“Ju flet… Pandi Mele!”
“Piktori i Merituar” Pandi Mele ndikoi dukshëm realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë ashtu dhe në konceptim.
Nga Dash Frashëri
“Ju flet… Pandi Mele!”
“Ju flet Tirana (Nëntor 1944)2, 1976, Vaj mbi kanavacë
Piktori Pandi Mele (18.08.1939 – 14.12.2015) është një nga piktorët grafistë më të mirë shqiptarë, fama e të cilit tashmë është bërë ndërkombëtare.
Profili i piktorit Pandi Mele në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit.
“PANDI MELE – I lindur në Shqipëri, Pandi Mele është grafist, piktor dhe kritik arti. Ai studioi artet grafike në Repin në Akademinë e Arteve të Shën Petersburgut, Rusi, nga viti 1959 deri në vitin 1961, dhe në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri nga viti 1961 deri më 1964. Për herë të parë u njoh në vitin 1964 me një seri prej dymbëdhjetë linogravura, “Motive Migjeniane”. Në veprat e mëvonshme grafike ai u përpoq të pasqyronte zhvillimet e avancuara shoqërore në shoqërinë shqiptare. Vepra e tij shquhet për kompozimin e saj të shkathët dhe përdorimin e mjeteve lakonike të shprehje. Linjat e tij shprehëse dhe ekuilibri i toneve përshkohen nga një frymë epike me prirje drejt monumentales. Mele e ka treguar gjerësisht punën e tij gjatë gjithë kohës dhe ka botuar artikuj të shumtë si kritik arti. Është mbajtës i shumë çmimeve, ndër të cilët Artist i Merituar i Republikës së Shqipërisë. Për më shumë se tridhjetë e pesë vjet punoi si drejtor i ateliesë grafike dhe profesor në Akademinë e Arteve në Tiranë, Shqipëri; ekspert i arteve figurative në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës së Shqipërisë; specialist i arteve figurative në Qendrën e Artistëve të Shqipërisë; dhe kryeredaktor në shtëpinë botuese Naim Frashëri në Tiranë”, shkruhet në profilin e tij në faqen zyrtaere të DASH (SHBA).
”Piktori i Merituar” Pandi Mele u nda nga jeta në moshën 76-vjeçare si shkak i një sëmundjeje të rëndë në në një nga spitalet e Çikagos (SHBA), ku ai prej disa muajsh po mjekohej nga një sëmundje e rëndë.
Vetë presidenti amerikan, Barak Obama, i kishte dërguar një letër falënderimi për pikturat e tij të bukura. Një prej tyre është edhe vetë portreti i presidentit në Shtëpinë e Bardhë.
***
I lindur në Hoçisht, Korçë, më 1939, ekspozoi për herë të parë në moshën 17-vjeçare, veprën në akuarel, të titulluar “Portreti i gjyshes” (1956, GKA,Tiranë).
Studjoi për pikturë për 7 vjet, në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, në drejtimin e pedagogëve Abdulla Cangonji, Sadik Kaceli, Qamil Grezda, Abdurrahim Buza, Kristina Koljaka (Hoshi).
Pandi Mele, Autoportret (1955)
Kreu për dy vjet studimet për grafikë në Akademinë “I.E.Rjepin” në Shën Petërburg (Rusi) në ateljenë e S.M.Vasiljeviç dhe diplomohet në Institutin e Arteve, Tiranë (1964).
Nudo të grave ruse, të realizuara nga Pandi Mele
Punoi fillimisht si redaktor dhe shef redaksie në SHB.“Naim Frashëri” (1964 – 1969), në LSHASH, specialist në Ministrinë e Arsimit dhe Kulturës dhe ishte pedagog, shef i ateliesë së grafikës në ILA, Tiranë (1976 – 1994).
Pandi Mele ishte i pari artist grafist shqiptar që aplikoi ciklet grafike (kompozime) duke u mbështetur në veprat letrare apo legjendat shqiptare (cikli “Motive Migjeniane” 1964 (GKA, Tiranë); serinë grafike “Shtypi i partisë” , 1984; cikli “Rozafa”, 1999).
Diploma e tij “Motive Migjeniane” e realizuar në vitin 1964 hapi një epokë të re në grafikën shqiptare në ato vite dhe ndikoi dukshëm në largimin e grafikës nga ilustrimi natyralist.
“Shokët”, 1971
“Novatorët”, 1980,
Piktori Pandi Mele ishte një mjeshtër i pllakatit dhe linogravurës. Ja si e koncepton ai pllakatin si ilustrim, në këtë pasazh nga fjala e tij në Plenumin e vitit 1965 të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve dhe e botuar në revistën “Nëntori”, më 1 janar 1966.
Mele vazhdoi traditën e grafikës shqiptare (në linoleum) të filluar nga piktori Sadik Kaceli (1914-2002), duke e modernizuar atë edhe në teknika të tjera (litografi, akuaforte, gdhëndje në dru).
Sipas studiuesit të njohur të artit, Ylli Drishti, ai ndikoi dukshëm realizimin e një grafike bashkëkohore si në teknikë ashtu dhe në konceptimin e saj. Mele ka realizuar postera, emblema, pulla postare, ilustrime të ndryshme nga shkrimtarët shqiptarë (A.Z.Çajupi, N.Bulka, B.Dedja, A.Abdihoxha, N.Jorgaqi etj.).
Artisti Mele ka realizuar tablo kompozicionale me temën e jetës shqiptare të periudhës së socializmit. Ai frymëzohej edhe nga pasuria e llojshmëria e kostumeve tona kombëtare dhe bukuria e arkitekturës popullore duke realizuar disa punime grafike si: “Dardharja”, “Nusja kosovare”, “Kruja”.
“Nga legjendat shqiptare artistin e tërhiqte ajo e Kalasë së Rozafës, e cila zë një vend të veçantë në krijimtarinë e tij. Ai ka përpunuar disa variante me motivet e Rozafës (1999), për ta lënë për brezat e ardhshëm, si një pasuri të madhe shpirtërore identifikuese mbarëkombëtare. Të gjitha pikturat e Pandi Meles duket sikur flasin të njëjtën gjuhë artistike individuale të cilën e krijoi dhe e konsolidoi në vite”, shkruan Drishti.
Në krijimtarinë e tij piktori Pandi Mele ka lëvruar vitet e fundit pikturën e ikonografisë, duke ripërtërirë traditën e lashtë të mjeshtrave tanë si: Onufri e David Selenica. Ndër këto punime do të veçonim ikonat e mirëfillta “Krishti”, “Shën Gjergji”, “Shën Pjetri” etj.
Mele ka qënë pjesëmarrës në ekspozitat jashtë Shqipërisë që shteti shqiptar organizonte deri në vitet 1990 (Greqi, Kosovë, Jugosllavi, Rumani, Turqi, Itali, Francë, Austri, Bienale – Egjypt, Kinë).
Pranë tornos, 1971, Vaj mbi kanavacë
Mele ishte i ftuar në Bienalet dhe Trienalet Ndërkombëtare të grafikës nga viti 1989 – 1999 në Europë dhe Lindjen e Largët (Ljubjanë, Tuzla, Seul, Fredrikstad, Maastricht, Varna, Tokio, Lodz, Raciborz).
Një koleksion prej 54 veprash (pikturë, grafikë, vizatim) ruhet në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë.
“Duke ruajtur një disiplinë korrekte akademike artisti procedonte sipas një rregulli nga projekt idetë e skicave të para, në përgatitjen e varianteve të ndryshme për të arritur tek bocetet e kompozimeve, që akoma ruhen në studion e artistit apo të koleksionistëve të veprës së tij”, shkruan studiuesi i artit, Ylli Drishti.
Këtë disiplinë artistike ai jua kërkoi studentëve të tij kur drejtonte atelienë e grafikës të themeluar prej tij në Institutin e Arteve.
Nën drejtimin e tij dhe më vonë së bashku me kolegun Vlash Prifti u përgatit një brez i talentuar artistësh grafistë si: Gazmend Leka, Ilir Pojani, Petraq Papa, Leon Çika, Boris Ikonomi, Rajmonda Mato etj.
Mele ka hyrë në enciklopedinë “The Grove dictionary of art”, 2000, Macmillan Publishers Limited, NY, New York.
Foto nga ekspozita “NJË JETË ME GRAFIKËN” e artistit Pandi Mele, me kuratore Ardian Isufi – Petraq Papa
____________
Tiranë, më 18 qershor 2024