Si e njoha Guri Madhin!

Nxënësi për profesorin. Kujtimet dhe gjykimet e tij për Guri Madhin, këtë korife të pikturës shqiptare.


Nga Bashkim Ahmeti Izano

Në një mbasditë me shi, në nëntorin e vitit 1964 së bashku me Skënder Lakon dhe Vangjel Gjinin, shokët e mi të klases të Liceut Artistik “Jordan Misja”, Tiranë, na thiri në studjon e tij mesuesi ynë, piktori Guri Madhi.

Ishte dita e fundit për Konkursin e Nëntorit (Ekspozita e Arteve Figurative) ndaj duhej me urgjence ta çonim në ekspozitë pikturen e tij “Pëllëmbë e Gjak”. Të tre së bashku e morëm pikturën të kthyer përmbys e të mbuluar me çarcaf për ta ruajtur nga shiu e për ta cuar te salla e ekspozitës që nuk ishte larg nga shtëpia e Gurit. Me gjithe nxitimin tonë, ora e pranimit të punëve kaloi dhe piktura u ekspozua, por jashtë konkursit. Mbaj mend që në ndjenim se ishim në zonën e historise se artit. Sot kjo pikturë ndodhet në koleksionin e studios se artistit, e freskët dhe tërheqëse si dhe atë natë që ishte ende e njomë.

Eshtë një pikturë me sfond të errët si tek punët e Caravaggios. Kompozimi është befasues me qëndrën të ndricuar dhe nje aks diagonal, por e prerë si impresionistët, d.m.th. një pamje e fiksuar në levizje si Edgar Dega. Duket sikur e ka kuadratuar pamjen diku larg në ndonjë hon të pjerrët dhe befas ta ka afruar atë mu në fytyrë për ta bërë atë tronditëse. Figura në plan të parë është e prerë poshtë mesit dhe me aksin e saj të pjerret bëhet se vjen drejt teje frikshëm.

E nisur mbase nga nje foto e Jaho Gjolikut ajo paraqet nje meso burrë në vend të djaloshit partizan që parapëlqehej nga ikonografia komuniste. Në vijën e dytë që eshtë edhe qëndra e tabllose, një partizan mban shokun e tij të plagosur si në një “Pieta”. E para gjë që të kujtohet është “Zbritja nga kryqi” e Caravaggio-s, dhe pastaj të vjen nder ment nje reljev i Paskalit. Sfondi i errët është abstrakt. Në bocat përgatitore duket që piktori ka pasur në mendje një copë pejsazhi që pastaj e ka kthyer në nje sfond penelatash të turbullta e të pafigurta.

Në fund të gjashtëdhjetave duket se shkolla italiane ishte akoma e gjallë në Tiranë dhe me sa duket, Guri përfaqëson kapërcimin e dhimbshem të estetikes piktorike nga Roma në Moskë, nje kapërcim që ai nuk e beri. Në murin e studjos se tij te lagjia “Ali Demi” ka qënë nje kopje e “Dashuria Qiellore” e nxjerë nga tablloja e Ticianit “Dashuria qiellore dhe dashuria tokësore” . Guri e kishte kopjuar atë në letër me bojra vaji dhe e kishtë mberthyer me sa duket akoma të njomë në mur afer tavanit dhe ajo ndenji aty përgjithmonë. Siç duket ajo ishte muza e tij. Ajo mbeti aty adhe kur muret e studjos u mbuluan nga kanavacat e medha të porosive zyrtare .

Vitin e kaluar duke shkuar në Muzeun Gugenhaim ku ishte hapur nje ekspozitë e pikturës ruse mendoja për Surikov, Levitan e Rjepin aq shume të publikuar në Shqipërinë e viteve 50-60. Mësuesit e Liceut Artistik, Kaceli, Kodheli, Buza, Nikolla, Paco, Cangonji etj. ishin edukuar në Romë, Firence dhe Paris. Ata diku përmendnin Muzeun Ermitazh. Buza tregonte si e rifilloi duhanin kur aty pa për here të pare Van Gog. Ndersa Guri mesuesi im i vizatimit dhe piktures fliste për Mile, Delakrua, Rembrand e Tician që ai kishte adhuruar në muzetë, në Leningrad (Shen Petërburg). Tek sheshi Avni Rustemi ku shitëshin libra të përdorur, bleva nje ditë nje liber për piktorin rus Joganson. I lumtur që kisha nje liber arti shpejtova t’ia tregoj Gurit. Ai e mori, e shfletoi për një minutë dhe ma ktheu me mirësjellje. Keto libra me mire mos ti kesh, se ti kesh, tha.

E pashe në sy duke pritur psenë, por ai vetëm tundi koken. E kishte me Joganson me cilesinë e shtypit a me shtetin. Sido qoftë sa here me bie në dorë një libër i keq them: Më mirë mos ta kesh se ta kesh. Përse vallë ata nuk flisnin për mjeshtërit e mëdhenj të pikturës ruse? Të ketë qënë nga frika? (komunistët shqiptare ishin prishur me rusët) Mbase thjeshte s’i pelqenin. Unë mezi prisja ti shikoja. Si do të ishin ata? Nga që ekspozita fillonte poshtë d.m.th kokë poshtë me realizmin socialist e duke ngjitur rrotullimin e shumënjohur të muzeut, shpejtova lart për tek mjeshtrit e mëdhenj . I parakalova pa ndalur hapat Petrov Vodkin e Deinjeka, ndalova hapin për pak çaste tek Korzhev dhe vazhdova për tu ndalur tek Burllakët në Vollgë të Rjepinit.

Piktura ishte po aq e magjishme sa e kisha në koke prej 45 vjetësh. Manastiri i Levitan ishte edhe më prekës nga sa mbaja mend . Më i thjeshtë e më prekës. Në rrotullimin e zbritjes shkova drejt e të Korzhev, bashkëmoshatari i Shijakut dhe Kilicës profesorëve të mi të akademise se arteve të Tiranës, ndoshta bashkëstudent me të në Shën Petërburg. M´u kujtua nje figurë partizani e Kilices e pikturuar në fillim të gjashtëdhjetave. Ka qënë e ekspozuar në galerinë e vjetër, pastaj nuk di si u fsheh e humbi. Dukej të ishte nga e njëjta racë e fortë piktorësh si Korzhev. Me pas ai e ktheu koken nga italiani Gutuzo, mbase për më mirë. Për ne që ishim nxenës, sigurisht më mirë. Shijakun nuk e gjeta aty. Lidhja e tij me pikturën ruse paska qënë vetëm deshira për të ikur prej tyre.

Po Guri? Prej tyre ai kishte mësuar të pikturontë kuaj më mire se çdo shqiptar tjetër. Kalova në muze gjithe ditën. Rruges në kthim mendoja për mesuesin tim Gurin, për rusët e medhenj, për Korçën e rinisë së tij, ku Mio hapi të parat ekspozita të pikturës me lindjen e shtetit shqiptar dhe për pikturat e tij. Djemtë e tij Vaso dhe Pandi kanë ekspozuar nje koleksion të punëve të Gurit në studjon e tij në Tiranë dhe unë duhet ti shoh ato në rastin me të parë që të jem aty. I kam parë punët e tij dy këtu e dy aty. Si do të me duken ato së bashku në një sallë? Janë në Tiranë dy studio-koleksion, si të thuash muze; ajo e A .Buzes dhe ajo e G. Madhit të lagjija pranë Medresese në dy pallate pranë e pranë. Në Tiranën kaotike askush nuk kujtohet për ta.


Pandi, djali i Gurit dhe piktori i njohur Kujtim Buza djali i Buzës Plak përshendesin njëri-tjetrin disa herë në javë dhe pyesin me shaka për dy të medhenjtë dhe pastaj psherëtijnë. Mirë janë – thonë – i kemi siguruar, por i kemi mbyllur në burg. Në fakt kush do të kujtohet për mjeshtërit e piktures shqiptare? G.K.A eshtë prej 20 vjtësh në rinovim. Sa here ndërrohen partitë, ndërrohen drejtorët edhe pse të gjithë kanë të njëjtën ide: ta mbajnë Galerinë gjithsesi mbyllur.

Sidoqoftë është në Tiranë një studjo muze e G.Madhit, është edhe ajo e Buzës, shpejt do të jetë edhe e Kacelit. Ndonjë ditë nxenësit e shkollave do ti çojnë aty dhe ndonjë ditë studentët e Akademisë do të dëgjojnë për ta.

E vizitova studjon e Madhit në vjeshtën e vitit që shkoi. Jam ndare prej tij për disa dekada. Ai ishtë aty i hapur në muret dhe dyshemenë e studios. Nëpër dollape ishte pjesa e tij e pa ekspozuar. Sigurisht nuk ishte aty Filka që na nxirte çaj dhe ndizte reflektorin kur shkonim aty të lagur. Detyrat e akademise e tregojnë plot talent e përkushtim. Një kompozim që tregon një çift në një stacion të trenit do të ishtë i denje të rinte pranë Korzhev në ekspozitën e piktorëve ruse. Puna e tij e diplomës “Shpella e Dragobisë” është nje pikturë e përkryer. Akoma në stilin e impresionizmit rus dhe me shprehje si të Zaporozhasit e Rjepin, por krejtësisht në dritë; me tipa malesorësh dhe romantike si Eduard Leare.

Te ”Pëllëmbë e gjak” Madhi rindërton lidhjet me shkollën italiane ndërsa me studimet për tabllonë “Gratë labe” është një Guri Madhi – vertetë një piktor shqiptar. Guri Madhi që kisha në kujtesë ishte aty, i vertete, intensiv e plot forcë piktorike, ashtu sic nuk kisha dyshuar kurrë se është piktura e tij. Në fakt nuk dija fare ç’kish ndodhur me pikturen e tij në fund të shtatëdhjetave dhe në tetëdhjetën, vitet e fundit të jetës se tij. Kisha pare dy-tre piktura të kësaj periudhe në një stil tjetër të ndërruar befas dhe ja tani në studio janë rreth 50 piktura të kësaj periudhe. Ngadalë, duke i vëzhguar një nga një fillova ta shoh krejt panoramën. Në Dhjetorin e vitit 1967 u ktheva në Gjirokastër për pushimet e dimrit.

Të nesërmen e mbëritjes u nisa për në Grehot tek reparti ushtarak, ku Guri kryentë stazhin dy vjecar të edukimit të tij në bazë pranë ushtareve për t´i njohur ata nga afër. Keshtu ishte vendosur në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ai kishte pikturat historike me të mira në koleksionin e vogel të pikturës shqiptare. Kishte bërë disa nga portretet më të bukura dhe natyra të qeta të shkelqyera. Piktura e tij “Shpella e Dragobisë” u vendos në zyrën e Enver Hoxhës, i cili i levdonte pikturat historike të Madhit dhe stilin e tij impresionist. Ky ishte Guri Madhi në mendjen time prej 17 vjeçari. Mendoja se atje në repartin ushtarak ai do ta kishte një studio, diku në ndërtesën kryesore, ku ishin zyrat e shtabit dhe zyra e gjeneralit.

Pyeta të postoblloku. Aty me drejtuan drejt kodres jashtë gardhit me tela të katër ndertesave të kohës se Italise, ku banonin oficeret dhe kapterët beqarë. Kur mbërrita aty, pyeta përsëri për profesor Guri Madhin. Ai pikturisti mo? Eshtë aty te kati përdhes. Aty ishte Guri në një dhome 3m x 3m dhe nje aneks të vogël me lavaman të prishur dhe banjë kolektive. Kartona, telajo, bojëra, shishet me vajguri (ai përdorte për tretës vajguri të filtruar në kripe), tufat me furça e penela dhe një krevat me batanije ushtrije. U gezua pa masë që më pa. U mallëngjye. Me tregoi disa piktura.

Nuk mbaj ment asgjë. Isha i shokuar. Vite më vonë, në një zyrë të Komitetit Ekzekutiv të Gjirokastres u befasova nga nje pejsazh i tij i kësaj kohe. Kam në kujtese të ngulura përgjithmonë dy imazhe nga Gjirokastra: gravuren e fameshme të anglezit E. Lear dhe ketë pejsazh të vogël me gri të thella.

Me Gurin dolëm së bashku nga banesa-studjo e tij dhe shëtitëm. Çfarë folëm? Nuk me kujtohet. Unë i kam treguar për shkollen, për detyrat e fundsemestrit për dy profesorë që e zëvendësonin herë njëri e herë tjetri, ndersa ai me siguri ka përseritur që duhet të kuptoj harmoninë që të ofron natyra mëmë, t´i jap rëndësi dritë–hijes dhe vëllimeve, sepse pa to ngjyra s’ka vërtetësi. Nuk mbaj ment çfare thamë, por jam i sigurtë që nuk u ankua, por s’e mbaj ment të ketë thenë që Gjirokastra eshtë e bukur. Ç’bukur-zeza.

Në dimrin që erdhi, kur shiu fillonte në Tiranë dhe këpucët e konviktorit na “këllisnin” ujë, mendja me shkonte tek Guri atje të shtufi me driza i Grehotit, ku shiu fillonte e s’mbaronte kurre, ku lumi dilte dhe mbulonte xhadenë, retë zbrisnin mbi zall dhe gjithçka kalbej nga shiu dhe lagështira të hynte në palcë. Balta dhe lluca e zinin rrugën për tek hyrja e “pikturistit”. Mbas disa vjetësh, një ditë në një plenium partie, Enver Hoxha lëvdoi pikturat e Madhit midis emrave të artistëve të shquar dhe shokët e lidhjes e sollën prapë në Tiranë dhe e nxorren (siç thuhej atëherë) në krjimtari të lire. Krijimtaria e lire ishte tjetër ironi. Ajo e angazhoi me dy piktura të mëdha (i quanim monumentale) “Reforma agrare” dhe pastaj “Mbledhja e Moskes”, porosi nga ato që kalonin në shoshë e në sitë të komisioneve, kontrolleve e të diskutimeve e sugjerimeve, që nga skicat e deri te korigjimet në sallën e ekspozitave. Me kujtohet një mbremje nëntori në prag të festave në Tiranë.

Me piktorin Gjergji Marko, po vinim rreth GKA për të mesuar për fatin e punëve tona atje brenda, ku komisioni kishte 10 ditë që po punonte. Agim Zajmi sapo kishte dalë nga mbledhja e komisionit. Ishte i trishtuar. E tmerrshme – tha ç’po ndodh aty brenda . Skender Kamberi ka pesë ditë që po e korigjon pikturën aty brenda në sallë. Të gjithe shkojnë e vijnë dhe i bëjnë nga nje vërejtje. Ai vazhdon, prish e prish sa e prishi krejt. S’ka mbetur asgjë nga ajo që solli. A ja pranuan? Ja pranuan – tha – tani ja pranuan, por gjynah, se ishte pikture e bukur. Kështu ka ndodhur me siguri me dy pikturat e Gurit. Dy piktura të një Guri tjetër, në fakt ato janë vepra të komisionit – jo të artistit. I lëvduan pikturat, pastaj i shanë, pastaj prapë i levduan. Tani me të madhe. I botuan, i publikuan. Lidhja e artistëve dhe Ministria e Arsim-Kultures ishin shumë krenare për arritjen e tyre, ndersa Guri u tërhoq e u mbyll në studio. Nuk dukej më as në ekspozita e as në mbledhjet e artistëve. Baba – i thoshnin djemtë – pse nuk bën një pikturë për ekspozitën kombëtare? Jo, – thoshte, nuk bëj më, plot kam bërë.

Kisha pare dy tre piktura të tij me ngjyra të forta të egra. Ç’u be Guri i kanavacave të bukura? Në fakt ketë doja të gjeja në studjon e tij vjeshtën që kaloi. Aty janë rreth 50 piktura të fundshtatëdhjetave dhe fillimtëtëdhjetave. Nuk ka me Tician. Para meje kisha nje piktor ekspresionist. Dy tre prova të ndrojtura kubiste, dy – tre abstrakte, por gjithsesi ekspresionist. Edhe pse Dashuria qiellore, kopja e vjetër nga Ticiani është përseri në mur, tani studjon e paska vizituar Eduard Munk dhe Max Becman. Penelata të gjata të lidhura gërshet, ngjyra të forta dhe sfonde të rrafshta si Klimt.

Janë përseri portrete malësorësh dhe luftëtaresh, krahas portreteve të përditëshmërisë. Kuptohet që skicat e vjetra herë pas here kanë dalë nga dosjet për t´u pikturuar ndryshe: në stil ekspresionist. Sidoqoftë shikimi i tij ka shkuar plot ankth tek jeta e përditshme. Natyra të qeta, brendi të zgjedhura nga sendet për rreth studjos dhe peisazhe. Depresioni fshihet mbas ngjyrave të forta si tek çdo ekspresionist. A janë më të mira pikturat e tij ekspresioniste nga tablotë historike? Ku ta dish – pastaj kjo s’ka kaq shume rendësi .

Me rëndesi është dëshmia që ato sjellin për të, si piktor dhe si njeri. Ai vetëqëndroi larg vorbullës thithëse të jetës shoqërore e aktivizmit duke u përpjekur të mbijetojë piktorin. I nisur për të bërë tabllo historike, ai u gjend para tavolinave me beze të kuqe të komisioneve, për të cilat ishte krejt i papërgatitur. Provoi t´u përgjigjej atyre vetëm me pikturë, deri sa e kuptoi që kapërcimi i komisioneve që përfaqësonin censuren kolektive ishte humbje për pikturen.

Ai u tërhoq në studio për të ruajtur pikturen e tij dhe institucionin e të pikturuarit, atë që në rininë etij e pa ta ngrinte Vangjush Mio në Korçë. Kjo është deshmia e punëve të tij të fundit. Eshtë aty nje Autoportret i përkryer dhe afër tij një portret i Buzës, plakut.

Portreti është i pare profil para kavaletit duke pikturuar në nje telajo të vogël alla Buza dhe eshtë pikturuar me jeshile dhe të verdha – po alla Buza. Aha …..thashë! Ja ku na doli dhe plaku. Nuk e dija që Guri të ketë pasur vëmendje ndaj tij. E dija që në Liceun Artistic ishin kolegë; e dija që ishin komshinj, por që ta marësh tjetrin e ta ulësh t´i bësh portret, kjo është tjetër gjë. Mes artistësh në Shqipëri kjo gjë s’mbahej mend mbase që nga koha e Mbretërise Ai nuk dilte thotë – Pandi (djali i piktorit). Por në fakt shokët i vinin shpesh në studjo. Mos vinin valle t´i prishnin pikturat? I hantë meraku ç’bente ai atje i vetëm? Jo – thotë Pandi, ai gëzohej shumë kur i vinin koleget në studjo. Po, pa tjetër, pa tjetër e kuptoj ketë e kuptoj.

New Jersey, 09.01.2009

(Botuar më parë në Revistën “MAPO”)

Lexo më shumë nga

Josif Papagjoni: Ja pse më pëlqen metafora poetike në pikturë!

"Mes dy botëve", emisioni i mirënjohur i moderatorit-piktor, Helidon Haliti, rikthehet në RTSH me Edicionin e Dytë të tij.

“Better Red Than Dead”

"Mjeshtri i Madh", Helidon Haliti, hap ekspozitën e tij personale në "Golemi Art Gallery". Deri më 22 shtator 2024.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.