Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” në Peshtan dhe legjenda e nuses së Bazajve

Ajo është ndërtuar në vitin 1893 prej mjeshtrit Dhamo Opari.


Nga Andrea Llukani

KISHA E “FJETJES SË SHËN MËRISË”
PESHTAN, VITI 1893

Kisha “Fjetja e Shën Mërisë” ndodhet në perëndim të Peshtanit. Ajo është ndërtuar në vitin 1893 prej mjeshtrit Dhamo Opari. Kjo dëshmohet nga një mbishkrim që ka qenë i gdhendur në gur përmbi derën e kishës. Për ndërtimin e kishës ka kontribuar i gjithë fshati, madje edhe banorët e besimit bektashian. Sipas një legjende të hershme një nuseje prej fisit të Bazajve iu shfaq në vegim Shën Mëria, e cila kërkonte strehë. Atëherë plaku i urtë Rush Baze hodhi idenë për ndërtimin e kishës, duke kontribuar me dy lira ari. Nismën e tij e mbështeti i gjithë fshati.

Kisha ka përmasat 4 x 10 metra dhe ka qenë e ndërtuar me gurë të lidhur ndërmjet tyre me llaç gëlqereje. Çatia e kishës ka qenë e mbuluar me rasa guri të zeza. Pas vitit 1967 kisha u shkatërrua dhe u kthye në stallë bagëtish. Me kalimin e viteve çatia e kishës ra dhe mbetën vetëm muret. Përpjekje për rindërtimin e kishës ka pasur kohë pas kohe. Koço Fështi në kohën kur ishte kryeepitrop në kryesinë e kishës ka folur me Dhimitër Bedulin për ta rindërtuar kishën. Përgjigjja e Bedulit ishte: -Nga Peshtani duhet të dërgoni fillimisht një djalë në seminar, që të shkollohet dhe të bëhet prift dhe më pas e rindërtojmë kishën, sepse kishë pa prift nuk ka.

Nismën për rindërtimin e kishës në vitin 2018 e mori publicisti Mero Baze, i cili fillimisht ftoi në Peshtan Mitropilitin e Korçës, Hirësi Joanin. Ky i fundit e ngriti çështjen e rindërtimit të kishës “Fjetja e Shën Mërisë” në mbledhjen e radhës të Sinodit të Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, ku gjeti mbështetjen e Kryeepiskopit Anastas dhe të Mitropolitit të Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrit.

Në prill 2019 një përfaqësi nga Peshtani pati një takim me Mitropolitin e Gjirokastrës, Hirësi Dhimitrin në Tepelenë, ku morën bekimin për fillimin e punimeve për rindërtimin e kishës “Fjetja e Shën Mërisë”. Në përfaqësi qenë shtatë peshtanakë: Mero Baze, Aljosha Jorgo, Josif Gjoka, Spiro Koraj, Telo Meshini, Gjeno Kume dhe Klodian Kume. U kryen këto punime: Forcimi i mureve ekzistuese të kishës, çatia u bë e re dhe u mbulua me tjegulla të zeza, u suvatua kisha nga brenda, u pajis me dritare dhe dyer, u shtua hajati dhe kambaneria etj.

Sipas Kodikut të kishës Fjetja e Shën Mërisë në Peshtan, më 15 gusht 2018 u celebrua liturgjia hyjnore pas 50 vjetësh. Liturgjia u krye nga at Romano Tralo. Në psaltir ishte priftëresha Jolanda Tralo. Fjalën e rastit në emër të besimtarëve e mbajti Llukan Stavro. Në vijim përshëndeti Atë Romano Tralo. Interesant është fakti se në meshë morën pjesë rreth 300 vetë, duke përfshirë edhe banorët që i përkisnin besimit bektashian.

Në Kodikun e kishës gjithashtu janë shënuar emrat e dhuruesve: Klodian Kume ka dhuruar 20 karrige; 5 ikona të mëdha: Krishti Pandokrator, Shën Mëria me Krishtin, Joan Pagëzori, Fjetja e Shën Mërisë dhe Shën Elisabeta; pangarin e shitjes së qirinjve, proskinitarin (ikonëmbajtësin), psaltirin etj. Ikona e Shën Mërisë që vendoset në proskinitar (ikonëmbajtës) është dhuruatë nga ikonografi Blendi Gramo. Një besimtare me mbiemër Xhaferri dhuroi dhjetë mijë lekë të reja, disa ikona të vogla dhe mbulesa për kishën. Pasditen e 15 gushtit në kishën “Fjetja e Shën Mërisë” në Peshtan u pagëzuan dy djem të rinj nga fshati.

15 gushti i vitit 2018 do të mbetet i paharruar në kujtesën e peshtanakëve, sepse në këtë ditë të shënuar kambana e vjetër, e cila kishte përjetuar ngjarje nga më tragjiket kumboi përsëri, duke i ftuar besimtarët të merrnin pjesë në celebrimin e Liturgjisë Hyjnore. Rrugëtimi i kambanës është ky: Me prishjen e kishave në vitin 1967 kambana u hoq nga kisha e Shën Thanasit në Peshtan dhe përfundoi në fshatin Luftinjë, ku e përdornin për të mbledhur anëtarët e kooperativës.

Në vitet e demokracisë me prishjen e sistemit kooperativist kambana u hoq nga pema ku kishte qëndruar e varur për shumë vjet. Kambanën e mori Hajro Latifi dhe e ruajti në shtëpinë e tij. Në vitin 1995 besimtari i devotshën Llukan Stavro u interesua dhe e gjeti kambanën, duke e sjellë në Tepelenë. Pasi e mbajti ca kohë në shtëpinë e tij ai e dorëzoi kambanën tek autoritetet kishtare të Tepelenës. Kambanës i mungojnë dy veshë nga katër që ka pasur dikur. Gjithashtu i mungon edhe pjesa metalike, që godiste kambanën për lëshimin e tingullit. Mbi kambanë gjendet mbishkrimi: Industria shqiptare, Korçë, Spiro V. Naçe. Kambana e Katundit Peshtan Tepelenë 17.4.1938.

“MIQTË – Art & Histori”

Artistë kinezë dhe shqiptarë në një ekspozitë të përbashkët. 23 Shtator, ora 11:00. Galeria e Artit Tiranë. Kurator Helidon Haliti

“Better Red Than Dead”

"Mjeshtri i Madh", Helidon Haliti, hap ekspozitën e tij personale në "Golemi Art Gallery". Deri më 22 shtator 2024.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.