“Drejt dritës”, velloja hyjnore e pikturave të Vangjo Vasilit
REPORTAZH nga ekspozita e piktorit të famshëm pogradecar, Vangjo Vasili, e hapur në galerinë FAB, në kryeqytet
Nga Dash Frashëri
“Pogradeci është një mësues, nuk ta lë paletën të ta bëjë pis”.
Kjo thënie lapidare e piktorit të madh Abduharrim Buza e ka shoqëruar gjithë krijmtarinë Vangjo Vasilit dhe reflekton në ekspozitën e tij “Drejt dritës”, e hapur dje në galerinë Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB), pranë Universitetit të Arteve, në Tiranë, nga 1 deri në 10 shtator 2023.
Një ekspozitë arti është një ngjarje e bukur për artdashësit dhe për mua si botues i TiranaDiplomat.com është një mundësi për të shijuar veprat e prezantuara nga një prej artistëve më të njohur shqiptarë.
61 peizazhe dhe kompozime të mrekullueshme, nga një përzgjedhje e rreth 300 punimeve të realizuara gjatë një periudhe kohore 40-vjeçare, janë ekspozuar në një prej galerive më të rëndësishme në Shqipëri, aty ku kanë ekspozuar gjenerata të tëra piktorësh të dalë nga Instituti i Lartë i Arteve, sot Universiteti i Arteve.
Shumica e punëve janë të reja, por ka dhe nga e kaluara e piktorit para viteve ’90.
73-vjeçari Vasili, me origjinë nga Përmeti i Odhise Paskalit dhe Janaq Paços, djali i Koço Aleksit, i lindur në Përmet dhe i diplomuar në Universitetin e Romës dhe që jetoi më pas në Pogradec, njihet për stilin e tij unik, që e bën të dallueshëm ndër piktorët shqiptarë, veçanërisht për sfumaturën e argjendtë të sfondeve, që shfaqet si një dritë hyjnore, kjo edhe për një dashuri të veçantë për ikonat, pasi edhe i ati i tij ishte shumë fetar, sipas Vasilit.
Delikat, fin e dritësor, evokues i qetësisë dhe harmonisë, Vangjo Vasili bëhet krijuesi i një hapësire poetike paradisiake të atmosferës, ku spikat loja e ndërkalimeve të dritës, sipas kritikut të artit, Dr. Luan Topçiu.
“Si Mark Chagall, Vasili prodhon intimitetin e vendit të lindjes, dhe njëherazi duke u shndërruar në një transmetues të poetikës së tij, shkruan piktori i mirënjohur Kujtim Buza, në fletëpalosjen shpjeguese të ekspozitës.
“Përpjekja për të qenë vetja është themelore për një artist. Mendoj se, kemi pasur një brumë të mirë, që nga mënyra se si jemi edukuar në familje; nga mënyra se si jemi edukuar në mënyrë personale nga pedagogët tanë të nderuar, të cilët janë kaq shumë dhe kaq të dashur, përfshirë dhe ata që nuk jetojnë më”, tha piktori Vasili, për TiranaDiplomat.com.
I diplomuar në vitin 1973 si piktor për grafikë në Akademinë e Arteve, Vasili ka një rrugëtim 40-vjeçar si piktor profesionist.
“Një artist nuk bën stërvitje për një garë 100 metra, por për një maratonë që zgjat tërë jetën e tij”, thekson Vasili, i cili ka ekspozuar punimet e tij në ekspozita kombëtare e ndërkombëtare si në Tiranë, Gjirokastër, Shkodër, Fier,Korçë, apo dhe në Egjipt, Turqi, Itali, Francë, Austri, Rumani, Gjermani, Bullgari etj.
Gjithashtu veprat e tij gjenden në shumë koleksione private të botës, por dhe në institucione të ndryshme shtetërore të këtyre vendeve, si dhe në Suedi, Luksemburg, Uells, SHBA, Kanada, Argjentinë, Belgjikë, Spanjë, Maltë, Indi etj. Vangjo Vasili është nderuar me çmime si brenda, por dhe jashtë vendit.
Peizazhet tematike të Vasilit reflektojnë konceptin e tij mbi natyrën, lojën e dritave, një kompozim atipik.
Po si motivohet Vasili, për ta “përkthyer” në mënyrën e tij piktorike një peizazh?
“Kur futem te tema që trajtoj, mundohem ta trajtoj emocionalisht dhe jo pamjen e saj”, thotë piktori i famshëm pogradecar.
Vangjo Vasili, ashtu si piktori tjetër i famshëm pogradecar, Anastas (Taso) Kostandini, i përkasin një brezi të artë të shkollës së artit shqiptar.
“Shqipëria, për mendimin tim ka një plejadë të shquar piktorësh, shumë të pjekur artistikisht, që kanë sjellë punë shumë të bukura, të fuqishme në artin shqiptar, edhe pse jemi një vend i vogël. Duhet të mburremi me ta”, thotë Vasili, që përmend vetëm disa prej tyre, si Guri Madhi, Kel Kodheli, Abdulla Cangonji, Abdurrahim Buza, Danish Jukniu, Sali Shijaku, Hasan Nallbani, pa harruar skulptorët e famshëm, Janaq Paço, Odhise Paskali.
Piktori Kujtim Buza – djali i të madhit Abduharrim Buza dhe kurator i ekspozitës – një nga analistët më të mirë të artit dhe njëherësh edhe piktor i shquar i peizazhit, ka një njohje të hershme me Vangjo Vasilin.
“Kujtimi është një piktor ekselent. Njihemi prej shumë vitesh, pasi fatmirësisht, Kujtimi ka gjak edhe pogradecar, nga Starova e Pogradecit, ashtu sikundër poli tjetër i tij, babai është nga Gjakova e Kosovës. Prezantimi i ekspozitës sime nga ana e Kujtimit është një kënaqësi më shumë”, tha Vasili.
“Peizazhet e Vangjo Vasilit vezullojnë nga një ndriçim i brendshëm enigmatik, që arrin të fiksojë nga peizazhet realiste-moderne kalon në hapësira të tëra, futet në botën e legjendave dhe përrallave, në kërkim të një realiteti mitik”, thotë “Piktori i merituar” Kujtim Buza, një tjetër legjendë shqiptare e peizazhit.
“Gjatë gjithë kohës mjeshtrat e vërtetë, secili në mënyrën e vet, kanë ditur të evitojnë banalitetin, duke apeluar në prosedenë e përzgjedhjes, potecimit, kompozimit, çlirimit”, shprehet Buza.
“Vangjo Vasili është i mirënjohur si piktori poet sqimëtar i natyrës. Në vite ka ravijëzuar një profil piktori profesionist të pangatërrueshëm, unitar, homogjen, të dallueshëm qartazi”, shkruan Dr. Luan Topçiu.
Liqeni është objekti ku Vasili derdh dashurinë. E heton atë me pasion në të gjitha kalimet kromatike të mundshme, e përshkruan vizualisht me finesën e një poeti, i përzgjedh çastet me sqimë e përkujdesje fanatike.
Dr. Luan R. Topçiu është kritik dhe studiues letrar, profesor universitar, përkthyes dhe diplomat, shkruan se në tablotë e Vangjo Vasilit marrin jetë personazhet e përrallave dhe të legjendave kombëtare në pamjet reale të peizazhit, që i pranëvendosen një realiteti mitik.
Peizazhet e Vangjo Vasilit jo vetëm riprodhojnë natyrën, por ato evokojnë, shprehin gjendje të caktuara. Gjithçka kalon nëpërmjet filtrit përzgjedhës të një artisti të ndjeshëm, të zhytur në transparencën e sipërfaqeve dhe poetikën e hapësirës.
Të gjithë i shijojnë pikturat e Vangjo Vasilit…
… edhe unë.
___________
Tiranë, më 2 shtator 2023