Ekspozita për Shën Terezën, një simbolikë e fuqishme shpirtërore
Ekspozita kushtuar Nënë Terezës në Muzeun Historik Kombëtar, në bashkëpunim me studiuesin Mehmet Gëzhilli
Nga Andrea Llukani
Muzeu Historik Kombëtar, si institucion i kujtesës kombëtare dhe përçues vlerave të trashëgimisë kulturore në rajon e më gjerë ka organizuar veprimtari të shumta për nder të Shën Terezës, duke vënë në dukje vlerat humane dhe mesazhet që ajo i ka dhënë njerëzimit. Pikërisht këto mesazhe përcjell ekspozita që po çelim sot, e cila zhvillohet nga Muzeu Historik Kombëtar në bashkëpunim me studiuesin Mehmet Gëzhilli. Ekspozitat që kemi organizuar çdo vit në muajin shtator janë pritur me interes të veçantë nga vizitorët vendas dhe ata të huaj. Gjithashtu këndi i Shën Terezës në katin e dytë të Muzeut Historik Kombëtar, me objekte dhe sende personale të shenjtores me origjinë shqiptare paraqet interes të veçantë.
Ndër objektet e ekspozuara bie në sy një kryq ku paraqitet Krishti i kryqëzuar, të cilin Shën Tereza në vitin 1991, ia ka dhuruar patër Zef Pllumbit. Ky i fundit më 1997, pas fjetjes së shenjtores ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar. Kryqi mbart një simbolikë të fuqishme shpirtërore, pasi i është dhuruar Shën Terezës nga Shenjtëria e Tij, Papa Gjon Pali II. Pikërisht shenjtorja shqiptare ia dhuroi kryqin klerikut, që ka kaluar shumë vjet në burgjet e diktaturës në shenjë simbolike “Rrno për me tregue” kalvarin e gjatë e të mundimshëm të viteve kur në Shqipëri feja ka qenë e ndaluar. Pjesë e objekteve me karakter fetar është një libër me urata kishtare, që titullohet “Të lëvdojmë së bashku Zotin”. Këtë libër shpirtëror Shën Tereza ia ka dhuruar patër Zef Pllumbit, më 12 prill 1991.
Objekt me rëndësi është ruzaria e Nënë Terezës, me të cilin ajo lutej vazhdimisht për shpëtimin e botës. Këtë ruzare Shën Tereza ia pati dhuruar Terezina Shpatit, më 10 mars 1991.
Në muajin prill të vitit 1991, Shën Tereza vizitoi kishën Françeskane në Tiranë, ku ndër të tjera ka dhuruar një ujëbekore si edhe pesë gota bronzi me motive floreale. Këto relike të bamirëses së madhe patër Zef Pllumbi më 14 nëntor 1997 ia dhuroi Muzeut Historik Kombëtar. Pjesë e fondit të Muzeut Historik Kombëtar është një statuetë “Zonja e Bekueme”, të cilën Shën Tereza ia ka dhuruar motër Terezinës në Shkodër, me rastin e çeljes së një shtëpie bamirëse për fëmijët handikapatë.
Objekte të tjera janë një peshqir dhe një mësallë që ka përdorur Nënë Tereza gjatë qëndrimit në shtëpinë e Z. Tonin Shpati, më 10 mars të vitit 1991.
Pjesë e ekspozitës janë disa objekte si pjata, gota e ujit, luga, piruni dhe thika me të cilat Shën Tereza ka drekuar në shtëpinë e Tonin Shpatit.
Pjesë e ekspozitës janë dy libra përshtypjesh, të cilët dëshmojnë për dhimbjen e madhe që treguan shqiptarët për humbjen e bamirëses së madhe. Një libër përmban përshtypjet që kanë shkruar personalitetet e ndryshme në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Selinë e Shenjtë të Vatikanit. Ndërsa libri tjetër është libri i homazheve që organizoi Qeveria Shqiptare. Me interes është një album filatelik kushtuar figurës së Shën Terezës, të cilin ia ka dhuruar Muzeut Historik Kombëtar ish-presidenti i Republikës së Shqipërisë Z. Rexhep Meidani.
Më 15 tetor 2003 në prag të lumturimit të Nënë Terezës, Papa Gjon Pali II gjatë vizitës që bëri në Muzeun Historik Kombëtar ka mbjellë një pemë në atrium, e cila është pagëzuar me emrin e Shën Terezës. Pema është mbjellë nga papa, në shenjë nderimi për jetën dhe veprimtarinë e bamirëses së madhe me origjinë shqiptare, që i fali botës shumë dashuri, mirëkuptim dhe humanizam mbarënjerëzor. E veçanta e kësaj peme është që rritet në vendet mesjetare dhe në Indi. Ajo qëndron e gjelbër gjatë gjithë vitit, duke simbolizuar përjetësinë e Shën Terezës.
Këndin kushtuar Shën Terezës në Muzeun Historik Kombëtar e zbukurojnë dy ikona të punuara nga ikonografi i talentuar Mateo Pojani në vitin 2003. Në njerën prej ikonave paraqitet Shën Tereza me veshjen e saj karakteristike prej murgeshe. Ndërsa në ikonën tjetër shenjtorja paraqitet në moshën rinore me veshje kombëtare të vendlindjes së saj. Më 17 tetor 2003 në një nga pjesët më dominuese të hollit të Muzeut Historik Kombëtar u vendos një portret reliev i Shën Terezës, vepër e Skulptorit të Popullit, Muntaz Dhrami. Rreth relievit të bronztë janë shkruar në pllaka xhami pesë fragmente nga thënie të Shën Terezës.
Jeta dhe veprimtaria e bëmirëses së madhe me origjinë shqiptare pasqyrohet denjësisht edhe në botimet e Muzeut Historik Kombëtar. Me interes është libri i Liljana Verdhos “Nënë Tereza. Bibliografi”, që përmban 1190 zëra bibliografikë. Libri është unikal në llojin e vet të botuar në Shqipëri dhe tregon kontributin e Muzeut Historik Kombëtar në njohjen dhe popullarizimin e bëmave të bamirëses së madhe në trevat mbarëshqiptare. Gjithashtu revista shkencore “Studime Muzeologjike” nr. 3, botim i Muzeut Historik Kombëtar i kushtohet Shën Terezës. Revista përmban letra dhe aforizma të Shën Terezës, thënie e vlerësime të personaliteteve të ndryshme, kujtime e mbresa të atyre që e kanë njohur ose takuar shenjtoren etj.