Vjosa Osmani: Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës!
Në qershor të këtij viti, Presidentja Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka dorëzuar sot shkrimtarit të madh Ismail Kadare, dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës.
Në një postim në rrjetet sociale, Osmani ka ndarë fotot nga takimi, ku i ka dorëzuar Kadaresë dekretin e nënshtetësisë së Kosovës.
“Sot shkrimtarit tonë të madh Ismail Kadare, nderit të kombit tonë, ia dorëzova dekretin e nënshtetësisë së Republikës së Kosovës. Mirë se vini Ismail Kadare në familjen e madhe të Kosovës! Rrëfimet tuaja le të vazhdojnë ta pushtojnë botën duke na kujtuar fuqinë e letërsisë për t`i formësuar perspektivat, sfiduar normat dhe nxitur dialogun”, theksoi Osmani.
Në qershor të këtij viti, Presidentja Osmani e ka dekoruar shkrimtarin Ismail Kadare me urdhrin “Hasan Prishtina”, më i larti të cilin e jep Republika e Kosovës për personalitetet më të shquara të kulturës, artit, dhe shoqërisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një vizitë shtetërore dyditore në Shqipëri, ku zhvilloi takime me Presidentin, Bajram Begaj, Kryeministrin Edi Rama, si dhe vizitoi qytetin e Beratit dhe Durrësit.