“Bashkëbisedim me Mjeshtrat”
Ekspozita në Galerinë FAB synon të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
Nga Anisa Skënderi
Kjo ekspozitë ka si qëllim të thellojë lidhjen ndërmjet studentëve të arteve dhe trashëgimisë kulturore shqiptare, duke i futur ata në thellësi të veprës së artit të traditës dhe bashkohësisë shqiptare. Nëpërmjet një marrëdhënieje, aktive dhe interpretative me veprat e artit, ky projekt synon jo vetëm t’u ofrojë studentëve mundësinë e njohjes dhe përvetësimit të teknikave dhe metodave të ndryshme të krijimtarisë artistike, por edhe të krijojë një mjedis të pasur mësimor dhe reflektues mbi rolin e artit në kontekstin historik dhe kulturor shqiptar. Një aspekt thelbësor i këtij projekti është ndihma në zhvillimin e një dialogu të hapur mes studentëve dhe veprave të artit, ku ata do të kenë mundësinë të analizojnë, interpretojnë dhe reflektojnë mbi tematikën dhe teknikat e përdorura në krijimin e këtyre veprave. Ky proces do të përfshijë jo vetëm analizën vizuale të veprave të artit, por gjithashtu një përpjekje për të kuptuar mesazhin e thellë që ato përçojnë, dhe si kjo lidhje mund të aplikohet në krijimtarinë e studentëve.
Përmes praktikës së punës direkte me veprat e artit, studentët do të njihen me metodën e krijimit të telajos, gruntit dhe ngjyrave, si dhe me teknikat e vlerësimit dhe ruajtjes së veprave, një aspekt shumë i rëndësishëm në krijimin dhe konservimin e artit. Për më tepër, ata do të zhvillojnë një kuptim më të thellë mbi aspektet e mjeshtërisë dhe teknologjisë së përdorur nga autorët e veprave të përzgjedhura, duke zbuluar se si çdo artist përdor mjete dhe teknika të ndryshme për të shprehur idetë dhe emocionet e tij.
Në mënyrë krahasuese, studentët do të angazhohen në diskutime të hapura mbi lirinë krijuese, rolin e artistit në raport me kohën dhe shoqërinë, si dhe mbi mënyrën se si çdo artist, krijon një gjuhë të tij, të veçantë që reflekton realitetin dhe ndikimet kulturore të periudhës në të cilën jeton dhe punon.
Kjo bisedë do të synojë të theksojë se çfarë ndodh kur artistët ndërveprojnë me njëri-tjetrin, si ndikohen dhe ndryshojnë ata si rezultat i këtij dialogu dhe si kjo ndikon në krijimin e veprave të artit.
Një pjesë tjetër e rëndësishme e këtij projekti është zhvillimi i aftësive të studentëve për të kuptuar më mirë marrëdhënien mes veprave të artit, duke i parë ato jo vetëm si objekte të veçanta, por si pjesë të një grumbullimi më të gjerë që komunikon me njëri-tjetrën. Ata do të kenë mundësinë të vlerësojnë sesi veprat e artit lidhen me njëra-tjetrën, brenda një hapësire të caktuar, siç është galeria FAB, dhe si mund të krijohet një përvojë koherente për spektatorët, duke ruajtur lidhjen emocionale dhe konceptuale të ekspozitës.
Përmes këtij projekti, studentët do të zhvillojnë aftësi të thella analitike dhe interpretative, duke mësuar si të lexojnë dhe të kuptojnë veprat e artit, nga një perspektivë kohore dhe sociale. Ky proces do të jetë një mundësi për studentët që të krijojnë një lidhje të fortë dhe të vetëdijshme me veprat e artit dhe t’i ofrojë atyre mundësinë për të zbuluar gjuhën e tyre artistike, duke përdorur teknikat dhe temat që ata mësojnë për të zhvilluar një praktikë të qëndrueshme dhe të pasur krijuese.
Gjithashtu, ky projekt do të ketë një ndikim të rëndësishëm në zhvillimin e studentëve në kontekstin e edukatës artistike. Ata do të jenë në gjendje të aplikojnë praktikat e mësuara për të krijuar një ekspozitë dhe për të marrë pjesë në zhvillimin dhe kurimin e saj, duke përdorur një qasje që respekton traditën, por gjithashtu e përshtat me nevojat dhe kërkesat e kohës së tanishme.
Në këtë kuadër, edhe pse Galeria Kombëtare e Arteve ka kaluar në një fazë rikonstruksioni të ambienteve të saj dhe ekspozimi i veprave nuk është i hapur për publikun si dikur, ky projekt synon të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi dhe ndërveprimi me institucione të tjera të kulturës dhe arsimit, duke krijuar një hapësirë për rinovimin e energjive kreative të studentëve të arteve dhe mbështetje për zhvillimin e tyre profesional.
Në përfundim, ky projekt përbën një mundësi të shkëlqyer për studentët e arteve për të pasur një përvojë të thelluar dhe gjithëpërfshirëse në artin shqiptar, duke ndihmuar ata të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të krijuar, analizuar dhe interpretuar veprat e artit në një mënyrë të pasur dhe të shumëanshme.
Kuratore: Merita Selimi
Asistent/Kuratore: Zigrida Sulaj