Theofan Popa, një jetë kushtuar trashëgimisë kulturore

Në vitin 1961, Theofan Popa, botoi librin “Piktorët mesjetarë shqiptarë”.


Nga Andrea Llukani

Në vitin 1961, Theofan Popa, botoi librin “Piktorët mesjetarë shqiptarë”, në të cilin përmblidhen piktorët ikonografë si David Selenica, Kostandin Shpataraku, piktorët korçarë Kostandin dhe Athanas Zografi, piktorët grabovarë të familjes Çetiri, si edhe mjaft piktorë ikonografë që kanë zhvilluar aktivitetin e tyre jashtë vendit.

Në vitin 1974 Theofan Popa botoi librin Ikona dhe miniatura mesjetare në Shqipëri, në dy gjuhë shqip dhe frëngjisht. Teksti dhe materialet e librit janë përgatitur nga Theofan Popa, ndërsa fotografitë janë realizuar nga Pleurat Sulo. Me anë të këtij botimi Theofan Popa u bë i njohur në botë. Nuk vonoi shumë dhe në vitin 1975 atë e ftuan në një konferencë ndërkombëtare në Bullgari, ku mbajti kumtesën: Divergjencat dhe konvergjencat e artit mesjetar në Ballkan.

Në vitin 1998 Theofan Popa botoi librin Mbishkrime të kishave në Shqipëri botuar nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë. Mbishkrimet dhe objektet liturgjike kishtare janë të vetmet dëshmi autentike, që dëshmojnë për kulturën dhe traditën e popullit shqiptar në shekuj.

Nëpër mbishkrimet kishtare gjejmë të dhëna rreth ndërtimit, rindërtimit, pikturimit ose ripikturimit të kishave, rreth ktitorëve, piktorëve e mjeshtërve të ndërtimit, të cilat zakonisht i hasim nëpër portat perëndimore të naosit, ose në portat e narteksit. Hasen mbishkrime edhe në kungë, në vendin ku përgatitet mesha. Në këtë rast meshtari sa herë që kryente blatën e hyjshme kujtonte emrin e piktorit, ktitorit, ndërtuesit, mjeshtrit të ndërtimit etj. Duke deshifruar mbishkrimet gjejmë të dhëna rreth klerikëve dhe laikëve, vendas ose të huaj që kanë administruar institucionet fetare në kohë të ndryshme. Ka mbishkrime, që japin të dhëna mbi ngjarje të caktuara historike ose përjetësojnë ndonjë gojdhënë të hershme. Kemi mbishkrime që përmendin emrin e dhuruesit. Zakonisht gjenden nëpër objektet e dhuruara, mbi kapakë ungjijsh, mbi bazamente kryqesh, potirësh ose thimiatorë, mbi kuti lipsanësh etj. Mbishkrime gjejmë nëpër anët e epitafëve ose të mbulesave që mbulojnë kungatën, rreth antimisëve etj.

Në vitin 2006 Theofan Popa botoi librin Miniatura dhe piktura mesjetare në Shqipëri, botuar nga Akademia e Shkencave dhe Instituti i Historisë. Prof. dr. Aleksandër Meksi, në parathënien e librit ndër të tjera thekson: -Monografia, falë formimit të autorit, ka vlera të veçanta e të padyshimta, që kanë të bëjnë me studimin, dokumentimin dhe interpretimin ikonografik të ansamblit piktoresk të skenave të veçanta dhe të portreteve. Analiza shkencore gjatë paraqitjes së këtyre veprave është e pasur dhe e thellë. Ajo konsiston: në veçimin e specifikave dhe rrugës së zhvillimit të pikturës, në analizën epigrafike të shkrimeve që shoqërojnë skenat apo portretet, duke evidentuar njëherazi dhe specifikën e ikonografisë vendase si dhe lidhjen e pozicionin e saj në kuadrin e artit bizantin, përherë të kanonizuar qartë. Ndër studiuesit shqiptarë, askush sot për sot, nuk mund ta bënte këtë punë më mirë se Theofan Popa.

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.