Ilia Xhokaxhi, meteori i artit

Piktor i mrekullueshëm, skenograf i shkëlqyer, intepretues modern i arteve pamore.


Nga Dash Frashëri

Piktor i mrekullueshëm, skenograf i shkëlqyer, arkitekt dhe skenograf i skenes madhështore në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës.

Kështu kujtohet Ilia Xhokaxhi, fitues i shumë çmimeve, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Për shumë personalitete Ilia Xhokaxhiu do të mbetet si një njeri i veçantë, që surprizonte me krijimtarinë, vitalitetin dhe energjinë e tij në jetën e përditshme.


Nga e majta, piktori Ilia Xhokaxhi, shkrimtari Ismail Kadare, themeluesi dhe drejtuesi i Galerisë “Te&Gi” Tefik Dedej dhe piktori Ali Oseku. Foto e vitit 1993. Të katërt nuk jetojnë më.

Ai la pas një vepër të pasur si në artet figurative ashtu edhe në kinematografi. Ai do të mbetet në artin shqiptar si një skenograf i disa festivaleve folklorike dhe i muzikës së lehtë.

Në Teatrin Kombëtar dhe atë të Operas do të mbahet mend si skenograf dramash dhe baletesh dhe padyshim ne arkivin e filmit shqiptar si skenograf e piktor i disa filmave por edhe si drejtor i këtij institucioni.


Skena e Festivalit Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës

***

Ilia Xhokaxhi u lind në Tiranë, më 28 gusht 1948 në Tiranë dhe u nda nga jeta më 7 maj 2007, në moshën 59-vjeçare, në kulmin e tij krijues, pas një sëmundjeje të papritur e të shpejtë.


Peizazh nga Tirana, autor Ilia Xhokaxhi

Ai u diplomua në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë në vitin 1973, si piktor skenograf.


Majtas sipër: Petro Ikonomidhi, i ndjeri Ilia Xhokaxhi, Fotini Seriani, Petrit Gurabardhi, Bashkim Dervishi.Në qendër profesor Ismail Lulani, i ndjeri Dhame Cango, Pjeter Marku, majtas poshte Ilia Rota dhe Ikbal Beli.


Ilia Xhokaxhi (në rreth), në kohën kur ishte student. Foto e publikuar nga Petrit Gurabardhi


Violonistet, 1976 – Piktor Ilia Xhokaxhi

Në periudhën 1991-1994, Xhokaxhi ishte Pedagog në Akademinë e Lartë të Arteve në lëndën e Pikturës, ndërsa në 2004-2006 Punon në Televizionin Publik Shqiptar.

Xhokaxhi ka punuar në Radio Televizionin Shqiptar si skenograf (1973-1975), si dhe në “Alba Film Studio” ku ka realizuar 27 filma artistike me regjisorët më të njohur të kohës.

Gjithashtu, ai ka qenë pedagog në lëndën e Historisë së Artit Botëror dhe Pikturës, në shkollën private të Kishës Ortodokse “Frymë Dashurie”.

Në mars 2006, emërohet Drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, thuajse një vit më parë, pasi të ndërronte jetë.


Ilia Xhokaxhi, duke mbajtur fjalën në ceremoninë e hapjes së Javës së Filmit Rus (2006)

EKSPOZITA

Ilia Xhokaxhi ka hapur një seri ekspozitash si brenda ashtu dhe jashtë vendit.

Ekspozite personale në Muzeun Historik Kombëtar, Ekspozitë e përbashkët në Ankara, ekspozitë personale në Muzeun Historik Kombëtar, ekspozitë të përbashkët në Galerinë e Arteve Figurative në Tirane, Ekspozitë në SH.B.A. në Nju jork, Galeria Janosh, Gett Gallery (Manhattan), 1993, ekspozitë personale në Galerinë e Arteve Figurative etj.

 Shpesh Ilia Xhokaxhi ndërton një ekspozitë me bazë letrare, duke iu referuar shkrimtarëve apo poetëve të mëdhenj.

Ekspozita “Benedictus” (2000), prezantoipërpara artdashësve të kryeqytetit rreth 35 piktura në vaj dhe akuarel, të gjitha punime të reja të piktorit. Kjo është ekspozita e pestë vetjake e piktorit Ilia Xhokaxhi dhe ai shpjegon përse ka vendosur ta quaj pikërisht “Benedictus”.

 “Benedictus”, vjen nga poezia e Bodlerit, që do të thotë bekim. Ky poet simbolist, mua më ka frymëzuar me nja dy fraza të veta. Ku mallkimi që i bëhet poetit në poezin e tij, i kthehet atij në një bekim. Është rruga e mundimshme drejt njohjes, por gjithnjë një rrugë e bekuar, sepse ajo i jep botës mesazhe të një civilizimi të ri”, tha piktori Ilia Xhokaxhi, gjatë një interviste për televizionin “Klan”.

“Makbeth”, kështu është quajtur ekspozita vetjake e piktorit Ilia Xhokaxhi, e çelur në ambientet e Galerisë Kombëtare të Arteve (tetor 2002). Kjo ekspozitë përmban punime në vaj dhe është më shumë se një përfytyrim individual i këtij piktori. Drama shekspiriane vjen në këtë ekspozitë, si një ngacmim i gjatë në vite i autorit, i cili është intriguar nga personazhet dhe ambiciet e tyre.

“Ekspozita ime është një përkushtim njëvjeçar lidhur me veprën madhore të vetë Shekspirit, por që gjithsesi ajo duhej përthyer në një gjuhë figurative, ndryshe s’do kishte kuptim, pasi arti figurativ flet me një gjuhë tjetër jo me gjuhën e letërsisë”, tha asokohe Xhokaxhi, gjatë një interviste për “Klan”.


1994, piktor Ilia Xhokaxhi – Koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve


1995 / Budapest -Hungari.  Galeria  “Te&Gi”, ekspozite me pjesëmarrjen e piktorëve Mustafa Arapi dhe Ilia Xhokaxhi

Ai është piktori i vetëm me tablo në ngjyra vaji piktura e të cilit qëndron brenda mureve të muzeut më të madh të Budapestit.

PIKTOR FILMI DHE KUSTUMOGRAF

Ilia Xhokaxhiu ka punuar si skenograf, piktor filmash dhe kostumograf në shumë filma, si “Të paftuarit”,”Shëmbja e idhujve”, “Mësonjtorja”, “Një emër midis njerëzve”, “Gjeneral Gramafon”, “Përballimi”, “Dollia e dasmës sime”, “Prilli i thyer”, “Pas vdekjes”, “Vrasje në gjueti”, “Nekrologji”, “Vitet e pritjes”, “Dasma e Sakos”, “Funeral biznes”, etj.

Xhokaxhi ishte piktor filmi të “Të paftuarit” (1985), me regji të Kujtim Çashkut dhe skenar të Ismail Kadaresë.

Gjithashtu, edhe te filmi “Rethimi i vogël” (1989), me regji të Saimir Kumbaros dhe skendar të Ruzhdi Pulahës.

Ilia Xhokaxhi ishte piktor kostumesh në filmin e famshëm, “Mësonjtorja”, me regji të Muharrem Fejzos dhe skenar të Natasha Lakos, i realizuar në vitin 1979.

Xhokaxhi ishte skenograf te filmi “Dasma e Sakos”.

Skenograf në filmin “Nekrologji”, të regjisorit Fatmir Koçi. Kjo afishe është realizuar nga Ilia Xhokaxhi.

ÇMIME

Ai është nderuar me shumë çmime të para si skenograf dhe kostumograf. Ai gjithashtu ka qenë fitues i Çmimit të Parë “World Concepts” në Budapest, Hungari – zhanri pikturë në vaj, me titull “SHPATË dhe HËNË”. Kjo pikturë u bë pjesë e fondit të “Budapest Museum of Fine Arts”.

Fitues i çmimit të parë si piktor kostumesh në filmin “Mësonjtorja”; fitues i çmimit të dytë si piktor në filmin “Kur bëhesh kryetar”; fitues i çmimit të pare si piktor në filmin “Prilli i thyer”; Fitues i çmimit të pare si piktor në filmin “Dasma e Sakos”.

Në festivalin e filmit, i cili organizohet çdo dy vjet në Valencia të Spanjës, filmi “Një emër midis njerëzve” u laurua me çmimin e dytë për skenografi. Skenografia e tij e fundit është ajo e vitit 2007 në dramën “Këmbanat e muzgut”, e Teodor Laços.

Xhokaxhi ka qënë pjesmarës në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Venecia si piktor me filmin “Funeral Bizness” si dhe fitues i Kupës së festivalit të XI të Filmit Shqiptar me Skenografine e Filmit “Dasma e Sakos”.

I PËRCJELLË ME NDERIM

Personalitetet më të larta të vendit, intelektualë, piktorë, kineastë, politikanë i bënë homazhe dhe nderuan trupin e pajetë të piktorit dhe skenografit të shquar Ilia Xhokaxhiu, të vendosur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Ai është nderuar edhe nga Kryeministri i kohës Sali Berisha, ministri i Kulturës Ylli Pango, lideri dhe deputetë të opozitës, ish-ministrat e Kulturës, Bujar Leskaj, Bleni Klosi, Edi Rama etj. Edhe miqtë dhe kolegët kanë shprehur keqardhjen e tyre për humbjen e një njeriu të madh që do t’i mungojë jo vetëm familjarëve të tij por edhe gjithë Shqipërisë.

Në kishën ortodokse u zhvillua një meshë për nder të tij, para se të prehej përfundimisht në varrezat e e Sharrës, pas një jete plot pasion, art e përkushtim, deri në vetmohim.

Në Tiranë, në kujtim të tij është emërtuar një rrugë me emrin “Ilia Xhokaxhi”, në Njësinë Bashkiake Nr.4.

Biografi artistike

EKSPERIENCA PROFESIONALE :

1973 – 1975 Skenograf dhe piktor në Radio – Televizionin Shqiptar
1975 Skenograf dhe piktor filmi në Kinostudion Shqipëria e Re

Ka marrë pjesë në realizimin e 34 filmave artistikë dhe dokumentarë si dhe të huaj. Disa prej tyre :

“Shembja e idhujve”
“Mësonjëtorja”
“Një emër midis njerëzve”
“Dollia e dasmës sime”
“Prilli i thyer”
“Pas vdekjes”
“Vrasje në gjueti”
“Nekrologji”
“Vitet e pritjes”
“Nata”
“Dasma e Sakos”
“Funeral biznes”

1991 – 1994 Pedagog në Akademinë e Lartë të Arteve në lëndën e Pikturës .
1997 – 2000 Punon si pedagog në lëndën e Historisë së Artit Botëror dhe Pikturës në shkollën private të kishës Ortodokse “Frymë Dashurie”.
2004 Fillon punë në Televizionin Publik Shqiptar.

KRIJIMTARIA :

Mars, 1991 – Ekspozitë personale në Tiranë (Muzeu Historik).
Shtator, 1991 – Ekspozitë në Ankara (Turqi), në Muzeun Arkeologjik.
1992 – Ekspozitë personale në Tiranë (Muzeu Historik).
Tetor, 1992 – Ekspozitë në JANOSH GET GALERY, Manhattan, New York, SHBA.
1994 – Ekspozitë personale në Tiranë, Galeria Kombëtare.
1995 – Fitues i Çmimit të Parë “World Concepts” Budapest, Hungari. Zhanri pikturë në vaj me titull “SHPATË dhe HËNË”.
1996 – Ekspozitë në Slloveni, Lubjana “Novi Graniti”.
1997 – Pjesëmarrës në ekspozitën “Radio Tirana Fax” në Molfeta, Bari, Itali
Dhjetor, 1997 – Ekspozitë me artistë të tjerë në T&G Gallery.
Shtator, 1998 – Ekspozitë në Paris, Lucernere, Centes Nationale d’Art d’Dssei.
Dhjetor, 1998 – Ekspozitë e përbashkët në Tiranë, Shqiptaro – Italiane “Mesdheu një horizont i përbashkët kulturor”.
1999 – Ekspozitë e përbashkët në hollet e Ambasadës Shqiptare në Paris.
Shtator, 2000 – Arkitekt dhe skenograf i skenes madheshtore ne Festivalin Folklorik Kombetar te Gjirokastres.

Nentor, 2000 – Ekspozitë personale “Benedictus” në Galerinë e Arteve të Bukura në Tiranë.
Dhjetor, 2000 – Skenograf i dekorit të qendrës së Tiranës për Festën e Vitit të Ri 2001 .
2001 – Pjesmarrës në ekspozitën “Onufri”
2002 – Skenograf i dramës “Një njeri në det”
Maj, 2002 – Arkitekt i FARIT SIMBOL në qytetin e Sarandës.
Qershor, 2002 – Skenograf i baletit “Franceska da Rimini”.
Tetor, 2002 – Autor i Ekspozitës personale : MAKBETH, (Ky Kumbim Mitik Mbikohor) në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Qershor, 2003 – Skenograf i baletit modern “Paradoksi i Jetës”.
Nëntor, 2003 – Skenograf i dy filmave të rinj.
“Lule të kuqe lule të zeza”
“Women without Wings” (Gruaja pa krahë), film kanadez.
Maj, 2004 – Skenograf i operas “DHOMA” te Zhan Pol Sartrit.
Tetor, 2004 – Autor i ekspozitës personale : BLASFEM (i kamës së thyer) në Galerinë Kombëtare të Arteve.
Janar, 2005 – Skenograf i dramës “BALLKAN EKSPRES”.
Dhjetor, 2005 – Skenograf i festivalit të 44 të RTSH.

____________

Tirane, më 10 korrik 2024

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.