Rud Faja në Paris – “Ëndërrime në një ekran veluri”

Pas ekspozitave në Shqipëri, Poloni, Finlandë, Turqi, Paris etj, presim me kureshtje atë çka do të vijë prej këtij talenti


Nga Luan Rama

Me Rudolf Fajën nuk arrita të takohem në Paris. Lajmi erdhi vonë. Thjesht u përshedetëm në video para nisjes së tij edhe pse nuk e njihja. E urova për diçka që ende nuk e kisha parë : vinte nga Polonia ku jeton dhe banon. Njihja veprat e xhaxhait të tij, piktorit Agim Faja. Tradita familjare rishfaqej në Paris. Ishte ekspozita e tij e dytë në Paris.

E para që prej tri vitesh çka e joshi të kërkonte të rivinte sërish në një nga galeritë më prestigjioze si Galeria Schwab pranë “Qëndrës Ndërkombëtare të Kulturës, Georges Pompidou”. Një galeri ku ishin ekspozuar 25 vepra, përgjithësisht në formate të mëdha në një sallë me hapësirë, ku para tij janë ekspozuar piktorë të famshëm, siç ishte një piktor e mik i Sutin i Ecole de Paris apo një piktor modern italian që të kujtonte me veprat e tij Jerôme Bosch apo Dadon ballkanas. I mrekullueshëm!

Galeristi Thierry Schwab kishte një gëzim të veçantë për hapjen e kësaj ekspozite të një të riu shqiptar që jetonte me një polake dhe që komunikonin në anglisht. Kohë moderne, gjuhë dhe kombe të ndryshme, afinitete ku dashuria mes tyre dhe adhurimi për artin i tejkalonte kufijtë. Edhe ajo piktore.
Sapo hyra në sallonin e madh, përballë më mbetën sytë tek një portret dhe padashur pëshpërita: – Ja një frymëzim nga Sezan! Galeristi qeshi dhe më tha: Eshtë interesante që pikërisht Sezani u bë shkas që ai të dashuronte pikturën.” U habita: – Si vallë? – Kur ishte adoleshent dhe rregullohej diçka në shtëpi, atij i ra në dorë një katalog i Sezan. Rud më ka treguar se pikërisht imazhet e mjeshtrit francez e çuan drejt pikturës!”

Po, gjithnjë ka një ngasje, shkas, fillim. Bukur ta nisësh me Sezan. Por jo e rrallë : edhe Van Gogh që adhuronte Millet, pikturonte tablotë e tij por në një mënyrë tjetër, në mënyrën e tij. Impresionistët mblidheshin dhe shpesh bënin të njëjtin peizazh pranë lumit Oise apo buzë Senës, por secili e bënte ndryshe.

Hedh sytë në sallë dhe hyj në botën pikturale të tij : pikas se piktura e këtij piktori ka diçka tepër origjinale dhe një penel të veçantë. Nëse Edi Hila këto dy-tre dekada krijoi një pikturë tepër personale, simbolike, duke iu adresuar të kaluarës dhe botës totalitare, herë-herë me imazhe flu dhe ngjyra të zhbëra e të ftohta, por mjaft domethënëse, Rud Faja, përfaqësues i një gjenerate të re premtuese përdor ngjyra të forta, herë-herë të rënda, por në unitet me tablonë që vijon dhe tërë frymën e ekspozitës, gjithnjë në shërbim të një atmosfere dhe ideje që lidhet me kujtimet, me një kohë tjetër, ajo që ai ka parë në vitet e fëmijërisë dhe adoleshencës, ajo e pas vitit 2000, ku në familjet shqiptare rëndonte ende varfëria, kaosi, ankthet për të ardhmen, idea e largimit drejt Eldorados së largët apo refleksioni se lufta për demokraci nuk i solli asgjë shoqërisë shqiptare dhe fatit njerëzor, ku sundimi i kapitalizmit ishte i egër, çka i shpërbënte ngjyrat apo atmosferën entusiazte e solidare të ëndërruar.


Piktori Rud Faja me piktorin Zamir Mati

Tablotë janë mat dhe kjo më pëlqen shumë pasi s’do të doja ti shikoja të llakuara, të shkëlqyera. Koha përjetohej më mirë kështu, figurat në kohë, njeriu dhe rrethi shoqëror. Në tekstin për ekspozitën Rudi ka shkruar: “Në prehërin e ngrohtë të kujtesës, çastet shndrisin si yje në velurin e pamatë të kohës. Një udhëtim përmes një peizazhi të ëndrrës, nostalgjisë, ku jehona e ditëve të kaluara murmurin tregimet e pafajësisë dhe të mrekullimit. Cdo tablo është një portal drejt një bote dikur familjare e që tani ruhet në dritën e fildishtë të kujtimeve. Eshtë e qeshura që dansonte në lirishtat e djellta, në heshtjen e paqtë të natës së ndriçuar nga hëna.

Cdo prekje peneli evokon simfoninë – të ëmbël e të hidhur – të ditëve që tashmë kanë kaluar. Nën kadencën e ngadaltë të penelit mbi telajo ne ngushëllohemi përmes bukurisë së çasteve të përjetuara e që nuk rivijnë më, por që mbeten përjetësisht në kthinat e zemrave tona. Telajot shërbejnë kështu si dritare drejt një bote ku pafajësia mbretëron dhe ku ngjyrat e fëmijërisë janë të thella. Në dhomat e ndriçuara zbehtë ka remineshenca ku koha shfaqet lëngues si shtëllunga tymi, ku kujtimet rishfaqen si ode kinematografike në terrenin enigmatik të kujtesës…”

Kështu dhe unë ripashë imazhet e fëmijërisë dhe rinisë time dhe duke iu afruar dhe më afër tablove thashë si me vete : « Bonjour tristesse ! » Galeristi pranë meje qeshi përsëri. Ai është një njeri i artit që prej shumë vitesh jeton me artin ; dikur ka jetuar me informatikën, tani me pikturën dhe letërsinë. Pikturon si amator por prej kohësh i ka udhëtuar epokat pikturale të njerëzimit. Rrallë mund të gjesh një galerist kaq erudit e letrar të pasionuar, autor romanesh, novelist dhe botues njëkohësisht. Dhe kjo më gëzoi sepse mendova që arti i Rud Fajës ka rënë në dorë të një galersti që kërkon ta bëjë të njohur dhe kjo sepse ai ka besim te piktori i ri, tek ajo çka thotë shpirti i tij, peneli i tij, kompozimi, raportet e ngjyrave. Dhe galeristët nuk janë të njëjtë: ka nga ata që mendojnë vetëm fitimin, paranë.

Subjektet e kompozimeve dhe portreteve janë të thjeshta, tepër humane, anonimë të thjeshtë ku secili na transmeton diçka: “Vetmia”, “ E djelë në mëngjes”, “Grua nën dritën e hënës”, “Lotë deti”, “Dhomë e akullt”, “Grua e përgjumur”, etj… I shohim, i përjetojmë, mendojmë dhe rikujtojmë njëkohësisht jetën tonë, atë të mëparshme. Mbizotërojnë ngjyrat blu, disi të errta. Por edhe pse në mjedise pa dritë nganjëherë tablotë çlirojnë një lloj poetike siç është “Banjo” me një nudo disi në këmbë e kompozuar bukur, pranë një vaske.

Po kështu dhe një grua nudo e shtrirë në shtrat. Odaliskat flejnë. Por nganjëherë kanë dhimbje siç është “Vetmia” me portretin e një gruaje që pret në një pritje të pambarimtë, mposhtur nga ankthi. Akoma më shumë dhimbje portreti një gruaje të moshuar në tablonë “Dhomë e akullt”, e vendosur në mes të dhomës, e mbledhur rreth vetes në një atmosferë të rëndë por që ne si vizitorë na ngërthen, na bën të mbajmë një çast frymën. Më tej një tjetër grua e mbledhur kruspull me detin në sfond, valët, me kokën e ulur dhe dhimbjen për atë det ku dikush i shpirtit të saj është larguar.

Tabloja quhet “Lotët e detit” dhe ne e dimë se sa lotë është derdhur për atë det. Realiteti, historia, na rivijnë kështu dhe përplasen në ndërgjegjen tonë. Mjediet e brendëshme janë tëpër të xhveshura, pa ornamente çdo thekson këtë forcë të vetmisë, ankthit, heshtjes. Në cep, një nënë ka thjesht një çajnik në tryezë dhe asgjë tjetër.

Kjo thjeshtësi e bën veprën më goditëse, pra na bën të mendojmë. Dhe me të drejtë piktori shkruan : « Asnjë nga çastet e shpalosura nuk do të riprodhohet më : kisha e parë që vështrova duke vendosur këmbën në një terren të panjohur për mua, pamja nga dritarja ku dikur kisha jetuar, motra ime një të djelë të vaktë në një shtëpi që nuk ekziston më, një nënë që pret kthimin e fëmijëve të saj nga « toka e premtuar », një drekë me puntorë, mbrëmje vere, njerëz që mbajnë rradhë për të blerë « pop corn » para një koncerti, shkallët e një shtëpie të shitur, vende ku jemi përqafuar, ditë të ftohta ku jemi ngjeshur të dashuruar.

Në këtë tis mbretërie të kujtimeve, ne kujtohemi për brishtësinë e ekzistencës humane, për natyrën efemere të gjithçkaje. E megjithatë në mes të kësaj ikje marramendëse dhe dekompozimit, ekziston një bukuri e thellë dhe afatgjatë, një bukuri që qëndron jo në ruajtjen e së kaluarës por në aktin vet të kujtuarit… »

Largohem duke iu rikthyer një kompozimi në tone të jeshilta dhe variacione të kësaj ngjyre, me raporte shumë interesante me dritën e që të kujtojnë raportet që përdorte në tablotë e tij George de la Tour midis hijes dhe dritës, të zezës dhe burimit të dritës. Është një vajzë e ulur në krevat me një pjatë gjatë drekës. Pamje natyrale, e paqtë, poetike. Pas kësaj tabloje rishoh gjithashtu « E përgjumura » me një kompozim mjaf elegant në kontrastin e ngjyrave okër e blu, ku nuk është e nevojshme të shohësh tiparet e personazhit që flë. Janë pjesë të një bote njerëzore…

Pikërisht në këtë frymë afresku i kujtimeve është mjaft i pasur aq sa dhe disa ekspozita me këtë temë të piktorit nuk do të mjaftonin. Është një palimpsest që nuk di kur mbaron. Eshtë aftësi ta risjellësh një kujtesë të tillë, është mjeshtëri, eksperiencë, filozofi. Kujtesa i bën shpesh tepër personale veprat e artistëve por njëkohësisht dhe universale kur ato janë mishëruar me një frymë njerëzore. Portat e artit janë hapur : pas ekspozitave në Shqipëri, Poloni, Finlandë, Turqi, Paris etj, ne presim me kureshtje atë çka do vijë përmes një talenti tashmë të afirmuar.

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.