Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

“Piktor i Merituar”! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964


Nga Dash Frashëri

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”


“Autoportret”, Hysen Devolli

“Piktor i Merituar”! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar!


“Hysen Devolli” ,  i realizuar nga i biri, piktori Adrian Devolli

Hysen Devolli është një nga skenografët e parë shqiptarë. Emri i tij është përfshirë në Enciklopedinë Botërore të Skenografisë.

 ***

Hysen Devolli u lind në Gjakovë, më 11 gusht 1924, në një familje patriotike me origjinë nga Kosova, por mësimet fillore i mori në Tiranë. U nda nga jeta më 29 mars 2013, në moshën 89-vjeçare. Për veprimtarinë tij të gjatë më shumë se 60-vjeçare Hysen Devollit i janë akorduar një serë titujsh, dekoratash e medaljesh.

Në moshë shumë të re, Devolli mori pjesë aktive në Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare.

Pas çlirimit të vendit, nisur nga talenti i spikatur për artet figurative, u dërgua për studime në Bukuresht, në Akademinë e Arteve të Bukura “Nikolae Grigoresku” të Rumanisë, ku diplomohet në degën e skenografisë në atelienë e skulptorit N.Ziegrid.  Në këtë institut kanë studiuar edhe Perikli Çuli, Spiro Kristo e Isuf Sulovari, si dhe më parë Lasgush Poradeci.


Instituti i Arteve Plastike “Nicolae Grigorescu”, Bukuresht

“Grupet e para të të diplomuarve nisën të ktheheshin aty nga gjysma e dytë e viteve ’50. Emra si Sali Shijaku, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Agim Zajmi, Llambi Blido, Rafael Dembo, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Vilson Kilica e Guri Madhi studiuan në Bashkimin Sovjetik, ndërsa Thoma Thomai, Hektor Dule, Ksenofon Dilo, Halim Beqiraj e Llazar Myzeqari në Pragë; Hysen Devolli, Perikli Çuli, Spiro Kristo e Isuf Sulovari në Bukuresht; Danish Jukniu e Shaban Hysa në Varshavë e Aristotel Papa në Zagreb”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000”.

***

Pas kthimit në atdhe, në vitin 1952, emërohet në detyra të ndryshme shtetërore, fillimisht drejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve dhe më pas drejton sektorin e skenografisë të Teatrit Popullor dhe të Teatrit të Operas dhe Baletit.

Logoja historike e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit mban firmën e Hysen Devollit.

Gjatë veprimtarisë së tij krijuese ka realizuar me profesionalizëm të lartë rreth 300 punime në skenografi.

Puna e tij si skenograf në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit është shumëvjeçare.

E fillon me shfaqjen e parë operistike “Rusalka”. Opera “Rusallka” u shfaq premierë në vitin 1953.  Skenografia mbante emrin e një mjeshtri të njohur Hysen Devolli.

Për të vazhduar më tej me skenografitë e veprave të tjera si: operat “Ivan Susanjin”; “Nusja e shitur”; “Jollanta”; “Borana”; “Përtej mjergullës”; operetën “Agimi”; “Dhëndri u transferua”, baletit “Cuca e maleve”, “Bijtë e peshkatarit”, etj.


Skenografia “Familja e Peshkatarit”

“Agimi” është opereta e parë në krijimtarinë shqiptare, e cila u kompozua me rastin e 10 vjetorit të çlirimit në vitin 1954 nga kompozitori Kristo Kono “Artist i popullit”. Realizuesit e saj ishin regjisori Pandi Stillu, piktori Hysen Devolli, dirigjenti Kostandin Trako dhe koreografi Panajot Kanaçi.

Opera “Nusja e shitur” erdhi premierë në skenë, më datë 19 maj 1956. Kjo ishte opera e tretë e vënë në skenën shqiptare. Vepra është e kompozitorit Bedrich Smetana, dirigjent Mustafa Krantja, regjisor Milada Jeraskova, piktor Hysen Devolli, mjeshtër kori Kostandin Trako, koreograf Bohumil Çegan.

Më 9 janar 1968, (me rastin e 500- vjetorit të vdekjes së heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 1468), u shfaq për herë të parë në skenën e Pallatit të Kulturës Durrës opera “Bijtë e Skënderbeut”. Skenografë ishin Hysen Devolli dhe Zef Ujkaj.


Skenografia “Skënderbeu”

“Goca e Kaçanikut” është opera e parë e kompozitorit kosovar Rauf Dhomi si dhe opera e parë shqiptare e Kosovës, e kompozuar më 1972, premiera e së cilës u shfaq nga trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit në korrik të vitit 1979. Skenograf ishte Hysen Devolli.

Hysen Devolli ishte skenografi edhe i operës “Berberi i Seviljes” (1979)

“Berberi i Seviljes”

Opera shqiptare “Borana” i takon vitit 1984. Kompozitor Avni Mula, libreti Gjergj Zheji. Regjisor Dhimitër Pecani, koreograf Pëllumb Agalliu, dirigjent Ermir Krantja, skenograf Hysen Devolli.

“Gratë gazmore të Uindsorit” shkruar nga Ulian Shekspiri, u vu në skenë më 6 Shkurt 1959. Regjisor: Kujtim Spahivogli. As/regjisor: Kadri Roshi. Skenograf: Hysen Devolli. Muzika: Çesk Zadeja

Njohës shumë i mirë i traditave etnografike dhe kostumografisë.

Këto skica kostumesh të vizatuara nga Hysen Devolli janë nga opereta “Dhëndërri u transferua”.

Kostum figuranteje në operën “Traviata”, konceptuar nga Hysen Devolli.

Kostume të tjera të konceptuara nga piktori Hysen Devolli.

***

“Piktori i merituar”, Hysen Devolli, duke folur në mbledhjen jubilare me rastin e 100-vjetorit të piktorit te madh kinez Ci Pai Shih. Ne mbledhje foli edhe “Skuptori i Popullit”, Odhise Paskali. Foto nga videoarkivi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit (1963)

***

Një krijimtari tejet të pasur realizoi Hysen Devolli edhe në pikturë.

Firmën e tij e mbajnë shumë vepra të fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Me këtë krijimtari ai është përfaqësuar denjësisht thuajse në të gjitha ekspozitat kombëtare, por edhe të vendeve të tjera, si në Bienalen e Egjiptit etj.


Piktori Sali Shijaku – Pikturuar nga Hysen Devolli

Si piktor, Devolli u dallua për trajtimin e kompozimeve të fuqishme, me tematikë historike, por dhe nga jeta e përditshme.


“Valle tiranase”, 1950


“Skëndebeu, diplomat”


“Dorëzimi i armëve”


“Heroi i Punës Socialiste”, Adem Reka (1967)


“Mësueset e para”, 1980


“Mbas një qitje të përpiktë”, 1974


Rritësja e shpendëve, 1977


Vojsava, 1982


Trimat e nënës, 1984

Pikturat e tij vazhdojnë të shfaqen nëpër ekspozita të ndryshme, si kjo që do të hapet më 23 korrik 2024.

I vlerësuar nga piktorët dhe studiuesit e artit.


Hysen Devolli dhe Llazar Taçi, në ekspozitën “Salloni i Vjeshtës” në Shkodër, 28 Nëntor 2010

***

Po kështu firmës së tij i përkasin edhe një gamë e gjerë bocetesh të emisioneve filatelike shqiptare, veçanërisht me portrete figurash të shquara, si dhe seti me kartëmonedhat shqiptare, të emetuara në vitin 1964.

Banka e Shtetit Shqiptar e ka nderuar luftën për çlirim kombëtar nga pushtuesit e huaj, me kartëmonedhën 50 Lekë të vitit 1964, të dizenjuar nga piktori Hysen Devolli.

Kartmonedha të emetuara në vitin 1964, piktor i të cilave është Hysen Devolli.

Devolli është marrë edhe me ilustrime librash.

_________________
Tiranë, më 21 korrik 2024

Bashkim Ahmeti Izano, piktori i një bote ëndrrash!

Bashkim Ahmeti Izano është një nga artistët elitarë shqiptarë. Kadare: Në pikturat e tij ndihet liria.

“Nëpër gjurmët e Tasos”

Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi ekspozitën e tij personale në COD.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.