vitit 1998-1999 dhe pas shpalljes së pavarësisë.

Libri “Kosova në 100 fotografi” është konceptuar në formatin e një Photobook-u, i shoqëruar me 100 fotografi nga i gjithë rajoni i Kosovës, të cilat evidentojnë dhe dokumentojnë pjesë nga trashëgimia historike dhe kulturore e vendit. Krahas çdo fotografie qëndron një tekst i shkurtër informues, por konciz, që përcillet në katër gjuhë të ndryshme: shqip, anglisht, gjermanisht dhe frëngjisht. Përkthimi në disa gjuhë të huaja është parë si mënyrë që krijon lehtësi në qasjen ndaj tekstit te gjeneratat e reja në vende të ndryshme të diasporës, për të mësuar dhe kuptuar më mirë është zgjerimi i rrethit te lexuesi i huaj në Europë dhe Amerikë, për ta njohur atë jo vetëm me atraksionet turistike të Kosovës, por edhe me kulturën dhe historinë e saj.

Fotografitë janë ndarë sipas tipologjisë që përfaqësojnë: objekte dhe vende historike, trashëgimi kulturore, kulturë materiale dhe shpirtërore, objekte kulti, etnografi (veshje, valle, rite dhe festivale), gatime tradicionale dhe peizazhe natyrore.

Duke iu referuar Objekteve dhe vendeve historike midis të tjerave dallon historia e Kronit të Lotit në fshatin Gorozhup të Hasit, si vendi ku u vendos kufiri shqiptaro-shqiptar ndërmjet Shqipërisë dhe ish-Jugosllavisë në vitin 1948. Brenda kësaj kategorie, një objekt tjetër me rëndësi historike është dhe Memoriali Heroinat, i cili simbolizon 20 000 gratë shqiptare të përdhunuara, torturuara dhe vrarë gjatë luftës së vitit 1998-1999.

Në pjesën Trashëgimi kulturore mjaft domethënëse është arti shkëmbor në Kosovë, ku dëshmohet për gjurmë të një popullsie mjaft të vjetër në këtë rajon, nëpërmjet së cilit mund të kuptojmë lidhjen mes kulturave dhe epokave të ndryshme. Mjaft domethënese janë pikturat e spiraleve në guvën e Vllashnjës (Guva e Kobit), të cilat i dominon e kuqja okër, apo gravimet e ndryshme në pllakat shkëmbore në fshatin Zatriq. Pjesë e trashëgimisë kulturore të Kosovës janë edhe varrezat e hebrenjve në lagje të ndryshme të Prishtinës (Velani, Arbëri), por edhe në qytete të tjera, të cilat tregojnë jo vetë praninë e komunitetit hebre në këtë vend, por edhe bashkëjetesën e tyre me komunitetin shqiptar përgjatë dy luftërave botërore.

Interes të veçantë, jo vetëm si alternativë fotografike, por edhe kundrejt interesave të tjera studimore, paraqet Kultura materiale dhe shpirtërore. Në këtë lëm, vend të veçantë zë plisi, si pjesë e pandashme e veshjes dhe si simbol i identitetit kombëtar, madje i kthyer tashmë në një  kremte, e njohur ndryshe si Dita e Plisit, e cila festohet çdo 17 shkurt në Kosovë. Lidhur me kulturën materiale mjaft domethënëse gjithashtu është dhe okarina, një instrument muzikor i punuar me argjilë, i konsideruar si një ndër eksponatet më të vjetra frymore të gjetura deri më tani në Kosovë dhe Europë.

Objektet e kultit gjithashtu janë një pjesë mjaft interesantë për cilindo lexues dhe studiues, ku dallohet lehtë bashkëjetesa fetare ndërmjet komuniteteteve të ndryshme në vend. Në këtë kontekst një histori të veçantë mbart kisha e Letnicës, ku përveç pelegrinazhit që zhvillohet çdo vit në muajin gusht nga njerëz të besimeve dhe komuniteteve të ndryshme (siç ëshë komuniteti kroat), aty është edhe vendi ku shenjtorja e parë shqiptare Shën Nënë Tereza mori vendimin për të filluar rrugëtimin si motër misionare.

Pjesë e pandashme e trashëgimisë kulturore të Kosovës gjithashtu janë veshjet, vallet, ritet, së fundmi dhe festivalet. Midis diversitetit të veshjeve tradicionale ajo që dallon ndër të tjera është veshja e Medvegjës, kjo për shkak të larmisë së simbolikës kozmologjike dhe astrale. Ndërsa nga ritet që vazhdon të praktikohet ende prej shqiptarëve të komunitetit katolik është Nata e Buzmit, festë e cila mbart gjurmë të paganizmit. Së fundmi në Kosovë një risi në kontekstin kulturor janë edhe festivalet Etnofest dhe Dokufest. Etnofest është një festival i cili ka karakter multimedial, me programe të bazuara në traditë si, shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte, rite arkaike dhe shfaqje bashkëkohore, ndërsa Dokufest është një festival ndërkombëtar i filmit dokumentar dhe filmit të shkurtër, që mbahet çdo vit gjatë muajit gusht në qytetin e Prizrenit.

Gatimet dhe pijet tradicionale janë gjithashtu pjesë e trashëgimisë kulturore të vendit. Si  ushqim i veçantë i traditës buknore te shqiptarët është dalluar flija, forma diellore e së cilës dëften për praninë e kultit të diellit te popullata më e hershme. Ndërsa nga pijet është veçuar vera, si një nga pijet më aristokrate në vend, ku si për vendasit dhe të huajt dallon vera e Rahovecit, tashmë dhe me një shpërhapje në tregun europian.

Ashtu siç dihet, Kosova është e njohur edhe për bukurinë e peizazhe natyrore, ku një nga vendet që dallon për atraksionin e tij turistik dhe për zhvillimin e sportit të skijimit është Brezovica. Por në anën tjetër një tjetër pasuri natyrore e vendit janë edhe shpellat, ku ndër të tjera dallon shpella e Gadimës për shkak të kristaleve të ndryshme dhe formave që ato kanë marrë ndër vite.

Si përfundim, ajo çka mbetet evidente nga rrugëtimi i librit përgjatë hulumtimit të terrenit dhe literaturës është nevoja për prurje të reja shkencore në fushat e arkeologjisë, etnologjisë dhe antropologjisë, të cilat kanë kapacitet premtues.

Josif Papagjoni: Ja pse më pëlqen metafora poetike në pikturë!

"Mes dy botëve", emisioni i mirënjohur i moderatorit-piktor, Helidon Haliti, rikthehet në RTSH me Edicionin e Dytë të tij.

“Better Red Than Dead”

"Mjeshtri i Madh", Helidon Haliti, hap ekspozitën e tij personale në "Golemi Art Gallery". Deri më 22 shtator 2024.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.