“Shqipëria në akuarel” në penelin e “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti
Ekspozita me 60 punime në akuarel do të qëndrojë e hapur, deri më 10 maj në Galerinë FAB.
Nga Dash Frashëri
“Shqipëria në akuarel”
Kështu titullohet ekspozita me punime në akuarel e piktorit të mirënjohur, “Mjeshtrit të Madh”, Helidon Haliti, e hapur dje në Galerinë FAB.
Janë rreth 60 punime, të ekspozuara në dy salla, të punuar me profesionalizëm nga një prej piktorëve shqiptarë më të mirë në akuarel dhe fitues i disa çmimeve të rëndësishme ndërkombëtare.
Ekspozita hapet me një akuarel të bukur, të krijuar nga Faslli Haliti, piktor dhe poet, njëherësh babai dhe mësuesi i vizatimit i Helidonit.
“Shqipëria ime” sjell panoramën e përjetimeve të drejtpërdrejta të artistit anë e kënd Shqipërisë, ndërkohë që disa punime janë pjesë e një cikli unik, të krijuara në bazë të fotove të dërguara piktorit nga dashamirës të ndryshëm.
Helidon Haliti është prej vitesh një nga emrat më të rëndësishëm të arteve pamore shqiptare, themelues i shoqatës artistike, “VizArt” dhe president i IWS Albania, pjesë e International Watercolor Society (IWS)
Paraelisht me ekspozitën “Shqipëria ime”, në Galerinë FAB u hap edhe “Tirana Festivali Ndërkombëtar i Akuarelit”, me kurator Helidon Haliti.
Haliti dha edhe lajmin për hapjen e një muzeu të posaçëm të akuarelit në Belsh, i pari dhe unik në Shqipëri.
Edhe unë si botues i “DashArt” isha një nga vizitorët e shumtë në Galerinë FAB.