Rafael Dembo, piktori i dritës!
“Piktori i Merituar”, Rafael Dembo është një nga peizazhistët e rëndësishëm realistë shqiptarë
Nga Ylli Drishti, studiues arti
Rafael Dembo, (Korçë 14.02.1926 – 14.06.1996) i përket grupit të piktorëve shqiptarë që u formuan artistikisht në Akademitë e vendeve lindore të ish-kampit socialist.
Ishte pjesë e piktorëve të realizmit socialist shqiptar duke realizuar tablo kompozicionale, portrete dhe peizazhe.
Dembo kreu studimet e mesme për pikturë në Liceun Artistik “Jordan Misja “ – Tiranë dhe studimet e larta për pikturë në Institutin e Lartë të Arteve “V.I.Rjepin” në Shën Petërburg (1950–1957), në Ish BRSS. Në Institutin “V.I.Rjepin”, piktori Dembo ishte në të njëjtën atelie me piktorin Guri Madhi.
Gjatë një praktike mësimore piktori Dembo pasoi një aksident dhe për dy vjet u shtrua në spital.
Njëra këmbë ju dëmtua dhe mjekët u detyruan tja shkurtojnë duke e paisur me një këpucë ortopedike. Diploma e tij paraqiste një tablo me temë nga betejat e Skënderbeut kundër turqve.
Pas kthimit nga Rusia, artisti kthehet në vendlindje dhe ishte ndër pedagogët e parë të pikturës në shkollën e mesme artistike në Korçë.
Gjatë krijimtarisë së tij të gjatë piktori Dembo ka realizuar mjaft tablo kompozime, me temë nga puna, aksionet e rinisë,ushtria dhe ndërtimet. Gjithashtu ai ka realizuar peizazhe dhe natyra te qeta.
Peizazhet ai i realizoi veçanërisht nga zona e Korçës dhe ishte një vazhdues i traditës së pikturës në plain–air të krijuar, në Shqipëri, nga piktori Vangjush Mio.
Rafael Dembo realizonte peizazhe realiste nga rrugicat e qytetit, nga rrethinat e Korçës dhe veçanërisht pikturonte peizazhin e fshatit në stinën e vjeshtës dhe dimrit. Elementi kryesor i tablove të Dembos është drita e përgjithëshme që përshkon tablotë e tij.
Ai mund të konsiderohet një nga peizazhistët e rëndësishëm realistë shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX.
Në GKA, Tiranë, ruhen tetë vepra të piktorit, kryesisht peizazhe nga të cilat vetëm dy kompozime: “Shkojmë në punë” dhe “Ndërtuesit”(1969).
Ndër peizazhet mund të kujtojmë “Fusha e Korçës”, (1965), “Dimër” (1985),“Ne fushë” (1985),“Rrugë në Voskopojë” (1985). Vepra te tjera te piktorit ruhen ne GA – Korçë dhe në koleksione private.
Jeta e tij ka qëne me mjaft veshtirësi. Në fund të jetës ai kishte të ardhura të pakta financiare dhe jetoi pothuajse në mjerim të plotë.
Koleksioni i familjes Dembo, ruan vizatimet dhe detyrat shkollore të periudhës studentore në Rusi, peizazhet e viteve 1960 – 1980, natyrat e qeta me fruta të viteve të fundit të krijimtarisë (1990-1996) që evidentojnë një paletë piktorike realiste mjaft interesante.
Piktori Rafael Dembo mund të konsiderohet pas Vangjush Mios, piktori peizazhist më i rëndësishëm shqiptar i viteve 1960-1980.
Biografia
14 Shkurt 1926 lindi në Korçë piktori Rafael Dembo .
Dembo ka kaluar një fëmijëri të vështirë, duke punuar që fëmijë në qytetin e lindjes – Korçë. Fillimisht ishte i punësuar pranë një avokati (1936 -1939) e më tej realizonte reklamat me portretet e aktorëve më të njohur të filmave të kohës (Roman Novara, Rudolf Valentino, Greta Garbo, Çarli Çaplin etj) për dy kinematë e qytetit (“Luksi” dhe “Majestiku”). Punoi pranë piktorit Andrea Kushi i cili i mësoi vizatimin dhe pikturën me ngjyra vaji.
Më 1940 mori pjesë në një konkurs në Tiranë, ku vepra e tij u vlerësua me çmim special.
1943-1944 Ishte pjesmarrës aktiv në lëvizjen antifashiste nac.-çl. dhe shumë shpejt doli partizan. Dembo ishte dhe skenografi i sallës së Kongresit të parë të Bashkimit Rinor Antifashist Shqiptar (8 gusht 1944 në Helmës të Skraparit).
1946 Piktor në Shtëpinë e Kulturës së qytetit të Korçës.
1946-1950 Kreu Liceun Artistik “Jordan Misja”, Tiranë
1950-1957 Kreu studimet në Institutin e Arteve “V.I. Rjepin”, Shën Petërsburg (ish BRSS). Diploma e tij titullohej “Lufta e Skënderbeut kundër turqve”.
1957 – 1986 Mësues vizatimi në disa shkolla të qytetit të Korçës dhe e hapjen e shkollës së mesme artistike “Tefta Tashko Koço” ishte ndër pedagogët e pare të saj.
1986 – 1996 Piktor i lirë
Ekspozita kolektive të autorit.
1959. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative “15 vjet çlirim”
1960. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar portretit.
1961. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 20 vjetorit të themelimit të PPSH.
1962. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 50 vjetorit të Pavarësisë.
1964. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 20 vjetorit të çlirimit.
1965. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative nga jeta e Klasës punëtore.
1966. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 25 vjetorit të themelimit të PPSH.
1969. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar “25 vjet Shqipëri Socialiste”
1973. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore.
1974. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 30 vjetorit të çlirimit
1975. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative e Fotografisë Artistike, kushtuar 30 vjetorit të krijimit të armës së kufirit dhe të Policisë Popullore.
1977. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative e bujqësisë
1978. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative 35 vjetorit të krijimit të Ushtrisë Popullore.
– Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 100 vjetorit të krijimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.
1979. – Ekspozita Kombëtare e Arteve Figurative kushtuar 35 vjetorit të çlirimit
2012 Konkursi Ndërkombëtar i Arteve Pamore “Onufri”
Vlerësime
Piktori Rafael Dembo është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” Klasi i III
1992 Merr titullin “Piktor i Merituar”