Rita Ora befasohet nga 16-vjeçarja shqiptare në “The Voice of Australia”
Sihana Haxhnikaj këndoi në garën e famshme këngën e Miley Cyrus, “Nothing Breaks Like A Heart”
Këngëtarja e famshme kosovare Rita Ora, është befasuar gjatë spektaklit “The Voice of Australia” nga një kandidate shqiptare, pjesëmarrëse në garë.
Rita Ora është pjesë e jurisë së “The Voice Australia” dhe ishte e vetmja që shtypi butonin në mënyrë që 16-vjeçarja Sihana Haxhnikaj të vazhdonte garën, ende pa ditur se pikërisht ajo konkurrente ishte me origjinë kosovare.
Sihana këndoi në garën e famshme këngën e Miley Cyrus, “Nothing Breaks Like A Heart”. Kur Rita Ora dëgjoi emrin e vajzës e pyeti së dyti dhe shpërtheu në hare duke thënë se vajza ka origjinë nga vendi i saj, Kosova.
Më pas ajo ju drejtua vajzës dhe familjes në shqip duke u thënë, “O zemër! Si jeni? Mirëmbrëma!”.
Haxhnikaj do të vazhdojë garën me Rita Orën si mentore të saj./ATSH