Kolë Idromeno, themeluesi i artit realist

Legjenda e origjinës së pikturës realiste shqiptare e ka zanafillën në Shkodrën e shekullit XIX.


Nga Eleni Laperi

Sipas Plini Plakut[1], ne nuk jemi të sigurtë se si filloi arti i pikturimit, për këtë ka mendime të ndryshme, po ajo për të cilën jemi në një mendje është se, zanafillën e ka te vija e parë, që u shënua rreth hijes së një figure njerëzore.[2] Legjenda thotë se, për ta patur si kujtim shëmbëlltyrën e të dashurit të saj, Kora, vajza e Butadesit nga Korinti, shënoi me një vijë konturet e profilit të djalit, që ishte projektuar mbi murin e shtëpisë, falë dritës së një bishtuku.

Ndërsa legjenda [3] e origjinës së pikturës realiste shqiptare [4] e ka zanafillën në Shkodrën e shekullit XIX. Ajo lidhet me dashurinë e një vëllai, Nikollës, për motrën e tij të vetme, Antonian. Antonia ishte e martuar dhe bashkëshortit të saj italian i pëlqente ta shihte gruan e tij të veshur me veshjet e lehta e praktike të grave qytetare evropiane dhe jo me kostumin e rëndë tradicional të grave katolike shkodrane. E rritur në një mjedis ku gratë visheshin me kostumin tradicional që kur ishin vajza e deri në fund të jetës së tyre, ajo donte ta kishte një kujtim e veshur me atë kostum.

Nikolla, vëllai i saj piktor dhe fotograf, ia plotësoi dëshirën motrës së tij të vetme dhe e fotografoi me veshjen e rëndë, por të bukur të grave katolike shkodrane. Piktori i ri e pëlqeu aq shumë fotografinë, sa vendosi ta kthente në pikturë bukurinë dhe emocionin, që përcillte qëndrimi i saj dhe veshja e pasur me qëndisma e stoli. Ai e projektoi imazhin fotografik mbi një kanavacë dhe pasi shënoi mbi të konturet[5] e figurës së motrës me veshjen e bukur shkodrane, krijoi tablonë me ngjyra vaji, të cilën sot e njohim si “Motra Tone”, apo si portretin e parë madhor të pikturës shqiptare.[6]

Për vijën e parë të një portreti, që Kora e Korintit shënoi mbi paretin e një muri, Plini Plaku tha se ajo vijë “pllenoi fushën e të dukshmes me farën e reflektimit njerëzor”[7]. Vija, që shënoi Idromeno mbi kanavacën, ku pikturoi “Motrën Tone”, përcaktoi çastin kur shqiptari nisi ta shohë botën si një shëmbëlltyrë të reflektimit të tij mbi natyrën dhe mbi njerëzit rreth tij. Nëse do të përdornim përsëri thënien e Plini Plakut, ajo vijë me të cilën ka nisur portreti i parë madhor i pikturës shqiptare “pllenoi fushën e të dukshmes me farën e reflektimit të shqiptarit”.

Gjesti i vajzës së Butadesit dhe i Kolë Idromenos kanë edhe diçka tjetër të përbashkët: për të vizatuar mbi mur apo mbi telajo modelin që pozonte për ta, të dy patën ndihmën e një sistemi ndriçimi. Kora e lashtë përdori dritën e një bishtuku për të përftuar projektimin mbi një mur të kontureve të portretit të djaloshit të saj të dashur. Kurse Nikolla, ose Kolë Idromeno, përdori dritën e disa kandilave me vajguri[8] për të realizuar projektimin e imazhit fotografik mbi një telajo.

Dhe kjo ndodhi në Shkodër, në vitin 1883.

[1] Gaius Plinius Secundus (23/24–79), Plini Plaku,”Historia e Natyrës”.Libri XXXV, kapitulli 5.

[2] Plini Plaku, vepra e cituar.

[3] E quaj “legjendë”, sepse rreth imazhit dhe krijimit të portretit “Motra Tone”, rreth vetë Idromenos dhe krijimtarisë së tij janë thurur disa histori, të cilat kanë kaluar gojë më gojë dhe, për shkak të mungesës së dokumenteve, kanë marrë ngjyrime legjende.

[4] E quaj “pikturë” sepse, para saj përveç ikonave dhe afreskeve kishtare ne nuk kemi trashëguar portrete apo kompozime në pikturë nga autorë shqiptarë. Gjithashtu, ndryshe nga piktura, për të cilën thuhet se “pikturohet”, për ikonat, sipas traditës kristiane ortodokse, thuhet se “shkruhen” dhe se janë më shumë një formë lutjeje

se sa art, duke qenë se besohet që dora e ikonografit drejtohet nga Zoti.

[5] Falë një skanimi me rreze X që iu bë

portretit “Motra Tone” në laboratorin e muzeut Orsey, në Paris, në vitin 2005, kemi imazhin e vizatimit fillestar të portretit, i cili të bind se piktura është bërë në bazë të një vizatimi të saktë linear, të përftuar prej projektimit të një imazhi fotografik.

[6] Shumë nga studiuesit e artit shqiptar gabimisht e quajnë portretin “Motra Tone”, si portretin e parë realist të pikturës shqiptare. Si do ta shohim në vijim, faktet tregojnë se “Motra Tone” nuk është portreti i parë, që Idromeno realizoi dhe se përcaktimi i saktë për portretin është ai, që i ka bërë Mikel Prenushi, i cili e ka quajtur “portreti i parë madhor i pikturës shqiptar”. Mikel Prenushi,”Kolë Idromeno 1860-1939 Jeta dhe veprat.” Shtëpia Botuese “8 Nëntori”. Tiranë.

[7] Plini Plaku, vepra e cituar.

[8] Mikel Prenushi, vepra e cituar.

Marrë nga ExLibris

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.