“Të ndjesh pamjen”

Në 75-vjetorin e lindjes të piktorit të ndjerë Besim Tula, në Galerinë FAB ekspozohet një përzgjedhje e veprave të tij


Nga Era Tula

Në 75-vjetorin e lindjes, Besim Tula vjen me një përzgjedhje të veprave të tij, nën titullin “Të Ndjesh Pamjen”, titull i huazuar nga një botim i vetë artistit i vitit 2015 për artistët e rinj, që përmbledh vizionin e tij mbi estetikën e artit pamor.

Ekspozita hapet me veprën “Vdekja e Nënës” (1990), pikturë që në leximin e kritikut Gëzim Qendro, shërbeu simbolikisht si një paralajmërim për fundin e Realizmit Socialist, duke shënuar “hyrjen e Vdekjes në hapësirën e patrazuar më parë të artit totalitar”. Megjithëse është një pikturë realiste, artisti nuk përçon vetëm praninë e vdekjes, por më thellë, mungesën e jetës – e shprehur nga trupi i fshehur i të ndjerës nën jorgan, kufijtë e vagullt të të cilit shkrihen me hapësirën përreth, duke theksuar largimin nga jeta.

Për shkak të përzgjedhjes së një teme dikur e gjykuar e padenjë për t’u pranuar në hapësirat zyrtare të ekspozimit, dimensionit njerëzor, si dhe artikulimit të dhimbjes larg traditës së heronjve të tablove soc-realiste, Qendro gjykonte se kjo tablo ishte “një nga veprat e fundit të viteve ’80 që shënoi kufirin ndarës midis epokës së Realizmit Socialist dhe periudhës paskomuniste, një vepër ku dallohej më shumë koha që po vinte se ajo që po lihej pas”.

Ekspozita mbyllet me veprën “Vrasësit me pagesë” (2020), e cila është dhe puna e fundit e ekspozuar nga vetë artisti. Thelbi i një vrasësi me pagesë është i rrënjosur në shkëputjen tronditëse midis pamjes dhe ndjenjës. Ndryshe nga krimet në familje apo hakmarrjet personale, vrasësi me pagesë vepron brenda një kuadri transaksioni ku vrasja është thjesht një shërbim, i zhveshur nga angazhimi emocional apo moral.

Ky portretizim shërben si një kritikë e forcave më të gjera shoqërore që mundësojnë një shkëputje të tillë, duke vënë në pikëpyetje implikimet etike të një bote ku jeta mund të blihet dhe shitet mjaft lehtë. Ajo që është veçanërisht e fuqishme në këtë vepër, përtej shifrave tronditëse se sa kushton marrja e një jete, është vendimi i artistit për të vendosur veten në pozicionin e viktimës, për të krijuar kështu një lidhje të identifikueshme midis saj dhe publikut. Ai nënvizon idenë se viktimat nuk janë thjesht entitete abstrakte, por njerëz realë me histori, familje dhe jetë që kanë rëndësi.

Përtej këtyre dy akteve që kanë shenjuar krijimtarinë e Besim Tulës, ekspozita paraqet 30 vitet e fundit të rrugëtimit të tij artistik, duke i lejuar kështu vizitorët të dëshmojnë evolucionin e artistit, jo vetëm në aspektin e subjekteve të trajtuara dhe stilit shprehës, por sidomos në kuptimin e tij, gjithnjë e më të thellë, të përvojës njerëzore. Koncepti i saj, siç e tregon dhe vetë titulli, inkurajon publikun jo thjesht të shohë, por të ndjejë thelbin e asaj që po shikon, duke e bërë përvojën e shikimit më personale. Sipas këndvështrimit të kritikut John Berger, “të shohësh nuk është veprim asnjëanës, por është zgjedhje”, duke qenë se perceptimet tona nuk janë spontane, por përcaktohen nga një mori ndikimesh të brendshme dhe të jashtme. Ajo çfarë shohim dhe mënyra se si e shohim ndikon tek ne dhe përcakton vendin tonë në botë.

 

Në këtë mënyrë, kjo ekspozitë nuk kërkon thjesht të kremtojë veprën e Besim Tulës, por është një ftesë për t’u angazhuar me temat që përcaktuan punën e tij, me estetikën dhe pasionin e tij për ngjyrat, ato ngjyra që synonin të tërhiqnin vëmendjen e publikut për ta angazhuar më tej tek subjekti i portretizuar. Mbi të gjitha është një mundësi për të parë dhe ndjerë marrëdhënien mes veprës së artit dhe vetes sonë, si dhe për të reflektuar mbi kompleksitetin e natyrës njerëzore

Lexo më shumë nga

Syri i piktorit!

Piktori Flamur Vathi ka zgjedhur hiperealizmin për të interpretuar realitetin. Vizatues skrupuloz deri në imtësi

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.