“Tejdukshmëri ekzistenciale”
Piktori Krist Dimo sjell një narrative unike në ekspozitën e tij të hapur në COD
Në shkrimin kuratorial, puna e Krist Dimos paraqitet si një kërkim për të kuptuar natyrën e ekzistencës njerëzore, që shpesh është e mbushur me tensione dhe kontradikta, konflikte të brendshme dhe të jashtme, por gjithashtu është një hapësirë e pafund mundësish.
Krijime plot ngjyra dhe forma, një hapësirë që na fton të ndalemi, të gërmojmë më thellë dhe të shohim realitetin përtej sipërfaqes.
“Pikturat e Dimos krijojnë një fjalor unik të karakterizuar nga imazhe të përsëritura, koka njerëzore me gojë hapur si të ishin duke folur, një shumëllojshmëri shenjat dhe kolazhesh të çuditshme dhe kanavacë e tij janë një thirrje për reflektim“-shprehet Jetona Koçibelli, kuratore e ekspozitës.
“Jam një admirues i pikturës së Kristit. Piktura e tij është e lirë, ekspresive, shumë personale, shumë autentike“-u shpreh kryeministri Edi Rama.
Fytyrat e njeriut të mbytur, si kafka, me sy bulbozë, hundë të lyer dhe dhëmbë të dukshëm, si dhe skicat anatomike, përshkruajnë devizën e artit të tij. Kanavacat e mëdha të Dimos vibrojnë me ngjyra, shenja, forma dhe tekste.
Veprat e Dimos janë më shumë se thjesht imazhe, ato janë një thirrje për reflektim dhe një mundësi për të menduar për botën që na rrethon dhe rolin tonë brenda saj.
Në shumë prej veprave të tij, Krist Dimoja eksploron ndikimin e shoqërisë moderne e postmoderne tek individi, duke shqyrtuar aspektet e identitetit, të lirisë dhe të shprehjes personale.
Krist Dimo lindi në Durrës, në vitin 1956. Përpara vitit 1991, orientimi i tij ndaj pikturës ishte pothuajse jo formal. Talenti dhe stili i tij autodidakt e udhëhoqi në këtë periudhë.
Pas vitit 1991, duke emigruar në Itali (Foggia) mund të flasim për një periudhë të vërtetë formimi, duke iu përkushtuar krejtësisht pikturës. Kjo falë prof. Dario Damatos (drejtor i Akademisë së Arteve Foggia 1988-2000), i cili i krijoi kushtet për të punuar dhe për t’u zhvilluar. I gjithë qëndrimi 10-vjeçar i tij në Itali ishte mjaft produktiv dhe shërbeu si bazë e prodhimtarisë së tij artistike (kuadrot e kësaj periudhe janë në një koleksion privat në Romë).
Ka marrë pjesë në “ekspozitat e nëntorit” në Galerinë Durrës, si dhe në Galerinë Kombëtare (Tiranë, 1982). Pas “Onufri 2000”, Tiranë, e gjithë prodhimtaria i përket periudhës 2015-2024. Së fundmi ka qenë pjesëtar i Fedac Found Brussels, Hambly and Hambly dhe galeria Kiro Group C Irlande, si dhe Eine Art Galery.
Ekspozita Ekspozita që përmban 31 vepra artistike dhe do të qëndrojë e hapur për publikun nga 11 janari, deri më 14 shkurt 2025./ KultPlus.com