Petal më petal!
Poete dhe studiuese e letërsisë. Mban titullin shkencor “Doktor i Shkencave Filologjike”.
“Më lër asaj grimkohe të lutem për ty / në emër të birit, të frymës e të dritês së dashurisë”
Poete me vargje të bukura, Alisa Velaj na fut në botën e saj filozofike, nga çdo kufi mes zërit dhe shushurimës poetike, si e “më e përmalluara në perëndim luledielli”, si një puthje e trëndafiltë, petal më pell, si flaka e dashurisë që nuk shuhet kurrë!
Libri i saj “Shtjellë reje, shtjellë zjarri” është vlerësuar nga Ministria e Kulturës si vëllimi më i mirë poetik i vitit 2019. Në vitin 2014, ka hyrë në listën e shkurtër të çmimit prestigjioz “Erbacce Prize Poetry Award” në Mbretërinë e Bashkuar.
Vëllimi më përfaqësues në lëminë e poezisë është antologjia poetike “Këngë e verdhë zogu në mesnatë” (Onufri, 2021).
Si poete është gjerësisht e botuar në gjuhën angleze. Libri me poezi “With no sweat at all” u botua në 2021 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës nga shtëpia botuese “Carvena Barva Press”.
Nga Dr. Alisa Velaj
MIRËMBRËMA TY ME SHTATIN PREJ LUMI
Mirëmbrëma ty me shtatin prej lumi.
Hija e natës mbi botë mbështjell ujërat, po jo gurgullimën
Gurgullima e fsheh me patjetër një zë burri dhe askush se di të kujt.
Askush nuk e di atë që unë papritur mësova.
Që ti ke shtrat lumin afër një katedraleje.
E mësova prej turmës që ecte shpërfillëse ndaj ujërave.
Ti ndale, vështrove për pak përreth,
u krodhe sakaq në rrjedhë
dhe shkave vjedhurazi si diell i ndrojtur.
Ndërkohë unë po dremisja në stolin brenda katedrales
dhe në përgjumje më bëhej një zë si i lumit.
Mirëmbrëma nga çdo kufi mes zërit dhe shushurimës.
E vetmja ndodhi që nuk zbehet është e pandodhura.
Ti dhe i pandodhur, je në tërë hijedritat e shpirtit.
Ashtu, i parrëfyer gjer në fund, si përmbytja…
DIELLIN TË MOS E SHOH NË SY
Këtu ka vetëm diell dhe shumë gjëra
s’do të duken dot kurrë.
Mbase qe e shkruar t’u ngjajmë
ujërave të heshtura të detit kur bie nata.
Mendimi për ty prapë ther në kraharor,
si të jetë gropuar aty një shpend i stërmadh.
Edhe në lartësi të endemi prapë ka vetëm diell.
S’urtohet shqiponja as në male, as në ujëra.
Në guvë të kraharorit ngujuar e ke dhe ti një det.
Si kalon kështu koha e dallgët përplasen veç mureve…
Shqiponja perherë kërkon të arratiset netëve,
vetëm e vetëm të mos e shoh diellin në sy!
PETAL MË PETAL
Më e përmalluara në perëndim luledielli
hapet e hapet ndaj natës
e hapet petal më petal.
Më lër asaj grimkohe të lutem për ty,
në emër të birit, të frymës e të dritês së dashurisë.
Jam sonte një varrezë burrash që ngjallen
petal më petal, derdhur krejt pa fjalë!
Alisa Velaj ka lindur në Vlorë, më 6 nëntor 1982. Është poete dhe studiuese e letërsisë.
Në fushën e studimeve letrare, ka botuar librat “Fatos Arapi dhe nostalgjia për absoluten”, “Sadik Bejko dhe poezia si shenjë e ringjalljes”“Prirje të ekzistencializmit në letërsinë bashkëkohore shqipe” dhe “Lexime për katër autorë bashkëkohorë” (Kadare, Kacalidha, Hav dhe Leandoer). Ka në dorëshkrim vëllimin me poezi “Tokë me farëra luledielli”.
Mban titullin shkencor “Doktor i Shkencave Filologjike”.