Monumenti i Heroinave të Mirditës

Monumenti i Heroinave të Mirditës është vepër e skulptorëve Dhimo Gogollari, Fuat Dushku, Perikli Çuli dhe Andrea Mano


Nga Agim Janina

Monumenti i Heroinave të Mirditës, vepër e skulptorëve Dhimo Gogollari, Fuat Dushku, Perikli Çuli dhe Andrea Mano ishte vendosur në Rrëshen dhe i kushtohej Marta dhe Prenda Tarazhit, Shkurte Carës dhe Mrika Lokës.
Atë mbrëmje pas disa orëve me leksione bënë pushim. Doli nga salla me Mirën, dhe u ulën të pinin kafe në një nga lokalet pranë qendrës së Tiranës. Ndërsa kishin pak kohë duke kuvenduar, pranë u afrua një mesogrua, me flokë ngjyrë thekre, të rrahura nga dielli.
Mira u ngrit buzagaz dhe e përqafoi. Gruaja u ul dhe shkëmbyen fjalët e para.
Duke e kundruar nga afër, syri i kapi një vragë, e cila dukej sikur kullonte nga poshtë syrit e zbriste deri në mes të faqes. Dukej që kishte kaluar një jetë të vështirë, por ishte gjithë gjallëri e herë pas here buzëqeshte.
Befas Mira iu drejtua:
– A e di se kush është kjo?
– Jo. Hera e parë që e shoh.
– Është vajza e Cucës së Maleve.
– Joo…! – ia bëri i tronditur.
– Unë jam vajza e Cucës, – buzëqeshi gruaja e vijoi, e shikon këtë shenjën? Dhe tregoi me gisht vragën në fytyrë. Kur më vranë nënën kam qenë në prehrin e saj, duke pirë qumësht. Ata hynë befas dhe nëna nuk pati kohë të lëvizte vendit, se qëlluan me breshëri automatiku, duke e vrarë në vend. Një nga gozhojat kërceu dhe e nxehtë më ra në faqe, duke më bërë këtë shenjë, që e mbaj gjithë jetën…
– Për më tepër ishim një fis me bajraktarin që urdhroi vrasjen. Ai u arratis dhe gati gjysëm shekulli nuk jemi bërë me njerëzit e tij. Tani erdhi demokracia dhe hyjmë e dalim. Kur kanë bërë dasmën e parë më vunë krushkë të parë për të më nderuar.
Ndërsa ajo fliste iu kujtuam rrëfimet e skulptorit Perikli Çuli, njërit prej bashkautorëve të veprës.
“Bëmë rreth gjashtëmbëdhjetë bocete njëri pas tjetrit në katër vjet punë përgaditore dhe një vit plus sa arritëm në zgjidhjen përfundimtare.
Bocetet e fillimit nuk na kënaqën. Shkuam në Mirditë, në Orosh për t’u njohur nga afër jo vetëm me jetën e Katër Heroinave, por edhe me mjedisin ku ato jetuan, me njerëzit e krahinës, për të futur në vepër tipiken e krahinës. U njohëm me vendin, njerëzit, takuam shoqet e Katër Heroinave, të cilat na folën shumë, na përshkruanin pamjen e secilës, si visheshin, si i mbanin flokët, ndonjë ngjarje…e dalngadalë në mendjet tona u krijua përfytyrimi i plotë për heroinat. Këto udhëtime ishin më se të domososhme, sepse na hapën pamjen shumë.
Na bënë përshtypje disa veçori të zonës, sidomos të gruas mirditore. Veshja e tyre është e bukur shumë. Gratë mirditore nuk ecin kurrë në një resht, por grumbull të shpërndara në mënyrë të çrregullt. Përpara venë atë që është më e shkathët, si punë komandante e cila u prin rrugën. Ajo është më e zonja, më e fjalës, më e mençura. Ky detaj na shërbeu shumë në zgjidhjen kompozicionale të grupit skulpturor.
Në Tarazh takuam një nga shoqet e heroinave. Vinte imcake nga trupi, e shkurtër, por shumë e gjallë dhe energjike. Na foli për heroinat. Kur dolëm jashtë shtëpisë së saj, shikojmë një vajzë shumë të bukur me ca tipare të theksuara, e gjatë dhe e shëndetshme, veshur me kostum mirditor. Në kokë kishte hedhur shallin karakteristiktë shtrënguar fort e të lidhur nga pas kokës.
Fuati nxori shpejt aparatin fotografik dhe deshi ta fotografonte. Vajza e pa dhe fsheu fytyrën duke u kthyer nga pas me kurriz. I shkova pranë për ta sqaruar se për çfarë arësye po e fotografonim. Më ktheu edhe mua kurrizin. Përpiqesha ti dilja përpara, ajo përsëri më kthente kurrizin. Rrotullou e rrotullou që të dy. Në një çast vajza erdhi e u vendos përballë Fuatit. Ai shkrepi aparatin dhe na fotografoi të dy. Fotografia doli e mirë. Kur punonim Monumentin e qarkullonim shpesh nëpër duar fotografinë e saj për model, sidomos unë e Fuati.
Andej nga fundi mbetëm në tre variante. Njëri prej tyre ishte në plastelinë. Shkuam në Rrëshen për t’ua treguar e për të marrë mendimin e banorëve të zonës. Kë nga variantet do të pëlqenin më shumë ? Bocetin prej plastelinë e mbajta në prehër gjatë gjithë rrugës. Kishim frikë se mos nga tronditjes e makinës binte e thyhej…
Salla u mbush plot. Interesi ishte shumë madh. Të gjithë donin të shikonin bocetet e të shfaqnin mendimin e tyre për to. Bocetet i vendosëm në një vend të dukshëm, përpara të gjithëve, në mënyrë që ti shikonin sa më mirë. U ngrit një grua mirditore e duke treguar bocetin në plastelinë tha:
“Ja kështu e duam Monumentin e Katër Heroinave. A na e bëni dot ?”
“Po…Po Atë duam !” – thanë të gjithë.
Takimi na ngohu shumë. Heroinat ishin pranë tyre. Njerëzit po fillonin ta ndjenin Monumentin…
Heroinat janë në kohë të ndryshme dhe nuk kanë vepruar në një kohë. Kjo ndarje e figurave na dha edhe ndarjen si kohë, por nga ana tjetër edhe bashkimin e tyre”.


Figurat nuk ishin shumë të mëdha, të vendosura në një bazament të ulët që të dukeshin sikur janë diku në rrugë dhe po ecin së bashku në grup.
Autorët ia dolën mbnë të unifikonin stilet. Ndonëse janë katër autorë duket sikur i ka bërë një dorë e vetme.
E kishte parë nga afër monumentin në qytetin e Rrëshenit. Hyri lirshëm në bisedat, këngët, jetën e banorëve, pjesë e qytetit. Ishin të parat që të presnin dhe të uronoin mirëseardhjen në qytet. Gratë mirditore kishin një lidhje më të ngushtë, më intime me monumentin, sepse në ato figura ato shohin luftën e tyre për emencipim.
Kompozimi ishte shumë i qartë, pa ndërlikime, në raporte të drejta plastike, mbajtur në një ritëm që vjen e rritej vazhdimisht. Siluetat të pastra, në forma të plota, ç’ka rrisnin dinamizmin e figurave.
Të mbështetura fort në një bazament shkëmbor, krijuar me një plastikë të thyer, ngriheshin lart gratë malsore. Grupimi i heroinave me forma të ngjeshura plastike, ku spikasin mudulimet ekspresive e kalimet e përvijuara me forcë në një hedhje kompozicionale shumë origjinale, krijonte afërsi me shikuesin, sikur ndodheshin pranë, ecin me çapin e rëndë drejt së resë.
.“Gjatë kohës që punonim për monumentin, kujjtonte skulptori, vumë re që gratë përdorin një veshje të lehtë, të thjeshtë, por të bukur. Mirditoret nuk ecin kurrë në një rresht, por të shpërndara në grup. Përpara ecën më e shkathta e u prin rrugën. Këtë gjë ne e shfrytëzuam shumë në zgjidhjen kompozicionale të monumentit. Megjithatë që të arrihej deri këtu nuk ishte e lehtë….”
Kishin heshtur secili në kujtimet e veta. Pas pak gruaja e shkundi nga kujtimet:
– Ç’kishte bërë nëna ime? Donte t’u mësonte fëmijve të shkruanin e të lexonin…
– Edhe Monumentin ia shkatërruan…
– Eh… ndodhi në ’93. Shkatërimi i Monumentit ishte një vrasje e dytë për të e shoqet e saj.
– Në shtyp është shkruar se, vrasja e heroinave ka qenë vrasje politike. Edhe heqja e monumentit të tyre ishte politike. Një nga dera e Gjonmarkave nga Kanadaja ka pohuar se, i kam vrarë unë! Dhe kur të vinte në Shqipëri nuk donte ta shikonte munomentin në këmbë.
– Nuk ua fal atyre që lejuam shkatërrimin…!
Sytë iu lëbyrën dhe në tryezë ra heshtja.

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.