“Abel”, kronikë e një morti në emër të lirisë!

Në Galerinë FAB, si çdo vjeshtë, Gazmend Leka sjell ekspozitën e tij më të fundme.


Nga Ermir Hoxha

Në katër dekada krijimtari të vrullshme, mund të konstatojmë lehtë, që pakkush si Gazmend Leka ka shkuar kaq larg në udhëtimin drejt dhomave më të errëta të Qenies! Si pakkush, ai ka jetuar atje me kaq vullnet e qëndrueshmëri! Si pakkush, është zhytur kaq thellë në makthet e racës njerëzore, në tentativë për të rrëfyer natyrën e saj!

Sepse siç thotë shprehja: “Ka një konflikt brenda zemrës së çdonjërit prej nesh, një konflikt ekzistencial, mes të mirës dhe të keqes, mes racionales dhe irracionales dhe e mira jo gjithnjë fiton.”
Ai, si krijues, zgjedh të krijojë! Krijon imazhe, padyshim përtej gjykimit moral, të cilat përshkojnë mishin, trupin, shpirtin, virtytin, makthin dhe mëkatin. Është mënyra e tij për të larguar demonët, ata që e stërmundojnë atë, ashtu si të gjithë ne.


Duket sikur e përdor pikturën për ekzorcizëm.

Ky rrëfimtar i kthjellët, në dekadën e fundit na ka servirur shumë cikle pikturash dhe pa fund imazhe tronditëse e pështjelluese. Si gur themeli, ato treguan pamjen tjetër të një krijuesi, duke u përvjedhur herë tek habitati i mikut, e herë tek ai personal, në studio. Aty ai u shpërfaq herë si ekzekutor, herë si gjyqtar i mishit të vet e herë të tjera si katalizator i apokalipsit, apo si poet i formës së përsosur të krijimit.

Një rrugëtim i tillë tronditës nuk mund të gjendet lehtë, pasi vetëm pak, shumë pak prej nesh, mund ta përballojnë që të zbresin në thellësitë më të errëta të vetëdijes dhe të transformojnë gjithçka, të sublimojnë gjithçka dhe ta bëjnë atë të bukur e të shndritshme!

Në Galerinë FAB, si çdo vjeshtë, Gazmend Leka sjell ekspozitën e tij më të fundme.

Në qendër të saj, në sallën qendrore, lartohet pikërisht mëkati. Aty Kaini është ngritur vërtik në ajër. E aty qëndron. Me forcë maksimale sfidon ligjet e gravitetit, ndërsa në duar shtrëngon hanxharin shkëlqyes. E kur të godasë – sepse do godasë me patjetër – do derdhë sërish gjakun e pafajshëm. E ai fillimisht do të jetë i kuq, më pas në errësirë do shfaqet thjesht si një pellg i zi.

Nën të, në kontrast të fortë, është ai, Abeli, metamorfoza e të cilit propozohet si qengji i bardhë i sakrificës. I pafuqishëm, ai është thukur nënvete si një siluetë fëshfëritëse.

E vendosur si tabloja qendrore e ekspozitës, ajo është thjesht përkufizimi i asaj alegorie të hershme. Ajo është fraza finale, aq sa dhe fraza fillestare. Ajo është sinteza e së gjithës. Ajo është qendërzimi i mijëra krimeve pa emër, aty në tehun shkëlqyes që vezullon në errësirë.

Forca që e mban në ajër atë, gjak-derdhësin, është vetë përgjigja. Ai është forca e së keqes, përgjigja pse nuk ndalemi asnjëherë, edhe kur e dimë, edhe kur duam, edhe kur gënjejmë veten.

Poshtë tij projektohen gjithë të pamundurit, të pafajshmit, aty në sytë e çakërdisur të qengjit, i paaftë as të kuptojë e as të mbrohet. Aty është gjakësi dhe viktima e pafajshme. Si në këngët e para të Zanafillës, sërish vëllai xheloz do të vrasë vëllanë e bekuar, i egri do të godasë të butin, xhelati do të ekzekutojë viktimën!!!

Rreth e përqark shfaqet pasoja.


Aty janë dy triptikët. Monumentale, ato janë prezantimi makabër i mineralit standard që prodhon lufta! Aty projektohet një imazh i tmerrshëm, por shkëlqyes! Aty lartojnë viktimat, si ajo shkallarja lëvizëse, që të tërheq drejt orëve më të errëta. Është imazhi besnik i ferrit të shpirtit njerëzor, aty ku makthet bëhen realitete dhe trupat grishen mes qefinëve të vdekjes!!!

Tablotë e tjera, ofrojnë po ato trupa të shpërfytyruar, shpërndarë ashtu, kuturu. Herë duken si arkitekturë, të mbuluara nga koha, herë si kodrina ku lartohen kafka e gjymtyrë. Herë të tjera, në paradoksin e vet, duken si lule, si lule-kufoma!

Përmbi to zbardhojnë numrat e trupave të gjetur. Ndoshta elementi i vetëm standard, material, i pamëshirshëm, që e numëron viktimën jo si frymor, por si statistikë. Numrat zëvendësojnë emrat. Të ftohtë e klinikë, ato përkufizojnë natyrën njerëzore më shumë se çdo sipërfaqe e karbonizuar, apo çdo kafkë e shpërfytyruar!

Në të tjera tablo, ka shenja që ngjyrosin ngjarjen, një automatik e një tank kërcënues në duart e vrasësit, gra që largohen të pikëlluara nga shtëpitë e tyre, djali që shpëton nënën e pamundur duke lënë pas rrënojat, apo disa të tjera gjëmëzeza që duhet të identifikojnë viktimat! Janë aty për të shënuar të gjithë ata që humbën, dhe të gjithë ata që mbijetuan. Për nder të tyre u ndërtua i gjithë cikli. Janë akti e jo aktorët, janë pasoja e jo vrasësi. Vrasësi është aty i padukshëm, por kërcënues. Janë aty që të shënojnë përkohshmërinë. Janë sinorët që ndajnë njërën gjëmë nga tjetra, njërin gjenocid nga tjetri!!!

Ekspozita “Abel”, i dedikohet konfliktit më të fundit në Shqipërinë e epërme, në Kosovë, i atij konflikti që u zhvillua në oborrin e shtëpisë tonë. “Abel” ofrohet si kronikë e një morti të asaj pjese të shqiptarisë, të cilës iu desh të paguante një çmim shumë të shtrenjtë lirie.

Përtej kufirit të oborrit, “Abel” i dedikohet natyrës njerëzore, që gjeneron gjithnjë konflikte, e paaftë të mësojë nga paqja, nga ajo qetësia e paketuar mijëra herë nga diplomacia.

Janë aty viktimat e përhershme të çdo lufte!

Jam edhe unë që të vras ty e ti që më vret mua!

Jemi të gjithë ne që vrasim njëri-tjetrin çdo ditë, çdo muaj, çdo vit, çdo shekull!

Jemi mishngrënës shekullorë të njëri-tjetrit!

Fillimisht nuk quhej “Abel”. Erdhi më vonë. Më shumë se një titull ishte një sentencë:
“O At’ mos i fal ata, sepse e dinë fare mirë çfarë bëjnë!”

Agim Sulaj, një artist imponues!

"Sjell me sqimën e vet prej Mjeshtri dhe kryemjeshtri, portretet dhe punët antologjike"

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.