“TRiUMPh”
Piktori Avni Delvina hap te Piramida ekspozitën “TRiUMPh”, me 46 grafika kushtuar Presidentit të SHBA, Donald Trump
Nga Dash Frashëri
Ndërsa në “Capitol Hill” (Uashington) mbahej ceremonia e inaugurimit të Donald Trump si Presidenti i 47-të i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, në Piramidën e Tiranës, piktori Avni Delvina hapi ekspozitën “TRiUMPh”
Ekspozita me 46 grafika, e kuruar nga Niko Dhales do të qëndrojë e hapur në ambientet e Piramidës deri më 26 janar.
Artistë, personalitete të politikës e medias duartrokitën rikthimin e Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë.
Kjo është ekspozita e dytë e piktorit Delvina kushtuar Trump, pas asaj të quajtur “The Donald”, e hapur më 17 shkurt 2019, në Muzeun Historik Kombëtar.
***
Fotomontazhet e zgjedhura nga Delvina për këtë ekspozitë, janë shoqëruar me linja grafike që përcjellin personalitet artistik dhe emocione te artdashësit.
Krijimet shfaqin figurën e Trump në të gjithë dinamikën e tij politike. Figura e liderit republikan vendoset mes veprave të njohura të artit pamor, ndërkohë që ironizohen kundërshtarët e tij.
“Kjo erdhi për shkak të një kundërshtimi kolosal të së majtës botërore ndaj Donald Trump. Shpeshherë thonë piktori i Donald Trump. Jo, aty jam unë, jemi të gjithë ne që gjejmë një frymë lirie. Po ta shihni, në një farë mënyre ka një gëzim shumë të madh në të gjithë botën”, shprehet Delvina.
Grafikët e Delvinës nuk kanë kufij nacionalë, aty është historia e një bote në krizë ekzistenciale. Përmes simbolikës që përdor, ai përdor portretin e Donald Trump për të transmetuar mesazhe universale, për njerëzit e thjeshtë.
***
Ceremonia u hap me një video, ku kolonë zanore ishte kënga e fushatës së Donald Trump si kandidat për President.
Ceremonia u moderua nga aktori i njohur, Neritan Liçaj, e cili vlerësoi punimet grafike dhe mesazhet që përcjell piktori Delvina.
“Arti gjithmonë, nëpërmjet pamjes dhe simbolikës ka çuar përpara vendimin njerëzor, ka çuar përpara shoqërinë, ka çuar përpara filozofinë, sepse arti ka lindur nga nevoja e brendshme e njeriut për të thënë vërtetat e veta. I tillë është për mua dhe Avni Delvina”, tha Liçaj.
I pari që mori fjalën ishte Grant Van Cleve, presidenti i ri i Dhomës Amerikane të Tregtisë, një sipërmarrës global, i cili kishte studiuar në të njëjtin universitet të SHBA, atë të Pensilvanisë, ku më parë kishtin studiuar edhe Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk dhe aktiv në politikën konservatore amerikane.
I sapoardhur nga Los Anxheles, ai vlerësoi rizgjedhjen e Donald Trump si President i SHBA, duke e konsideruar një moment të madh të Amerikës dhe vlerësoi atë që po ndodh në Shqipëri me ekspozitën e Delvinës. Grant Van Cleve tha se ai kishte qenë në Shqipëri për herë të parë, në vitin 1991, duke qendruar në vendin tonë, për një vit e gjysmë.
“Arti i kësaj ekspozite që do të shihni është provokativ. Ka një mesazh të fuqishëm: kurajo, triumf dhe ne kemi shansin ta festojmë këtë mbrëmje, ku kemi një ndryshim në administratën amerikane. Dhe ne kemi nevojë për njerëz kurajozë”, tha midis të tjerash Grant Van Cleve.
Nga Shtetet e Bashkura të Amerikës, përshëndeti Sebastian Gorka, anëtar i stafit të lartë të Shtëpisë së Bardhë, ish-strategjist i Donald Trump si President i 45-të i SHBA dhe aktualisht, ndihmes këshilltar i Presidenit Trump, dhe Drejtor i Antiterrorizmit në Këshillin e Sigurisë Kombëtare.
“Mirëmbrëma miq, kjo përshëndetje vjen pas kërkese të veçantë nga miku im Avni Delvina. Dua t’ju falenderoj për mbështetjen tuaj anë e mbanë botës. Kjo nuk ka të bëjë me nje vend. Nuk bëhet fjalë për të bërë Amerikën të madhe përsëri, bëhet fjale për patriotizëm; bëhet fjale për atdhedashuri. Dhe nëse ndjeni dashuri për atdheun, e besoni në qytetërimin perëndimor, atëherë jeni miqtë tani këtu, të të gjithë patriotëve amerikanë. Kështu që Zoti ju bekoftë dhe uroj që keni një mbrëmje të magjishme. Ne, tani kemi një mundësi për të shpëtuar Perëndimin. Faleminderit, vazhdoni të bëni punë të mira”, tha Gorka.
Ekspozitën e përshëndeti edhe gazetari dhe shkrimitari i njohur italian, Francisko Di Milei. i cili foli nga SHBA. Ai është presidenti i Think Tank konservator, “Nazione Futura”.
Një përshëndetje bëri edhe pastori i njohur, Akil Pano., e cila e quajti se kjo ekspozitë po organizohet sot në piramidën e dikurshme, qe nga sot mund ta quajmë “Tempullin e Lirisë”, duke përgëzuar për eskpozitën piktorin Avni Delvina.
Kritikën artistike të ekspozitës e bëri piktori i nohur, Adrian Devolli.
“I frymëzuar nga ngjarjet e mëdha shoqërore politike në të gjithë botën, Delvina ka vendosur të tregojë të vërtetën e tij. Për këtë ai vepron me mjete të ndryshme artistike, duke na dhënë një vepër të mirëfilltë arti. Këtë të vërtetë ai e shpërhfaq kryesisht nëpërmjet fotomontazhit, por shpesh të pasuruar edhe me linja grafike që i japin veprës një personalitet artistik dinjitoz dhe përcjellin fuqishëm emocionin tek artdashësi. Si lejtmotiv kryesor, ekspozitën e përshkon figura e Presidentit të SHBA, Donald Trump, në gjithë dinamikën e tij politike”, tha mes të tjerash Devolli.
Piktori Avni Delvina foli me fjalë të sinqerta.
Piktori falenderoi në mënyrë të veçantë edhe familjen e tij, ndërkohë që në podium u ngjitën bashkëshortja, Edlira, e shoqëruar nga mbesa Victoria.
Më pas të pranishmit e shumtë vizituan ekspozitën…
… bënë fotokujtime me piktorin…
Delvina firmosi edhe albume me autograf për blerësit.
…
___________
Tiranë, më 20 janar 2025