Vangjo Vasili, artisti që përjetëson spektrin e dritës
Piktori Vangjo Vasili në ekspozitën e hapur në galerinë FAB paraqitet me 61 punime,
Nga Agim Janina
Piktori Vangjo Vasili në ekspozitën e hapur në galerinë FAB paraqitet me 61 punime, të cilat datojnë që nga fundi i viteve ’70 të shekullit të kaluar e deri në ditët tona. Ato kanë një shtrirje gjeografike sa në Veri e Jug të vendit, po edhe në Itali, Greqi, Maqedoni, Kosovë etj. Shpaloset mbi 40 vjet krijimtari dhe për një krijues thotë shumë.
Rrugëtimi artistik vjen i mbarë kur nuk bazohet mbi një sprint të fuqishëm, por mbi një maratonë, ku talenti dhe gjakimi i tij sendërtohen ditë pas dite në kërkime të vazhdueshme jo thjesht profesionale, por mbi ndjenjën dhe shpirtin, sepse artisti në pëlhurën e telajos var së pari shpirtin e vet dhe aty nuk mund të bësh hile. Je i plotë, i tëri dhe dëshmon me sinqeritetin më të madh se kush je dhe se çfarë di të bësh.
Kësisoj në ekspozitë shikohet shpirti i piktorit Vangjo Vasili dhe mjeshtëria artistike e shndrrimit të realitetit në sipërfaqen e bardhë të pëlhurës së telajos, kur bashkë me shtrirjen e spatullës dhe goditjet e penelit ndjejmë dhe rrahjet e zemrës së artistit.
Duke qenë një piktor shëtitës dhe një vëzhgues i mprehtë i natyrës, jo vetëm që është një dashnor i zjarrtë i saj, por edhe njohës i thellë, ç’ka e ka bërë që të marrë e të japë duke e shndrruar laboratorin krijues në një marrëdhënie interpretimi, ku në telajo shpërfaqet jo vetëm e qenësishmja e peizazhit, por edhe shpirti i vetë artistit, shpirt që endet e ndihet në ndërtimet e veçanta kompozicionale, ku ndërtohen raporte ndërmjet një hapësire të madhe, që mund të jetë qielli, deti, mali i lartë në sfond herë zotërues e herë i lidhur me ta dhe në një kënd të telajos kemi një rrupinë toke, ndonjë kallamishte apo objekte të sapo prekura lehtë me spatul apo penel për t’i dhënë frymëmarrje e drithëllimën e duhur peizazhit në lëvizjen e ajrit dhe ndihen e jetës, nga se njerëzit shumë rrallë për të mos thënë aspak janë të pranishëm në peizazhet e piktorit.
Peizazhet janë të kompozuar dhe dalin jashtë klishesë akademike me ndërtime planesh të para, të dyta etj., apo perspektivë lineare. Ato hidhen me shumë kujdes dhe të ndërtuara me një ballafaqim koloristik që mban brenda perspektivën, planet e munguara dhe gamën mbështjellëse, ku drejtpeshohen ndërtimet kompozicionale. Kështu në telajo shikojmë apo më mirë ndjejmë raporte koloristike dhe këto raporte të ndërtuara me shumë kujdes në një spektër të bukur japin e shprehin thellësinë, karakterin dhe domethënien e vërtetësisë së peizazhit të pikturuar.
Të bisedosh me piktorin kupton më thellë dhe zbërthen më mirë artin e tij. “Në natyrë, shprehet ai, kërkoj të gjej atë që e ndryshon atë. Psh toka në Korçë është ndryshe, në Fushën e Pogradecit është ndryshe, në Fushën e Shkodrës është ndryshe. Se ç’ka një gjë tjetër ajo. Në Ersekë është tokë tjetër. Është aq afër me Korçën, por ndryshon struktura e tonalitetit, si vibron etj. Edhe shkureta është ndryshe në Ersekë. Nuk është shkure e zakonshme, por është si pemë në të gjithë Luginën e Vjosës…”
Piktori ndalet përpara çdo tabloje dhe kujton me imtësi karakteristikat e vendit dhe jo vetëm bimësinë, relievin, strukturën e tokës, por edhe ngjyrat e veçanta e deri lëvizjen e reve në qiell apo shtyrjen e valëve drejt bregut.
Ai ka një raport të veçantë me telajon dhe ngjyrat që derdh, shtrin apo prek në të. Shumë i kursyer, por me paletë të pasur në spektrin e saj. Në fillimet e tij tonet koloristike shprehen me tone më të fortë e më të plotë, ku kontrastet dhe ballafaqimet e tyre janë më të dukshme. Me kalimin e kohës dora – dorës paleta dhe spektri koloristik ndryshon, bëhen më të butë shkojnë në gjysmë tone e deri ne shkriftime ndërmjet tyre drejt një shuarje të ngadaltë, ku njera sipërfaqe është e ndërfutur tek tjetra pa një kufi të qartë ndarës, ndërsa objektet sfumohen e linjat thuajse humbasin.
Punimet tash e mbrapa vijnë si endje të kujdesshme delikate të një prekje e shtrirje më së shumti me ashpërsinë e spatullës metalike, por që gjurma që ajo le në sipërfaqen e telajos është aq e lehtë, e butë, tejet e brishtë sa të krijohet përshtypja që piktori sa e ka fshikur përkitazi shumë lehtë sikur të ketë frikë se mos e lëndojë sipërfaqen e pëlhurës. Kur është e kundërta, në të është ushtruar forcë, sepse pasi është marrë ngjyra me spatull nga paleta është venë në telajo e më pas me forcë është shtrirë disa herë në sipërfaqen e saj.
Më pas aty – këtu është shtuar pak pigment ngjyra e njejtë apo tjetër dhe është shtrirë përsëri me forcë për të krijuar nuanca pas nuancash të së njejtës ngjyrë apo pak më ndryshe për të bërë lëvizjen e ajrit në kuadrin e tablosë.
Piktori shprehet, se më shumë ngjyrë ai hedh poshtë apo shpërdoron, se sa vendos në pëlhurë. E merr bojën që ka derdhur në telajo dhe si e mbledh në letër e bën shuk dhe e hedh, sepse pikturën nuk e do pastoze dhe kërkon t’i dalë nga një lëndë apo përzjerrje me të bardhën dhe prej saj do të dalin gjithë nuancat që sipërfaqja e kërkuar do të ketë.
Piktori shprehet, se më shumë ngjyrë ai hedh poshtë apo shpërdoron, se sa vendos në pëlhurë. E merr bojën që ka derdhur në telajo dhe si e mbledh në letër e bën shuk dhe e hedh, sepse pikturën nuk e do pastoze dhe kërkon t’i dalë nga një lëndë apo përzjerrje me të bardhën dhe prej saj do të dalin gjithë nuancat që sipërfaqja e kërkuar do të ketë. Kështu nuancat e ndryshme vibrojnë sipas vendit apo modelimit.
Ai nuk shkon drejt materializimit të objekteve, por kërkon gjendjen, emocionin dhe peizazhi përpunohet e derdhet si
ngjyrë dhe ndonëse e tillë peizazhi, që ke përpara, të vjen në kujtesë se nga është marrë e përftuar.
Veçori tjetër është se Vasili nuk ngulet bashkë me kavaletin përpara peizazhit dhe shiko e bëj dhe merr gjithçka ç’të shikon syri përpara dhe shtroi në telajo. Ai përzgjedh dhe thjeshtëzon, ku njollat dhe ngacmimet me penel janë shumë të rralla. Kësisoj tablotë marrin më shtrirje e frymëmarrje dhe vetvetiu rrisin përmasat e tyre.
Ky kërkim është i kudondodhur dhe shkon drejt kapjes dhe krijimit të së pamundurës në të mundurën në pëlhurë. Peizazhet janë sa reale aq edhe vijnë si vegime të kapura në çast apo të krijuar e shndruar nga vetë artisti. Kësisoj ai në telajo rindërton jo thjesht atë ç’ka sheh apo gjendet përpara telajos në natyrë.
Rrugëtimi artistik objekti që do pikturohet, telajo në mes dhe piktori para saj shkon nga realja e nëpërmjet syve në zemrën e shpirtin e artistit për t’u përpunuar, zbërthyer, përzgjedhur ajo çfarë duhet, pa harruar të jetë po ajo e plotë në thelb edhe pse e thjeshtëzuar për t’u derdhur e sendërtuar në telajo. Tablotë në një vështrim të shpejtë duken sikur janë njëlloj, por kur ndalesh shikon nuanca të shumta të ndërtuara plot delikatesë mjeshtërore, ku shtrirja e pigmenteve me rrjedhjet e lëngjeve japin dritën e brendshme dhe endjen e lirë të shpirtit të autorit.
Mënyra e ekspozimit, grupimi i kujdesshëm i tablove dhe gërshetimi i punimeve në vite të ndryshme bën që kalimi nga një peizazh tek tjetri të vijë natyrshëm, pa kërcitje tonalitetesh apo subjektesh, ku ndërmjet tyre ka edhe disa kompozime, në disa prej të cilave shfaqet prirja surealiste.
Tek Vasili në takim me të e veprën e tij ndjen një kundërshti në dukje, një gjykues i drejtpërdrejtë e ndonjëherë i rreptë dhe një ndjeshmëri poetike në kalime koloristike të buta që të jepin në shpirt një qetësi shpirtërore duke u mbushur dalngadalë me emocion e duke u përhumbur në telajo në një qetësi, ku je ti dhe peizazhi përpara në një bashkëbisedim intim ndërsa ngjyrat kumbojnë paqësisht deri në shkrirje, në harrim…
Peizazhet kanë një konstrukt të veçantë koloristik, ku brenda të njejtës ngjyrë, në një sipërfaqe të madhe gjen nuanca të shumta e të ndryshme. Ato nuk vijnë të forta e shumë të dukshme, por aq sa të bëjnë të ndihet dridhja e ajrit dhe dritës që vesh objektet.
Shpesh në telajo zhduken kufijtë ndarës ndërmjet malit e tokës apo liqenit e qiellit dhe shikuesi e kupton se ato janë aty, sepse ato mbahen në raporte të barazpeshuara dhe ku itensiteti i dritës dhe i ngjyrës krijojnë në thellësi të pakapshme vijën e horizontit të fshehur mjeshtërisht dhe ku objektet sfumohen lehtë e shkrihen me njeri tjetrin dhe mjafton një fshikje e lehtë me spatull apo disa ngacmime me penel të hollë apo dhe ndonjë inçizim me fundin e penelit për të bërë dallimin dhe ndarjen ndërmjet tyre.
Kjo mënyrë u jep peizazheve një frymë sureale, gjendje të lëvizshme, ku bryma e mëngjesit apo napa e hollë dhe e tejdukshme e natës mbështillet herë tjetër me afshin e lëshuar nga toka nga se sheshpamja e piktorit është e madhe e gjerë dhe shumë e shtrirë në thellësi.
Drita përbën një tjetër veçori të stilit të Vasilit. Ajo nuk bie fortë në objekte apo në sipërfaqe të ndryshme, është shumë e kultivuar dhe nuk vjen nga jashtë brenda, por nga brenda jashtë. Kjo gjetje arrihet me shumë mjeshtëri me anë të rritjes së itensitetit të ngjyrës dhe të ballafaqimit të saj me ngjyrat e tjera që e qarkojnë.
Dallimi stilistik, veçoria e spektrit koloristik Vasili mbart e sjell në telajo natyrën e veçantë të Pogradecit me dimrin e ashpër, verën e freskët dhe pastërtinë e ajrit, bymimin e ujit të liqenit, trasperencën e tij dhe pasqyrimin e Malit të Thatë në ujrat e kulluara. Këtu i ka hedhur artisti spirancën e frymëzimit, të cilën e pasquron me ç’ka merr në udhëtimet e pafundme në vende të ndryshme, por gjithmonë duke ruajtur veçoritë e tij. Ai shton, “është qyteti i Pogradecit që të jep lirizmin.
Kujtoj piktorin Abdurrahim Buza, dhëndër në Starovë kur thoshte, se Pogradeci është një qytet që ‘nuk ta le ta bësh paletën pis’. Vendi të jep një ndjesi unike. Të detyron të bëhesh një me të, jo se është “diktator”, por të jep shumë mundësi. Drita është një element që të jep liri të madhe. Drita duhet të jetë shumë bindëse, bile drita e diellit, hijet etj., që bëhen prej thellë shpirtir të krijuesit janë më të bukura se drita e diellit. Dritë që ke brenda sigurisht është mbarsur prej saj, por del më e bukur se ajo”.
Dritën e Pogradecit piktori e shikon ndryshe, pak më të kthjellët, më të kristaltë, më e shkëlqyer, por më e butë, jo lëbyrëse por mikluese dhe të tejdukshme, që i sillen qark qytetit e liqenit në çdo çast të ditës deri në fshehjen e diellit pas ujrave të liqenit. Këtë dritë që tashmë artisti e ka të ruajtur brenda vetes e kërkon edhe gjetkë, ku shkon për të ndërtuar peizazhet e tij, gjithmonë duke futur elementët karakteristikë të vendit.
Tashmë Vasili është në plotërinë e tij artistike dhe “luan” me pikturën, sepse ka krijuar stilin e tij nga një shtysë e brendshme e ardhur që në rininë e vet, shtysë të cilën e ndoqi pa u lodhur e padëgjuar asnjë, që e shtynte drejt materializimit apo kërkimit strukturor të objekteve. Jo, ai nuk u tundua, por eci rrugës që hapi vetë, e ndjeu pa e bëri, e pëlqeu ndaj e ndoqi, duke u bërë një piktor i veçantë në Artin Pamor Shqiptar dhe një pasuri vlere në trajtimin e peizazhit shumë i dallueshëm nga të tjerët.