Andrea Çerma, “qëndistari” i kashtës dhe i hekurit!
Durrsaku i mirë, i mençur dhe zemërbardhë. Artist në shpirt dhe në punë.
Nga BUJAR QESJA
Mjeshtër i Madh
Autori i shkrimit, Bujar Qesja
***
Nëse do ta krahasoja punën time më një qilim shumëngjyrësh, endësit e përkryer të këtij qilimi janë durrsakët, njerëz të zot dhe të aftë, të mënçur dhe mëndjeprehtë, punëtorë të padorëzuar, ani se jeta i numuron në kurriz vite e vite frymëmarrje. Nuk lodhen. Nuk thonë :oh! Nuk mërzitën. Tërë kohën, e mbulojnë me djersë vazon e punës, që buron nga mëndja dhe muskujt e tyre. Durrsakët nuk jepen dhe nuk kënaqen me atë që bëjnë, sado e mrekullueshme të jetë. Kështu bëhen shumë të thjeshtë, shumë modestë dhe kërkojnë e kërkojnë, sa vetë mundësitë e tyre. Mbarojnë një punë dhe nuk kanë kohë të lavdërohen, pasi shpejt nisin punën tjetër. Mrekullinë e ndërtojnë me fantazinë e tyre, që buron nga një shpirt i pastër, i kristaltë, që jo rrallë e krahasoj me të bardhën e cipës së qepës.
Flas kështu e shkruaj gjithashtu kështu, kur kam parasysh shumë e shumë durrsakë, e në rastin konkret shkund fantazinë dhe fryj si një forxhë, për të ngrohur mendimin e të vesh me merak, kostumin me ngjyra të ndezura të qepur mirë e bukur, nga puna e mrekullueshme që ka kryer e kryen 85 vjeçari Andrea Çerma.
Një burrë kockëfortë, me fizik të padorëzuar, me syze që i jep rehatinë e shikimit, “vrapon” me biçikletën e tij, ku si zakonisht durrsakët e kanë pa mbulesë zinxhiri dhe e vendos natyrën, për t’i dhënë fuqi shtatit të tij si lis. Ishte viti 1955 kur prindërit e tij Llazar dhe Vojsava, zbritën nga fshati Jubë për t’u vendosur në Durrës dhe për ta veshur këtë qytet me bukurinë e shpirtit, për t’i dhënë ritëm me fuqinë e mëndjes dhe të fizikut të tyre. Duke qenë i datëlindjes dhe vitlindjes 30 nëntor 1939, i bie që Andrea Çerma, të ketë qenë 16 vjeç dhe të bëhet banor i Durrësit prej afro treçerek shekulli.
Nga galeria e shpirtit të durrrsakëve nxjerr vetëm flori, ku sonda e fuqishme e mendimit të gazetarit, e nxjerr në sipërfaqe dhe e bën pronë të njerëzisë. Durrsakët nuk të çfaqen, por do t’i kërkosh. Nuk bërtasin, por me veshët e intuitës duhet të dëgjosh. Nuk mburren, por me instiktin e profesionit duhet t’ia blesh thjeshtësinë. As më shumë dhe as më pak me këto veti, apo me këto cilësi, është i veshur këmbë e kokë, plaku i paplakur me emrin Andrea dhe mbiemrin Çerma. 85 vjeçar, me besim të patundur për të kapur 100 vitet. Plak i fortë si shkëmb, që po i lëkundet shikimi dhe forca po i zbret disa shkallë, por mbetet i palëkundur, duke mbjellur në bahçen e shpirtit të tij kurajo, optimizëm dhe qendresë për të vazhduar, për të bërë më tutje.
Kurioziteti, si ngacmim i kahershëm profesional, nuk më la pa kërkuar të di kuptimin e emrit Andrea. Është emër ndërkombëtar dhe shumë shtete e thërrasin në mënyrën e tyre. Dhe arrita ta gjej dhe po ua çfaq, se çfarë zbulova si kuptim të këtij emri. Andrea përmban të plotë cilësitë e njeriut të fuqishëm, i cili lidhet me guximin dhe forcën, por edhe me dashurinë e marrdhëniet familjare. Ka fuqi interesante përqendrimi. Është gjithmonë në kërkim të një mënyre, për të përsosur ditën e tij me ide të reja. I aftë të mbrojë të tijët dhe të bëj të pamundurën për ta. Dhe Andrea im, që është në këtë rast Andrea Çerma, mbetet plotësisht i veshur me këto cilësi dhe është mbrujtur që në bark të nënës, me këto tregues të cilat i qindisin karakterin dhe e kanë formatuar si njeri.
Punëtor i madh, apo ndryshe thënë puntor i gjallë. Kështu që i vogël. E prishi të bardhën e lëkurës së duarve dhe e qendisi me kallo, kur filloi të bëj punë jo të lehta në Ndërmarrjen e Peshkimit. Prej andej shkon dhe vendoset si punëtor në Postë Telegrafën e qytetit. Andrea, fëmija i dytë i prindërve Vojsava dhe Llazar Çerma, ndër katër vëllezër e shtatë motra, fillon te temperojë jetën në kudhrën e fuqishme të punës, të përpjekjeve dhe vendosmërisë për t’ia dalë dhe për t’u orjentuar me busullën e përshtatshmërisë, ku do të gjykonte ku ishte më e mira dhe më e bukura për të. Dhe siç erdhën punët, ia doli dhe e mbuloi veten. me krenarinë e njeriut të vendosur dhe të bindur për të marrë atë shpërblim që meritonte. Kjo jo thjesht për para, por për moral dhe besim.
Jetë e pasur dhe e pastër me ngjyra të ndezura njerëzore, ku djersa shkëlqen si margaritar, ku me punë plotëson bindjen dhe idetë e mëndjes, ky Andrea Çerma fillon ta vendosë emrin tek të mirët, tek të pasurit e ndërgjegjes, ndershmërisë dhe sinqeritetit, veçanërisht kur mbaron kurse profesionale dhe merr në dorëzim tornon gjigande vertikale në Uzinën Mekanike Bujqësore të Durrësit. Ishte viti 1962 dhe Andrea sapo kishte kaluar të njëzetat. Dhe më pas, hajde punë hajde! Ndante turnin me Agron Famën dhe bënin punë, që mbanin gjallë prodhimet e reja të kësaj uzine, tërësisht e ndërtuar për mekanikën bujqësore dhe përsosjen e saj.
Puna si tornitor, ia mbajti gjallë mëndjen dhe i nxiste fantazinë, shpirtin krijues dhe novator, duke ndërtuar skica, e aplikuar njohuri matematikore dhe gjeometrike. Parë kështu ky Andrea Çema i dha emër emrit të tij, e bëri fort të lakuar dhe të preferuar, duke u vendosur në krenarinë e ecurisë së UMB-së. Me të gjithë drejtuesit, ku e çoi puna të bashkëpunonte, ishte okej për çdo gjë. Kështu me Sabri Cevanin, Napolon Shtyllën, Pavllo Rokon, Ferid Korrën etj. Andrea Çerma, e mbuloi së pari emrin me djersë dhe pastaj e veshi me autoritetin e mekanikut të thekur, për të bërë punë të mbara dhe të dobishme. Dhe e mbylli kapitullin e tornitorit dhe të shembullit të punëtorit mbushur me tregues mburrës, por të paçfaqura si të tilla kurrë dhe asnjëherë, nga i miri dhe i mënçuri Andrea Çerma.
Krejt papritur, marrë shkas nga një dukuri e rastësishme. Andrea Çerma do të “vishej” me kashtë dhe tërë jeta pas kësaj, do t’i kushtohej këtij sendi që transformonte objektin e punës. Kur shkon një ditë në sektorin “Hekurrudha” në Plazhin e Durrësit, tek daja i tij Vlash Çifligu, shikon diku të vendosur vazo të punuar me kashtë. E kishte lënë aty një pushues, i cili punonte në Ndërmarrjen Artistike “Migjeni” në Tiranë. Andreas i tërhoqi vëmëndjen. E mori në dorë dhe e vështroi me shumë kërshëri. E pëlqeu. Në çast në mëndje, i shkrepi surpriza. I tha vetes:
-Do të mundohem ta bëj kështu edhe unë një të tillë. Shumë e bukur! Përpos vlerave artistike, ishte punuar me kashtë! Habi si është bërë.
Fantazia thurej, sikur të ishte qilim fluturues. Kërkoj të gjej kashtë. U hodh nga fshati “Rinia” dhe kërkoi buzë kanaleve, ku në moçalishtet e sajuara nga natyra, bubrroi të gjente lëndën e parë. Mëndja e tij punonte 24 orë. Profesioni i tornitorit, ku ishte vlerësuar me titullin “Mjeshtër”e ndihmonte. Skicat e panumurta të projekteve të detaleve, maketeve e stampimeve të tyre, ia lehtësuan vëmëndjen për të çfaqur konkretisht, atë që po strehohej në mëndjen e tij pjellore. Fantazia filloi të bëj kërdinë mbi atë që do të çfaqte, duke befasuar çdo njërin, për të prekur mrekullinë e një pune e cila nuk ndalej.
Nuhati që kashta e elbit të egër, ishte e duhura. E fortë, me brumë brenda dhe mund t’i rezistonte punimeve artistike. Nyjet e kallirit të elbit të egër, duke çfrytëzuar gjatësinë dhe fortësinë, ishte më e mundura. Kashtën e vendoste në ujë, e cila kishte veti të fryhej në mes. Pas kësaj, ia largonte brumin dhe e thante në diell. Kashta forcohej dhe shkëlqente. Gëzimi i Andrea Çermës i kaloi kufijtë. Ashtu si Arkimedi me levën e tij të famshme edhe Andrea thërriti me të madhe :”Eureka”- e gjeta.
Iu kujtua vegjëlia, Juba e fëmijërisë së hershme, kur gjuante me shokët për mëllenja. Në baltovinat pranë bregut të detit, përpunonte gjolin dhe pasi e rrihte ndërtonte sfera në formë plumbi. I ngrohte në zjarr dhe materiali bëhej i fortë. Falë llastiqeve, Çerma u bë gjahtari më i dëgjuar në fshat, për mbushjen e trastës plot me mëllenja. Kështu nisi të formohej fantazia e tij, të thellohej si tornitor dhe të kristalizohej me përpunimin e kashtës, ku punimet artistike ishin më shumë se mrekulli.
“Inatin” e kishte si fillim, me vazon e tiranasit të artistikes. Dhe e bëri njëqind herë më të mirë, më të bukur, më të paraqitshme. Kaq u desh dhe seria e prodhimeve të reja me bazë kashtën e elbit të egër, e bëri të njohur Andrea Çermën, i cili ndërkohë kishte krijuar familje. Vajza e bukur, që do të bëhej bashkshortja quhet Jorgjie Fili. Familja Çerma shtohet me katër fëmijë. Janë Teodori, Ardiani dhe binjakët vëlla e motër Rolandi dhe Arta. Jorgjia shumë e spikatur në punë, në repartin e ambalazhit në fabrikën e duhan cigareve “Telat Noga”. Grua e urtë dhe krah i fortë, i artistit të metalit dhe kashtës së elbit të egër Andrea Çerma.
Andrea i bënte të gjitha, që nga gjetja e lëndës së parë, përpunimi i saj, shkëlqimi, llakimi dhe prodhimi i ri qendiste mjeshtërinë e rrallë, të këtij mjeshtri plot mendim dhe fantazi. Durim e pasion thua! Nerva të forta dhe përqendrim thua! Fantazi e gjallë i një përkushtimi të jashtëzakonshëm. Shumë i veçantë mbetet edhe tani në ditët e sotme ndër artistët improvizues, me shije dhe shikim të veçantë në Durrës me emrin Andrea Çerma.
Lodhje e jashtëzakonshme. Punonte tërë ditën, nuk ndalej. Planifikonte kohën deri në sekonda. Kombinonte në perfeksion të gjitha detyrimet, të tornitorit në UMB, të artistit në kohën e dytë të ditës, të familjarit të përkushtuar dhe duke u ndalur deri pranë ditëve, ku plotëson 85 vite jetë me 30 nëntor 2024. I vishte shishet e pijeve me kashtë. Me kashtë vishte kornizat e fotografive, korniza zbukurimesh të ndryshme, kuti tualeti për femrat, suprina tavolinash, e pa u ndalur shumë të tjera. Bëhet fjalë tashmë për kashtë artistike, e llakuar, me shkëlqim dhe shumë tërheqëse dhe e hijshme.
Mëndja e tij bluan e bluan. Nuk qendron në vend. Është mishërim i urtësisë popullore: “Çi sheh syri, i bën dora”. Sfidat dhe të papriturat bëhen bashkëudhëtare. U fiksua një herë me kullën e famshme franceze “Ejfel”. Si mund ta realizonte? Shumë e vështirë, e ndërlikuar. I hyri kësaj aventure dhe ia doli. Sukses i merituar. Me shufrat që zakonisht vendosen shishqebapët, Andrea Çerma realizoi Kullën e “Ejfelit”, që është në qendër të Parisit. Dhe në majë të saj, shkoi me këtë punë mjeshtërore, krejt të veçantë, ku ekspozohen cilësitë më të prekura njerëzore, të artistit mëndjehollë dhe mëndjeprehtë, të punëntorit të madh e të palodhur, të fantazistit plot sharm e mrekulli. Emri Andrea Çerma.
Veç kashtës së elbit të egër, Çerma bëri mrekulli me iriqët e detit, me brirët e bagëtive, më kunjat e drurit, me guackat e detit, e me të tjera materiale. Në një kohë ishin në modë, pamjet natyrore me shtëpi kineze, orientale. Edhe ato i prodhoi mëndja në lëvizje dhe e pandalur e Andrea Çermës. Me iriqët ndërtonte pemë zbukuruese, që befasonin kureshtarët. Me dru dhe kashtë ndërtonte anije me vela, peshq, zogj e gjithçka.
Ardiani, djali i dytë i çiftit Çerma, shumë i shkathët është i mrekulluar nga i jati. Dhe shprehet:
-Pasioni, talenti dhe vullneti i tij janë shembull më vete. Babai na ka edukuar me punën dhe ne shikonim tek ai punëtorin e gjallë dhe të palodhur. I vetëm punonte tërë kohën. Dhe çfarë punësh? Ishte dikur ekspozita “Shqipëria Sot” në Tiranë. Shumë punime të Andreas tërhiqnin vëmëndjen. Kanë qenë shumë. Përfaqësonte Durrësin në mënyrën më të mirë. Por fatkeqësisht, asnjë nga këto punime nuk i kemi. I dorëzuam, por nuk i morëm. Nuk prish punë. Babai im kështu është shpërndarë në shumë shtëpi, mbase dhe mjedise zyrtare, ku të tjerët mbase mburren me duart e arta dhe mëndjen e florinjtë të babait.
Sikur të mos mjaftonte tërë kjo punë dhe tërë ky mundim, Andrea nuk ndalet. Rolandi djali i tretë jeton në Itali, por shtëpia e tij në Durrës është rrethuar me bahçe. Puna e Andrea Çermës, e ka bërë të këndojë këtë tokë, duke e kthyer në të bekuar. Bën bujkun, sikur ta kishte profesionin e jetës. Ka mbjellë perime dhe zhvillon frutikulturën. Plotëson të gjitha nevojat familjare, me prodhime të freskëta të fushës. Ka aty vreshtari, fiq, kumbulla, mollë, ulli, deri në manaferra. Nipërit dhe mbesat krenohen me gjyshin e tyre.
Natyra e përkëdhel dhe e mban tërë kohën në krahët e saj, këtë njeri të thjeshtë, këtë punëtor të mrekullueshëm, këtë zotni dhe zanatçi të rrallë, që tërë jetën ia kushtoi punës, duke fituar me meritë pozicionin e njeriut të përkushtuar, të mbushur me krenari të ligjshme dhe kënaqësi shpirtërore. Sikur të mos mjaftonin tërë këto angazhime të mëdha, të ndjeshme dhe të prekshme, tjetër pasion i Andreas mbetet peshkimi. Të mos harrojmë: është 85 vjeç.
Por në këtë moshë, ajo që po e gëzon me shumë Andrea Çermën është çerdhja familjare, kryefryti i kënaqësisë së tij. Teodori, djali i madh ka dy djem Kristin dhe Marion. Dhe Mario, do të kthehej në kapitullin më interesant të jetës së Andrea Çermës. E bëri së pari gjysh dhe së dyti stërgjysh më vajzën Dajanën. Ardiani, biznesmen i njohur në Durrës është me tre fëmijë. Enxhi që jeton në Amerikë. Lindja e Amaja-s, i dha Ardianit statusin e gjyshit. Dy fëmijët e tjerë janë Elieni dhe Aria. Fatbardha, e shoqja është stiliste. Familja e Rolandit është shtuar me një djalë: Lukan. Arta, vajza e vetme e Andreas që ka lidhur jetën me Sami Seferin, i gëzohet familjes e shtuar me tre fëmijë si drita: Serxho, Sabina dhe Anxhela.
Nuk ka si bëhet, një finale aktive e gjallë, me shumë fat, me shumë mbarësi për Andrean. 85 vite jetë, me mundësi për të ecur më tej. Me fëmijë, me nipër e mbesa, gjysh dhe stërgjysh, me grua të fortë Jorgjien 82 vjeçare. Të gjitha këto, të lidhura me kënaqësinë e një pune të jashtëzakonshme ku prezantohet si tornitor, novator, mjeshtër, përpunues i metalit, por edhe artist niveli, duke dhënë punime tërheqëse dhe shumë të veçanta.
Rrugëve të Durrësit, në shetitoren e njohur të “Vollgës”, lëviz i qetë, herë në këmbë dhe herë me biçikletë një 85 vjeçar. Lodhja e jashtëzakonshme dhe diabeti aktiv, ia kanë zbehur disi shikimin, ndonëse vështrimi me sytë e mëndjes as nuk mendohet t’i shuhet ndonjëherë. Ulet dhe kujton që pasi doli në pension, ngriti me inisiativën e tij një minipoligon, ku njerëz të moshave të ndryshme gjuanin me pushkë, duke marrë në shenjë objektivin. Trajtonte pushkën sportive. Dhe ia mësoi të vegjëlve të tij, se çfarë është “syri i pushkës”.
Një puhizë e lehtë që vjen nga thellësia e Adriatikut, i përkëdhel flokët e bardha, për t’i treguar se kështu të bardhë e pati jetën dhe të bardhë do ta ketë edhe më tej. Vështron njerëzit të cilët kalojnë të qetë para tij. Kqyr me shumë kënaqësi ndërtimet e reja, shtrirjen urbane të Durrësit dhe kujton si ishin vitet 50-të, ku këmba e tij shkeli në asfaltin e qytetit. Por me Durrësin e lidhi jeta shumë, shumë vjeçare duke ndikuar sadopak me shembullin e tij, me punën e tij, me familjen e tij, që të ishte pjesë modeste por aktive e qytetit.
Andrea Çerma! Portreti i pasur dhe i pastër i njeriut me zemër të bardhë, që diti mirë dhe bukur, të bëj në jetë detyrat që i takonin. Dhe është në vlerën e kësaj kënaqësie, të gëzojë atë që krijoi vetë, por edhe atë që i taksi Zoti.
_____________________
Durrës: 24 tetor 2024