Abdulla Cangonji, piktori i formuar në tri akademi: Firence, Zagreb dhe Sofje!

Cangonji ishte i ndikuar nga arti i Rilindjes Italiane dhe impresionizmi. U largua si pedagog për arsye politike


Nga Ylli Drishti, studiues arti

Abdulla Cangonji Emini (Korçë 15.10.1920 – Tiranë 17.02.1987) i përket grupit të artistëve që trajtuan tablonë kompozicionale sipas metodës së realizmit realizmit socialist në artin shqiptar.

Gjatë krijimtarisë së gjatë si piktor (50 vjet krijimtari) Cangonji realizoi vepra në të gjitha gjinitë dhe teknikat e pikturës: kompozime, portrete, peisazhe, natyra të qeta,(në vaj, akuarel) dhe në grafikë. Numurohen me qindra vepra gjatë jetës së tij të pasur artistike.

Talenti i tij spikat veçanërisht në gjininë e portretit të cilin e ka zhvilluar që kur ishte i ri.

Cangonji ishte i ndikuar nga arti i Rilindjes Italiane dhe impresionizmi. Në kompozimet e tij artisti trajtoi temën historike, të luftës antifashiste dhe të ndërtimit të socializmit. Artisti Cangonji u formua si artist në tri akademi arti.

Pas mbarimit të shkollës fillore në Korçë 1927- 1932 , ai hyri në shkollën teknike të Tiranës (1932-1939) në degën e vizatimit.

Nga viti 1940-1943, artisti studion në Akademinë e Arteve në Firence, Itali e më tej ai vazhdoi studimet në Akademinë e Arteve në Zagreb, Kroaci(1946-1948).

Në vitin 1948, kur ndodhi dhe prishja e marrëdhënieve politike me Jugosllavinë, ai kthehet pa e përfunduar vitin e fundit akademik. Ndërkohë në vitin 1949 ai mbron diplomën në Akademinë e Sofjes (Bullgari).

Pas studimeve emërohet pedagog i pikturës në Liceun Artistik “Jordan Misja“, Tiranë (1949-1967). Në vitin 1967 Largohet nga kjo detyrë si i pa dëshiruar për motive politike dhe ishte mësues vizatimi në një nga shkollat 7 vjeçare, në Tiranë.

Artisti Abdulla Cangonji ishte një piktor realist i lidhur me natyrën dhe me artin e tij. Krijimtaria e tij është pjesë e historisë e artit shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX.

Abdulla Cangonji ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare të organizuara pas luftës në Shqipëri.

Ai ishte autor i disa prej kompozimeve të para në artin e realizmit socialist në periudhën e viteve 1950-1965.

Ndër këto tablo kompozicionale mund të përmëndim: “Demostrata” (1950), “Shtypi ilegal” (1952),”Edhe unë dua të hyja në kooperativë” (1956), “Çerçiz Topulli me çetën e tij” (1967), “Në grykën e Shkopetit” (1959),”Mustafa Matohiti” (1962), “Enver Hoxha në mes të partizanëve” (1963), “Peshkatarët” (1965, GKA). Në Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë ruhen njëzetepesë vepra të autorit të viteve 1949-1975.

 

Ekspozita dhe vepra të artistit Abdulla Cangonji në vite

1950 Ekspozita e Arteve Figurative. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Autoportret, Natyrë e qetë, Punime në Kombinatin “Stalin”, Vizatim, Minatori, Çajupi, Demostrata -Tiranë dhe Demostrata.
1952 Ekspozita e Arteve Figurative. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Shtypi ilegal, Portret fëmije.
1956 Ekspozita e Arteve Figurative. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Shtypi illegal, Portret fëmije, Peizazh me plepa, Edhe unë dua të hyj në Kooperativë.
1957 Ekspozita e Arteve Figurative. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Ditë pazari në Krujë.Rrugë në Pazar dhe Çerçiz Topulli me çetën e tij.

1959 Ekspozita e Arteve Figurative. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Në grykën e Shkopetit, Natyrë e qetë, Delegati, Peizazh, Në krye të detyrës, Veteranja e luftës, Kthehen nga qyteti, Ullishtat dhe Partizani i vjetër.
1962 Ekspozita e Arteve Figurative me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Mustafa Matohiti (bocet, vaj)
Korrik 1963 Ekspozita e Arteve Figurative kushtuar 20 vjetorit të Ushtrisë Popullore Veprat e paraqitura në ekspozitë: Enver Hoxha në mes të partizanëve dhe Leximi I komunikatës (me bashkautor Guri Madhin)
Shkurt 1965 Ekspozita e Arteve Figurative. Veprat e paraqitura në ekspozitë:Peshkatarët, Peshkatarët lexojnë gazetën.

Shkurt 1971 Ekspozita e Arteve Figurative “Portreti I klasës punëtore në AF”. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Tezgjahistja e re, Tornitorja.
1972 Ekspozita e Arteve Figurative “Klasa punëtore në AF”. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Peshkatarët.
1973 Ekspozita e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të Ushtrisë Popullore. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Netët e çlirimit dhe Elektrifikimi.
1974 Ekspozita e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të Çlirimit. Veprat e paraqitura në ekspozitë:Brigada e Fierzës.
1975 Ekspozita e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të Flotës Ushtarake Detare. Veprat e paraqitura në ekspozitë: Në stërvitje

***

Punët e tej vazhdojnë të ekspozohen në ekspozita të ndryshme të arteve pamore.

Bashkim Ahmeti Izano, piktori i një bote ëndrrash!

Bashkim Ahmeti Izano është një nga artistët elitarë shqiptarë. Kadare: Në pikturat e tij ndihet liria.

“Nëpër gjurmët e Tasos”

Piktori i famshëm pogradecar, Anastas Kostandini (Taso) hapi ekspozitën e tij personale në COD.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.