Vangjush Mio, nga vjeshta e artë te nudot e bukura
Mes serenatave për çupkat e Korçës mondane, te bora e Moravës. Ky ishte peizazhi në të cilin krijoi piktori i famshëm
Nga Dash Frashëri
Mandolinat dhe kitarat në serenatat e famshme për çupkat e Korçës mondane. Vjeshta e artë e Vithkuqit, bardhësia bukuroshe e borës së Moravës, manat e Drenovës.
Ky ishte “peizazhi” në të cilin jetoi “Piktori i Popullit”, Vangjush Mio, i konsideruar si piktori i parë impresionist shqiptar.
(Ky autoportret është realizuar në vitin 1939 dhe ruhet në Muzeun e Korcës)
Ai cilësohet si ati i pikturës moderne e bashkëkohore shqiptare. “Nderi i Kombit” (2020).
Me penelin e tij, artisti impresionist shkriu bojrat, kombinoi ngjyrat dhe la trashëgimi peizazhin mbresëlënës të qyteteve shqiptare
Atmosfera magjike e studios së tij, e shoqëruar me goditjen e butë të penelave në telajo, ishte si një ëndërr e përjetshme arti.
Kritikët e konsiderojnë atë si piktorin që bëri hapin e parë të pikturës shqiptare drejt koncepteve moderne.
***
Vangjush Mio u lind në Korçë, më 3 mars 1891, kur Shqipëria ishte ende në administrimin e Perandorisë Osmane. Qyteti i Korçës ishte sanxhak i Vilajetit të Manastirit
U nda nga jeta, më 30 dhjetor 1957 në Tiranë, në moshën 66-vjeçare, pas komplikacioneve që i la verdhëza.
Vangjush Mio nis të vizatojë aty nga viti 1898, kur ishte ende i mitur, shtatë vjeç. Në moshën e adoleshencës vizatimi e shtyu drejt shkollës së artit në Bukuresht. Krijimtaria e tij e ruajtur nga familjarët e tij, daton që nga viti 1906, e cila vazhdoi deri me pikturimin e veprës së papërfunduar e që ekspozohet në Shtëpinë Muze “Vangjush Mio” në Korçë.
“Gjyshërit e Vangjush Mios ishin bujq, të cilët kishin zbritur nga Vithkuqi në fund të shekullit XVIII. Thimi Mio, babai i piktorit, merrej me punët e bujqësisë. Nëna e tij, Polikseni Ramizi Mio, ishte shtëpiake.
Ata patën tre djem: Anastasin, që shkroi thekshëm me pseudonimin Tasi Pika dhe emigroi i pari në Bukuresht; Vangjushin, piktor i edukuar në Bukuresht dhe Romë; Sokratin, regjisor, i edukuar në Paris. Vangjush Mio ndoqi në Korçë mësimet fillore dhe dy vite të shkollës së mesme, në shqip dhe greqisht. Në vitin 1908, në moshën 17-vjeçare, emigroi në Bukuresht, ku jetoi për disa kohë pranë të vëllait. Fillimisht bëri punë të zakonshme për restorantin e kushërirës së tij nga nëna, Thomaidhës, e cila e mirëpriti dhe e sistemoi me banim dhe punë.
Mio aftësohej në vizatim dhe në vitin 1914, konkuroi dhe fitoi të drejtën e studimeve për pikturë në Scoala Nationale de Arte Frumoase din Bucuresti, apo Shkolla Kombëtare e Arteve të Bukura të Bukureshtit. Vangjush Mio u diplomua në vitin 1919. Anastasi dhe Vangjushi ishin anëtarë patriotë të Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit, për të cilën Asdreni “Bukureshti paraqiste lulen më të bukur të Shqipërisë në botë”. Në mjediset e kolonisë, Mio i sapo diplomuar në vitin 1919, çeli ekspozitën e parë vetjake dhe anëtarët e Kolonisë i blenë dy piktura me pamje nga Baia Mare”, shkruan studiuesja e artit, Suzana Varvarica Kuka.
Nga viti 1920 deri në 1924 studioi në Akademinë e Arteve të Bukura në Romë dhe në vitet 20 udhëtoi në të gjithë Italinë. Ai vizatoi e pikturoi site arkeologjike, kisha, kanale lundrues, kala në Romë, Venecia, Bolonja, Piza, Firence.
Mio ishte admirues i madh i artit realist dhe impresionizmit italian të shekullit të XIX-të dhe fillimit të shekullit të XX-të.
I ndërpreu studimet në Institutin Mbretëror të Arteve të Bukura në Romë për arsye ekonomike dhe kthehet në Korcë, ku emërohet mësues i vizatimit në Liceun Francez të Korcës.
U kthye në Korçë, qyteti më i kulturuar dhe më i zhvilluar i asaj kohe në Shqipëri.
Mio krijoi shoqatën e arteve të bukura dhe në raste të ndryshme ekspozoi punimet e tij, duke u kthyer në një nga piktorët më të famshëm shqiptarë të asaj periudhe.
Fillimisht, vizatoi me laps dhe në sepia portrete, figura, kompozime, nudo dhe peizazhe. Më pas pikturoi kompozime nga jeta e njeriut në përditshmërinë e zakonshme, figurën dhe portretin familjar, peizazhin baritor dhe atë të fshatit, peizazhin e tokave dhe liqeneve, kalimin e karvanëve dhe kalorësve.
Ai vizatoi dhe pikturoi në Durrës, Butrint, Ulqin e Shën Naum; pikturoi qendrën e Tiranës, bregun e detit në Durrës, Vlorë e Sarandë; liqenin, rrugë e rrugica në Pogradec, Shkodër, Përmet, Gjirokastër, Berat.
Vangush Mio ishte i njohur edhe për nudot e bukura të tij.
Aty u njoh edhe më mësuesin Enver Hoxha, i cili nisur nga kjo njohje shkonte shpesh në studion e piktorit Vangjush Mio.
Ai kujtohet veçanërisht për peizazhet: vezullimin e plepave nën diellin vjeshtor me ujërat e liqenit të Ohrit dhe fushat e Korçës të mbuluara me borë nën dritën e diellit dimëror.
Nga veprat e tij mund të përmendim, “Dimri në Korcë”, “Dishnica” “Vithkuqi”, “ Manat e Drenovës”, “Kositësit e barit”,”Autoportreti”, “Portreti i Gruas” , “ Portret Plaku” ,”Cigani”, “Njeriu me gajde”, subjekte peisazhesh natyrore nga rrethinat e Korcës e Pogradecit e shumë të tjera, që tashmë ndodhen në galerinë e arteve dhe në shtëpinë muze të tij në Korcë.
Gjatë karrierës së tij ai ka punuar gjithashtu për të inkurajuar pavarësinë artistike duke u bërë artisti i parë shqiptar që promovoi pikturën, celi kështu ekspozitën e parë në Tiranë më 1920-të.
Duke krijuar personalitetin dhe fizioniminë e vet, ai në vitin 1933 celi ekspozitën personale në Korcë, më pas në ekspozita kolektive Tiranë dhe në të gjithat ekspozitat të organizuara në Shqipëri.
Peizazhe të Mios nga Ulqini, Mali i Zi.
Në ekspozitat ndërkombëtare mund të kujtojmë ato në Itali, Rumani, Kinë, në Bienalen e Aleksandrisë, Greqi, Egjipt, Turqi, Rusi dhe ish-Jugosllavi.
Ekspozita Retrospektive e organizuar në Tiranë për nder të tij do të ishte dhe ekspozita e fundit. Ndahet nga jeta më 30 dhjetor 1957.
Vangjush Mio u nderua me titullin “Piktor i Popullit. Në 1965 u realizua dokumentari shqiptar “Vangjush Mio, piktor i popullit”, i cili trajtonte jetën dhe veprën e piktorit.
Vangjush Mio, i realizuar nga mjeshtri i ndjerë Ilia Xhana.
Ministria e Kulturës dhe “Fototeka” kanë digjitalizuar dhe publikuar për herë të parë arkivin e panjohur të Vangjush Mios.
Ky arkiv përmban rreth 450 negativë të viteve 1930-1940, të cilat sjellin atmosferën e qyteteve shqiptare, banesat karakteristike, objektet e humbura të kultit, skena baritore dhe fshatrat e Juglindjes. Janë shkrepje të rralla, të kapura me syrin e piktorit, peizazhe magjepsëse të Korçës, Pogradecit, Elbasanit, Krujës, Durrësit e Vlorës.
***
Muzeu kushtuar Vangjush Mios është një derë e madhe arti e hapur!
Qendrës kulturore të Korçës iu vu emri i tij.
Që prej vitit 2007, çdo vit në fund të tetorit në Korçë zhvillohet Festivali “Ditët e Mios”.
Për katër ditë me radhë artdashësit mund të vijnë dhe të admirojnë piktura nga artistë shqiptarë dhe të huaj. Ditën e fundit, në Qendrën Kulturore Korçë zhvillohet ekspozitë me punimet e të gjithë piktorëve.
Tetorin e kaluar (2023), artistë nga Italia, Greqia, Kosova, Turqia, Maqedonia e Veriut, Bullgaria, Polonia si dhe artistë korçarë morën pjese në koloninë, duke hedhur në telajot e tyre magjinë e vjeshtës në Korçë dhe rrethinat e saj.
Që prej disa vitesh fituesit të konkursit mbarëkombëtar të Arteve të Bukura nderohen me Çmimin “Vangjush Mio”
Mbi 400 piktura të “poetit të natyrës shqiptare” ruhen në muze dhe galeri arti në Tiranë dhe Korçë, veçanërisht në shtëpinë e tij në Korçë, e cila tashmë shërben si muze.
***
Edhe pse Vangjush Mio është ndarë nga jeta, duket se artisti është përjetësisht pranë kavaletit të tij…