Edona Bilali: Është momenti i duhur për Muzeun e Artit “Ismail Lulani” në Shkodër
Deputetja socialiste e Shkodrës ishte e ftuara e radhës në emisionin “Mes dy botëve” të piktorit Helidon Haliti.
Nga Dash Frashëri
“Sot studion time të artit e viziton një grua, e cila mbart Shkodrën në fisnikëri, sharm dhe liri. Edona Bilali, një zë emancipues në politikën shqiptare”.
Kështu e prezantoi piktori moderator, Helidon Haliti, ish-ministren e Mbrojtjes së Sipërmarrjes, deputeten e Partisë Socialiste, Edona Bilali, në fillim të emisionit të tij “Mes dy botëve”, tashmë të konfirmuar si një sukses televiziv.
Studioja gjigante e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti”, është bërë mikpritëse e disa prej personaliteteve më të spikatur të jetës shoqërore dhe artit në vend, të tillë si Gjergj Luca, Erion Kristo, Rita Petro, Ormira Lulani, etj.
Pika kulmore e deritanishme e emisionit është intervista me Nirvana Halitin, bashkëshortja e poetit të madh, Faslli Haliti, njëhererësh edhe e ëma e Helidonit.
Helidoni është njeriu i surprizave. Dhe e nisi emisionin krejt befasues, me tregimin e librezës ushtarake të tij, të zborit, një gjetje për të krijuar një atmosferë më të ngrohtë.
“Më ka sjellë mamaja një gjë fantastike. Gjithë populli ushtar. Kjo është certifikata ime e zborit. Ja shikoje! Kurse tani, ju jeni brezi i NATO-s dhe jeni të mbrojtur, ndërsa ne kemi qenë gjithmonë gjithë kohës në vigjilencë”, i thotë Haliti-Bilalit.
Piktori shqiptar me famë ndërkombëtare është një xhentëlmen i vërtetë, që reflekton më së miri traditën dhe respektin ndaj të ftuarit të radhës, sidomos ndaj një “Zonje nga Shkodra”, djepi historik mijëravjeçar i qytetërimit të spikatur shqiptar.
Në fakt, deputetja socialiste ishte një ndër vizitorët “VIP” të ekspozitës së famshme te Helidon Halitit, “Faksimile”, gjë që e veçoi edhe piktori, duke e kosnideruar një vizitore inteligjente.
“Kur të pashë prezent, u befasova dhe më ka ardhur jashtëzakonisht mirë. Megjithë se ka qenë një ekspozitë me një fluks shumë të madh, evidentova një lëvizje tuajën, tepër inteligjente dhe me një vështrim ndaj pikturave që më ra në sy. Pastaj, kur pashë që ju ishit një figurë shumë e njohur publike, unë do t’iu bëj një mirëseardhje tjetër”, thotë Helidoni.
Piktorja Ormira Lulani, vajza e piktorit Ismail Lulani, Helidon Halit dhe Edona Bilali, në ekspozitën “Faksimile”.
Dhe, pikërisht me një gjest fisnik nis edhe intervista. Me një dhuratë. Katalogu i pikturave të piktorit të madh shkodran, Ismail Lulani. Me autografin e Helidon Halitit.
“Është një katalog i një ekspozite që e kemi bërë para një viti në Muzeun Kombëtar, por edhe më pas në Shkodrën tuaj dhe në Shkodrën e të tërëve. Është një katalog që prezanton gjithë veprën e tij”.
Haliti i sugjeron deputetes së Shkodrës, që shtëpia e Ismail Lulanitt, të kthehet në një muze arti, që dhe populli t’i vizitojë pikturat, një dëshirë edhe e familjes Lulani.
“Më duket një ide interasante, pasi është momenti i duhur. Shkodra ka shumë asete njerëzore ndër vite, por Ismail Lulani është nga ata piktorë dhe artistë, që ka spikatur në mënyrë të veçantë. E rëndësishme për brezin tonë, por dhe të atyre që po vinë pas, është ruajtja e këtyre veprave dhe leximi jo vetëm i artit, por edhe i energjisë që mbart brenda”., tha deputetja Edona Bilali.
Shkodra është në fazë intesive investimesh, një rikonceptim total i qytetit, ku në plan afatshkurtër është edhe hapja e një galerie.