Agim Zajmi, “Poeti i Skenografisë”!

“Artist i Merituar (1975), “Artist i Popullit” (1991). Mbi 300 skenografi në Teatër dhe Opera. Piktor dhe pedagog i shkëlqyer.


Nga Dash Frashëri

Agim Zajmi, “Poeti i Skenografisë”!

“Artist i Merituar (1975), “Artist i Popullit” (1991). President i Shoqatës Mbarëkombëtare të Artistëve Figurativë me qendër në Tiranë.  Në vitin 1995 i jepet titulli “Profesor” (për shërbimin ndaj popullit shqiptar që ai ka dhënë duke përgatitur dhe nxjerrë në jetën shoqërore shqiptare, artistë dhe skenografë të rinj).

Piktor skenograf. Rreth 40 vjet pedagog. Dekan i fakultetit të Skenografisë në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.

Agim Zajmi është skenografi me i vlerësuar në teatrin shqiptar dhe ka realizuar me shume se 300 skenografi dhe mbi 3000 projekte kostumesh.

Bashkëpunimin më të frytshëm e pati me regjisorin Pirro Mani, me mbi 40 skenografi.

“Teatri edhe me gjëra të thjeshta bëhet i bukur, kur e dashuron atë. Teatri është shtëpia ime. Teatri është magji…”, tha Zajmi gjatë një dokumentari kushtuar atij, në vitin 1994, të realizuar nga regjisori Albert Minga.

Dekoret e tij dallohen për elegancën dhe funksionalitetin, duke i lehtësuar punën krijuese regjisorëve.

***

U lind, më 28 nëntor 1936, në gjirin e një familjeje pejane që ishte vendosur gjatë viteve ’20 në Tiranë.

Pasioni i parë për artin ka të bëjë me modelimet në baltë dhe argjil.

“E kam nisur si skulptor. E përdorja baltën në vend të plastelinës”, tha ai gjatë një interviste për Inis Gjonin, në emisionin “Takim Ekskluziv” në televizionin “Alsat” (2008)

Një vizatim i Skënderbeut nga ana Zajmit të vogël i tërhoqi vëmendjen mesueses së shkollës fillore.  Zajmi jua di për nder dy motrave piktore, Zengo, Sofisë dhe Androniqin, që e drejtuan drejt artit.

“Ato më nxitën të konkurroja për në Liceun Artistik, të cilin e vazhdova për gjashtë vjet. Ishte një eksperiment i një grupi, që bënim edhe pikturë, edhe skulpturë, edhe skenografi dhe grafikë. E cila më vlejti më pas si skenograf”, tregon Zajmi në TV Klan, i cili fillimisht ishte caktuar për skulpturë, ndërsa ai pëlqente pikturën.

Gjatë viteve në Liceun Artistik “Jordan Misja”, Zajmi ka qënë bashkënxënës me Naxhi Bakallin, Agim Fajën, Pandi Melen, Fatbardha Shkupin, Skënder Milorin, Petrit Rakipin, etj.

Kryen studimet e larta për pikturë, skenografi-kostumografi në Institutin e Pikturës, Skulpturës dhe Arkitekturës “Ilia Efimoviç Rjepin” në Leningrad (sot Shën Petërburg) studime që ai i mbaron në vitin 1961.

Zajmi e konsideron atë, si periudhën më të bukur të tij.

“Shën Petërburgu është qytet i kulturës, jo vetëm ruse, por dhe botërore. Ka një pamje të një qyteti perëndimor, ashtu edhe i akademisë dhe gjitha shkollave. Me piktorë shumë të njohur. Akademia ishte 300-vjeçare, një akademi me tradita. Profesorët e asaj akademie i kishin përfunduar studimet kryesisht në Perëndim, në Romë dhe në Paris. Artistët shqiptarë që ndoqën akademinë u shquan midis të tjerëve me studentë të ardhur nga e gjithë bota. Një akademi me koridore të mëdhenj, atelie gjigante. Studentët punonin me një përkushtim të jashtëzakonshëm. Hermitazhi është një nga muzetë më të mëdhenj të gjithë botës, i cili është një ushqim i jashtëzakonshëm për studentët”, tregon Zajmi.

 

“Emra si Sali Shijaku, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Agim Zajmi, Llambi Blido, Rafael Dembo, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Vilson Kilica e Guri Madhi studiuan në Bashkimin Sovjetik”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000”

Në të njëjtin vit fillon punë si skenograf në Teatrin e Operës dhe Baletit, ku punon për 15 vjet dhe më vonë punon kryesisht në Teatrin e Kombëtar të Shqiperisë, në Tiranë.

Skenografia e parë e Zajmit është Opera “Carmen”.

“Kjo opera u vu për herë të parë në skenën shqiptare në 5 prill 1962.  Kompozitor Georges Bizet, libreti Henri Meilhac dhe Ludovic Halevy. Dirigjent Mustafa Krantja, regjisor Mihal Luarasi, skenograf Agim Zajmi, mjeshtër kori Kostandin Trako, koreograf Panajot Kanaçi”, shkruan Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit, me rastin e rivënies së saj në skenë në vitin 2021, me protagonistë të tjerë.

“Nuk e mendoja kurrë se në fillimet e mia do të punoja në Teatrin e Operas dhe Baletit, dhe aq më tepër të bëja skenografinë e një e vepre madhore si Opera “Carmen”, tregon Zajmi, i cili kishte studiuar në Rusi, në atelienë e kryepiktorit të Teatrit dhe Operas të Shën Petërburgut.

“Si pasojë, rritja e aktivitetit teatral që prej vitit 1950 u shoqërua dhe me rritjen e kërkesës për një skenografi më profesionale që i përgjigjej kërkesave të kohës. Pas skenografëve të improvizuar të viteve ’50, si V. Mio, R. Daberdaku e I.Hidri, vitet ’60 kishin sjellë skenografët e parë profesionistë si Shaban Hysa, Agim Zajmi, apo Hysen Devolli. Në vitet ’70 krijimtaria e këtyre artistëve kishte arritur kulmin, ndërsa kritika e kohës në vitet që do të pasonin do të veçonte skenografi funksionale si ajo e Sh. Hysës në veprat “Shoqja nga fshati”, apo “Furrnalta”, atë piktorike të Agim Zajmit në veprën “Besa e madhe”, ku zgjidhjet volumetrike e funksionale të mizanskenave, përshtaten me veprën sipas kërkesës të kohës”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000″.

Nga Premiera e Operas “Paliaçot” nga Ruggero Leoncavallo, 19 Janar 1997. Dirigjent: Ilir Berati. Regjizor: Gaqo Çako. Mjeshtre kori: Suzana Turku. Skenograf: Agim Zajmi.

 

Skenografia  e parë e Zajmit në Teatër, nis me atë të Korçës. Ishte “Këneta” me regji të Piro Manit, i cili i kërkoi një nder Zajmit, me skenografin që e ideoi dekorin brenda një dite.


Regjisori Pirro Mani, aktoret Pavlina Mani, Roza Anagnosti dhe skenografi Agim Zajmi në oborrin e Teatrit Popullor

Një nga ngjarjet më të bujshme në historinë e teatrit shqiptar ishte vënia në skenën e Teatrit Popullor e dramës “Arturo Ui”, në vitin 1971. Me regji nga Piro Mani, skenograf në vepër ishte Agim Zajmi.

Kjo shfaqje është përfshirë edhe “World Encyclopedia of Contemporary Theatre: Volume 1, Europe: Volum 1”.

 

Zajmi ka pasur bashkëpunime në Teatrin Kombëtar me regjisorët Sokrat Mio, Pandi Stillu, Andrea Malo, Mihal Luarasi, Kujtim Spahivogli, Esat Oktrova, Gëzim Kamen, Mario Ashikun, Serafin Fankon, Skënder Selimin, Tahir Ujkën, Albert Mingën, etj.


Foto e kolektivit artistik të Teatrit Kombetar, dal[ ne oborin e Teatrit np prill te vitit 1974. Në rreth, skenografi Agim Zajmi

 

“Pjesa më e madhe e veprave shqiptare dhe të huaja, vënë në skenën e Teatrit Kombëtar, janë krijime të piktorit e skenografit të talentuar Agim Zajmi. Gjithashtu një kontribut të vyer sjell edhe në fushën e kostumografisë. Si një njohës i thellë i etnografisë shqiptare ai dha në skenën e Teatrit Kombëtar, jo vetëm mjediset, por veshjet e detaje të ndryshme që mbushnin skenën duke dhënë me sa më shumë realitet jetën shqiptare”, shkruan Milena Selimi, në një postim të sajin në rrjetet sociale.

Skenografia e tij shquhet për gjuhën e re që solli ne vitet `60-të e me tutje, me fuqinë e ideve, simbolikën e qartë, frymen epike, gjetjen skenografike, trajtimin e dekoreve , kostumografine, konceptin arkitektonik te hapsires teatrore, dritehijet dhe ngjyrat ne ndricim.

Agim Zajmi e çliroi skenën nga mbingarkesa e objekteve siç bëri me dramat “Keneta”, “Hijet e nates”, “Toka e jone”, ku i dha me shume dinamike dekoreve, përdori teknika bashkëkohore si  te “Gjenerali i ushtrise se vdekur”, “Nata e 12”, “Romeo e Zhuljeta”, “Revizori”; vlerësoi drejt aktorin në hapësirën skenike si figura qendrore e shfaqjes, duke e vënë zgjidhjen skenografike sa më shumë në funksion të lojes sikurse u pa tek “Luiz Miller”, “Fytyra e dytë”, “Vdekja e nje komisioneri” etj.

 

Ai punon shpesh edhe me teatrot e tjera të vendit, ato kombëtare të Prishtinës në Kosovë, Shkupit në Maqedoni dhe Malit të Zi.

Krahas skenografisë e kostumografisë,Agim Zajmi shquhet edhe si piktor kavaleti me shum[ peizazhe , tablo kompozicionale, portrete etj.

 

***

“Piktori i Popullit”, Agim Zajmi,  është fitues i shumë çmimeve kombëtare në pikturë dhe skenografi.

Ai vlerësua si “Skenografi më i mirë i vitit” nga Revista “Kult” (2008), çmimi që ia dorëzoi piktori i njohur, Naxhi Bakalli.

Agim Zajmi ka marrë çmimin e parë me kompozimin “Fushë Kosova” (1989)

Çmimin e dytë në pikturë me portretin e “Vasil Laçit” (1974)

Çmimin e dytë në pikturë me kompozimin e “Ded Gjo Luli” (1984).

Zajmi është hartuesi i kapitullit “Problemet e skenografisë dhe komponenteve të saj” e perfshire ne vepren “Baza teorike e arteve figurative”, i cili është tekst mesimor për studentet e Akademisë së Arteve të Shqiperisë.

Veprat e tij janë ekspozuar në shumë vënde të botës: Francë, Angli, Itali, Gjermani, Austri, Turqi, Greqi, Egjipt, etj.


Agim Zajmi me gazetaren Rezarta Reçi, drejtuesen e emisionit të njohur “Arratia e peshkut të kuq” (2009)

“Rezarta: Çfarë është piktura për ju?
Agim Zajmi: Është një pjesë e domosdoshme e jetës , pa të cilën unë nuk jetoj dot.
Rezarta :Tani mund ta quani vete me fat që gjithe jeta juaj u lidh pazgjithshmërisht me pikturën , me skenografinë dhe mësimdhenien ?
Agim Zajmi: Është fat që gjithë jetën të merresh me një profesion që ka të bëjë me shpirtin e njeriut. Janë tre objekte , me të cilat jam marrë gjatë gjithë kohës , teatri i pari si skenograf, piktura dhe pedagog në Akademinë e Arteve, kanë bashkëjetuar shumë mirë njëra me tjetrën duke i respektuar ,por në nje periudhe të caktuar të jetes duhet ta pohoj që kam dashuruar teatrin.
Rezarta: Çfarë ndjesije ju krijon fakti , që veprat tuaja do të jenë edhe kur ju fizikisht nuk do te jeni?
Agim Zajmi: Ajo është një kënaqësi , jo të gjithë njerëzit e kanë fatin të lënë pas vdekjes së tyre diçka që të kujtohen, është një fatmirësi,fat i madh per shkencëtarët, ne veçanti për shkrimtarët ,sepse libri futet ne çdo familje , lexohet,mendimet e tyre degjohen , ai bashkebisedon me ta e dhe pas vdekjes ,por ne te njejten kohe është dhe arti që ti ke lënë një nga keto, sikur edhe nje vepër të mbetet, prapë është një kënaqësi që ti bashkëjeton me ata që do vinë”, është një pjesë e shkëputur nga “Arratia e peshkut të kuq”

Pikturat e tij bëjnë pjesë në Koleksionin e Galerisë Kombëtare te Arteve (Tiranë) dhe në koleksione në vënde të tjera te botës.

Disa nga vepart e tij janë të ekspozuara ne sallën e pritjes (për delegacionet e huaja) në Kryeministrinë e Shqipërisë.

Posta Shqiptare në emisonet e saj ka emetuar edhe dy pulla me pikturat e Agim Zajmit, “Lokja” dhe “Në aksion”.

“Agim Zajmi, poet i skenës”, është një libër monografik nga Kudret Velça.

Agim Zajmi ndërroi jetë, më 3 nëntor 2013, në moshën 77-vjeçare.

_________

Tiranë, më 20 korrik 2024

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.