Llazar Nikolla, skulptori që iu dha jetë gurëve!
Kontributi i “Skulptorit të Merituar” Llazar Nikolla në artin skulptural shqiptar mbetet i vlerësuar dhe i respektuar
Nga Dash Frashëri
Skulptori që u dha jetë gurëve!
“Skulptori i Merituar” Llazar Nikolla (1906-1983) është i mirënjohur për aftësitë e tij në gdhendjen e gurit dhe për kontributin e tij në artin skulptural në Shqipëri.
Me një aftësi të jashtëzakonshme për detajet ai ka lënë pas një trashëgimi të pasur artistike.
Kontributi i tij në artin skulptural shqiptar mbetet i vlerësuar dhe i respektuar, duke e vendosur atë si një nga figurat në historinë e artit të vendit.
Nikolla ka krijuar një varg veprash të tjera të shquara, duke përfshirë skulptura të ndryshme portreti, reliefet, dhe skulpturat monumentale.
“Figurës dominuese të Paskalit, në vitet ’30-‘40, në vitet e pasluftës, iu afruan dhe ato të skulptorëve të rinj si J. Paço, K. Koljaka, A. Mano, apo Llazar Nikolla. Në artikullin që pasoi hapjen e së parës ekspozitë të pasluftës, autori dallon përveç pikturave dhe skulpturat “Fitorja” e “Partizane”, të Llazar Nikollës dhe ato të Janaq Paços, “Shtypja”, “Portreti i Isuf Alibalit”, “Malësori nga Dibra” e më tepër portretin e E.Kuqalit”, shkruan studiuesi i artit, Dr. Ermir Hoxha, në punimin e tij për marrjen e doktoraturës, që i referohet gazetës “Bashkimi” (1945)
Studiuesja e artit, Suzana Varvarica Kuka, e ka përfshirë Llazar Nikollën në librin e saj enciklopedik, “20 mjeshtrit të hershëm shqiptarë”, së bashku edhe me artistëtKolë Idromeno, Spiro Xega, Vangjel Zengo, Andrea Kushi, Simon Rrota, Vangjush Mio, Odhise Paskali, Dhimitër Cani, Abdurrahim Buza, Zef Kolombi, Androniqi Zengo Antoniu, Hasan Reçi, Janaq Paço, Sadik Kaceli, Kristina Koljaka, Sofia Zengo Papadhimitri, Nexhmedin Zajmi, Bukurosh Sejdini dhe Foto Stamo.
***
Llazar Nikolla u lind, më 27 dhjetor 1906, në fshatin Bezhan të Kolonjës. Ndërroi jetë në vitin 1983, në moshën 77-vjeçare.
Babai i tij ishte një mjeshtër i gdhendjes së gurëve, pasion që ia trashëgoi edhe Llazarit.
Nikolla studioi në një shkollë private në Greqi. Në vitin 1930 përfundon dhe studimet 4-vjeҫare në kurset e Shkollës së Arteve të Aplikuara, në degën e dekoracionit, në Athinë.
Në vitet 1932-36 ndjek studimet në Shkollën e Vizatimit në Tiranë.
Nga shoqata “Miqtë e Artit” dhe Ekspozita Kombëtare mori shtysën e madhe ideja e hershme për krijimin e Shkollës së Artit. Mbi bazën e Kursit të Vizatimit që drejtohej prej Andrea Kushit që prej majit të vitit 1931, në Tiranë u ngrit e para Shkollë Arti në Shqipëri.
Sipas shkresës së Ministrisë së Arsimit, me datë 29 janar 1932, “Komiteti Artistik ka themelue Shkollën e Vizatimit për me stërvitë në arte të bukura gjithë djemtë që tregojnë aftësi të veçantë. Shkolla është e drejtueme prej z. Prof. Mario Ridola i ndihmuar nga Andrea Thanasi, profesor i gjimnazit”.
Interesimi midis të rinjve ishte shumë më i madh nga sa mund të mendohej në atë kohë. Në ditën e konkurrimit për kursin e vizatimit u paraqitën 150 kandidatë, djem e vajza.
Shkolla e piktures u vendos në një shtëpi tiranase, e cila ka qenë në pronësi të prefektit të parë të kryeqytetit shqiptar, Qamil Pepa.
Me veprimtarinë e kësaj shkolle lidhet krijimi i një radhë veprash të artit të realizmit kritik, punime të nxënësve dhe mësuesve, që pasqyronin njeriun e thjeshtë dhe mjediset e varfra ku ai jetonte. U mbyll më 1939.
“Në vitin ’31 në Tiranë zhvillohet një konkurs vizatimi. Më pas kursi do të kthehet në shkollë, duke u bërë shkolla e parë e Arteve të Bukura në Shqipëri. Erdhën nxënës nga i gjithë vendi, Elbasani, Durrësi, Himara, Kolonja, Korça, Dibra, Zagoria, Gjakova, Tirana dhe gjeografia shkon deri në Kosovë dhe Maqedoni si Sadik Kaceli, Gani Strazimiri, Llazar Nikolla, Foto Stamo, Mark Mima, Nexhmedin Zajmi, Bukurosh Sejdini, Filip Makoçi, Qamil Grezda etj., të cilët më pas do të studionin në akademitë më të mira të Romës, Athinës apo Parisit. Aty Fadili studion nga viti 1932-1936. Shkolla drejtohej nga italiani Mario Ridola dhe Andrea Kushi. Më pas drejtimin e saj do ta merrnin Odhise Paskali, Abdurrahim Buza, Lasgush Poradeci, Hajro Xhunga”, shkruan studiuesi i artit, Agim Janina.
Disa nga ish-pedagogët dhe nxënësit e Shkollës së Vizatimit. Foto e bërë me rastin e 40-vjetorit të hapjes së shkollës, 1972.
“Portreti i Ahmet Zogut u paraqit edhe nga artistët e vendit të tij, madje nga disa prej piktorëve e skulptorëve më të njohur të asaj kohe, si Spiro Xega, Odhise Paskali, Andrea Kushi, Zef Kolombi, Dhimitër Çani, Kol Shala dhe Llazar Nikolla“, shkruan studiuesi i artit, Prof. Dr. Ferid Hudhri në artikullin e tij me titull “Arti në vitet e mbretërisë”, botuar në gazetën “ExLibris”.
Llazar Nikolla studoi më pas në Akademinë e Arteve të Bukura në Athinë, ku u diplomua në vitin 1942 për skulpturë.
Në vitin 1942, Llazar Nikolla fillon punë në Ministrinë Botore të kohës.
Pas luftës fillimisht, punon si mësues në liceun e Tiranë e më pas si restaurator, për tu rikthyer sërisht në lice deri sa doli në pension.
Nga e majta ne të djathtë, Islam Dolloja, Sadik Kaceli, Llazar Nikolla (në rreth), Arqile Papadhimitri, Abdurrahim Buza, Andrea Mane dhe Kel Kodheli.
Studentët dhe profesori Llazar Nikolla, foto e publikuar nga skulptori Kujtim Qama.
Dyshja mirditore-dropullitase (1955) realizuar nga Llazar Nikolla enkas per kompleksin e Kinostudios
Heroi Kombëtar Skënderbeu është punuar disa herë nga dalta mjeshtërore e Llazar Nikollës.
Skënderbeu (1967), skulptor Llazar Nikolla
Punim i vitit 1963
Në nëntor të vitit 1961, me dekret të posaçëm shtetëror u dhanë këto tituj nderi: Vangjush Mio, “Piktor i popullit”; Odhise Paskali, “Skulptor i popullit; Z. Kolombi, N. Zajmi, S. Rrota, Z. Bumçi, A. Buza, F. Stamo, “Piktor i merituar”; J. Paço, K.Koljaka Hoshi, Llazar Nikolla, “Skulptor i merituar”
Vitet 1960 ishin shumë të mbara për artet figurative.
“Vetëm në vitin 1962 u inauguruan një seri bustesh e monumentesh si ai i Kostandin Kristoforidhit, realizuar nga M. Dhrami e K. Rama; Abdyl e Sami Frashëri realizuar nga Llazar Nikolla e Sh. Hadëri; Hoxha Tasim nga J. Paço, ndërsa ajo e Selam Musait, nga S. Tuçi”, shkruan Dr. Hoxha, që i referohet gazetës letrare “Drita” (1968).
Në Lulishten 1 Maji, në Tiranë, është busti i poetit rilindas, Ando Zako Çajupit, i gdhendur në gur nga mjeshtri Llazar Nikolla.
Dy vepra të Llazar Nikollës janë përfshirë në albumin me punime kushtuar ushtrisë në artet figurative (1969), heronjtë Mihal Duri dhe Hajdar Tafa.
Gjithashtu, një vepër e LLazar Nikollës është publikuar edhe ne albumin “Artet Figurative në Republikën Popullore të Shqipërisë”.
Posta Shqiptare, në kolanën e saj të titulluar “Artistë të shquar shqiptarë”, e ka vendosur portretin e tij në prej prej pullave të emetuara prej saj.
Në Tiranë, një nga rrugët është emërtuar “Llazar Nikolla”.
___________________
Tiranë, më 11 korrik 2024