Buza dhe Rembrandti!

Rembrandt “Danaja” 1636 – Abdurrahim Buza “Autoportret”. Sot gjeniu holandez ka 418-vjetorin e lindjes.


Nga Agim Janina, studiues arti

– Kërkon t’i vesh bashkë Rembrandtin me Buza Plakun, por është e pamundur…
– Kush tha që dua t’i ve bashkë apo më keq t’i përball të dy.
– Këtë përshtypje më dhe…
– Je keqkuptuar.
– Atëhere pse i përmende të dy ?
– Buza Plaku bashkë me një grup artistësh nga fundi i viteve ’60, bënë një udhëtim në ishBashkimin Sovjetik si të ftuar. Ndër vizitat e shumta ish edhe ajo në Muzeun Hermitazh në Shën Petërburg…
– Mbahet si një nga muzetë më të famshëm.
– Janë grumbulluar shumë kryevepra botërore…
– Pse e përmende Buzën ?
– Kur u kthyhen, Buza tregonte për vizitën në Hetmitazh. I kishte bërë përshtypje të thellë “Danaja” e Rembrandit.
– Nga se është nudo ?

– Jo. Në shkollë në Firenze dhe Torino, e kishte studiuar nudon me modele të vërtetë, një vajzë e kolme, të cilën e përdori si modele nudo për një muaj të tërë. Më 1935, në kohën e ferexheve, ai ka bërë femrën e parë shqiptare nudo dhe ishte e shoqja…
– Por çfarë i bëri përshtypje tek “Danaja” ?
– Nuk ndalonte së shprehuri për varësen në dorën e ngritur të vajzës.
“Qysh bre e kishte bërë” ?! – shprehej me habi.
– Në të gjithë kompozimin i kishin mbetur sytë tek varësja në dorë ?
– Leonardo thotë, se detajet bëjnë ndryshimin, por detajet nuk janë vepra.
– E thotë edhe poeti francez Pol Valeri, “kush kërkon të bëj gjëra të mëdha, duhet të mendojë gjatë për detajet” por të pëlqen “Danaja” si nudo ?

– Pse pyet ?
– Dua mendimin tënd, se shumë ke folur për nudot.
– Hëm… “Danaja” e Rembrandit është grua…
– Pse çfarë duhet të jetë ?!
– Rembrandti nuk idealizon femrën. Danaja dallohet nga barku i madh se ka lindur. Ndoshta si modele i ka shërbyer e shoqja, Saksia e bukur… Është e rrethuar nga një dritë e artë që përfaqëson pastërtinë e dashurisë së thellë apo hyjnore, përfqësuar nga prania e Perëndisë së Dashurisë, në kokën e krevatit… por…
– Çfarë ?
– Më 1985 një i çmendur i hodhi acid sulfurik dhe e sulmoi me thikë duke e prerë shumë herë telajon…
– Ç’është kështu ?! Sa vepra arti janë sulmuar për t’i prishur !
– Ndodhin nga moskuptimi…
– E pastaj ?

– Kthehemi tek Buza.
– Pse ?!
– Sepse Buza mëson…
– Çfarë ?
– Nuk është nudo në vetvete që josh. Është një tërësi vlerash, të mbledhura bashkë, ku edhe një varëse, bëhet shprehëse mbështetëse e kompozimit dhe vlerës së tij.
Në krijimtarinë e tij, Buza Plaku e ka trajtuar mrekullisht nudon. Kadare në një shkrim për të, shkruan pak a shumë, piktori rri në dritaren e studios dhe shikon vajzat gjimnaziste tek ngjisin shkallët në pallatin përballë dhe ndizet nga lakimi i formave të trupit të tyre dhe nis e i skicon…


Agim Janina, studiues arti

– Çfarë tha piktori ? I pëlqeu ?
– Aspak. “Nuk kam moshë të shoh vajzat gjimnaziste. Është fantazi e Kadaresë. Nudon e kam brenda shpirtit. Aty e gjej kur e bëj dhe jo duke parë vajzat gjimnaziste tek ngjisin shkallët e pallatit përballë…
– Ishte plak i urtë Buza.
– Dhe piktor i madh i Artit Shqiptar.

***

Vajza në dritare

– Nuk e di por tabloja e Rembrandit “Vajza në dritare”, pikturuar më 1648, më tërheq shumë. Një kritik arti ka shkruar se, “ajo nuk ka asgjë të veçantë. Përse një artist si Rembrandt-i e pikturoi, aq më shumë ajo ka një paraqitje shumë intime”? Ku e ka gjetur këtë modele kaq të bukur?
– Shërbente në shtëpinë e piktorit.
– E dashura?
– Aty të shkon mendja. Jo çdo modele ka qenë e dashura e piktorit. Kur tregohen historitë e tyre i bëjnë të dashura.
– Ka një lloj të vërtete. Piktori të shikon e të zhbirilon aq shumë e gjatë, sa askush tjetër, as i dashuri e bile, as nëna që të ka lindur. Në një farë kuptimi, ai të “vjedh” e “rrëmben” imazhin duke ta rindërtuar në beze.
– Ndoshta.
– Jo ndoshta, po kështu është. Të kam venë re se kur pikturon portrete zhytesh i tëri në to sikur… do t’i rrëmbesh.
– E mirë. Dihet që pas çdo tabloje fshihet një histori. “Vajza në dritare” e Rembrandt-it nuk ishte e dashura e tij. Besdisej…
– Si besdisej?! Me bukurinë e saj mund të ishte pa frikë Muza e frymëzimit për piktorin.
– Besdisej, se djemtë e lagjes ishin të dashuruar pas saj. I vinin pranë studios së piktorit dhe i fërshëllenin. Donin ta shihnin. Atëhere Rembrandit-i…
– E përzuri nga studio.
– A mund të nxirret jashtë një bukuri e tillë?!
– Jo, por… dhe që e besdiste…

– E mori vajzën në studio. E uli në karrige dhe e pikturoi, sikur kishte dalë në dritare…
– I madh!
– Tablonë e vuri në dritare. Djemtë vinin rrotull dhe nuk kishin nevojë të fërshëllenin për të parë vajzëm. Ajo ishte aty dhe u bëzeqeshte e ngazëllyer.
– Më thuaj të drejtën e sajove këtë histori?
– Jo.
– Si jo. Është kaq e bukur, sa nuk të bëhet ta besosh. U ngjan historive të lashta, që kur skulptori gdhendi një shportë me rrush erdhën zogjtë ta çukisnin. Aq të vërteta dhe të gjalla i kishte bërë skulptori veshët e rrushit.
– Bëhet fjalë për Praksitelin. Por kur gdhendi edhe njeriun, që mbante shportën me rrush, zogjtë erdhën përsëri të çukisnin vilet e rrushit. Praksiteli u mërzit…
– Pse?
– Sepse tha, që në se edhe djaloshi, që mban shportën me rrush, do të ishte gdhendur aq i vërtetë dhe i gjallë sa vilet e rrushit, zogjtë do të trembeshin e nuk do uleshin të çukismin kokrrat e rrushit…
– Edhe kjo legjendë, si historia e vajzës së Rembrandti-t…
– Italianët kanë një shprehje “e se non è vero e bel trovato”.
– Që do të thotë?
– Edhe nëse nuk është e vërtetë është e gjetur (e sajuar) bukur!

 

Bashkim Ahmeti Izano, piktori i një bote ëndrrash!

Bashkim Ahmeti Izano është një nga artistët elitarë shqiptarë. Kadare: Në pikturat e tij ndihet liria.

“Nëpër gjurmët e Tasos”

Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi ekspozitën e tij personale në COD.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.