“Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo dhe koha e tij”

Studiuesja Suzana Varvarica-Kuka: Edison Gjergo, me pikturën, mendimin dhe jetën e tij shkroi disidencën e vet


U mbajt ligjërata “Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo (1939-1989) dhe koha e tij” me studiuesen e artit Suzana Varvarica-Kuka.

Komisioni i përhershëm i arteve pranë Akademisë Shkencave të Shqipërisë, sot, më 12 korrik 2024, organizoi ligjëratën “Krijuesit e ndaluar në artet pamore: Edison Gjergo (1939-1989) dhe koha e tij” me studiuesen e artit Suzana Varvarica-Kuka.

Veprimtaria u moderua nga gazetari Mentor Kikia.

Akad. Vasil Tole, zëvendëskryetar i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, përshëndeti të pranishmit dhe falënderoi eksperten e shquar të arteve Suzana Varvarica-Kukën, e cila ka dhënë një kontribut të madh në studimin e veprave dhe autorëve të arteve pamore.

Akad. Tole vuri në dukje se kjo është veprimtaria e parë e komisionit të ristrukturuar të arteve, dhe bëri një prezantimin të shkurtër se çfarë përfaqëson komisioni i arteve, si një nga 13 komisionet e përhershme që funksionon pranë Akademisë së Shkencave, dhe që u dedikohet vetëm arteve shqiptare, ashtu sikurse Qendra për Studimin e Arteve, një institucion i ri shkencor, që u ristrukturua për të vënë në fokus të studimeve artin dhe artistët shqiptarë.

Akad. Tole prezantoi ndërkohë përbërjen e komisionit të artit të përbërë nga akademikë dhe specialistë të fushave të ndryshme të artit: Vasil S. Tole – kryetar; Stefan Çapaliku – anëtar; Fatos Kongoli – anëtar; Josif Papagjoni – anëtar; Najada Hamza – anëtare; Suzana Varvarica – Kuka – anëtare; Altin Basha – anëtar; Denis Bizhga – anëtar; Namik Dokle – anëtar; Megi Tafaruci – anëtare; Abigeila Voshtina – anëtare; Belfjore Qose – anëtare.

Studiuesja e artit Suzana Varvarica, në ligjëratën e saj, prezantoi disa fakte rreth Shqipërisë së viteve 1940-1990; shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1900-1940 si paraprijëse të shkollave të artit gjatë periudhës komuniste 1945-1990; shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1945-1990 dhe programet e tyre; liceu artistik “Jordan Misja”; shkollat e artit në Shqipëri në vitet 1945-1990 dhe programet e tyre; Universiteti i Arteve etj., si dhe bëri një pasqyrim të trysnisë politike mbi artin në vitet 1940-1990. Më pas ajo prezantoi artistët e dënuar politikisht, grupimet dhe veçimin e tyre.

Varvarica bëri një përshkrim të zgjeruar të kohës që formoi Edison Gjergon, duke përshshkruar talentin, veprat, profilin e artistit dhe kalvarin e vuajtjeve të tij në diktaturë, si më poshtë:
Edison Gjergo u rrit në fillesat e sistemit komunist, në mesin e një shoqërie të varfër e me mendësi feudale. Prindërit, Vangjel dhe Kornelia e edukuan me pikturën, muzikën klasike, jurisprudencën dhe historinë. Kornelia Gjergo ishte mësuese dhe Vangjel Gjergo kishte qenë zyrtar, jurist e nëpunës në shërbim të mbretërisë shqiptare.

Pas çlirimit, familja Gjergo u përshi në listat e familjeve me origjinë të pasur e shtresë e lartë. Sistemi komunist i veçoi, i dalloi dhe i mbajti në survejim e përgjim.

Edison Gjergo si adoleshent e nisi jetën me guxim, plot talent në vizatim dhe në pikturë. I dashur dhe i ditur me muzikën klasike. Ai u hodh pastërtisht në botën e artit, duke kërkuar të panjohurën rreth tij. Në vitin 1958 përfundoi liceun “Jordan Misja” dhe punoi duke pikturuar reklamat e filmave që shfaqeshin në kinematë e Tiranës, ku u njoh edhe me të kundërshtarë të sistemit komunist. Në këto mjedise filloi të komunikonte me të tjerë pikëpamjet e tij të kundërta ndaj mënyrës realiste, tradicionale e populiste të krijimit, që mbështeteshin në mundësitë e kohës dhe kultura e propagandës, të cilat nuk i pranonin kurrsesi lëvizjet dhe drejtimet artistike të artit modern europian e më gjerë.
Koha e studimeve të larta ishte kohë e artë për të. Pedagogët e tij në ILA e vlerësonin pozitivisht dhe e dallonin për një talent të rrallë. Ai ishte i lirë. Krijimet e tij kishin një atmosferë figurative “modern revolucionare”, që dallonte nga atmosfera e ngurtë dhe përshkruese e realizmit socialist. Këtë ai e besonte dhe nuk e parashikoi dënimin dhe persekutimin artistik.

Përndjekja e tij ka nisur nga fundi i vitit 1968, kur Edisoni kishte filluar të krijonte dhe jetonte në mënyrë liberale, i kënaqur me aftësitë e veta, por i pakënaqur nga niveli social dhe artistik i shoqërisë së mbyllur shqiptare. Ai kishte filluar të fliste hapur me disa individë, ndërmjet tyre dhe me përndjekësit e paguar të sigurimit të shtetit. Erdhi një kohë që veprat e tij nuk pranoheshin në ekspozita.Ato kritikoheshin nga anëtarët e komisioneve të LSHA.

Edison Gjergo u dënua nga gjykata popullore si fajtor për krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit dhe se “ka mburrur artistët e rrezikshëm modernist Frojdin, Shagallin, Sartrin, Kamy, Pikaso e tjerë … ka bërë piktura të ndryshme me përmbajtje moderniste e dekadente”.

Edison Gjergo u stërmundua disa vite në burgun e Spaçit, i cili ishte një kamp i tmerrshëm vuajtje dhe pune të stërmundishme. Edison Gjergo u lirua nga burgu më 15 nëntor 1982. Pas burgut jetoi vetëm 7 vite. Ishte një njeri tjetër nga Edisoni i viteve 1970. Punoi si punëtor mirëmbajtje, shkrues parullash. U mbyll në vetvete si një njeri i humbur, nën një disekulibër shpirtëror. Ishte i frikësuar, i pashpresë, I pafuqi. Ishte pa miq e shokë. Pas një jete të zvarritur, i martuar, me gruan shtatzënë, plot brenga sociale, i parehabilituar, i cilësuar armik, i braktisur nga kolegët dhe miqtë, i sëmurë rëndë ndërroi jetë më 26 qershor 1989.

Në ditët e sotme, duke njohur jetën dhe krijimtarinë e tij, Edison Gjergo është produkt i besimit në vetvete, i qëndrueshmërisë krijuese, i guximit për të mos u nënshtruar, i mosbesimit në marrjen e masave të egra dhe ekstreme ndaj tij; i vuajtjeve, kërcënimeve dhe i nënshtrimit në burg; i mungesës së forcës për të shmangur degradimin psikologjik e social dhe i një shoqërie që nuk e mbështeste dhe e ndihmonte individin, nuk protestonte e kundërshtonte, por ishte e nënshtruar.

Edhe pse në ditët e sotme trashëgojmë pak vepra, sepse studio e tij u bastis dhe veprat u eliminuan gjatë procesit hetimor, përsëri në sipërfaqen e tyre shohim përmbajte të lidhura ngushtësisht me kërkesat e temave që sugjeronte LShASh.

Ai, sipas kërkesës së kohës, pikturoi partizanë, punëtorë, fshatarë dhe heronj, por i perceptoi në mënyrën e tij si një artist që vlerësonte pavarësinë dhe individualitetit artistik të shprehjes së formës figurative. Përmes disidencës, veprave dhe qëndrimit të guximshëm për të mos e ndryshuar perceptimin figurativ modern ndaj subjektit dhe përmbajtjes socialiste dhe të 7 viteve të trishtuara të jetës së pasburgut, Edison Gjergo krijoi kohën e tij.

Ai dhe një grup artistësh të rinj dëshironin një mënyrë të ndryshme dhe rrugë të reja për zhvillimin e arteve pamore. Koha dhe sistemi nuk bënë asnjë kompromis me dëshirat e tyre dhe Edison Gjergos, Ali Osekut dhe Maks Velos nuk iu dha dora, nuk i shpëtuan dhe nuk e justifikuan rebelizmin e tyre.
Edison Gjergo në një moshë aktive dhe plot energji ishte një shpirt i lirë, karakteristikë e grupit të artistëve të rinj e të ndaluar të asaj kohe. Ai u përpoq ta pasuronte pikturën me elemente të artit të avangardës europiane dhe t`i pasqyronte figurativisht subjektet e jetës socialiste me elemente të një forme të ndryshme nga elementet e formës që sugjeronin parimet e metodës së Realizmit Socialist. Ai krijoi atmosferën e tij përmes imazhit ndjesor të nënvetëdijes figurative, për të cilën mendoj se është burim i qëndrueshmërisë së artistit dhe artit të tij.

Një nga deklarimet e tij në hetuesi, zbulon personalitetin e tij artistik dhe intelektual:
“Të them të drejtën, fjalën “socialist” që vjen pas fjalës “realizmi”, nuk e kuptoj; realiteti objektiv në art nuk ekziston, sepse nuk ekziston një realitet i tillë as si koncept në art. Arti është realitet i ri, që preket nga artisti dhe shijohet fortësisht nga njeriu”.

Edison Gjergo, me pikturën, mendimin dhe jetën e tij, shkroi disidencën e vet, të cilën do ta trashëgojmë në historinë e arit shqiptar si koha e Edison Gjergos.

Veprat e pakta të Edison Gjergos:

“Heroina Zonja Çurre”, 1966, GKA;
“Lavdi dëshmorëve”, para viteve 1969, vepër e humbur;
“Fonditori”, 1971, GKA;
“Portret malësoreje”, 1972, GKA;
“Epika e yjeve të mëngjesit», 1971, GKA;
Vepra e fundme “Epika e yjeve të mëngjesit», shenjoi fatalitetin dhe famën në jetën e artistit.

Ajo tregoi mënyrën e ndryshme dhe të guximshme të pasqyrimit vetjak gjeometriko-kubist përmes ekzekutimit të ngjyrës ekspresiviste-foviste në kohën e metodës së realizmit socialist. Një vepër që ruan befasinë kompozicionale dhe koloristike. Ajo ruan marrëdhënien e subjektit të temës së madhe të luftës (socialiste e kohës) me epikën dhe legjendën e hershme.

Vepra bënë të dukshme subjektin dhe formën figurative të lexueshme por jo realiste. Ajo është një nga veprat kryesore dhe të rëndësishme të artit shqiptar që dëshmon vitet 1969-1973, dëshmon krijimtarinë e Edison Gjergos dhe përfaqëson kulmin e artit të artistit. Ajo dëshmohet si pikturë përfaqësuese e modernizmit në periudhën më të egër të diktaturës.

Mbijetesa e “Epikës…“ është shenja e ekzistencës së kohës së Edison Gjergos dhe e të gjithë artistëve të ndaluar e të persekutuar në të tashmen e sotme dhe në të tashmet e ardhshme.

Kjo vepër ka skalitur përpjekjet dhe përvojat e këtyre artistëve në Historinë e Shqipërisë, si shenjë e providencës së shpirtit të lirë të artistëve, që nuk u nënshtruan, por të lirë sfiduan: metodën e imponuar, megamakinën kulturore mosovike, diktatorët, LShASh dhe sistemin komunist.

Në fund të ligjëratës së saj studiuesja Suzana Varavarica-Kuka bëri edhe një vlerësim kritik të pasviteve 1990 ndaj artistëve të persekutuar.

(Marrë nga faqja e Akademisë së Shkencave)

Bashkim Ahmeti Izano, piktori i një bote ëndrrash!

Bashkim Ahmeti Izano është një nga artistët elitarë shqiptarë. Kadare: Në pikturat e tij ndihet liria.

“Nëpër gjurmët e Tasos”

Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi ekspozitën e tij personale në COD.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.