Dhimbje!

“Piktori i Popullit” Vangjel Tushi studioi në akademitë e Athinës dhe Romës. Vdiq i sëmurë, në burgun e Ballshit


Nga Agim Janina

Mbasdite në bordurat e Parkut “Rinia”, ishin ulur piktorët Aristotel Papa dhe Kostandin Stavri. Shpesh i gjeje bashkë të harruar në biseda e kujtime të largëta. Të mënjanuar nga jeta, kishin krijuar botën e tyre të vogël, por të mbushur me ngjyra dhe me jetë. Fjala ra mbi piktorin Vangjush Tushi. Kostandini zuri të tregojë një histori të trishtueshme, histori të cilën ngurova shumë ta hedh në shënimet që mbledh herë pa here, megjithatë, nuk e di, por e rregjistrova dhe e shkruajta.

– Kisha një kurreshtje për të ditur se si kishte ikur nga kjo jetë piktori Vangjush Tushi. Dija që kishte qenë në burg bashkë me Aristotel Papajn, arkitekt dhe nip i skulptorit Odise Paskali, ndaj një ditë e nxita të më fliste për të. Ai më ka treguar se të dy ishin së bashku në një dhomë. I kisha kaluar të gjashtëdhjetat, ndërsa Vangjushi i kishte kaluar të shtatëdhjetat dhe nuk punonin. Kishte kohë që Vangjushi nuk dilte as në ajrim në oborrin e kampit. Gjithë kohës në shtrat dhe sëmundja e parkinsonin po i rëndohej çdo ditë. Mundohesha ta ndihmoja me aq sa më jepej, por vuante shumë. Nuk e lanë të dilte edhe pse kishte marë rrogën e ikjes…

Atë ditë më kujtohet mirë ishte data 30 korrik 1981 dhe ndërsa po rrinim në dhomë duke biseduar, aq sa mund të bisedohej me të, në një çast Vangjush Tushi ishte në agoni dhe po vdiste.

Rrinte shtrirë në krevat, i pamundur me gojën të hapur. Fytyra i ishte mbushur me miza dhe nuk kishte fuqi t’i largonte. Por akoma nuk kishte vdekur.

Kështu vdiq. I vetëm dhe i sëmurë. Jashtë mureve të kampit ishin varrezat, ku pasi i futëm emrin e tij në shishe ananxhate, i mbyllëm kapakut dhe e futëm në varr. Aq ishte puna e tij! Ishte 68 vjeç!

Në një udhëtim në Korçë për t’u njohur me veprën e piktorit Vangjush Mio, në takimin me skulptorin Pandi Kosta, më tha, ka shkruar për Mion një libër Vangjush Tushi, po jua jap ta lexoni, por të lutem me kujdes se, është në burg dhe na hapen telashe. E ka shkruar me shumë dashuri. Lexoje se ka shumë të dhëna e do ju ndihmojnë.

Piktori në burg, krijimtaria e tij e ndaluar, e paekspozuar, si e shumë e shumë artistëve të tjerë që diktatura i goditi pa mëshirë e pa më të voglën keqardhje nën një censurë dhe më keq autocensurë e nën moton, më shërben? Jo! Nuk je kërkushi dhe nuk më duhesh!

Kujt i thuhej dhe kush dënohej? Piktori artisti Vangjush Tushi! Pse? Ashtu ishte koha! Jo, pushteti vendos ligje, që janë në dobi të lirisë apo kundër saj. Artisti nuk gjeti liri për të folur si mendonte, si të vishej, si të jetonte, si të gjykonte, kë të donte, ku të shkonte, ku të banonte…

Piktori u lind në qytetin e Korçës në një mjedis familiar në gjendje të mirë financiare. Nxënës i Liceut Frances të qytetit do të niste udhën e bukur të artit. Më pas do të ndiqte studimet e larta në Akademinë e Arteve të Bukura të Athinës, ku mori dy çmime në pikturë. Nga Athina pas një pushimi në Korçë, do të ndjekë studimet në Akademinë e Arteve të Bukura të Romës, ku vlerësohet si studenti më i mirë.

Në vitin 1942 kthehet në atdhe dhe emërohet mësues vizatimi në Liceun e Korçës dhe pas lufte punon në disa shkolla dhe bën kurse vizatimi me të rinjtë që dashuronin pikturën. Në Ekspozitën e Dytë të Vendeve Mesdhetare në Aleksandri fiton medalje. Me nxitjen e tij hapet shkolla e mesme e pikturës dhe do të marr edhe Urdhërin “Naim Frashëri” të klasit të tretë.

Mbrëmjeve apo në orët e pushimit merrte mandolinën e i binte këngëve të bukura korçare, mbushej me dashuri për vendin, natyrën dhe si i afrohej kavaletit derdhte ngjyrat në telajon e bardhë me gëzimin e një fëmije dhe me hijehinë e një profesionisti.

Më 1976 arrestohet dhe burgoset. I sëmurë vuan në kushtet e rënda të burgut e të Kampit të Punës në Ballsh.

Sot Vangjush Tushi është nderur me titullin “Piktor i Popullit”, “Qytetar Nderi” i qytetit të Korçës dhe “Emblema e artë e qytetit”, “Kalorës i urdhërit të Flamurit dhe një rrugë mban emrin e tij… dhe mund t’i shtohen të tjera, por vdekja e tij është një tragjedi më vete, ku dhimbja, harresa në burg i sëmurë e pa ndihmë mjekësore të le në shpirt një shije të hidhur, që i rrethohet e vishet siluetit të artistit, pa gjetur ngushëllim.

“Mendo, do të vijonte rrëfimin Kostandin Stavri, Vangjush Tushi gjithë jetën punoi, krijoi peizazhet me borë, rrugicat e Korçës, vazot me lule… dhe dha frymën e fundit me fytyrën balli, sytë, hunda, goja e mbushur me miza…”

A sillet shteti kështu me një njeri, aq më shumë me një artist? Diktatura me luftën e klasave shkeli vetë shenjtërinë e qenies njerëzore!

Dhimbje!

"Piktori i Popullit" Vangjel Tushi studioi në akademitë e Athinës dhe Romës. Vdiq i sëmurë, në burgun e Ballshit

“Përherësi”, përjetësia e Naxhi Bakallit në Art!

Një vizatues i jashtëzakonshëm. Një krijues autentik. Një legjendë e gjallë e arteve pamore shqiptare.

Hysen Devolli, “Aristokrati i Skenografisë”

"Piktor i Merituar"! Skenograf i mrekullueshëm! Kostumograf i talentuar! Piktori i kartmonedhave të 1964

Gjimnazistët jetësojnë pikturën e Guri Madhit “Kur nuk shkojnë në stadium”

"Piktura" u realizua nga nxënësit: Doert Laçi, Leart Truka, Erno Mustafa, Darius Derguti, Vasil Sema, Destan Sulku dhe Elis Vika.