Wandrille Potez – një pinjoll i Herodotit në tokën shqiptare

Wandrille Potez është një historian arti, studjues, fotograf por dhe një bohem i kohëve moderne.


Nga Luan Rama

Wandrille Potez është një historian arti, studjues, fotograf por dhe një bohem i kohëve moderne, i cili siç duket ndjek modelin e tij të lashtë të Herodotit aksioma e të cilit ishte se për të shkruar historinë e një populli, vendi apo kontinenti duhet ta shkelësh atë. Dhe ai ka marrë si të thuash « shkopin » e pelerinit për të njohur botra të panjohura më parë.

Është i ngjashëm gjithashtu dhe me filozofin, poetin dhe mitologun francez Jacques Lacarriere, i cili, siç më thoshte disa vite më parë, edhe pse në moshë të thyer, kishte hallin të operonte gjunjtë pasi donte të udhëtonte gjithnjë. Që në rininë e tij përkthyesi i Ricosit, i cili la amanet që pas vdekjes ti hidhesh hiri i tij në detin e Egjeut. Ai vetëm ecte, udhëtonte, banonte me fshatarët dhe pashkatarët e ishujve të Greqisë apo Anadollit dhe kështu zbuloi artin e madh.

I ngopur nga bukuritë e Perëndimit, Potez i është drejtuar prej disa vitesh popujve të tjerë : në fillim ishte Europa Qëndrore e pastaj Ballkani. Interesant itineraret e tij gjatë viteve 2016 – 2020 « Voyages à vélo : du Mont Athos à Tirana (2022), de Sofia à Athènes (2021), Bade-Wurtemberg (2020), Piémont, et de Budapest à Istanbul (2019), de Munich à Salzburg (2018), de Trieste à Athènes (2017), de Dresde à Cracovie (2016). En préparation : d’Istanbul à Tbilissi (été 2023) » Pra nga Ballkani ku nisi me udhëtimin me biçikletë drejt Stambollit dhe ku udhëtimi nëpër shi dhe erë ishte diçka tepër e vështirë, më 2017 ai iu drejtua Shqipërisë, ku me një mikun e tij, të dy me biçikleta e rrahën vendin buzë Adriatikut nga Jugu në Veri dhe nga Lindja në Perëndim. Ky udhëtim e nxiti ti rikthehej përsëri Shqipërisë, kësaj rradhe do të udhëtonte në këmbë.

Kështu ai zbriti me avion në Janinë dhe që andej mori në drejtim të kufirit shqiptar, ngarkuar më çantën e tij të udhëtimit dhe aparatin fotografik. Nga Muzina dhe lugina e Drinos udhëtimi vazhdoi me pasionin, energjinë dhe entuziazmin e një pikëtakimi të veçantë human.

Duke iu ngjitur maleve përballë Gjirokastrës dhe duke iu drejtuar malit të Lunxhërisë, ai ndaloi në qytezën antike të Antigoneas duke fotografuar pamjet e mrekullueshme të rrafshinës poshtë. Më tregoi për fshatin e Saraqinishtes, që është pothuaj në majëmal e ku faren ë majë është një manastir i vjetër e i braktisur, një fshat që e kisha vizituar po atë periudhë dhe ku kishim fjetur tek i njëjti mik, por pa mundur të takoheshim? Koinçidencë sepse kishim parë të njëjtat kisha të këtij fshati. I kishte bërë përshtypje gjëndja e mjerë e atyre kishave të vjetra dhe të braktisura, me afresket e rrënuara nga shiu, tavanet e rënda dhe të hapura vende-vende, me dyshemenë gjithë pluhur dhe me gurët e hequr, e që në hyrje kishin shkrimin « Monument Kulture » edhe pse kultura nuk ekzistonte asgjëkundi në ato skuta mbushur me gurë, me ikona dhe ikonostase të shpërfytyruara.

Wandrille është një fotograf me sqime dhe shije të veçantë dhe me aparatin e tij fotografoi shumë afreske, mjedise kishëtare, kupola apo harqe nën të cilat ishin pikturuar afreske të artit bizantin nga artistë me një prirje arkaike dhe naive por plot sharm në dhënien e tipologjive te tjera të figurave kishtare.

Pikërisht ajo na pëlqen pasi nuk është si në kishat e mëdha ku ikonat apo afresket ngjasin shumë me njëra-tjetrën apo janë pothuaj të njëjta. Pas 30 vjet e më shumë të ndryshimeve politike kishim shpresuar që qeveritë e njëpasnjëshme do të vendosnin dorë edhe në kishëzat e vogla dhe të harruara por që ruajnë ende thesare, por kjo ka qenë si duket privilegj vetëm i qyteteve të mëdha, duke lënë në harresë këtë trashëgimi të madhe që padyshim do ti shërbente një ditë jo vetëm dëshimisë së zhvillimit të artit bizantin në Shqipëri por dhe turizmit. Turistët një ditë do të velen me të njëjtat site, qyteza antike, kisha, etj ., dhe do të duan të zbulojnë diçka tjetër, atë të maleve, të jetës baritore. Por sigurisht, bosët e korupsionit, tavolinat e pafund të logoresë së debateve politike kanë më rëndësi për jetën shqiptare ?!
Wandrouille e adhuron artin bizantin dhe jam i sigurt që do të shkruaj një libër mjaft interesant për udhëtimet e tij shqiptare. Pas kapërcimit të maleve të Lunxhërisë e Cajupit, duke zbritur poshtë, ai do të ngjitej përsëri drejt maleve të tjera drejt Permetit në horizont. Tashmë është jeta baritore që e tërheq. Dhe barinjtë e pranojnë mes tyre me një gezim të habitshëm. Ai ha bashkë me ta, flë mbi gunat e leshta, ruan delet një çast, flet me ta disa fjalë shqip dhe disa fjalë italisht. Por komunikimi është mjaft i lehte dhe rakia e ëmbël për ta. Peizazhet fotografike të tij janë të mrekullueshme : thepisje, kreshta të larta, pemë të vetmuara, ullinj të vjetër qindra vjeçare nën re të vrenjtura, dhi dhe dele dhe herë pas herë, kisha, afreske, ikona të lëna aty për ndonjë besimtar të vonuar. Bylis, Apolloni, fragmente të kohës romake, harruar diku në një kënd të kishës s’dihet si, s’dihet pse. C’bëjnë vallë aty ? Ato janë blloqe guri a mermeri me pamje të florës, që bien në sy për imazhet e tyre të mrekullueshme? Vallë flenë në gjumin e gjatë? Kush interesohet për to? A nuk duhet që këto fragmete të gjejnë vendin e tyre ku janë krijuar dikur? Një ditë, kur kishte shkuar në Apolloni dhe në mbrëmje duhej të flinte, ai ngriti tendën e tij në fushën pranë qytezës arkeologjike. Miku i tij Frederik Mitterand, ish ministry francez i Kulturës, e kishte paralajmëruar se në Apolloni duhej të bënte kujdes se ka shumë akrepa dhe gjarpërinj. Dhe pikërisht kjo do të ndodhte. Këmba e tij zbathur, u pickua nga një akrep dhe trupi i tij u nxeh, këmba iu fry. Një çast mendoi se do të vdiste. Askush s’mund ti vinte në ndihmë, duhej të priste mëngjesin. Por shpejt e kuptoi se pas disa orësh këmba po ç’fryhej, dhe ndjehej më mirë. Kështu ndodh me pelerinët e Herodotit. Kur ma tregoi këtë mu kujtua një histori e arkeologut francez Leon Rey i cili, në vitet ‘30 ne Apolloni ishte dhe një lloj doktori për fshatarët dhe pikërisht një ditë kishte shpëtuar një fshatar nga vdekja e sigurtë si pasoje e pickimit nga një gjarpër.
Mikut francez i pëlqen shumë jeta baritore, njerezit e thjeshtë dhe trashëgimia kulturore e « periferisë », pra e fshatarve, maleve, thepisjeve. Por ndryshe nga Shqipëria, ku miku i huaj gjen një mikpritje proverbiale, ai më tregon sesi « ngritja e tendës, në udhët e Hungarisë shihej me sy të vëngër pasi e merrnin për rom. Ai më tregon për udhëtimin e tij në Malin e Shenjtë të Athos, ku ëndërroj të shkoj një ditë ku ai vizitoi manastiret e famshme të gati njëmijë vjetëve më parë, e ndërkohë unë i flas për udhëtimet e konsujve francezë në veri e në jug gjatë shekullit XIX, për Nimfeun e Apollonisë, Guilleron dhe Rey, për epikën legjendare shqiptare apo Currajn e Epërm me pamjen e jashtëzakonshme që të dhuron nga lartësia e 2500 metrave. Biseda me mikun francez është një kënaqësi e veçantë, fotografitë mjaft sugjestionuese. Dhe nuk është e habitshme që intelektualë të tillë e duan thellësisht Shqipërinë. Madje u vjen keq për atë pjesë të trashëgimisë së vjetër të lënë pas dorës. Dhe që tani ai mendon për udhëtimin e tij të ardhmë : veriun shqiptar, takimin me varret e vjetra të shekujve VI e këndej, me Komanin dhe vendet e miteve të lashta shqiptare.

Dhe gjithnjë në këmbë ky pinjoll i vërtetë i Herodotit !…

Lexo më shumë nga

Josif Papagjoni: Ja pse më pëlqen metafora poetike në pikturë!

"Mes dy botëve", emisioni i mirënjohur i moderatorit-piktor, Helidon Haliti, rikthehet në RTSH me Edicionin e Dytë të tij.

“Better Red Than Dead”

"Mjeshtri i Madh", Helidon Haliti, hap ekspozitën e tij personale në "Golemi Art Gallery". Deri më 22 shtator 2024.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.