Sotir Capo, piktori i shquar beratas

Portretet dhe figurat e kompozuara kanë qënë dashuria e përhershme e “Piktorit të Merituar”, Sotir Capo


Nga Kastriot Dervishi


Autori i shkrimit, Kastriot Dervishi

***

Sotir Capo u lind në qytetin e Beratit në 10 qershor 1934 në lagjen e Përroit, në një familje qytetare beratase me mjaft traditë. I ati i tij Thoma Capo punonte si ekonomist në bashkinë e Beratit, dhe për një periudhë ka qënë i zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Urës Vajgurore. Nëna e tij, Eleni Gjini ka qënë shtëpiake.

Piktori Sotir Capo

Fillimet e mësimeve në vizatim i mori në shkollë nga mësuesi i vizatimit skulptori Dhimitër Çani dhe më pas në kursin e pikturës në Shtëpinë e Kulturës nga artisti shkodran Vladimir Jani.

Capo ashtu si edhe shokët e tij të fëmijërisë Llazar Myzeqari, Grigor Ikonomi dhe Yzedin Shelegu janë me fat pasi kanë pasur për mësues vizatimi dy mjeshtrit që kishin studiuar në akademitë italiane të artit, Dhimitër Çanin dhe Vladimir Janin.

Në vitet 1949 -1953 ai kreu Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë, në atelierin e pikturës nën drejtimin e Artistëve të Popullit Sadik Kaceli, Nexhmedin Zajmi dhe Abdurahim Buza. Pra siç shihet në formimin e tij fillestar ishte një fat i madh që kish mësues Dhimitër Çanin dhe Vladimir Janin në Berat dhe në lice Zajmin, Buzën dhe Kacelin, avanguardën e artit shqiptar, mjeshtër të shquar të cilët vunë themelet e pikturës shqiptare pas kthimit nga shkollat e perëndimit në vitet 30-të të shekullit të kaluar. Kjo ishte një mundësi e madhe për artistin e ri Sotir Capo, në formimin e tij akademik.


Artistët e Beratit me Abdurrahim Buzën në vitin 1983

Pas studimeve në liceun artistik, punoi për pak kohë si piktor në gazetën “Rinia ” dhe në revistën ” Pionieri ” si dhe në ” Teatrin Popullor ” në Tiranë. Por nevojat në qytetin e lindjes për specialist, të detyruara nga programi në fushën e kulturës arsimit dhe arteve e detyruan të rikthehej në Berat ku punoi deri në vitin 1961.

Në vitin 1961 filloi studimet e larta në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë dhe i përfundoi në vitin 1965. Pas studimeve ai punoi në Berat në Pallatin e Kulturës si skenograf dhe mësues vizatimi në shkollat tetëvjecare të Beratit. Më 28 maj 1979 merr titullin e lartë “Artist i Merituar”. Në vitet 80 punoi si mësues i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole” deri në vitin 1989, ku edhe doli në pension. Që prej vitit 1996 ai jetoi me familjen e tij në Philadelphia, SHBA. Më 3 Mars 2012 u nda nga jeta në Philadelphia.


Varri i Sotir Capos në SHBA

***

Vepra dhe jeta e Capos

Vepra dhe jeta e Capos ndahet në tre periudha të rëndësishme: Periudha e komunizmit 1955 -1990, periudha e demokracisë 1991-1995 dhe periudha e Amerikës 1996-2012.

Periudha e komunizmit 1955 – 1990

Për të përshkruar aktivitetin artistik të Capos në periudhën e komunizmit e më duhej të shfletoja shtypin lokal dhe atë kombëtar. Duke u bazuar në të dhënat e shtypit, po e përshkruaj në mënyrë kronologjike veprën e tij në periudhën e komunizmit. Duke filluar që nga viti 1955 e deri më 1995 plot 40 vjet nuk ka artikull për problemet e arteve vizive në Berat që të mos përmëndet Sotir Capo. Plot 40 vjet në qytetin e Beratit, është kariera e artistit dhe mësuesit të vizatimit në arsimin tetëvjeçar dhe të pikturës në shkollën e artit, Sotir Capo.


Kastriot Dervishi me Sotir Capon

Aktivitetin e tij artistik në Berat, Sotiri e fillon menjëhere pas mbarimit të liceut, në mes të viteve 50, duke krijuar dhe punuar në përgatitjen e dekoreve, organizimin e aktiviteteve kulturore artistike dhe si mësues vizatimi në shkollat tetëvjeçare të Beratit. Më 13 tetor 1957 ai organizoi hapjen e ekspozitës së parë në Berat. Ekspozita e parë në Berat u hap në Bulevardin “ Republika” në një sallë të vogël.

Në revistën” Nëntori” 1957, jepet informacion nga veprimtaritë kulturore në rrethe dhe jepet saktë data 13 tetor 1957. Në njërën prej fotove duken qartë portreti i “Leninit” i Sotir Capos dhe tre vepra të Dhimitër Budës. 13 Tetori i vitit 1957 shënon hapjen e të parës ekspozitë arti në qytetin e Beratit dhe Sotiri ishte një nga organizatorët kryesor për hapjen e saj.

Pas hapjes së ekspozitës së parë në vitin 1957 në Berat fillon të intesifikohet aktiviteti artistik. Po në këtë vit bashkë me artistin Llazar Myzeqari realizojnë skulpturën “Gruaja me shtamë” e cila u vendos në lulishten e qytetit. Ai vazhdon të punojë me intesitet të lartë dhe nga kjo kohë kemi edhe portretin e kompozuar “Fyelltari”. Portreti i Margarita Tutulanit është një nga veprat e paktat vepra te vitit 1961 që është akoma i ekspozuar në hollin e Pallatit të Kulturës dhe kjo falë nismës personale të piktorit Agron Polovina që e restauroi në vitin 2001.

Në vitin 1961 fillon studimet në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë (ILA). Në pesëvjetorin e ILA-së hapet ekspozita e studenteve ku marrin pjesë dhe studentët beratas Hasan Nallbani dhe Sotir Capo, i cili merr pjesë me “Portret plaku”. Më 1965 diplomohet për pikturë në ILA në Tiranë. Pas mbarimit të studimeve më 1965 rikthehet në qytetin e tij të lindjes në Berat ku për 30 vjet vazhdon me intesitet aktivitetin e tij krijues si figura kryesore a arteve vizive në Berat. Gjatë kësaj periudhe Capo merr pjesë dhe organizon jetën artistike në qytetin e Beratit në vitet e para së bashku me Hasan Nallbanin, Dhimitër Budën, Yzedin Shelegun, Vangjel Papën, Odise Lakuriqin etj. Në këto vite, roli i tij ka qënë i rëndësishëm edhe në përgatitjen e dekoreve, organizimin e aktiviteteve kulturore artistike, përgatitjen e pllakateve etj Pas studimeve merr pjesë në të gjitha ekspozitat që hapen në qytetin e Beratit, njëkohësisht dhe organizatori kryesor i tyre. Nëpërmjet shtypit të kohës shikojme fare qartë pjesmarrjen nëpër ekspozita dhe veprat e krijuara nga ai.

Krijimtarinë artistike të Capos po e përshkruaj nëpërmjet veprave më të rëndësishme të realizuara në vite. Në vitin 1967 ai realizon kompozimin “Skënderbeu mbi kalë” dhe e ekspozoi në ekspozitën “500 vjetori i Skënderbeut” në Berat. Kjo vepër deri në fillim të viteve 1990 ka qënë e ekspozuar në Kinoklubin “Tekstilisti”. Po në këtë vit, ai realizon portretet e heronjve të punës “Muhamet Shehu dhe Myrteza Kepi”. Në vitin 1968 realizoi grupportretin “Bilal Sina me shokët”, vepër me të cilën fiton edhe Çmimin e Parë në ekspozitën “25 vjet Ushtri Popullore” në Berat dhe po me këtë vepër fiton Çmimin e Dytë Kombëtar në Tiranë.

Kariera e tij fillon të ngjitet në rang kombëtar dhe një vit më vonë në 1969 në ekspozitën “25 Vjet çlirim” ai fiton Çmimin e Parë në Berat dhe Çmimin e Tretë Kombëtar në Tiranë me portretin e kompozuar “Punonjësia e telave”, vepër që është në fondin e Galerisë Kombëtare Tiranë. Po këtë vit realizon tablonë “Bab Dud Karbunara, që i dedikohet mësuesit të shkollës së parë shqipe në Berat.

Vitet 60-të janë vitet e formimit të plotë akademik si dhe vitet e njohjes në rang kombëtar të veprës së tij. Ai fillon të bëhet një piktor mjaft i rëndësishëm duke kaluar nga portretet e kompozuar në realizimin e kompozimeve me shumë figura. Duhet pasur parasysh se Sotiri është një piktor që finalizon çdo vepër me mjaft rigorozitet dhe me mjaft vlerë profesionale. Ai shfrytëzon me mjaft mjeshtëri atë që ka armën e tij më të fortë, realizimin e veprës duke mos u larguar nga natyra. Padyshim vepra më e mirë e fundviteve 60-të është “Punonjësia e telave”,vepër të cilën ai e realizoi në Uzinën e telave të bakrit në Shkodër.

Në vitin 1969 ai realizon edhe kompozimin “Babë Dudë Karbunara”, vepër e cila gjendet në fondin e Galerisë së Arteve “Edward Lear”, e vetmja vepër e Capos në fondin e galerisë së bashku me portretin e Margarita Tutulanit që gjendet në hollin e Pallatit të Kulturës, Berat.

Në vitin 1971 në ekspozitën “35 Vjet PPSH” ai ekspozon kompozimin “Shkolla partizane” dhe portretin “Gjithmonë pranverë”. Kompozimi “Shkolla partizane” bën pjesë në fondin e Galerisë Kombëtare. Në vitin 1972 ai hapi të parën ekspozitë vetjake në Pallatin e Kulturës në Berat dhe ekspozoi 20 vepra. Kjo mbetet e vetmja ekspozitë vetjake e hapur nga Sotiri në Berat.

 

Në vitin 1974 ai realizon kompozimin “Shpallja e Qeverisë së parë Demokratike” si dhe portretin “Mjelsja” me të cilën fitoi Çmimin e Parë në Berat. Kjo vepër është fondin e Galerisë Kombëtare në Tiranë.

Në vitin 1976 realizoi kompozimin “Drita e Partisë” dhe në 1978 portretin “Dëshmori” me të cilin fitoi Çmimi i II-të Kombëtar në ekspozitën “35Vjet Ushtri Popullore” në Galerinë Kombëtare në Tiranë. Po këtë vit ai realizoi portretin “Partizania”. Në vitin 1979 në ekspozitën “35 Vjet Çlirim” në Berat, ekspozon kompozim “Godasim në shenjë” dhe fiton Çmimin e Parë. Gjithë ky sukses lokal dhe kombëtar, finalizohet me titullin e lartë më 28 maj 1979 “Artist i Merituar”.

Në vitin 1981në ekspozitën “40 Vjet PPSH”, Capo fiton Çmimin e Parë me kompozimin “Nafta çan Bllokadën” në Berat. Në vitin 1982 realizon portretin e Bab Dudë Karbunarës dhe e ekspozon në ekspozitën “70 vjet pavarësi” në Berat dhe në Tiranë. Në vitin 1984 në Berat hapet për herë të parë Galeria e Arteve e Beratit. Në fondin e saj krahas artistëve të tjerë beratas dhe nga Shqipëria janë edhe veprat e Capos: Tabloja kompozicionale “Gjatë operacionit të dimrit” dhe “Naftëtarët”, portretet “Nëna”, “Dëshmori Kristaq Capo”, “Portret Vajze”, “Mjelsja” “Malësori” “Portreti i Laurës”, “Veterani” si dhe “natyrë e qetë” etj. Vepra “Mjelsja” është padyshim vepra më e mirë e Capos në vitet 70-të. Në vitin 1984 realizon në muzeun e Sinjës muralen “Beteja partizane” dhe po në këtë vit realizon kompozimin “Onufri dhe i Biri”

Në gusht të vitit 1985 vizituan qytetin e Beratit pesë piktorë nga Republika Federale Gjermane. Pikturuan për disa ditë në qytetin e Beratit së bashku me artistët Sotir Capo e Fatmir Thaçi. Kjo ka qënë nga të paktat përvoja dhe kontakt me artistë të huaj e Capos. Johanna Schubert realizoi vizatimin e Capos dhe Thaçit.

Gjithashtu edhe piktori Sotir Capo ju bëri disa portrete artistëve Gjemanë si Barbara Pier dhe Winfried Albert Karsten.Gjatë vitit 1986 në Hamburg dhe Mynih të Gjermanisë u hapën ekspozita me veprat që realizuan në Shqipëri (dhe në Berat). Ekspozita u titullua: “Njerëzit dhe natyra e Shqipërisë”. Në këto ekspozita u ekspozuan edhe disa vepra të disa piktorëve shqiptarë, si dhe të piktorit beratas Sotir Capo.

Në vitin 1984 ai realizon tablonë “Onufri dhe i Biri”. Kjo vepër ka qënë në fondin e Galerisë së Arteve të Beratit por në vitin 1991 galeria u shkatërrua dhe kjo vepër ju kthye autorit dhe të gjitha veprat e tjera të Capos që ishin në fondin e saj.

Peisazhi dhe natyra e qetë e kanë shoqëruar krijimtarinë e Capos në mënyrë të pandërprerë. Peisazhi i Beratit me vlerat arkitektonike dhe momentet në të bukura me borë, natën, në vjeshtë dhe pranverë si dhe peisazhi i Himarës dhe Vlorës kanë qënë më të preferuarit e Capos. Në krijimtarinë e tij nuk mungojnë edhe natyrat e qeta, vazhdimisht ai i ka ekspozuar krahas kompozimeve dhe portreteve edhe peisazhet dhe natyrat e qeta. Capo shprehej vazhdimisht: “ Dalja në natyrë për të pikturuar më japin ngjyrën e munguar në studio”.

Një vepër e rëndësishme e vitit 1989 është edhe piktura murale e realizuar në Pikën Turistike, Kala(Kisha e Shën Gjergjit). Triptiku “Pranverë – Dasma – Vjelja e ullinjve” ishte një nga veprat më masive të Capos e realizuar në tre skena. Kjo vepër nuk ekziston, pas rikthimit të Pikës Turistike në kishë ajo u mbulua. Fotot e pikturës i kam realizuar në vitin 1998 dhe piktura u dëmtua shumë në periudhën e anarkisë në vitin 1997, ku shihet qartë në foto.

Portretet dhe figurat e kompozuara kanë qënë dashuria e përhershme e Capos. “Baresha” është një nga figurat e kompozuara më të bukura të viteve të fundit të komunizmit. Vazhdimisht realizonte kompozime të përmasave të një boceti, i tillë është edhe kompozimi “Vjelset e domateve”, ky është një nga kompozimet më të bukur të Capos plot ngjyrë, dritë, emocion, shprehje dhe lirizëm, mund të themi se largohet nga kompozimet skematikë të realizmit socialist, ku këndvështrimi është mjaft intersant.

Kjo ishte pak a shumë krijimtaria kryesore e Capos në periudhën 1955 -1990. Fillon me portretin e Leninit në ekspozitën e parë në Berat dhe përfundon me pikturën murale në Pikën Turistike të Kalasë (Kisha e Shën Gjergjit). Padyshim që këto janë konturi kryesor i veprës së tij, por janë me qindra kompozimet, peisazhet, portretet, vizatimet dhe grafikat e tij në këto 35 vjet. Ai ka marrë pjesë në të gjitha ekspozitat kombëtare në Tiranë, deri në fillim të viteve 90. Temat që ai ka trajtuar janë të shumëllojshme si tema patriotike, ndërtimi i socializmit me punën në të gjitha fushat e jetës me portrete të kompozuar, kompozime të përmasave të mëdha si dhe temat lirike dhe peisazhi Shqiptar dhe veçanërisht ai i Beratit. Krijimtaria e tij është tipike e realizmit socialist.

Capo i përket brezit më të rëndësishëm të artistëve të realizmit socialist në Shqipëri, titulli i lartë “Artist i Merituar” është medalja që ju dha për nivel të lartë artistik por padyshim edhe si artist rigoroz i realizmit socialist. Në ekspozitën e vitit 2011, Cmimi “Onufri 2011”, nga koleksioni i Galerisë Kombëtare në Tiranë u përzgjodh portreti i Sotir Capos “Punonjësia e telave” dhe u ekspozua si vepër përfaqësuese e realizmit socialist. Krijimtaria e tij është tërësisht në shërbim të politikës së shtetit komunist, këtu bëhet fjalë për veprën që ruhet në Galerinë Kombëtare në Tiranë dhe atë që ekspozoi per 35 vjet në Berat e Tiranë. Capo lundroi tërësisht në rrjedhën e kohës, duke vozitur fort me aftësinë e tij në artin realist. Unë personalisht kam pasur fatin ta njoh më nga afër krijimtarinë e tij që prej vitit 1974 si mësuesi im i parë i pikturës deri në vitin 1995 vit në të cilin ai u largua dhe nuk mundi të kthehej më në Berat. Në rrethet artistike të kohës Capo njihej si portretist mjaft i aftë, dhe kjo është mjaft e vërtetë.

Po të shikosh me vëmëndje, vepra e tij përshkohet nga një realizëm i thellë, mjafton ti referohemi “Mjelses” ose portretit të “Bab Dudë Karbunarës” apo personazhit të tij të dashur “Xha Metes. të cilit i realizoi portrete pa fund. Në përgjithësi portretet e tij janë lirikë, ai e ka brenda vetes lirizmin, e shohim në shumë portrete të kompozuar si edhe thjesht portrete të miqve të tij apo kolegëve. Këtu doja të veçoja portretin që i bërë kolegut Agron Dingo, portret i një niveli mjaft të lartë piktorik dhe mjaft ekspresiv.

“Portreti i Laurës” është një nga portretet mjaft të bukur të mjeshtrit Capo. Portretet nga natyra, peisazhet dhe natyrat e qeta zënë një vend mjaft të rëndësishëm në krijimtarinë e Capos. Ato janë thelbi i veprës së tij në periudhën e komunizmit. Sotir Capo ishte piktori që të gjithë qytetarët e Beratit e shikonin në çdo rrugicë të Kalasë, Mangalemit dhe Goricës duke pikturuar.
Unë mendoj se Capo në këto 35 vjet kishte shkëlqimin e tij dhe nga kjo periudhë do të ngelet si një nga artistët mjaft të rëndësishëm shqiptar. Sotir Capo ka shkruar vazhdimisht artikuj informativ në gazetën lokale ”Kushtrimi” mbi organizimet e ekspozitave figurative të piktorëve dhe skulptorëve si dhe të fëmijëve e të rinjve në Berat si dhe mbi problemet e artit dhe pikturën mesjetare në Berat. Mjaft intervista dhe foto të veprave dhe të Sotirit gjenden në shtypin e kohës. Mjaft vepra të Sotir Capos ruhen në fondin e Galerisë Kombëtare në Tiranë.

Periudha e demokracisë, 1991 – 1995

Ardhja e demokracisë artistin Sotir Capo e gjeti në pension. Pesë vitet e para të viteve 90-të ishin vite të vrullshme të revolucionit demokratik, padyshim që ndikuan në jetën e artistit Capo. Liria e fituar u reflektua edhe në artin e tij. Krijimtaria e tij në këtë periudhë është e drejtuar drejt portreteve dhe peisazheve dhe është tërësisht lirike dhe e çliruar nga ideologjia. Nga kjo periudhë në fillim të viteve 90-të ai punon për Kishën e Shën Spiridhonit duke restauruar një skenë në pikturën murale të kishës duke ripikturuar një skenë e cila u mundësua nga familja Kolovani. (Dhimitër dhe Roland Ll. Kolovani).

 

Ai i kushton mjaft rëndësi peisazhit të Beratit dhe portreteve në vitet 1990-1995.

Unë si autor i kësaj biografie për mësuesin dhe kolegun tim, mjeshtrin Capo, i kam dy kujtime shumë të bukura në vitin 1992. Portreti im i realizuar nga Sotir Capo në 1992 dhe i kthyer në kolazh nga Gazmend Muka (Të dy autorët u ndanë nga jeta brenda dy javësh më 16 shkurt dhe 3 mars 2012) dhe portretin e Capos të realizuar në pastel nga une në 1992. Të dy këto pastele janë realizuar në një ditë.
Periudha e demokracisë në Berat, është një periudhë që Capo kthehet në dashurinë e tij të parë, në gjinitë e portretit dhe të peisazhit por këtë radhë i zhveshur nga metodologjia e realizmit socialist. Ai pikturon Beratin me mjaft lirizëm dhe ekspresion. Pak kohë të fillimviteve 90-të ai i kaloi në emigrim në Greqi.

Peisazhet e tij të Beratit që paraqesin Urën e Goricës dhe Kalanë janë padyshim pjesa më me dritë dhe kolor e veprës së tij. Herë herë ai bëhet romantik por në formë është ekspresionist. Ai vendos elementë simbolik nga fantazia e tij si engjëj, degën e pëmës e kthen në femër nudo duke i rënë kitarës, për të ilustruar bukurinë poetike të Beratit. Ai largohet nga paraqitja reale e natyrës duke kombinuar fantazinë me pjesë të realitetit. Ai realizon portrete të qytetarëne të thjeshtë beratas duke vendosur si gjithmonë peisazhin e Beratit në sfond. Peisazhin e Beratit, Capo nuk e ndan nga veprat e tij. Edhe në kompozimet tejet të politizuar ai vendos Beratin për të kujtuar se ka një jetë tjetër më të bukur në këtë qytet. Po ta shohim me vemëndje ai peisazhin e Beratit e pikturon si piramidë. Ky është një këndvështrim tejet interesant që e shohim shumë të përsëritur në kompozime, portretet dhe figurat e kompozuara, brenda intuitës së tij ai shoqëron veprën e tij me këtë piramidë të mrekullisë shqiptare. Ai merr pjesë rregullisht në të gjitha organizimet artistike deri në vitin 1995, vit që ai largohet nga Berati për në Amerikë.

Periudha e Amerikës 1996 – 2012

Në fillim të vitit 1996 Capo emigron në Amerikë dhe vendoset në Filadelfia së bashku me familjen e tij. Plot 15 vitet e fundit të jetës ai i kaloi në Amerikë. Kjo ka qënë një periudhë mjaft e vështirë për të. Nga krijimtaria e tij në Amerikë kam rreth 22 foto të veprave të realizuar atje, dhe më duhet të falenderoj z. Nikolla Ikonomi që më solli një pjesë të veprës së panjohur të Capos. Nga këto foto që kam 7 prej tyre janë natyra të qeta dhe të gjitha të tjerat janë nga Berati dhe tema të cilat ai i ka lëvruar edhe në Shqipëri. Informacionin për krijimtarinë e tij në Amerikë e kam marrë vazhdimisht nga zoti Nikolla Ikonomi dhe kolegu i tij Odise Lakuriqi. Në Amerikë ai vazhdon të pikturojë Beratin por po ti shohësh me vëmëndje peisazhet e pikturuara në Amerikë, ndihet ndryshim i madh, po ti krahasosh me ato që realizoi gjatë gjithë jetës së tij në Berat. Ai herë herë ribën pikturat e tij që kish pasur shumë sukses në Shqipëri por edhe me këto nuk e kanë ndjenjën dhe ekspresionin e veprave të realizuara në Berat. Shpjegimi i vetëm është tek gjendja shpirtëriore e tij. Ai nuk e suportoi dot largimin nga Berati dhe këtë e tregon vepra që ka realizuar në Amerikë. Në vitin 2008 në një intervistë për webin e shqiptarëve në Amerikë “Zemra Shqiptare”, “Me piktorin e Merituar Z. Sotir Capo” nga Edmond Ismailati, Capo shprehet: “Eshtë bërë një kohë e gjatë që ndodhem larg Beratit por, kur të shkoj do të punoj gjithë ditën duke mos lënë asnjë vend të Beratit pa pikturuar”

Kjo pjesëz e vogël e intrvistës tregon mallin e madh që kish për Beratin. Ai ishte i lidhur pazgjishmërisht më të, vepra e tij nuk mund të kuptohet pa elementin e Beratit. Sotir Capo u nda nga jeta më 3 mars 2012, në moshën 78 vjeçare duke marrë me vete mallin për muzën e tij për rreth 60 vjet, Beratin.

Krahas krijimtarisë artistike Capo ka edhe një kontribut mjaft të vyer në qytetin e Beratit si mësues vizatimi, në disa shkolla tetëvjeçare, si dhe mësues i pikturës në Shkollën e Mesme Artistike “Ajet Xhindole”, që nga krijimi i saj në vitin 1981, ku ai ishte protagonisti kryesor për hapjen e saj, deri në daljen në pension. Pothuajse të gjithë piktorët dhe skulptorët e Beratit e kanë pasur si mësues mjeshtrin Capo. Ashtu sikundër ai kish fat që kish për mësues Dhimitër Çanin dhe Vladimir Janin, edhe për shumë breza artistësh, këtu përfshij edhe veten time ishte fat që e kishim për mësues Sotir Capon.
Unë autori i biografisë së mësuesit tim të parë të vizatimit e ndjeja detyrim të shkruaja sado pak për mësuesin dhe mjeshtrin e pikturës beratase të pjesës së dytë të shekullit të XX-të, duke mos lënë të kalohet në harresë artisti Sotir Capo. Në këtë biografi vendin kryesor e zënë fotot e veprave pasi nëpërmjet tyre mund të njohim më mirë veprën e Sotir Capos.

Lexo më shumë nga

Josif Papagjoni: Ja pse më pëlqen metafora poetike në pikturë!

"Mes dy botëve", emisioni i mirënjohur i moderatorit-piktor, Helidon Haliti, rikthehet në RTSH me Edicionin e Dytë të tij.

“Better Red Than Dead”

"Mjeshtri i Madh", Helidon Haliti, hap ekspozitën e tij personale në "Golemi Art Gallery". Deri më 22 shtator 2024.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.