Imazhe të shqiptarëve përmes autorëve të Shquar të Letërsisë botërore
Ilustrimet janë bërë me porosinë e botuesve, shkrimtarëve, udhëtarëve, apo koleksionistëve e autorëve të tjerë të ndryshëm
Nga Prof. Dr. Ferid Hudhri
***
Ilustrimet përbëjnë një numër të madh të krijimeve me temë shqiptare. Për vetë llojin e tyre artistik ato realizohen në një kohë më të shkurtër dhe zakonisht për të njëjtin subjekt, album, libër, antologji, përmbledhje apo cikël tematik të ilustruar, përftohen dhjetëra imazhe prej këtij zhanri. Pjesa më e madhe e ilustrimeve janë bërë me porosinë e botuesve, shkrimtarëve, udhëtarëve, apo koleksionistëve e autorëve të tjerë të ndryshëm, gjatë parapërgatitjes së librave të tyre kushtuar botës shqiptare.
Nga më të hershmet janë ilustrimet e botimeve për Skënderbeun. Krahas cikleve më të plota nga gravuristët e njohur gjermanë, Jost Aman (1539-1591) e Jorg Breu (1510-1547), figura e heroit të shqiptarëve ka zënë vend edhe në ilustrimet e mëvonshme, në romane e krijime të tjera letrare, të botuara në shumë vende të botës.
“Vajza shqiptare dhe Chateaubriand”, ilustrim për “Albumin e Chateaubriand-it”, Paris, 1862
Një numër i madh imazhesh shqiptare janë shfaqur nga ilustrimet e përrallave. Në këto punime, përmes imagjinatës së piktorëve, mbështetur edhe në realitetet e trilluara të përrallave falë fantazisë, janë krijuar pamje nga më të larmishmet dhe më interesantet, që nuk i gjejmë në pikturat, litografitë apo veprat e tjera të mëparshme, të realizuara për ekspozitat e kohës. Një pjesë e këtyre ilustrimeve është bërë nga piktorë që nuk kanë qenë asnjëherë në Shqipëri dhe, në këtë rast, paraqesin shumë interes pikërisht përfytyrimet e tyre figurative lidhur me imazhin mbi shqiptarët, të cilat janë krijuar sipas subjekteve të tregimeve, përrallave apo krijimeve të tjera letrare, si p.sh. gravurat e piktorëve Ilse Bischoff (1903-1990), Miska e Maud Petersham (1888-1960), Georgy Alexandrovich Klodt (1923-1994) etj.
Zakonisht ilustrimet për shqiptarët gjenden nëpër gazeta, revista, libra e albume kushtuar Shqipërisë apo vendeve të Ballkanit. Por nga kërkimet për këtë botim janë zbuluar se imazhe të botës shqiptare gjenden edhe në libra e albume të tjera. Pesë prej këtyre botimeve, ku është e pranishme Shqipëria, u janë kushtuar pesë prej figurave më të shquara botërore: François René de Chateaubriand (1768-1848), njëri prej krerëve të romantizmit, ndër emrat më të shquar të letërsisë franceze; George Byron (1788-1824), poeti i famshëm i romantizmit anglez, i quajtur Prometheu i shekullit XIX; Alfred Tennyson (1809-1892), laureati i poezisë në Britaninë e Madhe gjatë mbretërimit të Mbretëreshës Victoria; Alexandre Dumas (1802-1870), një prej autorëve më të lexuar nga letërsia franceze; Mary Shelley (1797-1851), njërës prej shkrimtareve më të shquara të shekullit XIX, autore e librit “Frankenshtajni ose Prometeu modern” (Frankenstein or The Modern Prometheus).
Në librin “Album i Chateaubriand-it” (Album de Chateaubriand, Paris, 1862, f. 98-99) është botuar gravura që paraqet një vajzë shqiptare me shkrimtarin e shquar francez. Gravura ilustron shkrimin me titull “Chateaubriand i sëmurë te një shqiptar” (Chateaubriand malade chez un albanais). Autori përshkruan se si u ndodh aty me vajzën shqiptare. Midis të tjerave Chateaubriand tregon se një ditë gushti të vitit 1806 ishte me ethe dhe detyrohet ta kalojë mbrëmjen në familjen e një shqiptari që banonte në periferi të Athinës. Të nesërmen, kur zgjohet, sheh vajzën e mikpritësit shqiptar, një vajzë shumë të bukur, shtatëmbëdhjetë apo tetëmbëdhjetëvjeçare, që i shërbente për të kaluar ethet. Pikërisht këtë çast e kanë përjetësuar në art piktori Steal (që ka bërë vizatimin) dhe Monnin (që ka gdhendur gravurën). Është krijim i bukur që shpreh respektin e shqiptares ndaj shkrimtarit të shquar dhe vlerësimin e këtij gjesti nga vetë shkrimtari si dhe të dy artistët francezë.
“Bariu i vogël shqiptar”, ilustrim për librin kushtuar Bajronit, Nju-Jork, 1849
Në vitin 1849 është botuar një libër i ilustruar me gravura të cilësisë së lartë për Bajronin (The Byron Gallery of highly finished engravings, illustrating Lord Byron’s works, New York, 1849). Aty janë përmbledhur pjesë të zgjedhura nga krijimtaria e poetit, të shoqëruara me gravura. Midis faqeve 42-44 me titullin “Shqipëria” (The Albania), janë përfshirë vargje për shqiptarët nga poema e njohur Çajld Harold, shkruhet për kostumin shqiptar, për takimin e Bajronit dhe Hobhouse-it me Ali pashën në Tepelenë; paraqitet edhe një fragment nga letra e poetit dërguar nënës së tij, kur i shkruan edhe për veshjet shqiptare. Të gjitha këto ilustrohen nga gravura që ka të njëjtin titull, The Albania. Në atë gravurë paraqitet një bari i vogël me veshje tradicionale pranë bagëtive në një peizazh të bukur malor. Krahas tablosë Bajroni me veshje shqiptare (nga Thomas Phillips më 1813), e shumëfishuar më pas edhe nga disa autorë të tjerë në pikturë e teknika të ndryshme, gravura e mësipërme është një tjetër vepër e bukur arti kushtuar shqiptarëve frymëzuar nga poeti i shquar anglez.Midis vlerave të çmuara që ruhen në Koleksionin Mbretëror në Londër (Royal Collection Trust, RCIN 1005099) gjendet edhe një kopje e librit me poema të Alfred Tennyson-it, ilustruar nga piktori Edward Lear (Poems of Alfred, Lord Tennyson, illustrated by Edward Lear, London, New York, 1889). Është botim special, i lidhur me lëkurë keci ngjyrë të kaltër, me dedikimin e Lordit Tennyson për Mbretëreshën Victoria. Ky libër doli nga shtypi dhe u dhurua mbretëreshës një vit pasi Edward Lear-i kishte vdekur (1888). Me atë përmbledhje të përbashkët përjetësohet edhe miqësia midis poetit më të njohur të Britanisë me piktorin që ka bërë pikturat më të bukura për Shqipërinë. Tennyson-i u njoh me vendin e shqipeve përmes pikturave të Lear-it. Nga pikturat për Malet Akrokeraune, malin e Tomorit dhe veprat e tjera që realizoi gjatë vitit 1848, poeti i njohur anglez shkroi një vjershë në gjashtë strofa. Strofa e tretë, që është përdorur edhe si diçiturë për tablonë Mali i Tomorit, është paraqitur për lexuesin shqiptar nga autori i kësaj enciklopedie që në vitin 1987: Tomor e Athos, fron magjie/ vjen hija e largët gjer tek ne/ peneli yt këtu i bie/ e ndiej si t’isha vetë atje (shqipëruar nga Xhevahir Spahiu, gazeta Drita, Tiranë, 6 dhjetor 1987, f. 15).
Ndërsa një nga imazhet më të bukura kushtuar një vajze shqiptare është pikturuar për të ilustruar tregimin e shkrimtares Mery Shelley. Vizatimi është bërë nga piktori Henry Corbould, ndërsa gravurimi nga Charles Theodosius Heath (1785-1848). Me librin “Syri i keq” (The Evil Eye, London, 1830), ku personazhe kryesore janë kapedani Dhimitër (i lindur në një fshat malor midis Tepelenës, Përmetit dhe Gjirokastrës) dhe vajza e tij Zela, indirekt janë të pranishëm edhe dy poetët e shquar britanikë. Në kohën kur shkruante, Mery jetonte me poetin Persy Bysshe Shelley, ndërsa kur e botoi vendosi në krye të tregimit tri vargje kushtuar shqiptarëve nga Çajld Haroldi i Bajronit.
“Vajza shqiptare Zela”, ilustrim për librin e shkrimtares Mery Shelley, Londër, 1830
Për romanin Konti i Montekristos të Alexandre Dumas janë bërë ilustrime të ndryshme me imazhin e vajzës së imagjinuar të Ali pashë Tepelenës, Haidesë, personazhe e romanit. Nga piktori anglez James McConnell u realizuan disa akuarele, po ashtu edhe nga autorë francezë e italianë. Përmes këtyre punimeve jepet përfytyrimi i artistëve për vajzat shqiptare.
Krahas ilustrimeve të mësipërme, të botuar në librat e pesë prej figurave më të shquar të letërsisë botërore, imazhe të botës shqiptare janë realizuar edhe nga dora e dy autorëve autorëve po aq të rëndësishëm botërorë: Victor Hugo (1802-1885) dhe Luigi Pirandelo (1876-1778). Kur shkruante poemat Dervishi dhe Kështjella, aty ku përmendet Ali pashë Tepelena me kalanë e tij, shkrimtari i shquar francez e ka krijuar imazhin e kështjellës edhe përmes një akuareli, ndërsa shkrimtari italian Luigi Pirandello, fitues i çmimit Nobel (1934), në një letër dërguar poetit arbëresh Giuseppe Schiro (1865-1927) i shkruante se kishte pikturuar figurën e një burri nga Shqipëria.
Midis pikturave më të bukura të artit danez i është vlerësuar edhe tabloja kushtuar një vajze shqiptare në Italinë e vitit 1831. Sipas përshkrimeve në dy libra të historisë së letërsisë dhe artit danez shqiptarka ka qenë e dashura e poetit të njohur Christian Winther (1796-1876). Tekstualisht në ata libra shkruhet: Christian Winther kishte rënë në dashuri me gruan e mrekullueshme shqiptare dhe i kërkoi Küchler-it ta pikturonte… (Dansk Litteratur Historie, Kopenhagen, 1976, f. 90). Disa vjet më parë piktori Küchler, me porosi të poetit Christian Winther, i pikturoi të dashurën e tij, një zonjushë të mrekullueshme shqiptare. Në këtë pikturë, ai arriti të realizojë bukurinë dhe hijeshinë femërore që nuk e përsëriti më në veprat e mëvonshme… (Dansk kunst. Tusind ars kunsthistorie, Kopenhagen, 2004, f. 237). Kjo tablo ruhet në Ny Carlsberg Glypotek të Kopenhagës.
Ndonëse më rrallë, ilustrime grafike vazhdojnë edhe në ditët e sotme, në teknika të ndryshme, siç ka ngjarë me ato të piktores franceze Maryanick Ricart dhe fotografit Yves Rousselet, të cilat u përdorën për ilustrimin e përmbledhjes me poezi, përgatitur dhe përkthyer në frëngjisht nga Ardian Marashi (Paris, 2007), ose me akuarelin e piktores Tina Negus për kopertinën e librit Albanian Poems of Dessidence, si dhe botime të tjera letrare. Përmes ilustrimeve u angazhuan me temën shqiptare artistë të njohur, si Gustav Doré (1832-1883), Caton Woodville (1850-1927), Daniel Vierge (1851-1904), Jacque-Raymond Brascassat (1804-1867) dhe autorë të tjerë që paraqiten në faqet e kësaj Enciklopedie.
(nga Enciklopedia “Shqiptarët në Artin Botëror”, botim i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë)
Marrë nga ExLibris