Isuf Sulovari, kubisti elbasanas

I censuruar për 15 vjet ai është një nga piktorët modernistë shqiptarë të periudhës së realizmit socialist dhe më pas.


Nga Dash Frashëri

Isuf Sulovari (1934-2006) është një nga piktorët modernistë shqiptarë të artit të periudhës së realizmit socialist.


Isuf Sulovari, autoportret

Dy janë periudhat e krijimtarisë së tij të bollshme: 1955-1986 me frymë realiste (në përputhje me metodën strikte të realizmit socialist) dhe 1989-2006, me tipare moderniste.

Sulovari i trajtoi të gjitha gjinitë e pikturës: kompozimin, portretin dhe peizazhin, si dhe thuajse të gjitha teknikat: vaj, pastel, akuarel, karbon, grafikë.

Për një periudhë gati 15-vjeçare, krijimtaria e tij është censuruar për shkak të frymës moderniste.

Sulovari mbetet një piktor ultramodern! Me një stil të qartë dhe pikturim të dallueshëm! Herë si kubist, dhe herë si impresionist.

Një kubist i lindur. Mjeshtër i linjave të pastra të vizatimit dhe harmonisë së ngjyrave.

Mund ta konsiderosh pa asnjë mëdyshje një “Ibrahim Kodra”, por elbasanas!


Në foto Isuf Sulovari dhe i piktori i mirënjohur,  Ibrahim Kodra

Dhe disa të tjerë e konsiderojnë një Leger shqiptar, në ngjashmërinë me Ferdinand Leger, piktorin dhe skulptorin e shquar francez.


Piktori Ferdinand Leger


“Gruaja dhe fëmija” e Isuf Sulovarit dhe “Gruaja dhe fëmija” i Ferdinand Leger.

Edhe Sulovari, si të gjithë piktorët e tjerë, të diplomuar jashtë nuk mund t’i shpëtojë trendit për të pikturuar nudo, madje “Nudo në të kuqe” (1962)

***

Isuf Sulovari konsiderohet si një ndër piktoret e rëndësishëm shqiptarë të Realizmit Socialist.

Pas mbarimit të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë (1951-1855), në klasën e piktorit të madh Sadik Kaceli (i diplomuar në Francë), studioi për dy vjet (1959-1961) në degën e pikturës, në Institutin e Arteve Plastike “Nicolae Grigoresku”, Bukuresht (Rumani), i themeluar në vitin 1864, në atelienë e piktorit Corneliu Baba.


Piktori dhe pedagogu Sadik Kaceli


Instituti i Arteve Plastike “Nicolae Grigoresku”, Bukuresht  


Piktori rumun, Corneliu Baba, me të cilin studoi Isuf Sulovari


“Vjelësja e duhanit” nga Isuf Sulovari dhe “Pushimi në fushë” nga Corneliu Baba (1955)

Isuf Sulovari u diplomua në Institutin e Lartë të Arteve, në Tiranë (1961-1964) në atelinë e “Piktorit të Popullit, Vilson Kilica (i diplomuar në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad, Rusi).


Piktori dhe pedagogu, Vilson Kilica, me studentët e tij.

Pas studimeve kthehet në qytetin e lindjes, Elbasan, ku fillimisht ishte mësues vizatimi dhe më tej pedagog i pikturës në shkollën e mesme artistike “Onufri”.


Nga e majta ne te djathte Dhimiter Telezi, Xhemal Lufta , Isuf Sulovari . Andon Lakuriqi Thanas Meksi dhe Bukurosh Sejdini Artist i Merituar

Tematika e luftës dhe heronjtë e saj janë vazhdimisht të pranishme në punët e tij, kjo edhe si kërkesë e kohës gjatë ekspozitave lokale apo kombëtare.


Isuf Sulovari në studion e tij, duke punuar per realizimin e Heroit të Popullit, Qemal Stafa


Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Komuniste, Enver Hoxha, gjatë Luftës së Dytë Botërore


“Pushimi partizan”


Një aktivitet artistik ne ish Shtepine e Kultures Elbasan. Në plan të parë piktorët Xhemal Lufta, Isuf Sulovari, Ismail Cani dhe Sadik Kasa


Piktorët Sadik Kasa, Isuf Sulovari dhe Andon Lakuriqi


“Gjigandi i Metalurgjisë” – 1974. Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

Duke trajtuar temën e ndërtimit socialist, figurat e tablove të Sulovarit edhe pse ndryshe nga piktorët e tjerë shqiptarë, kishin ngjyra dekorative dhe forma të plota larg natyralizmit akademik.

Ai i stilizon figurat, peizazhin dhe objektet e kompozimeve duke evidentuar bukur format e mëdha të figurave dhe peizazhit, e duke preferuar sa më pak detaje.

Kjo mënyrë pikturimi krijonte efekte piktorike interesante dhe mjaft individuale dhe e evidentoi shumë shpejt Sulovarin, si një individualitet në pikturën shqiptare.

Sulovari gjithashtu ka qenë pjesmarrës në ekspozitat kolektive shtetërore të kohës në disa shtete të ndryshme si në Rumani, Grac Austri (1972), RP.të Kinës (1971), Bienale të Aleksandrisë, ekspozita “Piktorët disidentë” Austri, etj.

Pas vitit 1996 transferohet me banim në Tiranë dhe vazhdoi të realizonte temat e tij të preferuara, nga puna në bujqësi dhe ndërtuesit.


Vizatim nga Gëzim Hysa, ish-nxënës i Isuf Sulovarit

Një koleksion prej dymbëdhjetë veprash të Isuf Sulovarit ndodhen në Galerinë Kombëtare të Arteve Tiranë. Prej tyre mund të veçojmë, “Aksionistja” 1967, “Peizazh industrial”, 1969, “Kooperativistja e duhanit” 1970, “Mjelësja” 1971, “Gjigandi i Metalurgjisë” 1974.

Veprat e tij janë pjesë e Galerisë së Arteve në Elbasan dhe e koleksionistëve të shumtë Shqiptarë. Isuf Sulovari ka marrë pjesë nga vitit 1956-1990 në të gjitha ekspozitat lokale dhe kombëtare.

Veprat e Isufit shiten në “ArtKand”, në Top Channel…

… apo ai merr pjesë në ekspozitat kolektive të organizuara me raste të ndryshme.

_______________

Tiranë, 24 qershor 2024

Alush Shima, “Van Goghu” shqiptar!

Alush Shima konsiderohet si një nga piktorët e rëndësishëm të artit modern viziv shqiptar.

“Nga Quattro në Kuadro” – Arti i fotografisë organizuar nga “Audi Albania”

Natalia Lala fiton Çmimin e Madh. Drejtori i "Porsche Albania", Gentian Bushati: Do të organizohet çdo vit.

Isuf Sulovari, kubisti elbasanas

I censuruar për 15 vjet ai është një nga piktorët modernistë shqiptarë të periudhës së realizmit socialist dhe më pas.

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.