Ksenofon Dilo, “kubisti” shqiptar!

Tashmë 92 vjeç. Një karrierë e gjatë artistike, e shoqëruar me një krijimtari të bollshme.


Nga Dash Frashëri

Ksenofon Dilo!

Një nga emrat më të mëdhenj të artit shqiptar!

Sot, ai mbushi 92 vjeç.

Një karrierë e gjatë artistike, e shoqëruar me një krijimtari të bollshme në më shumë se shtatë dekada si piktor.

Arti i Ksenofon Dilos dhe emri i tij mbetet një referencë e spikatur për artistët më të rinj.

***

Piktor, kostumograf, studiues, skenarist filmash. “Piktor i Merituar” (1969).

Dilo njihet edhe si “kubisti shqiptar”, për shkak se peisazhet e tij shpesh kishin forma gjeometrike. Shumë punë të tij nuk pranoheshin në ekspozita, pikërisht për këtë tendencë.

Shquhet për skenografinë e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës më 1978, ilustrues i disa veprave të Kadarasë si “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Kronikë në gur”, etj.

Gjirokastrën e tij e ka pikturuar me mijëra herë. Një qytet “kubist”. Por, edhe natyrën e Zagorisë, ku ai ka fillimet e jetës së tij.


Gjirokastra, peizazh nga Ksenofon Dilo

 

***

Ksenofon Dilo lindi në Topovë të Gjirokastrës, më 15 janar 1932.

I dashuruar me pikturën që në fëmijërinë e tij, në moshën 5-vjeçare.

“Talentin tim e pikasi një që kishte ardhur nga Turqia. Një bletërritës dhe mësues i shkollës, i cili më jepte harta për t’i ngjyrosur. Ai kishte sens për pikturën dhe vetë vizatonte disi. Më dha një kuti akuareli, si dhe dy punë, të cilat ishin religjioze që t’i kopjoja. Unë i bëra ekzakt. Atij i pëlqeu shumë. Por, më shumë më ka ndihmuar babai im”, tregoi Dilo gjatë një interviste për emisionin e Leontina Nikës, “Pas Mesnate”, në televizionin ABC News.

Babain ia arrestuan dhe e pushkatuan gjermanët në Prishtinë, më 23 tetor 1944, shtëpia ishte e djegur, u largua në Tiranë.


Ksenfon Dilo me babain e tij.

Kol Shala ishte ai që e pikasi djaloshin Dilo, por, ai që ndikoi fuqishëm te Ksenofon Dilo ishte piktori i madh, Abdurrahim Buza, i cili e ftoi Dilon në një rreth vizatimi, kur ai ishte nxënës në Tiranë.


Piktori Abdurrahim Buza

“Një vit të tërë na sillte bojëra, letra, na përkrahu. Ndikoi shumë, për të ecur në atë rrugë”, tregon Dilo.

Dilo i ri bëri një provim pranimi në Liceun Artistik.

“Isha i përgatitur shumë dhe ia di për nder Profesor Buzës”, tregon ai.

Piktori Sadik Kaceli

Katër vjet në lice me profesor Sadik Kacelin, një tjetër emër i ndritur i arteve figurative shqiptare. Por, edhe me Abdurrahim Buzën dhe skulptorin e madh, Odhise Paskali, gjenerata e parë e artistëve të cilët kishin studiuar në vendet perëndimore dhe krijuan një lice artistik model.

***

Ksenofon Dilo, një liceist i dalluar, vazhdoi studimet për piktor në Pragë, në Çeki.

“Për art, për herë të parë në Çeki, kam qenë unë”, tregon piktori i shquar, ndërsa profesor kishte një nga emrat më të mëdhenj të artit çek, Jozef Novak, me të cilin Dilo fliste italisht me të.


Jozef Novak dhe Ksenofon Dilo, në Pragë

Aty mësoi pikturën, skenografinë, tekstilin dhe merrte pjesë dy herë në vit në ekspozitat e organizuara nga shkolla. Por, nuk mungonte edhe ndonjë poezi dashurie.

Anatominë trupore e bënte në Shkollën e Mjekësisë, ndërsa vizatimin në Shkollën e Inxhinierisë.

U dallua për punimet e bukura me tempera, ku temat e kompozimeve të tij ishin gjithmonë nga Shqipëria ku një prej tyre ishte edhe “Legjenda e Rozafës”.

Si gjithë piktorët kudo në botë, edhe Ksenofon Dilo, nuk mund ta shmangte pikturimin e nudove.

“Zhaneta” ishte modeli i tij më i preferuar.

“Kishte linja shumë të bukura”, tregon Dilo, asokohe një djalosh shumë tërheqës.

“Edhe në Paris kishte shumë të mira. Kam qenë atje me Danish Jukniun, një piktor shumë i mirë”.


Piktori Danish Jukniu me Ksenofon Dilon, në Francë, 1972

***

Pas largimit nga Lidhja e Shkrimtarëve si sekretar i saj, Ksenofon Dilo, u emërua kostumograf në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku realizoi kostume profesionale dhe shumë të bukura.

Përveç mësimdhënies, pikturës, skenografisë dhe kostumografisë, Dilo ka shkruar edhe skenarin e filmit “Fortuna”, përveçse ka qenë piktor kostumesh në shumë filma të regjisorëve Piro Milkani, Hasan Hakani, Kristaq Dhamo, Viktor Gjika, etj.

Ai githashtu, është marrë me ilustrime dhe shkrime në gazetën letrare “Drita” në fillimet e saj, madje logoja e gazetës mban autorësinë e Ksenofon Dilos, fillimisht me “drita” (me “d” të vogël) dhe më pas kritikave, “Drita” (me  “D” të madhe). Edhe kopertinat e disa librave kanë firmën e tij.


Dilo me disa piktorë të tjerë, në hyrjen e ish salles se ekspozitave tek ish kompleksi i Teatrit Kombetar.

Ksenofon Dilo në rrugëtimin e tij të gjatë artistik kontribuoi në pikturë dhe skenografi, ndërsa ka qenë edhe në krye të disa institucioneve të rëndësishme artistike të vendit si Teatri i Operas dhe Baletit, Sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve,  Akademia e Arteve, Galeria Kombëtare e Arteve etj.

Pikturat e Ksenofon Dilos ndodhen në shumë vende të botës: Itali, Greqi, Spanjë, Çeki, Gjermani, Meksikë, Korenë e Jugut.

***

Dilo është një xhentëlmen në art, por edhe në jetë.


Gazetarja Monika Stafa, në studion e Ksenofon Dilos

Edhe pse në moshë të thyer, kur e takova para pak muajsh në Galerinë FAB (21 nëntor 2023), mu duk një burrë shumë i mbajtur. Gjithonë me kapelën republike në kokë.


Botuesi i Tirana Diplomat, Dash Frashëri dhe piktori Ksenofon Dilo, në Galerinë FAB

Ishte i shoqëruar nga vajza e tij, Elona Dilo Isaraj.


Në sfond janë dy peizazhe të realizuara nga Ksenofon Dilo, të ekspozuar në Galerinë FAB

Dekan i respektuar i Institutit të Lartë të Arteve, ai kujtohet edhe sot me respekt nga ish-studentët e tij.

Ksenofon Dilo, sot mbushi 92 vjeç, por ai nuk e lëshon penelin nga dora, për të pikturuar kryeveprën e radhës!

___________

Tiranë, 15 maj 2024

DISA NGA PUNËT E KSENOFON DILOS

Lexo më shumë nga

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.