Mbrojtja e Shkodrës, në veprat e piktorëve të shquar europianë!

Fragment nga libri “HISTORIA E SHQIPTARËVE NËPËR MUZETË E ARTIT”, në proces botimi nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.


Nga Prof. Dr. Ferid Hudhri

Afresku Mbrojtja e Shkodrës vlerësohet midis veprave më të  rëndësishme me temë shqiptare jo vetëm për vlerat artistike, për autorin e shquar, vendin ku është pikturuar, por edhe për tematikën. Krijuesi i kësaj pikture, mjeshtri i njohur i Rilindjes italiane Paolo Calliari Veronese, që zotëron salla të mëdha në Galerinë Kombëtare të Londrës, apo bën pjesë në disa koleksione italiane si dhe nëpër muze të tjerë nëpër botë, e realizoi Mbrojtjen e Shkodrës pikërisht në kohën kur ishte në periudhën më të artë të krijimtarisë së tij. Tabloja u pikturua në Pallatin e Dozhëve, një nga selitë kryesore të institucioneve shtetërore të Vendikut.

Përkrah veprës monumentale Rrethimi i Shkodrës të Marin Barletit, kushtuar një prej episodeve më mbresëlënëse të luftës midis Perëndimit dhe Gjysmëhënës, siç e ka përcaktuar balkanologu Franz Babinger1, piktura murale Mbrojtja e Shkodrës e Veronese-s mund të përcaktohet si homazhi më i bukur artistik kushtuar qëndresës arbërore gjatë shekullit XV.

Tabloja u pikturua në vitin 1585, pas rikonstruksionit që iu bë pallatit, nga zjarri i vitit 1577 që e dëmtoi në krejt gjatësinë e tij. Mbrojtja e Shkodrës në muret e brendshme të Pallatit Dukal qëndron përballë Parajsës së Tintoretto-s, në krah të sipërfaqes ovale të zbukuruar nga afresku Apoteoza e Venecias.

Në kohën kur jetoi dhe krijoi artisti Veronese, në Venecia banonin edhe shumë familje shqiptare, që u shtuan pas vdekjes së Skënderbeut. Çdo qëndresë kundër pushtuesve osmanë në trojet shqiptare festohej bashkë me qytetarët italianë, si simpatizantë të atyre luftëtarëve që pengonin marshimin e pushtuesve përtej brigjeve të Adriatikut. Qëndresa  e Shkodrës më 1479, ku mbetën të vrarë qindra osmanë, u festua në Venedik me ngritjen e flamurit në Bazilikën e Shën Markut. Në vazhdimësi të këtij manifestimi, 106 vite më vonë Veronese realizoi pikturën murale më 1585. Mbi afreskun Mbrojtja e Shkodrës, ka shkruar me dorën e tij edhe këto fjalë: Scodra, bellico omni apparatu diù vehementerque à Turcjs oppugnata, accerima propugnatione retinetur (Shkodra e sulmuar me tërë mjetet e luftës prej turqve, për një kohë të gjatë e me fuqi, i bëri ballë duke qëndruar rreptë). Si një mbishkrim i saktë për këtë tablo mund të merren edhe fjalët e historianit Hammer-Purgstall i cili, duke përshkruar inkursionet osmane, që në vitin kur sulmuan Shkodrën arritën deri në Austri, nënvizonte: Qëndresë trimash, siç nuk i gjetën ushtritë grabitqare në Kroaci, Karnie, Karinti, Stiri dhe Slavoni, ato e gjetën në Shqipëri, përpara mureve të Shkodrës2. Shkodra ishte fortesa e fundit e Perëndimit.

Për realizimin e afreskut, Veronese është ndihmuar edhe nga i biri, piktori Carlo Caliari. Në moshën 15 vjeç, në kohën kur mësonte artin e pikturimit në studion e të atit, piktori i ardhshëm ka lënë gjurmët e tija në një nga veprat më të bukura me temë shqiptare.  Vite më pas Carlo u bë një nga artistët e njohur të Rilindjes Italiane. Disa nga pikturat e tij vazhdojnë të vlerësohen edhe sot nëpër ankandet e veprave të artit, por për shqiptarët mbeten më të çmuara penelatat e tij të para në tablonë Mbrojtja  Shkodrës. Pas vdekjes së të atit, Carlo vazhdoi të pikturonte në të njëjtën studio bashkë me të vëllain Gabriele, si dhe me xhaxhanë Benedetto, për të përfunduar veprat e lëna në mes të mjeshtrit të madh.


Anthony van Dyck, “Defence of Scutari; after Paolo Veronese”, British Museum, London


Fragment nga tabloja “Mbrojtja e Shkodrës” (Paolo Veronese, Pallati Dukal, Venecia)

Një nga skicimet e para për realizimin e tablosë Mbrojtja e Shkodrës ruhet në Oksford. Ky vizatim bën pjesë ndër ato krijime të rralla artistike ku autori, motivi dhe vendndodhja ndahen midis tri shteteve; tema shqiptare e vizatimit, e realizuar nga artisti italian Paolo Veronese, ruhet në një koleksion anglez, në Muzeun Ashmolean të Oksfordit. Vizatimi i Veronese-s, ndonëse daton rreth vitit 1585, është nga zbulimet e fundme midis krijimeve me temë shqiptare. Më parë njihej vetëm tabloja në Venedik. Drejtori i Kabinetit të Vizatimeve në muzeun e Oksfordit, Phd. John Whiteley, duke e quajtur si pjesë të rëndësishme të koleksionit dhe si një nga dëshmitë artistike për realizimin e tablosë së njohur (që ndodhet në Pallatin e Dozhëve në Venedik) e përfshin vizatimin e mësipërm midis eksponateve të çmuara të Muzeut Ashmolean3. Për ne shqiptarët është akoma më i vyer, se përjetëson një episod të rëndësishëm të historisë kombëtare, realizuar nga njëri prej mjeshtërve më të mëdhenj të Rilindjes Italiane në një nga godinat më të veçanta të arkitekturës botërore. Gjatë vëzhgimeve krahasuese midis imazheve të vizatimit origjinal që ruhet në Ashmolean dhe afreskut të pikturuar në Venecia, vihen re disa ndryshime në kompozimin e figurave dhe elementë të tjerë figurativë. Vizatimet paraqesin fragmente të ndryshme nga tabloja e pikturuar.

E përbashkët midis të dy krijimeve është figura e gruas që paraqitet në plan të parë. Me pikturimin e saj Veronese na kujton edhe shumë gra të tjera shkodrane që iu desh të përballeshin me sulmin e armiqve apo të ndihmonin burrat e djemtë e tyre gjatë betejave. Një pjesë e madhe prej grave mbetën të vetme me fëmijët. Albanologia L. Nadin, në një nga studimet e saj për këtë periudhë, përshkruan se një numër të madh grash dhe fëmijësh nga Shkodra u vendosën në qytetin e lagunave gjatë kohës së luftimeve për mbrojtjen e kështjellës. Nëpër faqet e regjistrave të Senatit ajo ka hasur shënimin se në Venedik gjenden shumë gra shkodrane, të cilat, nëpërmjet deklaratave me shkrim të kapitenit Antonio da Lece, dëshmojnë se janë bashkëshorte të luftëtarëve të angazhuar gjatë rrethimit të parë  e të dytë të Shkodrës4. Vlerësimi për gratë shkodrane paraqitet edhe në një gravurë të Giovanni Palazzi-t në vitin 1861 që është përdorur për lojën me letra La virtu in gioco (Virtyti në lojë). Sipas L. Nadin në atë tufë letrash të përgatitura nga Palazzi, saktësisht te Nënta Spathi, është paraqitur një grua që përfaqëson gratë shkodrane në Venedik, të cilat, siç shkruhet në botimin italian, edhe pas dy shekujsh nga mërgimi i vitit 1479 vazhdojnë të jenë simbol i ndershmërisë femrore5.

Përveç vizatimit në muzeun e Oksfordit, një skicë tjetër e Veronese-s për tablonë Mbrojtja e Shkodrës (në përmasat 121 x 198 cm) ruhet në një koleksion privat në Angli. Eshtë i vizatuar me pendë, me ngjyrë kafe të artë dhe kafe të errët. Ndërsa te vizatimi në Muzeun Ashmolean (me shifrën P2 742, në përmasat 123 x 215 cm), krahas skicimeve me pendë janë përdorur edhe bojra uji (acquarello).

Përmasat e vlerave artistike të veprave me temën kushtuar mbrojtjes së Shkodrës rriten më shumë dhe nga disa krijime të autorëve të tjerë të njohur. Më i rëndësishmi prej tyre është vizatimi nga Anton van Dyck, piktori më i shquar flamand dhe ndër më të spikatur në të gjithë artin botëror. Nga kërkimet në fondin e Muzeut Britanik në Londër zbuluam se vizatimin kushtuar shqiptarëve mjeshtri flamand e kishte bërë sipas tablosë Mbrojtja e Shkodrës të Veronese-s. Në kartelën e muzeut është vendosur ky shënim: “Anthony van Dyck: Defence of Scutari; after Paolo Veronese6. Në gjurmimet për të përcaktuar vendin dhe kohën më të saktë të realizimit (pasi në kartelë shënohej: midis viteve 1614-1641, periudhë që artisti e ndau midis Anglisë dhe Italisë), ishte i nevojshëm krahasimi me një nga vizatimet paraprake të Veronese-s për këtë tablo të ndodhur në Muzeun Ashmolean të Oksfordit. Nuk kishte ngjashmëri midis tyre. Vizatimi i Dyck-ut ishte bërë sipas afreskut origjinal të vitit 1585 në Pallatin Dukal në Venecia. Pra, sipas këtij hulumtimi del se lidhjet e mjeshtrit flamand me botën shqiptare kishin nisur gjatë viteve të para të qëndrimit të tij në Itali. Siç është paraqitur gjërësisht në studimin e Angela Valenti Durazzo, piktori A. Van Dyck pas udhëtimit në Venecia qëndroi për disa muaj në Genova, pranë familjes së njohur Durazzo. Gjatë pikturimeve në mjediset e Pallatit Mbretëror (Palazzo Reale) në telajot e këtij piktori u përjetësuan gjithashtu edhe fytyrat e disa prej pjesëtarëve të fuqishëm tё kësaj familje të madhe, të ardhur në Itali nga qyteti i Durrësit7.


Giovanni Palazzi, “Gruaja shkodrane në lojën me letra”, Venecia, 1861

Krahas veprave të këtyre dy autorëve më të shquar, për qëndresën shqiptare në muret e kështjellës së Shkodrës njihen edhe tri punime të tjera artistike. Nga më të hershmit është relievi kushtuar qëndresës së Shkodrës në vitin 1479, i vendosur në ballinën e Shkollës së Shqiptarëve (Scuola degli Albanesi), në Shën Mauric. Në pjesën e poshtme të relievit shihet Sulltan Mehmeti me Vezirin e tij duke vështruar nga larg kështjellën e Shkodrës që paraqitet në anën e sipërme, mbi masivin shkëmbor. Në muret e brendshme të kësaj shkolle të njohur në Venecia është realizuar edhe një cikël i plotë pikturash nga artistët Vittorio Carpaccio  dhe  Marco Basaiti ku janë të pranishëm personazhe, vende dhe ngjarje të ndryshme nga bota shqiptare.

Në vitin 1720, piktori Andrea Zucchi e rikujtoi ngjarjen historike të qëndresës  së shqiptarëve duke gdhendur gravurën “Lufta për mbrojtjen e Shkodrës”. Krijimi i Zucchi-t është realizuar sipas tablosë së pikturuar në Pallatin Dukal në vitin 1585. Sipas një praktike të njohur të atyre viteve, kur tablotë më të bukura të autorëve të shquar riprodhoheshin në disa kopje përmes gdhendjeve grafike, edhe imazhet e luftimeve për mbrojtjen e Shkodrës u shumëfishuan me këtë rast për koleksionistët dhe admiruesit e artit. Një nga gravurat e para të A. Zucchi-t, e gdhendur sipas imazhit të tablosë Mbrojtja e Shkodrës, tani ruhet në fondin e Muzeun Britanik në Londër8.


Giuseppe Lorenzo Gatteri, “Dëbimi i turqve nga kalaja e Shkodrës”, akuaforte e vitit 1860

Ndërsa në vitin 1860, kur piktori Giuseppe Gatteri realizoi 150 tablo të ndryshme që u përdorën për ilustrimin e historisë së Venecias, në atë cikël përfshiu edhe një imazh nga betejat për Shkodrën, që njihet gjithashtu me titullin Prapsja e turqve nga Shkodra (I Turchi respinti da Scutari). Bëhet fjalë pikërisht për luftën e vitit 1479, në kalanë e Shkodrës, për mbrojtjen e qytetit nga otomanët; e njëjta temë që është pikturuar nga mjeshtri Paolo Veronese në Pallatin e Dozhëve në Venedik. Krijimet e të dy autorëve italianë për ngjarjen e Shkodrës janë realizuar në teknika të ndryshme. Edhe këndvështrimi për të njëjtën temë është krejt i ndryshëm. Nëse Veronese mbrojtjen e qytetit e simbolizon me shpëtimin e një gruaje të re nga duart e pushtuesve, Gatteri pasqyron një çast beteje, ku duken turqit e rrënuar nga goditjet me gurë dhe objekte të tjera që zbresin prej bedenave të kalasë. Vizatimi i piktorit Gatteri është gdhendur në gravurë prej grafistit Enrico Reinhart.

Për mbrojtjen e Shkodrës janë realizuar edhe vepra të tjera që i përkasin viteve të mëvonshëm. A. Bianchini, autori i tablosë së njohur “Gratë shqiptare luftojnë përkrah burrave në mbrojtje të vendit të tyre”, ka pikturuar një skenë nga betejat e viteve 1912-13. Të kësaj periudhe janë edhe një numër i madh vizatimesh, ilustrimesh, gravurash dhe litografi nga autorë të ndryshëm europianë. Ekziston gjithashtu edhe një cikël karikaturash ku demaskohen qëllimet, ndërhyrjet dhe veprimet luftarake të shteteve shoviniste për pushtimin e Shkodrës, si dhe dështimi dhe dëbimi i tyre nga muret e kështjellës Rozafa. Pjesa më e madhe e këtyre krijimeve u botuan në disa prej gazetave dhe revistave të njohura të kohës si Kikeriki, Die Muskete, Le Monde illustré, Wiener Caricaturen, Simplicissimus, Punch, Illustrirte Zeitung, etj.


Paolo Veronese, Vizatim për tablonë Mbrojtja e Shkodrës, Muzeu Ashmolean Oxford


Andrea Zucchi, Lufta për mbrojtjen e Shkodrës, gravurë e vitit 1742, Muzeu Britanik, Londër


Antonio Bonamore, Kalaja e Shkodrës, gravurë e shekullit XIX

Pas veprave të mësipërme, kryesisht atyre kushtuar qëndresës në shekullin e XV, marrin një vlerë të veçantë edhe shumë gravura, akuarele dhe vizatime të mëvonshme ku ravijëzohet pamja e plotë e kalasë së Shkodrës. Duket sikur gjithë ato imazhe të sjellin ndër mend qëndresën dhe luftimet e shkodranëve nga mesi i shekullit XV deri në pavarësinë e Shqipërisë. Pjesa më e madhe e gravurave dhe akuareleve të mëpasshëm janë realizuan gjatë shekullit XIX, kur u shtuan përpjekjet e shqiptarëve për liri. Vëmendja e artistëve të huaj për Shkodrën ndjehet në çdo periudhë. Është qytetit ku kanë kaluar apo kanë qëndruar për të pikturuar më shumë autorë të njohur europianë. Edhe ekspozita e parë e  artistëve të huaj që kanë pikturuar në trojet shqiptare u çel në një nga sallonet e Shkodrës. Nga data 30 prill deri më 2 maj të vitit 1918, piktorët Armin Horowitz, Pravotinsky dhe skulptori László Beszédes ekspozuan para qytetarëve shkodranë skica, vizatime, peizazhe në akuarel dhe ngjyra vaji, me motive të ndryshme nga bota shqiptare8. Aty u paraqitën edhe disa imazhe nga kështjella legjendare. Në qytetin ku pikturuan dhe ekspozuan gjithë ata autorë të huaj është hapur gjithashtu edhe e para ekspozitë në grup e artistëve shqiptarë. Në muajin shkurt të vitit 1923, Shoqëria Rozafa mblodhi në një sallë të përbashkët veprat e artistëve të njohur Kol Idromeno, Ndoc Martini, Andrea Kushi, Simon Rrota si dhe të disa autorëve të tjerë që nuk e çuan deri në fund rrugën e artit. Në atë ekspozitë mori pjesë edhe At Gjergj Fishta me 24 punime9. Në një nga pikturat e asaj kohe mjeshtri Idromeno pasqyron “Ikjen së Zonjës së Shkodrës”. Mbështetur në legjendën e hershme ai paraqet fluturimin e ikonës nga kisha në rrëzë të kalasë Rozafa drejt Italisë në vitin 1467, pikërisht në kohën kur ushtritë osmane po dyndeshin drejt pushtimit të plotë të Arbërisë, pas vdekjes së Skënderbeut. Sipas legjendës ikona “Zonja e Shkodrës” arriti në qytezën Genazzano, pranë Romës, më 25 prill të vitit 1467 dhe u vendos në altarin e kishës Madre del Buon Consiglio. Udhëtimi nga Shkodra në Genazzano dhe pritja nga besimtarët vendas është pasqyruar në dy tablotë “Shkodër – Genazzano” dhe “Mbërritja e Zonjës së Këshillit të Mirë në Genazzano” të artistit italian Prospero Piatti. Pikturat mësipërme të Idromenos dhe Piatti-t mund të cilësohen si imazhet më të afërta pararendëse për tablotë kushtuar luftrave për mbrojtjen e Shkodrës në vitin 1479, luftime që u zhvilluan pranë kishës, ku ndodhej ikona “Zonja e Shkodrës”, si dhe në pjesën e sipërme të kodrës shkëmbore, rreth mureve të larta të kalasë Rozafa.


Reliev kushtuar qëndresës së Shkodrës në vitin 1479, Scuola degli Albanesi, Venezia

Siç del nga përshkrimet e mësipërme, veprat me temë nga mbrojtja e Shkodrës, të pikturuara nga disa autorë të shquar, i dhanë jehonën e përjetshme qëndresës shqiptare gjatë shekullit XV. Që nga koha e realizimit të tyre, ato vazhdojnë të soditen nga vizitorë të shumtë në disa prej muzeve dhe galerive më të rëndësishme të Europës. Vazhdojnë t’i bëjnë jehonë botës shqiptare. Përveç Pallatit të Dozhëve në Venecia, ku është pikturuar afresku nga Veronese, veprat e tjera ndodhen në Muzeun Ashmolean të Oksfordit, në Museun Britanik në Londër, te Scuola degli Albanesi në Venecia, si dhe në koleksione të tjera private në Itali, në Angli dhe nëpër vende të tjera.

Nga kërkime e hulumtime të ardhshme me siguri do të  dalin në dritë edhe gravura, litografi, vizatime, akuarele, tablo apo relieve dhe punime të ndryshme artistike. Vepra të reja po zbulohen edhe në fusha të tjera. Para pak kohësh doli nga shtypi një libër i ri rreth një dorëshkrimi të panjohur kushtuar luftës për mbrojtjen e Shkodrës9.


Edward Lear, Shkodër 1848, The Houghton Library, Harvard University, USA

—–
* Fragment nga libri HISTORIA E SHQIPTARËVE NËPËR MUZETË E ARTIT, në proces botimi nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë.

Bibliografi:

1. Barleti, M.: Rrethimi i Shkodrës, përgatitur për botim David Hosaflook, f. 2-3, Onufri, Tiranë, 2012.

2. Sipas Prof. Aleks Buda, Hyrje në botimin e librit të M. Barletit Rrethimi i Shkodrës, Tiranë 1967, f. 5-52, botuar edhe në librin Buda, A., Shënime historike, Vol. I, f. 346, Tiranë, 1987.

3. Whiteley, J.: Sipas përshkrimit në skedën e vizatimit për tablonë Mbrojtja e Shkodrës, të piktorit P. Veronese. WA 1938.44 , The Ashmolean Museum, Oxford, 2008.

4. Nadin, L.: Shqiptarët në Venedik. Mërgime integrim 1479-1552, Shtëpia Botuese 55, f. 21,Tiranë, 2005.

5. Nadin, L.: Venezia e Albania: Tracce di antichi legami, f. 8-9, Venezia-Mestre, 1995.

5. Anthony van Dyck: Defence of Scutari; after Paolo Veronese, no 1957, 1214.207.52, British Museum, London. Shënime nga kërkimet në arkivin e Muzeut Britanik, Londër, 1992.

6. Valenti (Durazzo), A.: I Durazzi, da schiavi a dogi della Republica di Genova, f. 25, 42-43, 57, Genova, 2004.

7. Zucchi, A.: La città di Scutari diffesa da Antonio Loredano contro Turchi, 1720 (after Paolo Veronese) 354 x 524 mm, British Museum, London.

8. Sipas artikullit: Ekspozision pikturash në Shkodër, “Posta e Shqypnis”, f. 3, Shkodër, 4 maj 1918.

9. Për më shumë shih: Ekspozitë pikturash kombëtare në Shkodër, revista “Hylli i Dritës”, nr. 2, f. 12, Shkodër, 1923.

10. Bëhet fjalë për librin La guerra di Scutari, da un manonscritto, përgatitur nga Lucia Nadin dhe Aurel Plasari me parathënie nga Matteo Mandala, botuar nga Viella, mars, 2024.


Marrë nga ExLibris

Lexo më shumë nga

Ekspozita “RINart”, në zemër të Belshit!

Ekspozita organizohet nga Universiteti i Arteve të Bukura, nën kujdesin e dekanit Prof. Sadik Spahia. Kurator Helidon Haliti

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.