Shadan Toptani, artisti që i solli aromën italiane skenografisë shqiptare!

Piktor, skenograf, arkitekt, sportist, enciklopedist, filatelist. Një nga intelektualët e shquar tiranas.


Nga Dash Frashëri

Shadan Toptani, një nga skenografët e parë historikë të Teatrit të Operas dhe Baletit! Artisti që i solli aromën italiane skenografisë shqiptare!

I biri i firmëtarit të Pavarësisë, patriotit Murat Toptani (apo Murad) dhe nip i poetit kombëtar, Naim Frashëri.

Arkitekt, piktor, skenograf, sportist, enciklopedist, filatelist. Një nga intelektualët e shquar tiranas.

Me një jetë në kontrast, përmes një dënimi absurd nga regjimi komunist dhe kryeveprave që vuri në skenë, përmes dekoreve të tij.

“Ashtu si Hysen Devolli, edhe Shadan Toptani është një  ndër skenografët më prodhimtarë në Teatrin e Operas dhe Baletit. Pika e tij e fortë ndërtimi i saktë arkitektonik i dekoreve dhe ciësia e tij më e mirë, bashkëpunimi”, shkruan studiuesi Luigj Gurakuqi, në librin e tij “45 vjet TOB”.

***

Shadan Toptani u lind, më 23 shtator 1903, në Konya, qytet në Rajonin e Anatolisë Qendrore në Turqi, pikërisht kur i ati i tij, Murad Toptani dhe familja e tij ishte dënuar me internim, ndërsa nëna, Asija, ishte vajza e Naim Frashërit.


Familja Murat & Asije Toptani.

Murat Toptani u kthye në atdhe vetëm në vitin 1908, kur Shadani ishte pesë vjeç.

Më 1912 Murat Toptani ishte përfaqësues i Tiranës në Kuvendin e Vlorës, ku firmosi Aktin e Pavarësisë.


Murat Toptani me kostumin e Shkodrës. Fotograf, Kel Marubi

Murat Toptani (1867-1918) konsiderohet si një nga skulptorët e parë shqiptarë. Punimi i tij më i njohur është një bust i Skënderbeut, i realizuar prej tij në vitin 1917 (në terrakotë). Sot, është pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Murat Toptani kishte realizuar më parë në Kalabri, një tjetër bust të Skënderbeut në vitin 1899, të realizuar në bronz.

Historiku, jeta dhe veprimtaria e 14 brezave të familjes Toptani vijnë përmes libër-albumit “Për Toptanasit që di – Midis Lindjes dhe Perëndimit”, nga pasardhësi i tyre Ajten Topani.

***

Në vitin 1914, kur në Shqipëri ishte Princ Vidi, Shadani së bashku me vëllezërit e tij, me kushurinjtë e kushurirat dërgohen në Austri për të filluar e mbaruar në shkollat fillore austriake, ku qëndroi gjashtë vjet.


Familja Toptani në Vjenë, viti 1913, kur Shadani ishte 10 vjeç.

Shkollën e mesme, në vitet 1921-1925, e kreu në Kalabri në kolegjin “San Demetrio Corone”, i cili ishte një seksion italo-shqiptar, të themeluar në vitin 1903, të njohur si “Istituto Internazionale con apertura all’Albania”.

Shadani e trashëgoi pasionin e madh për artet nga i ati i tij. Në vitin 1925 ai fitoi të drejtën të ndjekë studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura në Brera të Milanos për arkitekturë dhe më pas kreu dy vjet specializim pranë kësaj Akademie për skenografi, e cila ishte dhe pasioni i tij i madh.

Akademia e Arteve të Bukura në Brera të Milanos, u themelua në vitin 1776 nga Perandoresha e Austro-Hungarisë, Maria Tereza.

Shadani e përfundoi akademinë me rezultate të shkëlqyera, në vitin 1931. (Akademinë Brera e ka ndjekur edhe piktori i madh Ibbrahim Kodra, 1943)

Në 1935 kthehet sërish në Shqipëri për të punuar si dizenjator në AIPA (Azienda Italiana Petroli Albania) në Kuçovë. Më pas mbuloi detyrën e dizenjatorit të Ministrise së Turizmit deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.

Toptani provoi dhe diskriminimin e regjimit komunist. Ishte korriku i vitit 1947 kur ai u arrestua nga ky regjim dhe u dënua për pesë vjet si një intelektual me origjinë bejlerësh, dënim prej të cilit ai vuajti vetëm 18 muaj. Emri i tij ndodhet në databazën e portalit Kujto.al, një Arkivë Online e Viktimave të Komunizmit.

Pas daljes nga burgu punoi në Drejtorinë e Postave dhe realizoi 15 edicione pullash postare me 31 vizatime me të cilat, mori pjesë në ekspozita filatelie jashtë shtetit. Në vitin 1968, ai realizoi ciklin e famshëm prej tetë pullash me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Skëndeebeut.

Më pas, Shadani punoi si skenograf i Teatrit Kombëtar duke u dalluar për talentin e tij në këtë fushë, por veçanërisht ai u dallua për skenografitë e tij në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit (TKOB). Një numër i madh veprash janë krijuar nga dora e tij, vepra të cilat nuk janë firmosur. Anonimati i qëllimshëm bënte që emri i Shadan Toptanit të zhdukej në harresë për shkak të biografisë. Megjithatë skenat e teatrove, dhe pjesëve në opera, i dhanë atij kënaqësinë e të qenurit artist në çdo buzëqeshje dhe duartrokitje spektatori.

Ish-drejtori i Operës dhe Baletit, Zhani Ciko, e rendit Toptanin në grupin e atyre artistëve që kanë bërë historinë e këtij institutcioni.

“Për të është folur shumë pak, edhe pse i përket brezit të parë të artistëve që ishin të gatshëm të qëndronin dhe të punonin në Shqipëri, pas Luftës II-të Botërore”.


Në rreth, Najada Toptani Petrela, vajza e Shadan Toptanit, në Nju Jork, për sjelljen e eshtrave të Mit’hat Frashërit

“I pëlqente natyra, dhe bisedat me humor. I donte miqtë dhe ishte gjithnjë bujar dhe i përkushtuar, dhe në familje sillte gjithnjë me vete një buzëqeshje dhe dashuri. Pas humbjes të së shoqes u bë gjithnjë e më i mbyllur e më i heshtur”, rrefen vajza Najada, gjatë një interviste për ish-revistën e arteve pamore, “Muza”, të drejtuar nga Keidi Sejdiu.

“Nuk mundem të veçoj asnjë nga momentet që kam kaluar me Shadanin. Të gjitha janë të mrekullueshme, por unë nuk do të harroj kurrë ato që kam mësuar prej tij”, – thotë një nga skenografët e parë të Teatrit të Operës dhe Baletit, Hysen Devolli, ditën e 100-vjetorit (2003) të lindjes së skenografit, arkitektit, piktorit dhe filatelistit Shadan Toptani.

 

***

Historia e TKOB fillon në vitin 1950-të, vit në të cilin u krijua Filarmonia shqiptare, ku bënin pjesë kori i shtetit, orkestra simfonike, këngëtarët lirikë, trupa e baletit, dirigjentët, regjisori dhe një grupë i vogël administrativo-teknik. Filarmonia e zhvilloi aktivitetin e saj në godinën ku sot ndodhet Teatri Kombëtar dhe më vonë në vitin 1953 u transferua në godinën ku sot është Universiteti i Arteve. Në këtë godinë u realizuan shfaqjet e para të operas dhe baletit.

Në datën 27 nëntor 1953 u realizua opera e parë e skenës tonë, “Rusalka” e kompozitorit rus A.S.Dargomizhsky, me skenografi të Hysen Devollit. Kjo datë hyri në historinë e TKOB si dita e themelimit të këtij teatri edhe pse në atë kohë ishte ende pjesë e Filarmonisë së Shtetit.

Shfaqja e parë e baletit të trupës së TKOB, “Kujdesi i kotë” e Hertel u realizua në vitin 1957. Pikërisht, kjo vepër parti si skenograf Shadan Toptanin.

Kjo foto është shkëputur nga baleti “Kujdesi i kotë” premierë e vitit 1957, me koreografi të Agron Alisë, Petrit Vorpsit, Xhemil Simixhiut dhe skenografi të Shadan Toptanit. Në foto balerinët: Petrit Vorpsi, Gëzim Kaceli, Flora Kodra, Albert Janku, Myzejen Kryekurti, Estref Shaqiri, Sekine Sharofi, Hysen Këllezi, Vera Mesiti, Zoica Haxho.

Toptani bashkëpunon me regjisorët për dekoret e operave “Kavaleria Rustikana”, “Berberi i Seviljes”, “Don Paskuale”, “Pranvera”, “Palaçot”, “Peshkatarët e perlave”, “Borëbardha”, si dhe dekoret e baleteve “Romeo dhe Zhuljeta”, “Zhurale”, “Fadeta” dhe “Laurencia”.

***

Baleti me tre akte “Zhurale” u vendos në skenë në 1 shkurt 1959, me muzikë të kompozitorit Farid Jarulin, dirigjent mjeshtri Rifat Teqja dhe skenogafi nga Shadan Toptani. Interpretuesit kryesorë të tij ishin pionierët e parë të baletit shqiptar: Flora Kodra, Sekine Sharofi ,Vera Mesiti, Petrit Vorpsi, Estref Shaqiri, Xhemil Simixhi, Ramazan Bogdani.


Foto e publikuar nga Milena Selimi, vajza e baletmaestrit Skënder Selimi

Opera “Don Pasquale” për herë të parë u vu në skenë në 11 korrik të vitit 1959, me regji të M.G Gevorkian, dirigjent Simon Gjoni dhe piktor Shadan Toptani.

Interpretuesit në rolet kryesorë ishin solistët e njohur: Haxhi Tafaj, Hysen Pelinku, Avni Mula, Kristaq Antoniu, Mihal Ciko, Maliq Herri, Zini Berati, Andromaqi Haderi, Hamide Stringa, Luiza Papa, Shaban Kapllani, Lefter Besho.

Opera “Pranvera” është opera e dytë shqiptare premiera e së cilës u shfaq më 12 qershor 1960. Për herë të parë i prezantohet publikut të kohës emra të rinj regjisorësh si Jorgjia Bitri dhe Mihal Luarasi.
Kompozitor: Tish Daija; Libreti: Llazar Siliqi; Regjisor: Jorgjia Bitri & Mihallaq Luarasi; Piktor: Shadan Toptani. Dirigjent: Simon Gjoni.

Baleti “Fadeta” premiera e të cilës u mbajt më 6 mars 1960, Muzika: Leo Delibes. Libreti: L. Llavronskij – V.Sollovi. Dirigjent: Rifat Teqja. Baletmaestër: Skënder Selimi. Skenograf: Shadan Toptani.

>

Baleti “Laurencia” premiera e të cilit u realizua më 13 shtator 1961, balet me 3 akte, 4 tabllo, u vu në skenë mjeshtri i kercimit, Skënder Selimi, ndërsa piktor ishte Shadan Toptani.

Opera “Pagliacci” e kompozitorit Ruggero Leoncavallo. Kjo opera u shfaq për herë të parë në skenën shqiptare më 20 qershor të vitit 1962. Realizuesit e saj ishin Jorgjia Bitri regjisore, Simon Gjoni dirigjent dhe Shadan Toptani piktor. Ndër interpretuesit e saj përmendim emrat e solistëve të parë lirikë si: Kristaq Paspali, Gjoni Athanas, Avni Mula, Nina Mula, Ramiz Kovaçi, Gaqo Zdruli, Zihni Berati, Gjenovefa Heba, Hysen Kurti etj.

Foto nga dekoret e krijuara nga Shadan Toptani.

***

Para se të fillonte punë në Teatrin e Operës dhe Baletit, Toptani bëri zbukurimin e faqeve të sallave, bazorelieveve dhe dekoracioneve të ndryshme të Kinostudios “Shqipëria e Re”, së bashku me vëllain e vogël, skulptorin Enver Toptani. Kinostudio “Shqipëria e Re”, në Tiranë, u themelua në vitin 1952 Gjithashtu, Shadani punoi edhe disa nga dekoret e filmit “Skënderbeu”.


Shadan Toptani ishte një piktor i mirë, veçanërisht preferonte peizazhet.


Dy peizazhe nga Berati

Shumë pak njerëz e dinë që Basoreliev në stadiumin “Qemal Stafa” është krijuar nga Shadani dhe vëllai i tij i vogël Enver Toptani. Këto janë dy vepra të stilit të thjeshtë klasik, por mjaft ekspresive.

Dekorimet në ndërtesat e tjera muzeale tregojnë përpjekjet dhe kreativitetin e tyre.

Në krijimtarinë e Shadan Toptanit dallohet dhe puna në arkitekturë ku ai punoi për realizimin e disa projekteve në ndërtimin e shtëpive të kulturës në qytete të ndryshme të vendit si në Përmet, Pogradec, Shkodër, Peshkopi, Tiranë, Bajram Curri.

“Në katin e dytë të këtij pallati te Rruga e Durresit, kanë banuar vëllezërizShadan Toptani dhe Enver Toptani, piktor dhe skulptor, te cilet kane realizuar dekoret e Kinostudios “Shqiperia e re” dhe që kane marre pjese ne te gjitha improvizimit, etj, që duheshin per luajtjen e filmit “Skenderbeu””, shkruan Frederik Stamati.

Gazetari i njohur sportiv Besnik Dizdari, përmend faktin e kampionëve të parë atletikës, të cilët janë themelues të kampionatit të parë kombëtar për një sport në Shqipëri: që është ky kampionat kombëtar i atletikës së lehtë i vitit 1929 dhe midis tyre është dhe Shadan Toptani.

“Llazar Miha, Ragip Lohja, Sabit Çoku, prof. Peter Andoni, Mehmet Gjakova, Vasil Alarupi, Simon Todoshi, Jorgji Koja, prof. Taho Shkreli, Qamil Abazi, Irfan Gjinali, Ferid Beshiri, Vladimir Shuteriqi, Hysen Kusi, prof. Behxhet Jolldashi, Qazim Dervishi, dr. Bahri Kopliku, Ahmet Taibi, Zeqir Sulejmani, dr.Isuf Dashi, Andrea Çani, Shaban Ahmeti, dr. Naim Vreto, Qazim Keçiçi, prof. Xhevdet Skilja, dr. Ndoc Gera, Qamil Abazi, Mehmet Gjakova, Aleko Turtulli, Ahmet Duhanxhiu, Koço Kaftani, Azbi Tepelena, Fetah Fara, Aleko Turtulli, Rexhep Shpendi, Andon Terova, Petraq Leka, Ndoc Paci, Muharrem Toptani, Shuk Radoja, Kapllan Dervishi, av.Sandër Kraja, Shadan Toptani, prof. Elez Mahja, Isa Meta, Kristo Isak, prof. Alush Lleshanaku, Muharrem Musa..:” shkruan Dizdari në një speciale të botuar në “Panorama Sport” (26 maj 2020)

Shadan Toptani u nda nga jeta, në vitin 1979, në Tiranë, në moshën 77-vjecare.

Vite më vonë në atë që duhet të ishte ditëlindja e 100-të e Shadanit, në vitin 2003, e bija, Najada, organizon një takim përkujtimor në nder të artistit, në mjediset e TKOB. Drejtori Zhani Ciko i dhuroi në shenjë mirënjohjeje vajzës së skenografit një diplomë në 50- vjetorin e krijimit të Teatrit Kombëtar të Operas, me motivacionin për kontributin e dhënë që nga krijimi, si skenograf.

Shadan Toptani mbetet përjetësisht një nga skenografët e parë historikë të Teatrit të Operas dhe Baletit!

______________________
Tiranë, 22 korrik 2024

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.