Instalacioni “Foleza”, simbol i harmonisë mes natyrës dhe zhvillimit urban
Instalacioni artistik “Foleza” është realizuar nga artisti Vasil Dhiamandi, Krisiko Studio dhe Dhimandi Studio.
Instalacioni artistik “Foleza”, realizuar nga artisti Vasil Dhiamandi, Krisiko Studio dhe Dhimandi Studio, mbështetur financiarisht dhe komisionuar nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit si pjesë e konkursit “Art në Hapësirat Publike”, është një instalacion artistik i konceptuar për sheshin rrethor të Plepat, në Durrës, një zonë strategjike pranë detit dhe me potencial të lartë turistik.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja solli në rrjetet sociale pamje nga ky instalacion, duke shpjeguar edhe disa nga karakteristikat.
Sipas tij, instalacioni frymëzohet nga folezat e shpendëve, duke simbolizuar harmoni ndërmjet natyrës dhe zhvillimit urban.
“Kombinimi i formave organike dhe materialeve të qëndrueshme krijon një habitat të ngrohtë për shpendët, duke pasuruar peizazhin urban. Sipërfaqet e lëmuara dhe linjat e lakmueshme krijojnë një dialog natyral ndërmjet veprës dhe mjedisit të saj, ndërsa shtyllat vertikale të çelikut, të pajisura me ndriçim dinamik shumëngjyrësh natën, pasqyrojnë ritmin e qytetit në lëvizje”, u shpreh Gonxhja.
“Foleza” kalon përtej dimensionit të saj artistik, duke u bërë një pikë referimi mjedisore që nderon proceset natyrore dhe rrit ndërgjegjësimin për ruajtjen e mjedisit.