Wolfang Amadeus Mozart, “shenjtori” i muzikës
Më 27 Janar 1756 lindi një meteor në horizontin muzikor, për shfaqjen e të cilit bota nuk ishte përgatitur ende
Nga Albert Vataj
Më 27 Janar të 1756-ës lindi një meteor në horizontin muzikor, për shfaqjen e të cilit bota nuk ishte përgatitur ende. Shkrepëtiu në një horizont të papërshkrueshëm dëshirimesh dhe kredhjesh kandashumë, Wolfang Amadeus Moxart. Ai erdhi për ta përmbledhur në një të prekshme të hyjshme proverbin sipas të cilit: Muzika ëshë krijesa më magjike që ka zbritur në tokë. Moxart ishte një nga muzikantët më brilantë që bota ka njohur ndonjëherë. Mjeshtër me dhunti të veçanta që kompozoi gati në të gjitha zhanret muzikore si dhe prodhoi një numër të madh veprash, pavarësisht nga vdekja e tij e parakohshme në moshën 35 – vjeçare. Kombinimi i bukurisë shkëlqyese të tingullit me elegancën klasike dhe perfeksionin teknik i bëri veprat e tij të pavdekshme.
Kur e dëgjoi Bethoveni piano-koncertin e Moxartit në Do minor, tha: “Ah, ne kurrë nuk do të mund të bëjmë diçka të tillë!” (Alfred Einstein). Goethe ka thënë: “Një fenomen si Moxarti është një gjë e pashpjegueshme”.
Moxarti lindi në Salzburg të Austrisë më 27 Janar të 1756-ës. Ai u pagëzua me emrin Johan Krisostomus Volfang Theofilos Moxart ku nga greqishtja, Theofilos do të thotë «I dashur nga zoti». Më pas ky emër u përdor në italisht Amadeo ose Amade (në Frëngjisht), që ishte dhe emri i tij i preferuar. Gati të gjitha dokumentat zyrtarë të ruajtur mbajnë firmën “Amade” Babai i tij, Leopold Moxart, ishte një kompozitor i njohur deri diku, një violinist i shkëlqyer si dhe muzikant i oborrit të Kryepeshkopit të Salzburgut.
Leopoldi ishte gjithashtu autori i librit “Shkolla e Violinës, një nga librat më të mirë të kohës për mësimin e violinës. Ana Maria Pertl, nëna e Moxartit u martua me Leopoldin më 1947-ën dhe solli në jetë 6 fëmijë, prej të cilëve vetëm Moxarti dhe motra e tij 5 vjet më e madhe, Ana Maria Nanerl, mbijetuan. Të dy fëmijët që në moshë të vogël shfaqën talent në muzikë, kështu që Leopoldi filloi t’u kushtonte atyre kohë dhe energji për të perfeksionuar talentin e tyre. Veçanërisht, kur karriera e tij nuk kishte më shanse të përparonte, ai iu përkushtua vetëm fëmijëve të cilët do të mund të siguronin të ardhurat në familje.
Nanerli ishte një pianiste shumë e mirë që në moshën 8-vjeçare, ndërsa Amadeus që kur ishte 3 vjeç shpenzonte orë të tëra me tastierën, duke eksploruar tingujt. Pas përkujdesit të të atit, ai shumë shpejt filloi të shfaqte dhunti mahnitëse. Luante me symbyllur faqe të tëra muzikore si dhe krijonte vetë muzikë. Kur ishte 5-vjeç, ai filloi të kompozonte dhe t’i shkruante pjesët e tij. Leopoldi atëherë filloi t’i kopjonte e t’i transformonte ato në forma muzikore më korrekte. Shumë shpejt Moxarti filloi të mësojë si ti shkruante vetë pjesët muzikore, por për shumë vjet me radhë, ishte Leopoldi ai që i mbikqyrte dhe i korrigjonte ato. Kjo është dhe arsyeja pse disa mendojnë se në të vërtetë ishte Leopoldi, kompozitori i pjesëve muzikore të para të të birit. Talenti i Nanerlit dhe sidomos ai i Moxartit mund ta çonin familjen më larg sesa Salzburgu, për këtë arsye Leopoldi u tërhoq nga detyrat që kishte në oborrin e Kryepeshkopit dhe e gjithë familja filloi një turne në mesin viteve 1763.
Fillimisht ata udhëtuan në Mynih, më pas në Vjenë ku luanin pjesë muzikore për familjen mbretërore të Habsburgut. Moxarti i habiti të gjithë me aftësitë e tij dhe shumë shpejt fama u përhap kudo. Ata shkuan në Paris dhe më pas, në 1764-ën, në Londër.
Atje Moxarti kompozoi simfoninë e tij të parë vetëm kur ishte 7 vjeç. Mendohet se para kësaj simfonie ka qënë të paktën dhe një tjetër kompozim që sot ka humbur. Të mirëpritur kudo që shkonin nga familjet mbretërore dhe elita, familja Moxart vazhdoi turneun e saj në Hollandë, përsëri në Francë dhe në Zvicër për tu kthyer sërish në Salzburg në 1766-ën, gati tre vjet pas të ashtuquajturit ”turne i madh“. Familja kishte fituar të ardhura të konsiderueshme gjatë këtij turneu e për më tepër Moxarti kishte perfeksionuar aftësitë e tij muzikore. Mund të luante me symbyllur në piano, organo, violinë, violinçelë e të tjera vegla muzikore, mund të improvizonte lehtësisht në çdo lloj gjinie muzikore, të kopjonte ashtu siç duhej stilin e çdo lloj autori si dhe të kompozonte pjesë muzikore të njëjta me kompozimet më të mira të asaj kohe.
Këto të gjitha vetëm kur ishte10 vjeç. Një sërë udhëtimesh të tjera pasuan për Moxartin, ku ndër më kryesoret në këtë periudhë ishte udhëtimi 3-vjeçar në Itali (1770-1773).
Atje ai studio me At. Xhiambatista Martinin, një nga muzikantët më të njohur të kohës. Në Bolonjë atij iu dha titulli “Kalorës i Urdhërit të Artë” nga Papa Klementi XIV. Ky lloj titulli i jepte atij të drejtën të quhej Kavalier. Për një farë kohe ai i nënshkroi punët e tij me nënshkrimin Kavalier, por më vonë nuk e përdori asnjëherë këtë titull.
Kudo që shkonte nderohej për kompozimet e tij, megjithatë akoma nuk po i ofrohej ndonjë post nga elita e provincave italiane. Në 1773-shin Amadeus Moxart u kthye sërish në Salzburg ku kompozoi disa nga veprat e tij më të njohura si operan “La Finta Giardiniera”, 5 koncerte për violinë, një sërë simfonish e pas 1777-ës vazhdoi me më tepër simfoni, gjashtë sonata për piano si dhe muzikë kishtare.
I pakënaqur me ato që kishte arritur dhe i nxitur nga babai i tij ambicioz, Moxarti dhe nëna e tij nisen përsëri në turne. Ata qëndruan në Mynih e më pas në Manheim, ku Moxarti kompozoi pjesë të tjera. Në Manheim Moxarti njihet dhe dashurohet me Alozia Weber, një këngëtare operash. Ai vendos të qëndrojë me të dhe babain e saj duke shkruar opera që do ti këndonte e dashura e tij e zemrës. Pavarësisht kundërshtimit të të atit dhe kërkesës së tij për të vazhduar turnetë në mënyrë që të fitonte emër, Moxarti nuk u bind. Pas vdekjes të papritur të së ëmës, gjërat u përkeqësuan dhe Moxarti shkoi në Paris ku pavarësisht zhgënjimeve të njëpasnjëshme dhe dhimbjes që i shkaktoi vdekja e së ëmës, nuk qëndroi larg kompozimit.
Leopoldi po mundohej me çdo kusht për ta kthyer djalin e tij të talentuar në Salzburg, ndërkohë që ky i fundit po kalonte një zhgënjim dhe në dashuri. Alozia, pasi kishte fituar disi famë, u nda prej tij. Moxarti vendos të kthehet në Salzburg.
Deri në 1780-ën, ai punoi për Arkipeshkopin Koloredo. Ndonëse ishte i pakënaqur me pagën që merrte, në këtë periudhë ai kompozoi sonatat më të rëndësishme për piano. Në 1770-ën, ai fitoi një komision në Mynih për një nga operat më të suksesshme të shkruara ndonjëherë, operan “Idomeneo, Mbreti i Kretës“.
Në 1782-shin, kundër dëshirës të të atit, Moxarti martohet me motrën e vogël të ish të dashurës së tij, Kostancën. Pas martesës, Moxarti shkon në Vjenë, ku për një farë kohe gëzon sukses me veprat e tij. Ndërkohë marrëdhëniet e tij me të atin dhe motrën ishin ftohur. Nuk ekziston asnjë lloj korrespodence e tij në këtë periudhë me Nanerlin. Pika e tyre e vetme e takimit ishte korrespodenca me të atin. Nga ana tjetër, Moxarti ndihej shumë i lumtur me gruan e tij. Nga letrat e mbetura evidentohet se ai e donte shumë Kostancën dhe ajo nga ana tjetër ia kthente këtë dashuri me të njëjtin afeksion, pavarësisht zërave që flisnin për tradhëti bashkëshortore nga atë dyja palët. Po nga letrat e tij, një tjetër personazh, Antonio Salieri, një kompozitor i oborrit, del në pah në jetën e Moxartit. Ai ishte kompozitori i preferuar i Perandorit Jozef II-të. Në letrat e Moxartit dhe të atit, flitet për komplote e intriga të Salierit me qëllim mosecurinë e Moxartit.
Si drejtor i operas së Vienës, nuk mund të mohohet influenca e tij në vendet ku Moxarti donte të përparonte, megjithatë në asnjë nga letrat nuk qartësohet se në ç’mënyrë ky njeri mund të ketë ndikuar kundër tij. Me operan si kulmi i karrierës së një kompozitori që siguronte para dhe famë, kuptohen lehtë konkurrencat e kohës, për këtë arsye probleme të këtij lloji mund t’i kalojnë limitet e së vërtetës. Historira të frikshme midis Salierit dhe Moxartit dolën në skenë rreth 25 vjet pas vdekjes së këtij të fundit. Megjithatë, akoma nuk është evidentuar se nga mund ta kenë burimin këto histori që nuk patën as mbështetjen e të vesë së kompozitorit të madh.
Opera ishte një nga pasionet më të mëdha të Moxartit. Operat e tij më të famshme “Martesa e Figaros“ (1784), apo “Don Zhuani“ (1787) u pritën me entuziazëm nga publiku. Shumë vepra të tjera të mrekullueshme si “Haydn“, kuartete në violinë të kompozuara për nder të kompozitorit të madh Joseph Haydn, 12 sonata për violinë, 10 sonata për piano, kuintete etj u kompozuan nga Moxarti po gjatë viteve të qëndrimit të tij në Vienë.
Ndryshe nga ato që thuhen, (se ai e krijonte çdo gjë në mendje), Moxarti fillimisht i skiconte të gjitha idetë e tij dhe mbante shumë shënime. Më pas i përfundonte të gjitha kompozimet në bazë të këtyre shënimeve dhe memories së tij të jashtëzakoshme. Shumë herë shënimet e tij tregojnë se janë lënë mënjanë e nuk janë përfunduar për një arsye ose një tjetër.Analiza e disa të tjerave tregon se ato janë nisur, janë lënë mënjanë dhe ai është kthyer tek ato pas shumë kohësh për t’i përfunduar. Megjithatë, është plotësisht e vërtëtë se ky gjeni i muzikës arrinte të kompozonte me mendjen e tij vepra të tëra dhe bile në kohë shumë të shkurtër. Nga materialet e mbledhura, mendohet se ai duhet të ketë punuar 6 deri në 8 orë çdo ditë (përveç ndoshta të dielave) për vite me radhë për të realizuar ato që ne kemi në dorë tani. Më tepër se 40 vepra ku përfshihen marshe, koncerte apo simfoni të tij nuk janë gjendur akoma.
Moxarti ishte gjithë kohën i zënë duke kompozuar, duke dhënë mësime, duke organizuar koncerte apo duke mbyllur pagesa për punët e tij. Menjëherë pasi puna e tij shitej, blerësi i saj mund ta kopjonte e ta shiste duke fituar para nëpërmjet saj, pa shkuar asnjë kacidhe në xhepat e autorit (E drejat e autorit akoma nuk ishte e njohur në Austri deri 30 vjet pas vdekjes së tij). Për këtë arsye Moxarti i ruante manuskriptet e tij duke mos përfunduar pjesët për piano në mënyrë që të nxirrte fitime prej tyre. Kjo mund të jetë dhe arsyeja pse në një pjesë të veprave të tij mungon pjesa për piano.
Dy gjigandë të tjerë të muzikës patën kontaktet e tyre të para me Moxartin. Atëherë 8-vjeç Johan Nepomuk Hummel qëndroi rreth 2 vjet me Moxartin për të vazhduar më pas një turne me të atin, ashtu si dhe mësuesi i tij kish vepruar në fëmijërinë e vet. Në prill të 1787-ës, Ludwig van Bethoven mbërriti në Vienë. Evidencat tregojnë se ai erdhi atje për tu bërë nxënës i Moxartit. Megjithatë takimi i tyre ishte shumë i shkurtër, ndryshe nga ato që thuhen. Bethoveni qëndroi në Vienë vetëm dy javë pasi nëna e tij ishte shumë e sëmurë. Nga ana tjetër, Moxarti në këtë kohë po përgatitej të lëvizte së bashku me familjen e tij. Në fillimet e 1787-ës, ai dhe gruaja e tij po kalonin kohë të vështira. Koncertet sa vinin e pakësoheshin e bashkë me to dhe fitimet. Një sërë arsyesh mund të kenë ndikuar këtu. Së pari Moxarti nuk konsiderohej nga elita Vieneze kompozitor superior dhe veprat e tij nuk ishin aq të kuptueshme për ta. Së dyti një luftë me perandorinë osmane mund të ketë tërhequr vëmendjen e fisnikëve.
E së treti ai kish humbur shumë në lojërat e fatit. Vdekja e të atit, gjithashtu pati ndikim në punën e tij. Për shkak të martesës me Kostancën, Moxarti nuk u përfshi në testamentin e të atit. Duke pasur parasysh kontributin e tij në “arkën familjare“ nga koncertët e hershme me të atin, Moxarti u hidhërua pa masë nga ky “refuzim” i familjes së tij, i projektuar nga i ati e i mbështetur nga motra e tij e vetme Nanerli. Pas kësaj ai nuk u takua kurrë më me Nanerlin. I ndodhur në gjendje shumë të vështirë ekonomike filloi të merrte hua. Letrat e tij zemërcopëtuese ku lutej për të marrë të holla, zbulojnë mjerimin në të cilin kishte rënë kompozitori i madh që donte me çdo kusht të mbante lart nderin dhe reputacionin e tij. Në 1789-ën Moxarti udhëtoi në Berlin e më pas në Frankfurt duke shpresuar për një pozitë më të mirë, por asgjë. Bashkëpunimi me Emanuel Schikaneder, pronarin e një teatri në zonën e klasës së mesme të Vienës, dhe trupën e tij, solli në skenë operan “Flauti magjik”, që u bë menjëherë popullore e i dhuroi Moxartit një shije të fundit të suksesit.
Pas premierës së saj në shtator të 1791-shit, dukej sikur gjërat po merrnin për mirë për të dhe familjen e tij (tashmë dhe me dy djem). Por për ironi të fatit, kur kishte punuar rreth 30% të veprës së parapaguar “ Rekuiem”, në Nëntor ai sëmuret rëndë. Pavarësisht nga mjekimet dhe përkujdesjen e mjekëve më të njohur të Vienës, gjendja e tij sa vinte dhe keqësohej për tu finalizuar me vdekjen e tij të parakohshme në 5 Dhjetor të 1791-shit. Nuk ka asnjë raport në këtë datë mbi shkakun e vërtetë të vdekjes së tij. Teori për vrasje apo helmim qarkullojnë deri në ditët tona. Mjekët folën jo me qartësi edhe për komplikacione të reumatizmit apo temperaturës së lartë, por çdo gjë mbetet mister. Volfang Amade Moxart u varros në një varrezë periferike pa shumë ceremonira. Për shkak se familja apo admiruesit e tij nuk vunë menjëherë shenjë dalluese mbi varrin e tij, vendodhja e saktë akoma nuk dihet.
Burimi: Albertvataj.com