Një foto e vjetër dhe qyteteria e një fshati!

Dardha, fshati i njohur malor në rrethin e Korçës, ka nisur mjaft herët marrëdhëniet me jashtë


Nga Qerim Vrioni

Gjatë gjithë historisë së shoqërisë njerëzore, ka pasur vazhdimisht lëvizje të njerëzve nga vendet pak të zhvilluara drejt atyre me nivel më të lartë jetese. Prej andej ndodhte që ata ktheheshin, por ka pasur shumë raste kur shkriheshin me popullsinë vendase. Shembulli më tipik është krijimi i ShBA-ve, i filluar nga pilgrimët e hershëm nga Europa e, duke u kthyer në shtetin më të fuqishëm në botë. Mërgimet vazhdojnë edhe sot, madje janë shtuar ndjeshëm edhe për shkak të konflikteve të armatosura në zona të ndryshme të botës. Këto, herë-herë kanë krijuar probleme të mprehta politike, sociale dhe ekonomike në vendet pritëse, veçse kanë shërbyer edhe si mënyrë për ti shpëtuar zjarrit të luftës ose gjendjes së mjeruar ekonomike në vendet e tyre.

Ikjet e para të shqiptarëve jashtë trojeve të tyre për arsye ekonomike llogaritet rreth 300 vite më parë, kur ata iu drejtuan Stambollit, e më pas edhe Rumanisë, Greqisë dhe Egjiptit. Ndarjet nga familjet, gjithsesi, ishin prekëse e plot dhimbje, aq sa psh., vendi nga ndaheshin familjarët me mërgimtarin e ri në Korçë u quajt “Lëndina e lotëve”. Në fund të shekullit XIX, shqiptarët nisën të shkonin edhe në ShBA, “lëvizje në saj të së cilës në prag të L2B numri i mërgimtarëve atje llogaritej 80.000” (Akademia e Shkencave e RPSSH-Fjalori Enciklopedik Shqiptar-Tiranë ,1985,f.580).

Sidoqoftë, pak kohe pas mbërritjes në vendin e ri, shqiptarët filluan tu nisnin familjeve, përveç letrave të përmallshme edhe një pjesë të fitimeve të tyre (remitancat-siç quhen sot). Me këto të ardhura financiare të dërguara nga largë, vendasit rregulluan në një farë mënyre jetën në vendlindje, madje më mirë se bashkëfshatarët e palëvizur nga shtëpia. Në shkallë vendi, Korça ishte qyteti dhe krahina nga ku pati lëvizjet më të hershme e më të mëdha drejt vendeve të tjera. E, brenda asaj treve, Dardha dallohet si fshati me numrin më të madh të mërgimtarëve, një pjesë u kthye, tjetra u shkri në kontinentin e bekuar, por pa ndërprerë lidhjet shpirtërore me vendlindjen..

Lëvizjet e dardharëve jashtë

Dardha, fshati i njohur malor në rrethin e Korçës, ka nisur mjaft herët marrëdhëniet me jashtë. Ato u zhvilluan qysh kur dardharët ushtruan profesionet e sëpatarit, sharrëtarit dhe drupunuesit në vende përreth, si në Greqi, Bullgari, Rumani (Kristaq Balli, Kristofor Naslazi—Piktorë ikonografë nga Dardha—Toena, Tiranë, 2013, f.20). Nga fundi i shekullit XIX, “Dardha numëronte rreth 400-500 shtëpi me rreth 1500 banorë” (Balli, Naslazi-libër i cituar, f.20), çka flet për një fshat të madh e me pak të ngjajshëm në vend. Më herët, aty rreth fillimit të shekullit XIX, dardharët nisën të merreshin me vizatimin, por edhe gdhendjen e ikonave për kisha dhe manastiret ortodokse, sidomos në Greqi, ku u dallua sidomos fisi Zengo. Mërgimi, përveç dhimbjes së natyrshme të shkaktuar prej ndarjes së njerëzve brenda famijes dhe largësisë midis tyre, solli edhe një farë qytetarizimi të fshatit Dardhë.

Kryesisht, në sajë të mërgimit jashtë shtetit, në fillim të shekullit XX, në Dardhë “kishte teneqexhinj, këpucarë, rrobaqepës, sheqerxhinj, bereber, një argjendar, një orëndreqës dhe një fotograf, fshati kishte kafene dhe hotele” (Vangjush Ziko—Dardha-Legjenda e Feniksit të pyllit–Kotti, Korçë, 2015,f.36). Për nga zhvillimi ekonomiko-shoqëror, prej kohësh, Dardha ka qenë brenda Europës (Balli, Naslazi-libër i cituar, f.11), pra shumë përpara fillimit të shekullit XXI, kur e gjithë Shqipëria ende ndodhet në gardhin e jashtëm të kontinentit plak, e kjo kryesisht edhe në sajë të mërgimtarëve kurajozë e punëdashës dardharë.

Fotografi Thimi Raci

U lind në Dardhë të Korçës më 4 shkurt 1886 në një familje të vjetër vendase. Rreth moshës 15 vjeçare, pasi mbaroi klasën e pestë të shkollës greke të fshatit, shkoi në Rumani. Pas kalimit të disa viteve atje, Raci kthehet në atdhe, ku mbas një qëndrimi të shkurtër në Korçë, mbërrin në vendlindje, Dardhë. Aty mëson nga Pero Kaçauni, fotograf i fshatit, mjeshtërinë e fotografimit, i cili kur u largua në ShBA (1910), i dha edhe pajisjet e fotografimit. Një vit më vonë, 1911, në Dardhë kishte një ndërtesë me tabelën, ”Thimi Raci-Teneqexhi dhe Fotograf” (Ilo Vangjo-libër i cituar, f.145), kohë kur edhe në qytete të vendit nuk kishte të tilla. Ndërkohë, Raci fotografon, përveç popullatës edhe ngjarje të fshatit dhe krahinës, si dasma e funerale, piknike e ditë të shënuara fetare e pagane.

Nga ana teknike ai ka përdorur aparatin me pllaka xhami (kolodio e thatë) të vendosur mbi trekëmbësh druri. Fotot e tij tregojnë se ai kish arritur gjetjen e kohës së përshtatshme të ekspozimit të subjektit para objektivit të aparatit në sajë të aftësive dhe përvojës së tij. Po ashtu, mesa dallohet nga punimet e Racit që kemi shqyrtuar, ai nuk prek kontrastet tonale gjatë stampimit, duke shtrirë në letër ato të çastit të shkrepjes. Shënojmë se kushtet laboratorike të tij ishin shumë modeste, veç të tjerash pa energji elektrike, çka e plotësonte me pasionin e madh për fotografinë. Shtojmë se Thimi Raci luante në violinë me të cilën argëtonte bashkëfshatarët në raste dasmash dhe piknikesh. Po ashtu, “Thimi Raci dallohet, veç të tjerash edhe si njeri me ndjenja të thella patriotike”(Gazeta “Përpara”, 17.12.1988—Fotografë dardharë të traditës—nga Vangjo Ilo, Kristaq Balli).
Prurja tërësore fotografike e Thimi Racit, shumica e të cilës ndodhet në pllaka xhami, në AQSH, thuajse ngërthen gjithë historinë 50-60 vjeçare të Dardhës nga viti 1911 deri më 1966. Me fotot e tij të Dardhës është botuar më 1938, albumi turistik, “Dardha”, i Shoqërive dardhare “Bashkimi” në Bukuresht dhe “Shpresa” në Dardhë, nën vëmendjen dhe mbikqyrjen e Entit Kombëtar të Turizmit. Thimi Raci është ndarë nga jeta më 2 shkurt 1966 në fshatin e tij të lindjes, Dardhë.

Dhjetë çifte dardhare në një foto

Një nga fotot më mbresëlënëse të Thimi Racit është ajo që po e quajmë “Dhjetë çifte dardhare“. Burrat e fotos, të cilët kishin vite që jetonin e punonin si mërgimtarë në Amerikë, ishin kthyer në dimrin 1930-31, përkohësisht në vendlindje për arsye të ndryshme si malli për të afërmit, martesa, lindje fëmijësh, mandej rikthim në atdheun e ri së toku me gratë e tyre (bashkim familjar, siç quhet sot) etj. Gjatë qëndrimit në fshat, ata kishin festuar Krishtlindjet, Vitin e Ri dhe Ujin e Bekuar. Më pas, tetë syresh, nga dhjetë të fotos, u kthyen rishtas në “Botën e Re”, bashkë me gratë.

Gjithsesi, ideja për t’u fotografuar bashkë me gratë e tyre, e hedhur nga njeri prej të mërguarve (i pari që e ka shqiptuar mendimin) është pritur mirë nga të gjithë, po dhe në mënyra të ndryshme. Në fund, të dhjetë (burrat vendosnin) janë njëmendësuar për ta bërë fotografinë. Kjo tregonte se në SHBA, ata nuk kishin fituar vetëm dollarë për vete e familjet, por diç kishin përthithur nga mendësia amerikane e jetës dhe në një farë mënyre po e praktikonin atë në vendlindje. Ndoshta dhe mjeshtër Thimit i është dukur i veçantë propozimi dhe e ka pranuar menjëherë atë. Ai kish rreth njëzet vjet që fotografonte në fshat ngjarje të ndryshme, lindje, martesa, funerale, pagëzime, “ditë të emrit”, festa fetare, piknike, hyrje në shtëpi të reja, madje edhe ndonjë peizazh, por kjo ishte disi e ndryshme. Përveç përfitimit material nga që do bënte të paktën dhjetë copë, atij i është ngacmuar disi përfytyrimi se ajo nuk do ishte një foto e rëndomtë (më vonë, koha i dha të drejtë përfytyrimit të tij). Usta Thimi, kishte bërë shumë foto të përbashkëta me burra dhe gra në raste të ndryshme, ose grupe të ndara sipas gjinisë, por “shkrepje” me kaq çifte së toku nuk i kishte ndodhur ndonjëherë.

Më pas, me gjasë, duhet të kenë nisur diskutimet e shumta e të zhurmshme alla-shqiptarçe, të aktorëve (ata që fotografoheshin dhe mjeshtri) dhe spektatorëve (të afërmë dhe të tjerë), mbi datën, orën, vendin, veshjet. Ndonëse fotografimi në Dardhë ishte diçka e vjetër (fillimet prej gjysmës së dytë të shekullit XIX), vetë tubimi i dhjetë çifteve nuk mbahej mend të kish ndodhur më parë. Atje, kishte shumë mote që fotografohej shumçka, pra prej kohësh dardharëve nuk u krijonte më ndjesi të reja “dalja në fotografi” ose “nxjerrja në fotografi”, por kjo ishte e para e llojit.

Pasi u vendos se do bëhej fotoja, fjala ka të ngjarë të jetë hapur në fshat, së pari në bisedat familjare, në rrugicat e, natyrisht në tavolinat e barit të “Hotel Dëfrimi” (emër i pahasur kurkund në Shqipërinë e asaj kohe), ku dardharët rrëkëllenin ndonje gotë vere a kupkë rakije. Bashkë me lajmin, filluan dhe pandehmat e hamendësimet e shumta, ku përfshiheshin habija, kureshtja e mbase dhe pak zilija (që nuk është fare e huaj për shqiptarët), si…po kjo do jetë ndryshe , të shohim si do dalin, si do vishen etj etj. Edhe figura e fotografit Raci po ngrihej e po merrte një tis të ri, disi më dinjitoz, se në fund të fundit, ata që do fotografoheshin, kishin ardhur nga Amerika dhe kishin parë atje studio moderne të saj . Më ndryshe, me të folmen e shtypit të sotëm, fotografimi i dhjetë çifteve po përbënte ngjarje në fshat. Në foto do përfshiheshin drejtëpërdrejtë pjestarë nga rreth njëzetë familje, që me gjithë farefisin e krushqitë, mund të thuhej se ndoshta i gjithë fshati ishte lidhur me të e po priste me kërshëri ta shihte. Fotoja ato ditë ishte kthyer në kryefjalën e shumë bisedave.

Pas “prerjes së ditës”, bashkë me të e vendit dhe orës, mundet që caktimi i veshjes të ketë hapur punë. “Ata të Amerikës”, kështu nisën të quheshin burrat, këmbëngulën se do të mbanin kostume europiane, edhe pse fshati i tyre kishte një veshje të tijën karakteristike për meshkujt, që quhej mandio. Mosmarrëveshjet, mendojmë se do kenë filluar kur ka ardhur fjala te paraqitja e grave. Ato ishin mësuar që për çdo të kremte të mbanin xibunin, veshjen tradicionale të fshatit (dhe në pajë e mernin nga një të tillë, ndonëse ditën e martesës e nderonin me fustanin e bardhë), që e përdornin në të gjitha rastet e veçanta gëzimi dhe hidhërimi, natyrisht, jo vetëm familjare, që nuk ishin të rralla në Dardhë. Secila mund të kishte dhe rroba të kohës që ja kishin prurë nga mërgimi (këto kanë përbërë mallin kryesor që dhe shumë kohë pas shkrepjes së fotos, shqiptarët sillnin në atdhe), por nën xibun ato, sikur e ndjenin më mirë e më lehtë veten. Xibuni qepej atje, po përdorej ngapak edhe në fshatrat fqinjë si Sinicë dhe Qytezë. Pas diskutimeve të shumta, është pranuar që burrat të vishen si europianë, ndërsa gratë…me xibun.

Tani fillonte puna e fotografit, vendosja së bashku, plani i parë, sfondi, kujdes, drita duhet t’u bjerë në fytyra, ndonëse nuk ka diell. Pasi i ka rreshtuar të dhjetë çiftet, dhe ka vendosur aparatin e madh mbi trekëmbshin prej druri, disa metra largë mesit të rreshtit, vertikalisht me të, mjeshtri u ka kërkuar atyre të kthejnë pak kokën djathtas e të shikojnë në drejtim të tij. Pas shpatullave të mjeshtër Thimit, siç ndodh rëndomë në këto raste, njerëzit po shtoheshin, bashkë me ta dhe bisedat që ndoshta e kanë detyruar fotografin t’u kërkoj heshtje ose ulje zeri sa të mbaronin punë.

Natyrisht, mjeshtri nuk ka bërë vetëm një shkrepje. Kjo mbase dhe e ka munduar, sepse zëvendësimi i pllakave (ende nuk i kishte rënë në dorë aparat me film), në një kohë kur njëzetë vetë prisnin në dëborë, nuk ishte fare i lehtë. Ndërkohë kish filluar dhe padurimi për ta shikuar foton dhe ky tashmë ishte i aktorëve, por jo vetëm i tyre, por pothuajse i të gjithë banorëve të Dardhës. Padurimi për foton, nuk ishte aq i besdisshëm, sepse të gjithë në fshat i njihnin kushtet “laboratorike” të fotografit, një kthinë e vogël brenda shtëpisë. Gjithsesi, pasi fotoja përfundoi ndër duartë e pjesëmarrësve, mund të kenë lindur diskutime, kënaqësi, por dhe ndopak hidhërim, dikush e ka dashur bardhë e zi, një tjetër në sepje (ato kohra ishte si të thuash, një ngjyrë familjare), por me shumë të ngjarë, të gjithë e kanë pëlqyer foton dhe e kanë ruajtur gjatë. Dikush e zmadhoi dhe pasi e rrethoi me kornizë, e vendosi në murin e dhomës më të mirë. E, këtyre fotove të vjetra, dihet tanimë, se u rritet “karati” bashkë me moshën.

Duke e shikuar me vëmendjen e duhur foton, vërejmë se pasi e lejmë mënjanë për një çast, pas pak vetvetiu, ajo na detyron ta rivendosim para syve dhe të nisim sërish të lexojmë mbi të. Në foto ka një farë solemntiteti që shpërfaqet nga qëndrimet e të gjithëve (thuajse gati-tu), por sidomos nga fytyrat e tyre, ku nuk dallojmë gjurmë buzëqeshjeje. Pikasim, me aq sa na lejon pastërtia e fotos, se gratë, përgjithësisht, janë femra të hijëshme, të krehura me kujdes dhe me një tualet të lehtë në fytyrë. Burrat, po si burrat shqiptarë, të vetdijeshëm pak si me tepri për rolin e tyre.

Fotografi mund t’a kish përngrirë pamjen edhe ndryshe, veç burrat, e veç gratë , të bashkuar në mesin e fotos. Ai, zgjodhi këtë, ndoshta për disa arsye. Mbase nuk i pëlqente simetria (jo shumë e këndshme në fotografi) që mund ta thyente dhe me sfondin, por ndoshta më tepër me synimin që çdo “qelizë familjare“, burrë-grua, të paraqitej më vete. Kështu, edhe pse ka një farë simetrie brenda rreshtit ajo “hollohet” mjaft nga ndërtesat e sfondit që janë shfrytëzuar me shumë intuitë nga fotografi ynë. Po ashtu, zgjedhja e pikës së fotografimit, në mënyrë që vija që formojnë çiftet të mos jetë paralele me horizontin, nuk flet për qetësi a prehje. Koha (moti) gjatë fotografimit ka qënë e vrejtur (diellin e kishin fshehur retë) dhe në foto nuk dallohen fare hije, gjë që flet për ndriçim të butë e të shpërndarë. Gjithsesi, ndriçimin e gjithë të rreshtuarve e ka ndihmuar mjaft edhe reflektimi i bardhësisë së dëborës, që ka ndikuar për të arritur pasqyrimin pastër në letrën fotografike të fytyrave të çifteve.

Kjo foto është e veçantë, përveç atyre ndjesive që krijon, edhe për faktin se dhe sot e kësaj dite me gjithë mundësitë dhe lehtësitë e fotografimit, vështirë të gjesh shumë “shkrepje” të tilla, aq më tepër në fshat. Me këtë foto, të vendosur në mur apo në albume familjare, lidhen shpirtërisht mjaft pasardhës të atyre njëzetëve, të shpërndarë në mjaft vende, të cilët ndërkohë ndjejnë një krenari të natyrshme. Gjithashtu, kjo “shkrepje” mund të mbajë para saj gjatë dhe shikimet e mjaft njerëzve të tjerë pa asnjëfarë lidhje dhe njohje me të njëzetë fotografuarit dhe fshatin malor. Nga ana tjetër, fotoja mendojmë se mund të zejë vend edhe në Historinë e Fotografisë Shqiptare. Nga ç’u shkrua më sipër, fotoja e dhjetë çifteve dardhare në dimrin e vitit 1931, përbën si të thuash, një përmendore qytetarije, e mund të shërbejë edhe si një “gur kilometrik” për të treguar rrugën nëpër të cilën ka kaluar një pjesë e shoqërisë shqiptare. Madje, kjo jo në një qytet, por në Dardhë, një fshat malor të cilit njëkohësisht, i takon një vend nderi në Historinë e Fotografisë Shqiptare.

Kështu, fotoja “Dhjetë çifte dardhare” e Thimi Racit, mund të quhet një ikonë mbi plagën shoqërore e në të njëjtën kohë edhe faktorin zhvillues ekonomik siç ishte mërgimi në vendin tonë.

Lexo më shumë nga

Syri i piktorit!

Piktori Flamur Vathi ka zgjedhur hiperealizmin për të interpretuar realitetin. Vizatues skrupuloz deri në imtësi

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.