Magjia e Karnavaleve në Shkodër
Mijëra qytetarë të veshur me kostumet shumëngjyrëshe dhe maskat veneciane sollën një atmosferë magjike.
Festa e Karnavaleve ka gjallëruar për tri ditë me radhë rrugët dhe sheshet e qytetit të Shkodrës.
Mijëra qytetarë të veshur me kostumet shumëngjyrëshe dhe maskat veneciane kanë sjellë një atmosferë magjike në qytet.
Kryeministri Edi Rama ndau në rrjetet sociale momente nga kjo festë, që ka mbledhur nga data 23-25 shkurt nxënës, të rinj dhe qytetarë të moshave të ndryshme.
Festa e Karnavaleve mbyllet sot me spektaklin e karvanit. Qytetarët e të gjitha moshave të veshur me kostume shumëngjyrëshe e maska parakaluan në rrugët e qytetit duke dhënë një pamje mbresëlënëse gjatë kësaj feste.
Ndërkohë pasdite do të bëhet edhe djegia e dordolecit, që simbolizon djegien e fenomeneve negative duke pritur ardhjen e stinës së pranverës.
Pjesë e festës sot është edhe performanca nga aktorët e teatrit “Migjeni”; muzikë nga banda e qytetit dhe këngëtarë; grupe të ftuar nga Tuzi dhe Korça.
Të premten e të shtunën u zhvillua parada e fëmijëve dhe performanca artistike nga shkollat dhe xhonglerët, si dhe punëtori për krijimin e maskave-facepainting, klounata. Në mbrëmje festa vijoi me spektaklin e dritave, ndërsa pas mesnate, grupe shëtitëse artistësh me veshje e maska veneciane mbushën baret e restorantet e qytetit.
Qyteti që e ka festuar më herët Karnavalen është Shkodra. Festimet e para i përkasin gjysmës së dytë të shekullit XIX, saktësisht vitit 1860, duke krijuar një traditë solide që vazhdoi deri në vitin 1946, ku për shkak të regjimit komunist, u ndalua së festuari për t’u rikthyer sërish si traditë pas viteve ’90.
Megjithëse mendohet të ketë origjinë pagane, në qytetërimin e krishterë perëndimor, festa e Karnavaleve njihet si festë fetare. Vetë emri i saj, në latinisht, nënkupton privimin nga ushqyerja me mish (carnem-levamen ose levare) në 40 ditët që i paraprijnë Pashkëve. Për këtë arsye, nuk ka një datë të caktuar për fillimin e festimeve pasi ajo ndryshon nga viti në vit, sipas Pashkëve.
Karnavalet njihen edhe për ironizimin që i bëjnë fenomeneve të pakëndshme shoqërore dhe nga ana tjetër Shkodra ka primatin e humorit intelektual, goditës dhe therrës. Kjo është një nga arsyet që Karnavalet për shkodranët njihen si “festa e syrretënve” të cilat kanë gjetur një terren të përshtatshëm për të hedhur rrënjë e për të lulëzuar në këtë qytet, ku festohen më bukur se kudo.