Thoma Thomai Dhamo, “dalta e artë”
Edhe pse sot është 88 vjeç, dalta e tij vazhdon të dëgjohet në studio, duke “shkruar muzikën” hyjnore të artit!
Nga Dash Frashëri
Thoma Thomai Dhamo! Skulptori mbarëkombëtar.
Një nga emrat që kanë bërë historinë e skulpturës monumentale shqiptare. Me punime të mrekullueshme! Për të cilat ai ndihet krenar!
Skulptori Dhamo bën pjesë në grupin e artistëve që e çuan më tej krijimtarinë akademike të lënë nga brezi i parë i skulptorëve të shquar si, Paskali dhe Paço.
Edhe pse sot Thomai është 88 vjeç, dalta e tij vazhdon të dëgjohet ëmbëlsisht në studio.
Me tingujt e saj që “shkruajnë muzikën” hyjnore të artit!
***
Thoma Thomai Dhamo u lind në Barmash të Kolonjës, më 1 shkurt të vitit 1936, aty ku bëri edhe disa vite të shkollës fillore.
Në vitet 1950-’55, ndoqi mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja”, kursi i skulpturës në që atë kohë drejtohej nga Odise Paskali dhe më pas nga Janaq Paço.
Pedagogët Odhise Paskali dhe Janaq Paço
Mësuesit e tij në lice ishin edhe Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi, Abdurrahim Buza.
“Për mua edhe sot mësimet e tyre janë të paharrueshme, me këshillat e tyre dhe atmosfera që na krijonin. Sepse ishte mosha kur thurreshin ëndrrat. Dihet kush ishin Paskali dhe Paço”, tregon Thomai gjatë intervistës me regjisorin Piro Milkani, për dokumentarin “Ftesë në atelie”
“Gjatë viteve 1950-1954 kam ndjekur mësimet në Liceun Artistik “Jordan Misja “në Tiranë. Në vitin e parë ne kishim lëndën e plastikës dhe vizatimit ku merrte pjesë e gjithë klasa, ndërsa në vitin e dytë u ndamë në dy grupe: piktura dhe skulptura. Me veprat e Odhise Paskalit isha njohur në Korçë, ndërsa në ato vite kur fillova mësimet në Lice, Janaq Paço kishte fituar konkursin për realizimin e Monumentit të Skënderbeut. Paço si pedagog kishte një cilësi të veçantë pasi krijonte situatë në klasë. Në grupin e skulpturës isha sëbashku me Llukan Bushin, Sami Turkun dhe Muharrem Fejzon. Odhise Paskali deri në vitin e dytë na jepte lëndën e plastikës dhe historisë së artit. Ishin pedagogë shumë të komunikueshëm dhe shpesh herë na merrnin edhe në studiot e tyre, I mbaj mënd vitet e Liceut Artistik si vitet më të bukura”, citohet Thomai nga studiuesi Ylli Drishti, në një shkrim të botuar në “Shqiptarja.com” (mars 2019).
“Profesor Kaceli herë pas here na sillte atmosferën e Francës; profesor Zajmi dinte të nxiste, të krijonte një lloj gare midis nesh apo profesor Buza që na këshillonte të hapnim ndonjë dritare të re me riprodhimet që na sillte”, tregon Thomai.
Nga bankat e kësaj shkolle dolën mes të tjerëve edhe skulptorët: Kristaq Rama, Hektor Dule, Shaban Hadëri, Mumtaz Dhrami, Fuat Dushku, Sami Turku, Llukan Bushi, Thanas Papa, etj
Në vitet 1955-1961, ai së bashku me 27 djem dhe vajza shqiptare, do të shkonte për studime në Akademinë e Arkitekturës dhe Dizajnërit në Pragë, një qendër e kulturës dhe artit të Europës Qëndrore.
Thomai ishte në kursin e profesor Otto Eckert, me të cilin ka studiuar edhe skulptorët Fuat Dushku dhe Dhimo Gogollari, ndërsa më parë edhe piktori Ksenofon Dilo.
Skulptori dhe mësuesi çek, Otto Eckert.
Thoma Thomai u diplomua për skulpturë të aplikuar (qeramikë).
“Grupet e para të të diplomuarve nisën të ktheheshin aty nga gjysma e dytë e viteve ’50. Emra si Sali Shijaku, Kristaq Rama, Jakup Keraj, Zef Shoshi, Kujtim Buza, Agim Zajmi, Llambi Blido, Rafael Dembo, Mumtaz Dhrami, Shaban Hadëri, Thanas Papa, Vilson Kilica e Guri Madhi studiuan në Bashkimin Sovjetik, ndërsa Thoma Thomai, Hektor Dule, Ksenofon Dilo, Halim Beqiraj e Llazar Myzeqari në Pragë; Hysen Devolli, Perikli Çuli, Spiro Kristo e Isuf Sulovari në Bukuresht; Danish Jukniu e Shaban Hysa në Varshavë e Aristotel Papa në Zagreb”, shkruan Dr. Ermir Hoxha në librin e tij studimor, “Arti në Shqipëri në vitet 1945-2000”.
Me kthimin në Shqipëri do të emërohej si modelist në fabrikën e Porcelanit në Tiranë ku do të punonte për rreth dhjetë vjet, së bashku edhe me Fuat Dushkun dhe Dhimo Gogollarin.
Thoma Thomai duke punuar portretrin e këngëtares së famshme lirike, Tefta Tashko Koço.
Thoma Thomai ka marrë pjesë në ekspozita kombetare dhe ndërkombëtare si Bienalja e Mesdheut në Aleksandri; Arti Bashkëkohor Shqiptar në France; Arti Shqiptar në Romë; Bienalja Euroaziatike në Ankara (ku u vlerësua me çmimin special të jurisë); Ekspozitë e artistëve nga Masdheu në Muzeun Ephebe France; I ftuar nderi në Bienalen ndërkombetare të Kajros, etj
Ai ka krijuar disa vepra monumentale, ndër më kryesoret Monumenti i Skenderbeut në Shkup; Memoriali i Martireve “Nënokja Shqipëri” në Kërçovë, Maqedoni; shtatorja e Nënë Terezës në aeroportin e Rinasit në Tiranë.
“Në Muzeun Historik Kombëtar (1981) i projektuar nga arkitektët, vepra si relievi “Kryengritjet popullore tё Periudhёs sё Pavarёsisё”, e realizuar nga Thoma Thomai, e cila shërbente si monument lidhës mes dy sallave”, shkruan Dr. Ermir Hoxha.
“Skënderbeu” i vendosur në Shkup, kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, është një kryevepër.
Thoma Thomai Dhamo me skulptorin Ylli Plaka, gjatë krijimit të basorelievit të Skënderbeut.
“Skënderbeu”, 1968
Vasil Laçi, atentatori i Mbretit të Italisë, Viktor Emanueli III (17 maj 1941), i cili kishte ardhur për vizitë në Shqipëri. Laçi u arrestua menjëherë dhe u ekzekutua me varje dhjetë ditë më vonë.
Basorelievi i Lapidarit të Brigadës së VI-të Sulmuese, në Përmet
Thoma Thomai, në bashkëpunim edhe me Kristaq Ramën, janë autorë të shtatores në mermer të Enver Hoxhës (1988), të vendosur brenda Piramidës, e cila më vonë u shkatërrua (1991)
Gjithmonë vizatonte skica, përpara se të niste realizimin e veprës së radhës.
PEDAGOG
Nga viti 1968 ai do të ishte dhe pjesë e stafit akademik si pedagog në Institutin e Lartë të Arteve ku atë vit për herë të parë u hap atelieu i qeramikës.
Profesor Thomai që në vitin 1969 ka qenë themelues i ateliesë së arteve të aplikuara në Institutin e Larte të Arteve (sot, Universiteti i Arteve); më tej ai ka qenë shef i katedrës së arteve të aplikuara dhe po ashtu Dekani i parë i Fakultetit të Arteve të Bukura.
Në vitin 1971 do të emërohej Shef i Katedrës së arteve të aplikuara. Ndërsa në vitin 1989 do të zgjidhej dekan i parë në Fakultetin e Arteve të Bukura dhe udhëheqës i ateliesë së skulpturës. Që nga viti 1995 ai mban titulli Profesor.
Pedagog i shkëlqyer. Udhëheqës diplomash i mrekullueshëm.
Pedagogu Thoma Thomai dhe studenti Besim Çaushi
Pedagogët Thoma Thomai Dhamo, Shaban Hadëri, Agim Zajmi, Mumtaz Dhrami, Hektor Dule dhe studenti Besim Caushi
Me skulptorin Ilirian Shima.
“Me Profesorin THOMA THOMAI DHAMO, miku dhe profesori i dhjetëra brezave të studenteve te skulpturës në Akademinë e Arteve, sot UA. DEKANI i skulpturës shqipta autor i shume veprave monumentale ne gjithe hapesiren shqiptare. Profesori gjate gjithe aktivitetit artistik dhe akademik eshte shquar per qendrimet e tij koherente dhe intelektuale ne lidhje me çeshtje te arteve pamore”, shkruan skulptori Artan Peqini, dekan i Fakultetit të Arteve të Bukura.
I vlerësuar nga kolegët!
Tre skulptorë të shquar në një foto! Thoma Thomai Dhamo, Maksim Mero dhe Mumtaz Dhrami.
“Thoma Thomai është një nyjë e rëndësishme e kalimit të traditës më të mirë të skulpturës së pasluftës, me pararendës si Paskali e Paço; madje në një shkëputje disi më të abstraguar, në një eko të lartë asociimesh historike, për të mbërritur më vonë nga të tjerë artistë në zell të lartë në një krijimtari disi më të drejtpërdrejtë të shkollës ruse, nga përfaqësues të njohur tashmë në Shqipëri”, shkruan piktori i njohur, Vladimir Myrtezai (Grosha), në një artikull të tijin të botuar në gazetën “Liberale” (shkurt 2020).
NËNË TEREZA
Në 10 gusht 2016, në Katedralen Metropolitane të Rio de Janeiro, u zhvillua ceremonia e dorëzimit të Shtatores së Nënë Terezës, vepër e skuptorit Thoma Thomai Dhamo, dhuratë simbolike e popullit shqiptar për popullin brazilian me rastin e shenjtërimit të Nënë Terezës. Statuja e shenjtores Nënë Tereza ndodhet përballë statujës gjigande të Krishtit në një pikat më tërheqëse të Rio De Janeiros.
Kjo shtatore ësht[ e lartë 2.2 metra, një zgjedhje kjo për të qënë më afër vizitorëve.
Shtatorja e Nënë Terezës, vepër e skulptorit Thoma Thomai Dhamo, e vendosur në Katedralen Metropolitane të Rio de Janeiro, Brazil.
REKTOR I UNIVERSITETIT POLIS
Prof. Thomai ka dhënë një kontribut të konsiderueshëm që në vitin e parë të hapjes së Universiteti POLIS, duke qenë njëkohësisht edhe Rektori i parë i këtij universiteti. Ai kontribuoi në studion e njohurive plastike që zhvillohet në programin e studimit art dizajn.
Me studentët e Universitetit POLIS
Ekspozita e studentëve të Universitetit POLIS.
NUDOT
Edhe Dhamo, si të gjithë artistët e tjerë e ka trajtuar me finesë nudon, qoftë si vizatim, dhe po ashtu si skulpturë.
Vepër e realizuar së bashku me Kristaq Ramën
Dhamo është adhurues i piktorit të famshën, Vincent van Gogh.
“Van Goghun unë e kam paraqitur si një vepër prej vitit 1989 e në vazhdim. Ky piktor i madh më ishte shfaqur me vështrimin e tij gjurmëlënës. Vizatoja, i modeloja tiparet dhe kisha ndjenjën se në të lexoja jetën e tij plot pasion dhe vuajtje”, tregon Dhamo gjatë një interviste për gazetarin Leonard Veizi, të botuar në gazetën “Telegraf”.
MEDIA
I ftuar në televizione të ndryshme.
“Ftesë në Atelie” është dokumentari i shfaqur për nder të skulptorit Thoma Thomai. Premiera e shfaqur në 13 Mars 2016, në Kinema “Millennium” është një punë e realizuar nga regjisorët e mirënjohur Piro dhe Eno Milkani.
Premiera e filmit “Ftese në Atelier” në Universitetin Polis kushtuar një artisti dhe akademiku të shquar Prof. Thoma Thomai Dhamo.
Edhe pse sot është 88 vjeç, dalta e tij vazhdon të dëgjohet në studio, duke “shkruar muzikën” hyjnore të artit!
________________
Tiranë, më 7 gusht 2024