Oltsen Gripshi: Ekspozita e Galerisë Kombëtare, ndërthurrje brezash dhe tradite artistike
Piktori: Kuratorja Suzana Varcarica ka zgjedhur me kujdes veprat më kuptimplota të fondit të periudhës moderne
Ekspozita “Psikologjia shqiptare në artet pamore: reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në shekullin XX” prezanton për publikun vepra të zgjedhura nga koleksioni i Galerisë Kombëtare të Arteve. E veçanta e kësaj ekspozite është se janë ekspozuar punë të artistëve më të rëndësishëm në vend. Përkrah veprave të autorëve të njohur shqiptarë në këtë ekspozitë janë ekspozuar edhe vepra të artistëve të rinj, të një brezi pas viteve ’90-të. Në intervistën për gazetën “SOT” piktori Oltsen Gripshi thotë se një ndërthurje e tillë ka bërë bashkë dy qasje, dy botëkuptime, dy estetika dhe dy antropologji kulturore në kapërcyell para dhe pas ‘90, duke e njohur publikun e sotëm me zhvillimin e artit pamor përgjatë këtyre dy periudhave të mëdha për historinë e artit shqiptar.
Gripshi thotë se kuratorja ka zgjedhur me kujdes veprat më kuptimplota të fondit të periudhës moderne, ka ndërthurur breza artistësh dhe ka arritur t’i bashkëvendosi në linjën ekspozuese. Piktorin Oltsen Gripshi me punët e tij e kemi parë në ekspozita kombëtare dhe ndërkombëtare, por këtë herë është pjesë e ekspozitës në galerinë FAB me veprën “Ankthi i përgjakur”. Vepra është e realizuar me teknikë të përzier mbi kanavacë dhe është pjesë e fondit të GKA-së. Vepra rrëfen luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi ‘98-’99, ku imazhi shpërfaq dhimbje e skajshme në sytë e një fëmije të zgjuar befas nga makthi i një ëndrre. Vepra është e konceptuar njëngjyrëshe bardhë e zi në simbolikë të zymtësisë së asaj periudhe.
-Vepra të koleksionit të Galerisë Kombëtare të Arteve janë ekspozuar në galerinë FAB. Ju jeni shprehur se është një ekspozitë e rëndësishme që vjen këtë sezon vere për publikun. Ku qëndron e veçanta e veprave, që janë ekspozuar?
Ekspozita nën titullin “Psikologjia shqiptare në artet pamore: reflektim mbi pasqyrimin vibrues të artit shqiptar në shekullin XX” me vepra të zgjedhura nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, kuruar nga Suzana Varvarica është hapur së fundmi në Galerinë e Fakultetit të Arteve të Bukura (FAB) në Tiranë. Një ekspozitë tepër e rëndësishme, e cila pason disa ekspozita të tjera po me vepra nga Galeria Kombëtare e Arteve të hapura në galeritë e arteve të qyteteve si Berati, Pogradeci, Saranda dhe Tirana.
E veçanta e kësaj ekspozite të përuruar më 23 korrik në galerinë FAB qëndron, pasi pjesë e saj janë emrat më të rëndësishëm dhe të denjë të artit pamor shqiptar e jo vetëm, sepse kuratorja Varvarica ka zgjedhur me shumë kujdes veprat më kuptimplota të fondit të periudhës moderne, ka ndërthurur breza artistësh dhe po me shumë kujdes ka arritur t’i bashkëvendosi në linjën ekspozuese. Me këtë ekspozitë dhe me të tjerat hapur përgjatë dy viteve të fundit GKA-ja ka demonstruar largpamësinë e saj që pavarësisht gjendjes aktuale të saj në rikonstruksion nuk ka dashur në asnjë moment të qëndrojë larg publikut.
-Si piktor jeni pjesë e ekspozitës me një punë që është realizuar disa vite më parë. Bëhet fjalë për veprën “Ankthi i përgjakur”, që është bërë pjesë e fondit të GKA-së. Si u bë kjo vepër që rrëfen luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi ’98-‘99 pjesë e koleksionit të GKA-së?
Vepra ime me titull “Ankthi i përgjakur”, e realizuar me teknikë të përzier mbi kanavacë është pjesë e fondit të Galerisë Kombëtare të Arteve fill pas mbylljes së ekspozitës time vetjake “Antropo-fenomenologji” në vitin 2016 hapur në Galerinë Kombëtare të Arteve. Vepra rrëfen luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi ‘98-‘99. Imazhi shpërfaq dhimbje e skajshme në sytë e një fëmije të zgjuar befas nga makthi i një ëndrre. Makthi i një genocidi karshi pjesës veriore të kombit shqiptar, atje ku po shkruhej fati i një populli të shtypur e përdhosur prej dekadash.
Vepra është e konceptuar njëngjyrëshe bardhezi në simbolikë të zymtësisë së asaj periudhe, ku diagonalisht përshkohet nga një tel me gjemba mbi kokën e fëmijës që qan i tronditur nga makthi i ëndrrës. Ato që kllapisin vëmendjen e vëzhguesit të veprës mbi turbullirën që ka kapluar fëmijën janë njollat e gjakut të përhapura mbi sipërfaqen e kanavacës, si gjurmë e dëshmi e asaj drame biblike që populli i Kosovës përjetoj në ato vite.
-Ju thoni janë zgjedhur me kujdes veprat më kuptimplota të fondit të periudhës moderne, ka ndërthurur breza artistësh. Kur flasim për këtë periudhë, çfarë mund të na thoni mbi prurjet, ajo që gjejmë te kjo periudhë?
Në fillimin e viteve ’70-të arti pamor shqiptar nisi të “frymonte” ndryshe nga ajo çfarë kishte qenë rrugëtimi i tij nga ‘45 e tutje. Artistët filluan të lëvronin një gjuhë të disi ndryshe, duke ardhur më pranë gjuhës artistike të kohës përtej Shqipërisë. Një gjuhë-qasje estetike, e cila kapërcente skematizmin dhe përqendrimin hiperbolik që ideologjia komuniste u diktonte piktorëve dhe skulptorëve për krijimin e veprave të tyre, është periudha kur më 29 prill 1975 burgoset në Spaç piktori tashmë simbol i pikturës moderne shqiptare Edison Gjergo, me veprën “Epika e yjeve të mëngjesit”, e cila është pjesë e ekspozitës së sapo hapur nga GKA-ja në galerinë FAB.
Periudha “moderne” e artit pamor shqiptar pati një jetëgjatësi të shkurtër, pasi me Pleniumin e IV-t të mbajtur nga 26-28 qershori i vitit 1973 kësaj lëvizje të brishtë për të zhvilluar e çuar në një stad të ri artin pamor shqiptar iu kundërvu qëndrimi që pati Sekretari i Parë i KQ të PPSH shoku Enver Hoxha, i cili u shpreh: “Të thellojmë luftën ideologjike kundër shfaqjeve të huaja dhe qëndrimeve liberale ndaj tyre”. Ky qëndrim do të sprapte qasjen e re të një grupi artistësh largpamës, të cilët i kushtuan përparësi ndjenjës dhe shpirtit krijues sesa skematizmave të ngurtë dhe klishe me kompozime të stereotipizuara të artit të Realizmit Socialist. Për regjimin komunist të kohës artistët si Edison Gjergo, Ali Oseku, Maks Velo, Musa Qarri dhe shumë të tjerë pjesë të ekspozitës në FAB konsideroheshin ARMIQ siç shkruhet shprehimisht në raportin e Pleniumit të IV-t: “Në letërsi e në arte elementët armiq, nën maskën e luftës kundër konservatorizmit, kishin bërë përpjekje për t’i hapur rrugën liberalizmit, për të larguar letërsinë dhe artet tona nga rruga e realizmit socialist.”.
Në këtë këndvështrim regjimi komunist kërkoi të godiste grupin e parë të artistëve modern shqiptar, duke i evidentuar e quajtur ata si revizionistë të cilët devijuan nga parimet e udhëheqjes së Partisë në letërsi dhe arte. Ja përse kjo ekspozitë është shumë kuptimplotë, sepse ka ekspozuar vepra të pa ekspozuara të piktorëve të sipërpërmendur dhe për më tepër përkrah tyre ka ekspozuar vepra të artistëve të rinj, të një brezi pas viteve ‘90. Një ndërthurje e tillë ka bërë bashkë dy qasje, dy botëkuptime, dy estetika dhe dy antropologji kulturore në kapërcyell para dhe pas ‘90, duke e njohur publikun e sotëm me zhvillimin e artit pamor përgjatë këtyre dy periudhave të mëdha për historinë e artit shqiptar.
-Si krijues në artin pamor, ku do të jetë prezantimi i radhës me veprat tuaja?
Për mua këtë vit është shumë e rëndësishme organizimi i Edicionit të Parë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Durrësit, që do të mbahet nga data 5 tetor deri më 24 nëntor 2024, ku si themelues i saj dhe njëkohësisht kurator i këtij edicioni të parë jam tërësisht i angazhuar për të sjellë në skenën e artit bashkëkohor shqiptar një hov dhe një hapësirë të re si kurrë më parë.
Si artist jam i ftuar të ekspozoj në edicionin e dhjetë të Bienales Ndërkombëtare të Artit Bashkëkohor të Uzbekistanit, e cila përkon me të njëjtën periudhë me atë të Durrësit, gjithashtu shumë shpejt do të dal për të gjithë profesionistët në lëmin e artit pamor dhe filozofisë së artit botimi im i ri kushtuar një prej artistëve më në zë shqiptar. Ndaj muajt në vijim do të jenë të ngjeshur me aktivitet kulturore, por edhe me kënaqësi të përftuara prej tyre.
Intervistoi: Julia Vrapi